20141116internet |
Të martën përfundoi me sukses në Pekin konferenca e 22-të jozyrtare e udhëheqësve të APEK-ut. Kjo është hera e dytë e organizimit të takimit të udhëheqësve të APEK-ut në Kinë, pas takimit të vitit 2001 në Shangai. Gjatë 13 vjetëve, ekonomia kineze ka shënuar një rritje të fuqishme dhe tregtia nëpërmjet internetit po luan një rol të rëndësishëm në të gjitha fushat.
Para 13 vjetëve, gjatë takimit të udhëheqësve të APEK-ut në Shangai, krerët e qarqeve industrialo-tregtare të rajonit të Azi-Paqësorit zhvilluan një mbledhje të posaçme për të diskutuar për dukuri të reja ekonomike, që burojnë nga dixhitalizimi e interneti. Në atë kohë në qytetin Hangzhou, më pak se 200 kilometra larg Shangait, një i ri me emrin Ma Yun po bënte përpjekje për të krijuar uebsajtin tregtar elektronik. Pas 13 vjetësh, Kompania "Alibaba" me pronar Ma Yunin nxorri aksionet në Bursën e Nju Jorkut duke shënuar rekordin më të lartë botëror të vlerës së tregut të një shoqërie që nxjerr për herë të parë aksionet.
Foto: 许康平 / 东方IC
Më 19 shtator në orën 9 e 30 paradite, sipas orës lokale, Alibaba nxorri aksionet në Bursën e Nju Jorkut dhe në përfundim të ditës vlera e përgjithshme e tregut e Alibaba-së ishte rreth 240 miliardë dollarë, duke u bërë "Alibaba"kompania e dytë e madhe e internetit në botë pas Google. Për rrjedhojë, Ma Yun u bë njeriu më i pasur i Kinës.
Gjatë 13 vjetëve, interneti në Kinë është zhvilluar shumë shpejt. Sipas statistikave të fundit, sasia e uebsajteve të Kinës ka kaluar 3.5 milionët. Ndër 10 kompanitë më të mëdha botërore të internetit , 3 shoqëri janë kineze, ndërsa numri i përdoruesve të internetit në Kinë ka kaluar 200 milionët, kurse përdoruesit e internetit të lëvizshëm e kanë kaluar shifrën 850 milionë. Në të njëjtën kohë, tregtia nëpërmjet internetit e Kinës ka arritur në nivel botëror. Vitin e kaluar vëllimi i tregtisë elektronike në Kinë kaloi 10 trilionë juanë dhe Kina u bë tregu i dytë i madh i blerjes online të mallrave në botë.
Duke folur për blerjet nëpërmjet internetit, duhet të përmendim festën "11 nëntori", e krijuar nga disa uebsajte të mëdha të blerjes së mallrave në internet si Taobao, JD etj. Më 11 nëntor, këto uebsajte organizuan shitje online të përmasave të mëdha. Kjo festë e përvitshme, e njohur edhe si "Dita e Beqarëve" tërheq konsumatorë të panumërt në internet dhe po ndryshon modelin tradicional tregtar.
Foto: 吕建设 / 东方IC
Më 11 nëntor të vitit të kaluar, blerja e mallrave në internet në Kinë shënoi një rekord tregtar. Brenda 55 sekondave, vëllimi i shitjes kaloi 100 milionë juanët, vëllimi ditor i shitjes i uebsajtit Taobao arriti në 35 miliardë juanë, dhjetra herë më të lartë se vëllimi vjetor i shitjes i një qendre të madhe të blerjes. Në festën e sivjetme, ky vëllim i Taobaos arriti në 57.1 miliardë juanët duke shënuar përsëri një rekord.
Qeveria kineze ka marrë shumë masa për të nxitur zhvillimin e internetit. Në vitin 2007, qeveria kineze përcaktoi strategjinë e zhvillimit të biznesit elektronik. Në vitin 2009 e në vitin 2013, me vënien në përdorim të rrjetit të telekomunikacionit 3G e 4G, janë shtuar shumë përdorues të internetit dhe numri i përdoruesve zuri vendin e parë në botë. Tani Kina po zhvillon sistemin modern të teknologjisë së informacionit,po përsos sistemin e garantimit të sigurisë së informacioneve duke përhapur teknologjinë e internetit.
Ministri i Industrisë e Teknologjisë së Informacionit i Kinës Miao Wei u shpreh:
"Kemi hartuar një strategji, domethënë deri në fund të vitit 2015, interneti me bandë të gjerë në familjet qytetare do të arrijë në 20 Mgb. Njëkohësisht do të nxitim uljen e mëtejshme të shpenzimeve të internetit."
Specialistë janë të mendimit se me ngritjen e shpejtësisë së internetit dhe uljen e shpenzimeve, do të lindin më shumë sektorë të rinj duke nxitur zhvillimin e biznesit elektronik, të transportit, të financave në internet, të teknologjisë së informacionit të brezit të ri etj.
Rektori i Universitetit të Aeronautikës dhe të Astronautikës të Pekinit Huai Jingpeng është i mendimit se me ardhjen e etapës "Big Data", interneti do t'i sjellë shoqërisë kineze më shumë ndryshime. Ai tha:
Foto: 刘洋 / 东方IC
"E kemi të qartë se interneti është bërë një mënyrë e rëndësishme e shkëmbimeve dhe ka ndryshuar disa sektorë tradicionalë. Në fakt interneti është shndërruar nga një platformë ndërlidhjeje në një platformë llogaritjeje të zgjuar. Për shembull nëpërmjet rrjetit Baidu, mund të njohim mënyrat themelore të aktiviteteve shoqërore të përdoruesve të internetit, nëpërmjet Taobaos, mund të njohim zakonet e blerjes të konsumatorëve në internet dhe nëpërmjet Weibos, mund të njohim interesin e mendimet e përdoruesve të internetit. Me analizën e të dhënave përkatëse, interneti ndikon mbi punën e jetesën e çdo njeriu."
Gjatë 13 vjetëve mes dy takimeve të udhëheqësve të APEK-ut të zhvilluar në Kinë, interneti e tregtia nëpërmjet internetit në Kinë është zhvilluar shumë shpejt duke ndryshuar vendin dhe kinezët. Njerëzit presin që këto ndryshime të sjellin sa më shumë përfitime. (Fani)