20141109huayuquan |
Më 10 e 11 nëntor do të zhvillohet në Pekin Takimi i 22-të i Drejtuesve Ekonomikë të APEK-ut . Kjo është hera e dytë që ky takim organizohet në Kinë, atij të vitit 2001 në Shangai. Gjatë këtij intervali 13-vjeçar, ekonomia kineze është fuqizuar pandërprerë dhe ndikimi i Kinës mbi ekonominë botërore ka vijuar të shtohet. Njëkohësisht, qarqet e ndryshme presin të shohin një rol më të rëndësishëm të Kinës në ekonominë botërore.
Foto: 卜向东 / 东方IC
Në krahasim me vitin 2001, sot Shangai i ngjan edhe më shumë një qendre financiare botërore. Me vënien në funksionim në shtator të vitit të kaluar të Zonës së Tregtisë së Lirë të Shangait dhe me vendimin për krijimin e Bankës së Zhvillimit të vendeve të BRICS-ut në këtë qytet, emri i metropolit kinez është shfaqur më shpesh në lajmet e medias ndërkombëtare. Më 18 shtator të këtij viti, në Zonën e Tregtisë së Lirë të Shangait u krijua Bursa Ndërkombëtare e Arit, ku zhvillohet tregtia në monedhën kineze RMB për të tërhequr investorët vendës e të huaj. Në ceremoninë e hapjes së bursës, presidenti i Bankës Popullore të Kinës Zhou Xiaochuan u shpreh:
"Bursa ndërkombëtare e arit do të zgjerojë kapacitetin dhe do të forcojë gjallërinë e tregut kinez të arit, duke rritur ndikimin e Kinës mbi caktimin e çmimit të arit në të ardhmen."
Foto: 朱岚 / 东方IC
Vendi më i rëndësishëm i Shangait në ekonominë botërore pasqyron zhvillimin e fuqishëm të ekonomisë kineze. Në vitin 2001, vëllimi i përgjithshëm i ekonomisë kineze ishte 1.15 trilionë dollarë, duke zënë vendin e gjashtë në botë, kurse sot Kina është bërë ekonomia e dytë për nga madhësia në botë. Veçanërisht pas shpërthimit në vitin 2008 të krizës financiare ndërkombëtare, zhvillimi i ekonomisë kineze ka nxitur ringjalljen e ekonomisë globale. Lidhur me këtë, presidentja e Fondit Monetar Ndërkombëtar Christine Lagarde vuri në dukje se forca udhëheqëse e Kinës në ekonominë botërore ka rëndësi të madhe:
"Kur kriza goditi ekonominë botërore, Kina shfaqi përsëri forcën e vet udhëheqëse dhe po luan një rol konstruktiv në parandalimin e dëmtimit të rëndë të ekonomisë botërore."
Me ngritjen e dukshme të statusit të Kinës në ekonominë botërore, është shtuar shumë përqindja e votës e Kinës në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Njëkohësisht, zëri i Kinës po dëgjohet më shumë edhe në sistemin monetar, energjetikë, tregti etj., duke tërhequr vëmendje më të madhe. Studiuesi i Institutit të Kërkimeve të Politikës dhe Ekonomisë Ndërkombëtare pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës Shen Jiru mendon se është e natyrshme që të shtohet e drejta e fjalës për shkak të ngritjes së statusit ekonomik:
"Kina ka dhënë ndihmesë të madhe për zhvillimin e ekonomisë botërore. Tani vëllimi i tregtisë kineze është rreth 4 trilionë dollarë, duke zënë vendin e parë në botë. Forcimi i potencialit ekonomik na ka sjellë një të drejtë më të madhe fjale në ekonominë botërore."
Shumë specialistë janë të mendimit se, në krahasim me takimn e APEK-ut të Shangait para 13 vjetësh, në takimin e sivjetshëm të Pekinit ka shumë tema të reja e konstruktive. Në takimin e Shangait i kushtohej vëmendje liberalizimit tregtar të APEK-ut, kurse në takimin e Pekinit do të paraqiten masat konkrete të realizimit të liberalizimit, si krijimi i zonës së tregtisë së lirë, nxitja e risive ekonomike, forcimi i bashkërendimit brenda APEK-ut etj.
Shumë vende i kanë përshëndetur temat e takimit të APEK-ut të Pekinit. Ministri i Zhvillimit Ekonomik i Rusisë Aleksei Ulyukayev thekson:
"Jemi optimistë për bashkëpunimin me Kinën në Azi-Paqësor dhe i përkrahim shumë propozimet e paraqitura nga Kina."
Studiuesi i Institutit të Kërkimeve të Politikës dhe Ekonomisë Ndërkombëtare pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës Shen Jiru vuri në dukje se paraqitja e shumë propozimeve të rëndësishme në takimin e APEK-ut, duke gjetur përkrahjen e shumë anëtarëve, pasqyron statusin e rëndësishëm të ekonomisë kineze në strukturën botërore:
"Në takimin e sivjetshëm të APEK-ut janë paraqitur më shumë se 100 propozime, mbi 50 % ndër të cilat nga Kina. Tani Kina jo vetëm është integruar në ekonominë botërore, por edhe luan një rol konstruktiv dhe rolin e një vendi të madh të përgjegjshëm." (Fani/Artani)