20141027jingji |
Më 23 tetor, përfundoi në Pekin Plenumi i 4-t i Komitetit Qendror, të zgjedhur në Kongresin e 18-të të Partisë Komuniste të Kinës. Ky plenum me temën "sundimi i ligjit" ka tërhequr vëmendjen e opinionit botëror. Në programin e sotëm, do të fokusohemi te "sundimi i ligjit" dhe do të diskutojmë për rëndësinë e tij në zhvillimin e Kinës.
"Plenumi i 4-t", në syrin e mediave botërore
Më 23 tetor në mbrëmje, pasi u publikua Komunikata e Plenumit të 4-t, mediat e mbarë botës e njoftuan në faqet e para.
Agjencia amerikane Asociated Press njoftoi se nga Komunikata del se PK e Kinës do të marrë më shumë masa për nxitjen e pavarësisë së gjyqësorit dhe do të kontrollojë ndërhyrjet politike ndaj gjykatave. Në njoftim thuhet se kjo komunikatë krijon kornizë për qeverisjen e Kinës në vitet e ardhshëm.
Agjencia Reuter njoftoi më 23 tetor se "qeveria kineze premton përmirësim të shtetit ligjor ". Në artikullin e Reuter thuhet se pas mbledhjes 4-ditore me dyer të mbyllura, përfaqësues të lartë të Partisë Komuniste të Kinës hartuan një sërë politikash, që janë shumë të rëndësishme për vazhdimin e ekonomisë së tregut në Kinë.
Në artikullin e agjencisë franceze të lajmeve AFP me titull "Pekini përqafon sundimin i ligjit me karakteristika kineze" njoftohet se plenumi i 4-t është momenti kyç për reformën e Kinës në drejtimin e shtetit ligjor. "Sundimi i ligjit me karakteristika kineze" nuk do të dobësojë drejtimin e PK të Kinës. Duke iu referuar fjalëve të profesorit Kerry Brown, drejtorit të Qendrës Kërkimore mbi Kinën pranë Universitetit të Sidnejit, në artikullin e agjencisë franceze të lajmeve AFP thuhet se sundimi i ligjit në Kinë drejtohet kryesisht kundrejt korrupsionit të funksionarëve. "Në momentin kyç të zhvillimit ekonomik, Partia Komuniste e Kinës i shpall luftë korrupsionit, që ka penguar funksionimin politik e ekonomik."
Media ruse "Gazeta" njoftoi më 23 tetor se qëllimi kryesor i plenumit të 4-t është përqendrimi i sistemit juridik, që ta bëjë të pavarur nga administratat lokale, por kjo nuk do të ndikojë në rolin udhëheqës të Partisë. Maslov, drejtori i Qendrës së Kërkimeve Strategjike mbi Çështjet e Kinës tha se plenumi është moment i rëndësishëm në luftën e Kinës kundër korrupsionit.
Në artikullin e botuar më 22 tetor në gazetën "New York Times", profesori i Universitetit Yale, Geuirtz shkroi se hapat aktive drejt sistemit modern të sundimit të ligjit tregojnë se udhëheqja e Kinës po rregullon sistemin ideologjik. "Këto ndryshime nuk janë zbukurime sipërfaqësore, por janë përgjigjet e liderëve kinezë për pakënaqësitë e publikut."
Drejtimi i shtetit nga Partia, apo nga ligji?
Në shumë media perëndimore ngihet shpesh pyetja se , kush e drejton shtetin kinez, Partia apo ligji? Kjo thënie shkakton keqkuptime referuar plenumit. Në analizat e disa mediave perëndimore, udhëheqja e partisë dhe sundimi i ligjit bien ndesh.
Por si i kuptojnë kinezët marrëdhëniet midis Partisë dhe ligjit ?
Gjatë dy vjetëve të fundit pas ardhjes në fuqi, Xi Jinping ka theksuar se udhëheqja e Partisë, në dobi të interesave të qytetarëve dhe sundimi i ligjit, përbëjnë një tërësi organike. Presidenti kinez thekson gjithashtu se "Partia duhet të drejtojë legjislativin, të garantojë zbatimin e ligjit dhe të respektojë e para ligjin."
"Marrëdhëniet midis udhëheqjes së Partisë dhe sundimit të ligjit janë problemi kyç i krijimit të shtetit ligjor," theksohet në kryeartikullin e gazetës kineze "Renmin Ribao", organit të Partisë Komuniste të Kinës, pas përfundimit të plenumit të 4-t. Drejtimi i shtetit sipas ligjit, në radhë të parë është drejtimi i shtetit sipas Kushtetutës dhe qeverisja sipas ligjit është gjithashtu qeverisja në bazë të Kushtetutës, thuhet në kryeartikull. "Në Kushtetutën e Kinës, si ligj themeltar i shtetit, pasqyrohen arritjet e revolucioneve, të ndërtimeve dhe të reformave të drejtuara nga Partia dhe përcaktohet njëkohësisht statusi drejtues i Partisë Komuniste të Kinës në alternativat historike nga qytetarët. Këmbëngulja në drejtimin e shtetit nga Partia ka rëndësi jetike për Kinën. Në Kinë, sundimi i ligjit pajtohet me drejtimin nga Partia, kjo do të thotë se në drejtimin e shtetit, Partia duhet të bazohet te sundimi i ligjit të socializmit, ndërsa sundimi i ligjit të socializmit nuk ndahet nga drejtimi i Partisë. Kjo është përvoja e Kinës në rrugën drejt shtetit ligjor, që ndryshon nga konstitucionalizimi i vendeve perëndimore."
Sundimi i ligjit në dobi të ekonomisë
Si ekonomia e dytë botërore, zhvillimi ekonomik i Kinës ka qenë në fokus të opinionit botëror. Ekspertët janë të mendimit se shumë probleme në zhvillimin e ekonomisë kineze kanë të bëjnë me mungesën e sundimit të ligjit. Nxitja e drejtimit të shtetit ligjor do t'i krijojë lehtësi ekonomisë kineze, që ndodhet në periudhën kalimtare dhe gjithashtu do të ulë shumë koston e saj.
Sipas dr. Zhao Guohong, që punon në Institutit Kërkimor të Financave, pranë Ministrisë së Financave të Kinës, sundimi i ligjit luan rol kyç dhe të pazëvendsueshëm në sistemin ekonomik të një shteti modern. Por në Kinë, ka shumë zbrazti në legjislacion, veçanërisht në fusha të rëndësishme ekonomike, si në makrokontrollin e ekonomisë, në politikën e industrisë, në zhvillimin e vazhdueshëm, në administrimin e kapitaleve dhe të ndërmarrjeve shtetërore, në shpërndarjen e të ardhurave etj.
Duke folur për krijimin e leverdive për ekonominë nëpërmjet legjislacionit, dr. Zhao Guohong është i mendimit se në Kinë, pavarësia e gjyqësorit do të thotë që ky i fundit të jetë i pavarur nga institucionet administrative, shoqatat shoqërore dhe individët. Në të kaluarën, për shkaqe historike, gjyqësori mbeti vegël e institucioneve administrative për zbatimin e vullnetit dhe të politikave të tyre, si dhe shtojcë e të drejtave administrative. Ky mjedis nuk është në favor të zhvillimit ekonomik.
Sipas dr. Zhao, një sistem ligjor në ndihmë të zhvillimit ekonomik duhet të jetë i saktë dhe i përdorshëm nga ana teknike, të jetë i pajtueshëm me ligje të ndryshme, të zbatohet nga profesionistët dhe të ketë mekanizmin e mbikëqyrjes.
Në vitin 1997, "drejtimi i shtetit sipas ligjit" përfshihet zyrtarisht në raportin e Kongresit të 15-të të Partisë Komuniste të Kinës. Pas 17 vjetëve, "sundimi i ligjit" hyn në fazën e "zbatimit të gjithanshëm". Kjo thirrje e Kinës nuk është virtuale, por mbështetet në përparimet reale të shoqërisë kineze. (Wang Lei)