20140928Ilham |
Pedagogu ujgur Ilham Tohti u dënua me burgim të përjetshëm, për separatizëm më 23 shtator në Urumqi, kryeqendrën e rajonit autonom të Xinjiang Ujgurit. Po këtë ditë, sekretari amerikan i shtetit John Kerry dhe BE-ja bënë përkatësisht deklarata, ku dënuan Kinën për këtë gjykim dhe i kërkuan ta lirojë të burgosurin. Kundrejt këtyre deklaratave, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Hua Chunying hodhi poshtë qëndrimin e disa vendeve, duke theksuar se ato, duke mbajtur flamurin e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut, bënë vërejtje të papërgjegjshme mbi çështjen e Ilhamit dhe madje, paraqitën kërkesën e paarsyeshme për lirimin e tij. Kjo është ndërhyrje brutale në punët e brendshme dhe sovranitetin juridik të Kinës dhe pala kineze shpreh pakënaqësi dhe kundërshtim të prerë, tha zëdhënësja.
"Kina e trajtoi këtë çështje , duke iu bërë thirrje vendeve përkatëse, që të heqin dorë menjëherë nga standardi I dyfishtë dhe të ndalojnë veprimet e gabuara."
Gjykata e Ndërmjetme në Urumqi dha të martën vendimin që dënon separatistin Ilham Tohti me burgim të përjetshëm. Atij i hiqet gjithashtu e drejta për tu marrë me veprimtari politike si dhe i konfiskohen të gjitha pronat.
Gjykata bëri të ditur se ish-pedagogu në Universitetin Minzu në Pekin, kishte përhapur ide separatiste në rradhët e
studentëve, nëpërmjet uebsajtit, "Ujgur Online". Ai i kishte detyruar studentët të punonin për uebsajt dhe kishte krijuar një grup kriminal, sipas vendimit të gjykatës.
Tohti organizoi anëtarët e grupit të shkruanin, redaktonin, përkthenin dhe ribotonin mbi një qind artikuj, që synojnë ndarjen e Xinjiang-ut nga Kina.
Këta artikuj godasin politikat e Kinës në fushat e minoriteteve etnike, fetare, ekonomike dhe të planifikimit familjar si dhe nxitin urrejtjen etnike nëpërmjet shtrembërimit të shkaqeve të trazirave, që kanë ndodhur në Pekin dhe Xinjiang, thuhet në deklaratën e gjykatës për mediet.
Sipas deklaratës, duke përdorur uebsajtin e tij, Tohti inkurajoi ujgurët të përdornin dhunë. Ai bashkëveproi fshehurazi me grupe dhe individë të huaj që të propagandonin incidentet e lidhura me Xinjiang-un, me qëllim që të ndërkombëtarizonte çështjet e brendshme.
Të afërmit e të pandehurit ishin të pranishëm në gjyq.
Ilham Tohti u akuzua nga Prokuroria Popullore e Urumqit në fund të korrikut për separatizëm. Një gjyq publik u bë nga Gjykata e Ndërmjetme e Urumqit javën e kaluar, me dy avokatë për të pandehurin.
Autoriteti policer bëri të ditur në janar se një hetim i saktë kishte vërtetuar se Tohti krijoi një grup separatist dhe merrej me aktivitete separatiste, duke shfrytëzuar identitetin e tij.
Dënimi erdhi dy ditë pas një seri shpërthimesh, që shkaktuan dy të vrarë dhe një numër të plagosurish në disa lokalitete të prefekturës autonome mongole Bayingolin në Xinjiang.
Sipas autoriteteve vendase, numri i bandave terroriste në Xinjiang u shtua nga afro 140 në vitin 2010 në mbi 200 vitin e kaluar.
Qysh nga viti i kaluar, terroristët kanë ndërmarrë sulme në Xinjiang dhe gjithashtu në Pekin dhe Kunming, qytetin e Kinës Jugperëndimore, duke shkaktuar viktima.
Në korrik të këtij viti, 37 banorë të thjeshtë u vranë dhe 13 të tjerë u plagosën në një sulm terrorist në fshatin Shache, të prefekturës Kashgar, në Xinjiang. Policia qëlloi për vdekje 59 terroristë dhe arrestoi 215 të tjerë. Kjo ishte pasojë e një sulmi në një treg në Urumqi në maj, i cili shkaktoi 31 të vrarë dhe 94 të plagosur.
Më 28 tetor të vitit të kaluar, një xhip u përplas në sheshin Tiananmen, në qendër të Pekinit, duke shkaktuar 5 të vrarë dhe 40 të plagosur. Policia zbuloi dy thika dhe shkopinj çeliku dhe një flamur me përmbajtje ekstremiste në xhip. Policia identifikoi më vonë këtë përplasje vdekjeprurëse si sulm të dhunshëm terrorist.
Në deklaratën e BE-së thuhet se vendimi i gjykatës kineze mbi Tohtin është "krejtësisht e paarsyeshëm", duke dënuar Kinën për mosrespektim të të drejtave të njeriut. BE-ja i bëri thirrje Kinës të lirojë menjëherë Tohtin pa kusht. Ndërsa në deklaratën e tij, sekretari amerikan i shtetit, John Kerry e cilësoi Tohtin si "disident paqësor" dhe tha se ky vendim "shqetëson thellë" ShBA-në.
Në konferencën e shtypit të 24 shtatorit, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Hua Chunying tha se organi juridik e dënoi Ilham Tohti me burgimin e përjetshëm për përçarjen e shtetit, sipas Kodit Penal të Kinës. Procesi i gjykimit u zbatua rreptësisht sipas ligjit kinez dhe Ilham Tohtit iu garantuan të gjitha të drejtat sipas ligjit.
Kohët e fundit, ShBA-ja, duke mos përfillur sovranitetin e shteteve të tjera, ndërmori sulme ajrore kundër ISIS në territorin e Sirisë. Por vendet perëndimore e trajtojnë luftën antiterroriste të Kinës me "standard të dyfishtë". ShBA-ja e ka dënuar mësenjëherë Kinën për çështjen e Ilhamit dhe është orvatur të ndikonte mbi vendimin e gjykatës kineze. Në korrik të këtij viti, gjatë Dialogut Strategjik dhe Ekonomik kino-amerikan, Kerry përmendi këtë çështje. Ndërsa gjatë vizitës ditët e fundit në Xinjiang, ambasadori i ShBA-së në Kinë Max Baucus i kërkoi palës kineze të lirojë Tohtin.
Gjatë një interviste më 24 shtator, Li Wei, drejtori i Qendrës Kërkimore Anti-terroriste pranë Institutit Kërkimor të Marrëdhënieve Moderne Ndërkombëtare të Kinës i tha gazetës kineze "Huanqiu Shibao" se vendet perëndimore nuk përfilin kërcënimet e ekstremizmit dhe të terrorizmit ndaj vendeve të tjera dhe e trajtojnë me standard të dyfishtë terrorizmin, që kërcënon edhe vetë ata. Sivjet, ShBA-ja dhe Franca dënuan përkatësisht me burgim disa persona që përhapnin ekstremizmin.
Disa vjet më parë, kreu i organizatës Al-Kaeda, Anwar al-Awlaki përhapi ide ekstremiste në internet dhe u vra nga ShBA-ja në mënyrë të "asgjësimit në pikën e caktuar". Por tani vendet perëndimore e quajnë Tohtin, që predikon separatizmin dhe terrorizmin, si "disident paqësor". Një veprim i tillë do të inkurajojë përhapjen e mëtejshme të ekstremizmit ndërkombëtar në botë.
Duke shfrytëzuar çështjen e Tohtit, disa media perëndimore sulmuan edhe politikën kineze të pakicave kombëtare. BBC-ja e përshkroi Tohtin si "Mandela e ujgurëve".
Kundrejt këtij njoftimi, zëdhënësja e diplomacisë kineze Hua Chunying u kundërpërgjigj se zoti Mandela është heroi i Afrikës së Jugut kundër Aparteidit, ndërsa Tohti është kriminel që nxiti urrejtjen midis kombësive dhe dënohet për separatizëm nga organi juridik i Kinës, pra të dy rastet nuk mund të krahasohen. Zëdhënësja i tha gazetarit që paraqiti pyetjen përkatëse, se"asnjë vend nuk lejon fjalë a veprime të çfarëdo forme që nxitin urrejtjen tetnike, përçarjen e shtetit dhe përdorimin e dhunës. Mendoj se kjo është e njëjtë edhe në vendin tuaj."
"Të krahasoni separatistin Tohti me Mandelën, është fyerje për Mandelën dhe për Afrikën e Jugut. Tohti nuk mund të bëhet Mandela e Kinës", komentoi analisti kinez Wang Dehua. (Wang Lei)