20140629beiche |
Po zhvillohet në Brazil Kampionati Botëror i Futbollit. Megjithëse ekipi kinez nuk hyri në finale, shumë faktorë kinezë po luajnë një rol të rëndësishëm për zhvillimin e mbarë të kampionatit.
Kampionati Botëror i Futbollit shfaq jo vetëm magjinë e sportit, por edhe nivelin e zhvillimit urbanistik të një vendi. Për të krijuar një mjedis të mirë të ndjekjes së ndeshjeve për tifozët e mbarë botës, pas fitimit të së drejtës së organizimit të Kampionatit Botëror të Futbollit të vitit 2014, qeveria braziliane ka bërë përpjekje të palodhshme në ndërtimin e infrastrukturës dhe në modernizimin e qyteteve. Një sërë projektesh si rindërtimi i stadiumeve, zgjerimi i rrugëve, shpejtimi i ndërrimit të mjeteve të transportit etj. tërhoqën shumë ndërmarrje të huaja duke përfshirë shoqërinë e mjeteve hekurudhore të transportit të Changchunit të Grupit CNR të Kinës (Beichechangke).
Shoqëria Beichechangke u ngarkua të realizojë 4 projekte të transportit hekurudhor në qytetin Rio de Zhanejro ku zhvillohen finalet e Kampionatit Botëror të Brazilit dhe i dha këtij qyteti 90 grupe të trenave elektrike dhe 34 grupe të trenave të metrosë. Beichechangke prodhoi posaçërisht trena elektrikë të tipit të ri për Brazilin dhe mundësoi që në Kampionatin Botëror, tifozët të shkojnë në stadiumin Marakana me trena modernë. Drejtorja e projektit të hekurudhave në qytet e shoqërisë Beichechangke Zhao Yao thotë:
"Afati i dorëzimit të mallit i shoqërisë sonë është zakonisht 18 muaj, por me kërkesën e fortë nga autoritetet vendore të Rio de Zhanejros, ne shkurtuam afatin në 14 muaj. Trenat u transportuan nga Kina më 28 shkurt dhe arritën në Rio de Zhanejro më 20 maj, në prag të Kampionatit Botëror të Futbollit. Këto trena janë dhuratë për këtë kampionat dhe për popullin brazilian."
Me çmim të lirë, shoqëria Beichechangke ka fituar 3 herë oferta në nivel global. Nga ana tjetër, nëse nuk do të kishte nivel të lartë teknik, Beichechangke nuk mund t'i mposhtte disa ndërmarrje ndërkombëtare, duke fituar kontratën e 4 projekteve të transportit hekurudhor në qytetin Rio de Zhanejro. Zhao Yao thotë:
"Në Rio de Zhanejro, ka shumë lagështi, ndaj produktet tona duhet të jenë rezistente ndaj ndryshkut. Për të përballuar kohën e nxehtë, trenat duhet të pajisen me kondicionerë të fuqishëm ajri. Dallimi më i madh është largësia e ndryshme midis binarëve, në Brazil largësia midis binarëve është më e madhe se ajo në Kinë, prandaj duhet të përshtatnim strukturën e trenave. Një dallim tjetër është intensiteti i trupit të trenit, në Kinë intensiteti arrin në nivelin 80 ton, kurse pala braziliane na kërkoi të ngremë nivelin në 363 ton. Këta faktorë përbëjnë jo vetëm një sfidë, por edhe rreziqe për ne, pasi nëse nuk do të ishim të aftë të realizonim faktorët e paparashikuar, nuk mund të fitonim ofertat."
Përveç kërkesave të ndryshme teknike, dallimet midis Kinës dhe Brazilit ndikojnë mbi bashkëpunimin midis shoqërisë Beichechangke dhe partnerëve vendës. Ky është një problem i vështirë për të gjitha ndërmarrjet kineze që zhvillojnë biznes në tregun brazilian. Për fat të mirë, nëpërmjet shkëmbimeve të pandërprera, Biechechangke ka gjetur mënyrën e përshtatshme të kontaktit me palën braziliane. Zhao Yao shprehu bindjen se ndërmarrjet kineze i kanë sjellë Brazilit jo vetëm produkte, por edhe kulturën kineze:
"Kemi mendime të ndryshme në tryezën e bisedimeve. Kinezë janë të mendimit se mendimet unanime të arritura gjatë bisedimeve nuk duhet të ndryshojnë, kurse brazilianë janë të mendimit se këto mendime mund të ridiskutohen. Një problem tjetër është që brazilianët nuk janë shumë të saktë në kohë. Për shembull ne caktojmë kohën e bisedimeve paradite, kurse brazilianët vijnë zakonisht në mesditë. Nëpërmjet shkëmbimeve, tani brazilianët kanë njohur gradualisht zakonet e kinezëve dhe bashkëpunimi dypalësh shkon më mirë."
Pas vënies në përdorim, trenat e prodhuar nga shoqëria Beichechangke janë pëlqyer nga brazilianët dhe udhëtimi me mjetet e transportit hekurudhor është një zgjedhje e gëzueshme për shumë udhëtarë brazilianë. Zhao Yao thotë:
"Siç thuhet nga media braziliane, produktet tona mund të ndryshojnë mënyrën e udhëtimit të brazilianëve. Shumë udhëtarë brazilianë dëshirojnë më shumë të zgjedhin trenat moderne të shoqërisë sonë, sepse produktet tona u japin një mjedis të rehatshëm udhëtimi."
Për të ngritur aftësinë e organizimit të veprimtarisë së rëndësishme ndërkombëtare, siç është Kampionati Botëror i Futbollit, qeveria braziliane planifikon të investojë rreth 5 miliardë dollarë brenda 5 vjetëve në përsosjen e transportit hekurudhor në qytet. Projekti i shoqërisë Beichechangke në Rio de Zhanejro është një pjesë e këtij plani dhe ka filluar shërbimin me Kampionatit Botëror të Futbollit. Më pas do t'u shërbejë Lojërave Olimpike të Rio de Zhanejros në vitin 2016. Më e rëndësishmja është që ky projekt i shërben popullit brazilian. Zhao Yao thotë:
"Projekti ynë është në favor të popullit brazilian, pasi mund të disiplinojë trafikun e rënduar në Rio de Zhanejro duke ndryshuar mënyrën e udhëtimit të vendësve. Ky projekt jo vetëm i shërben Kampionatit Botëror të Futbollit, por do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në shërbim të Rio de Zhanejros." (Fani)