PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
45 vjet historia jonë, Hou Yuping
2014-05-28 19:08:48 CRI Komenti juaj Printoni

Sivjet shënohet 45-vjetori i fillimit të emisioneve shqip të Radios së Jashtme të Kinës. Me këtë rast kemi intervistuar disa kolegë të vjetër të redaksisë. E ftuar sot është kolegia e vjetër e redaksisë shqipe, Hou Yuping, Pina.

Pina tha: "Së shpejti do të mbushen 45 vjet nga 6 qershori 1969 kur filloi transmetimi i emisioneve në shqip. Pas zhvillimit shumëvjeçar Redaksia e gjuhës shqipe është rritur dhe ka arritur suksese të mëdha, ndërsa ne, të parët që kanë nisur këtë punë fisnike kemi dalë në pension.

Redaksia e gjuhës shqipe ka një histori të lavdishme. Qysh nga marrja e vendimit për transmetimin e programeve në gjuhën shqipe, deri në transferimin e kuadrove në radio u bë në bazë të dokumentieve përkatëse qendrore, madje edhe data e fillimit të transmetimit të programeve u caktua personalisht nga kryeministri i ndjerë, Çu Ën Lai. Gjatë shumë vjetëve, redaksia e gjuhës shqipe është përpjekur dhe përpiqet për çuarjen përpara dhe forcimin e miqësisë, të bashkëpunimit dhe të njohjes së ndërsjelltë midis popujve kinez e shqiptar."

Kolegia e redaksisë Zhang Zhuo bisedoi me Pinën. Më poshtë intervista e plotë:

1. Si e keni filluar punën në redaksinë shqipe?

Pas diplomimit nga Instituti i Studimit të Gjuhëve të Pekinit (tani Universiteti i studimit të gjuhëve të Pekinit) u caktova të punoja në Drejtorinë e Marrëdhënieve të Jashtme pranë Komitetit Qendror të PK të Kinës, ku merresha me punë studjuese, duke përdorur gjuhën shqipe. Sigurisht bëja edhe përkthime me shkrim dhe me gojë, gjatë vizitave të delegacioneve shqiptare, përkthim dokumentesh dhe materialesh të ndryshme. Më mars të vitit 1969, kur punoja në një fermë bujqësore ushtarake në lindje të provincës Guandong, mora versh se do të transferohesha në radio. U gëzova shumë por njëkohësisht ndjeva dhe keqardhje, sepse në Drejtorinë e Jashtme pranë Komitetit Qendror të partisë punova 3 vjet, kisha kolegë të mirë që më jepnin ndihmë të madhe dhe puna shkonte mbarë. Po të shkoja në radio, si një post i ri pune duhet të mësoja nga fillimi, të përshtatesha me ambjetin e ri, me një fjalë do të kishte shumë vështirësi. Nga ana tjetër, e kisha ëndërr të punoja në radio që në shkollën e mesme. Atëhere, si anëtare e një kori nxënësish kisha shkuar disa herë për incizim në radio dhe takoja një shoqe shkolle, që punonte atje. Mendoja atëkohë se puna në radio ishte interesante dhe misterioze. Tani më erdhi rasti dhe duhej ta kapja. Mes ëndrrës dhe mendimeve kontradiktore, nisa punën në radio.

2 Si ishte situata pas fillimit të punës në radio?

Më kujtohet si tani kur erdha në Radion e Jashtme të Kinës. Pas pushimeve të lindjes së vajzës, erdha në punë pas më shumë se 2 muaj nga fillimi i transmetimit të programeve në shqip. Duke parë entuziasmin, ku kolegët e rinj punonin me vrull, përkthenin e incizonin me përpjekje, unë nxitohesha shumë, sepse isha ndryshe nga të tjerët. Të gjithë anëtarët e redaksisë kishin studjuar gjuhën shqipe në Tiranë, vetëm unë në Institutin e Studimit të Gjuhëve të Pekinit, kështu dashje pa dashje kisha një farë presioni. Ç'të bëja? Mënyra e vetme ishte të mësoja dhe të shtoja përpjekjet, ndaj lexoja materiale të korrigjuara dhe të transmetuara, të përktheja më shumë e më shpejt lajme dhe korrespondenca, pasi materialet ishin të stileve dhe gjinive të ndryshme dhe kishin kërkesa të ndryshme në përkthim. Në të njëjtën kohë duhet të lexoja dhe të korrigjoja gabimet e të metat në shqiptim. Atë kohë kushtet e punës nuk ishin aq të mira, kishte pak studio incizimi, prandaj leximin e bëja në shtëpi, duke u kujdesur edhe fëmijën e vogël dhe ndjehesha isha shumë e lodhur. Në të njëjtën kohë, duhet të mësoja edhe punën profesionale të radios, se emisioni i gjuhës shqipes 30 minutësh kishte përmbajtje shoqërore, kulturore, ekonomike, sportive etj.. Unë jo vetëm duhet të zotëroja një fjalor të pasur, por edhe duhet të njihja karakteristikat e gjuhës që përdoret në radio.

Pas përpjekjesh këmbëngulëse në një periudhë të shkurtër, niveli i përkthimit dhe i leximit u përmirësua dukshëm dhe u vlerësva nga kolegët e specialisti shqiptar Kristaq Teneqexhiu. Edhe unë kisha besim tek vetja. Sigurisht ky ishte vetëm një fillim, duhet të bëja përpjekje të mëdha e të vazhdueshme në të ardhmen.

3 Ç'kujtime keni nga dëgjuesit apo histori të tyre?

Gjatë punës shumë vjeçare në radio, mendoj se puna me dëgjuesit është shumë e rëndësishme. Dëgjuesit shërbejnë si pikënisje dhe qëllim i punës në radio, ata ushtrojnë ndikim dhe luajnë rol të madh në punën e radios, pra studimi i kërkesave, dëshirave dhe mendimeve të tyre janë punë e parë e punonjësve të radios. Kjo punë duhet të kryhet duke qenë në gjirin e tyre. Sigurisht për ne ishte e pa mundur atëherë. Puna që mund ta bënim ishte të shkembenim mendime me ta nëpërmjet letrave, më vonë telefonave dhe fakseve. Kur merrnim letrat e dëgjuesve gëzoheshim pa masë, i lexonim me vëmendje dhe iu përgjigjeshim me entuziasëm e në kohë. Dëgjuesit tanë të dashur dhe miq të vjetër si Vasil Naçi, Daut Kryemadhi, Agron Fico dhe shumë të tjerë kanë dërguar shumë letra të gjata e miqësore, ku vlerësonin punën tonë, programet e pasura, por njëherësh vinin në dukje gabimet e të metat, na bënin edhe propozime të vlefshme. Ata organizuan klubin e dëgjuesve për të zhvilluar aktivitete të ndryshme. Të gjithë anëtarët e redaksisë sonë që kanë vizituar Tiranën, pa përjashtim janë ftuar si mysafirë në shtëpitë e tyre, ku janë pritur ngrohtësisht, si në shtëpinë e vet. Kur u larguan, morën me vete edhe dhurata të ndryshme për kolegët e tjerë. Në vitin 2000 shkova si gazetare në Shqipëri. Kur e mori vesh, dëgjuesi i dashur Vasil Naçi na ftoi në shtëpinë e tij, madje ftoi edhe këshilltaren e Ambasadës së Kinës në Shqipëri Ma Lumei dhe diplomatë të tjerë. Zonja e shtëpisë na priti me verë dhe me ushqimet karakteristike shqiptare, ne folëm gjerë e gjatë për tema të ndryshme, kënduam dhe vallëzuam së bashku. Zoti Vasil Naçi na paraqiti paisjet e për të dëgjuar emisionet e radio sonë,të cilën e ndiqte në valët e shkurtra të Radios së Jashtme të Kinës. Çdo mbrëmje, kur vinte koha, ai dëgjonte sinjalin e radios sonë dhe ndiqte emisionet pandërprerë. Nganjëherë, për shkak të rrymës së dobët elektrike, programet nuk dëgjoheshin mirë dhe me ndërprerje. Ai na dërgoi faks për të na njoftuar. Madje një herë na dërgoi 3 fakse për të na njoftuar për ndërprerjen e sinjalit tonë të transmetimit. Në vitin 2005 ai u shpall fitues i çmimit të parë në konkursin e organizuar nga radioja jonë dhe u ftua të vizitonte Kinën. Edhe gjatë kësaj vizite ai vazhdonte të dëgjonte programet tona, duke u ngritur në orën 3 deri në 4 të mëngjesit. Këmbëngulja e tij na preku thellë. Dëgjuesi tjetër i dashur, që u ftua të vizitonte Kinën, zoti Daut Kryemadhi është një dëgjues i rregullt që krijoi klubin e dëgjuesve dhe zhvilloi aktivitete të ndryshme me redaksinë tonë. Ai jo vetëm ka dëgjuar emisionet tona me shumë kujdes, por na ka shkruar shumë letra të dashura e të gjata, ku shprehte mendimet e tij për probleme të ndryshme. Edhe ai ishte shumë mikpritës dhe na ka ftuar të gjithë anëtarët e redaksisë në shtëpinë e tij, ku kemi gjetur mikpritjen e ngrohtë. Ai na tha se në vend të fjalës "spiker", duhet përdorur fjala "folës", dhe ne e pranuam mendimin e tij. Dëgjuesi i dashur Agron Fico punon dhe jeton në SHBA. Në fillim të viteve 60-të, ai kishte punuar 4 vjet si profesor në Institutin e studimit të gjuhëve të Pekinit dhe ushqente një dashuri të madhe për Kinën. Në letra ai vlerësonte ngritjen e pozitës së Kinës në botë dhe sukseset e mëdha të saj. Ai theksonte se emisionet e radios sonë ishin të pasura dhe të larmishme, dhe se shqipfolësit flasin një shqipe zyrtare, të rrjedhshme dhe të bukur.

Duke folur për dëgjuesit tanë të dashur, ka shumë gjëra interesante dhe prekëse për të treguar, por në mungesë të kohës, dëshiroj të shpreh falënderimet e mia të thella për ta.

4. Punuat për 40 vjet në redaksinë e gjuhës shqipe. A ndiheni e lumtur tani?

Ç'është një jetë e suksesshme për ne ? Kur ti je marrë me një punë që të pëlqen me dijet e njohuritë që ke mësuar. Që nga fillimi i transmetimit të programeve në shqip kam punuar 40 vjet në këtë post. Duke kujtuar gjithë karierën si punonjëse në Radion e Jashtme jam shumë e kënaqur se kam punuar me gjuhën shqipe që e kam studjuar. Gjatë këtyre vjetëve puna në radio ka patur lavdi, zigzage, por edhe rënie. Duke filluar nga fundi i viteve 70-të, marrëdhëniet midis Kinës e Shqipërisë nuk kanë qënë të mira, programeve në shqip nuk iu kushtua vëmendja e duhur. Në këtë situatë, një pjesë e anëtarëve të redaksisë shkuan në poste të tjerë. Edhe unë mund të kisha bërë të njejtën gjë, por isha e vendosur të punoja në radio. Së bashku me kolegët që mbetën, kemi punuar me gjithë zemër deri në pension, duke i kushtuar gjithë forcën dhe energjinë tonë punës në radio. Pas daljes në pension, kam punuar edhe 8 vjet, në këtë post.

5. Me rastin e 45 vjetorit të fillimit të emsionit të gjuhës shqipe, çfarë do t'u thoshit kolegëve të rinj?

Vitet e fundit Radio e Jashtme e Kinës ka marrë një zhvillim të shpejtë, ajo nga një media e thjeshtë që transmetonte vetëm në valë të shkurtra po kalon në një media moderne, komplekse me radio, internet dhe multimedia, dhe pas përpjekjeve disavjeçare radio e jashtme do të bëhet një media moderne me ndikim mbarë boptëror. Programet në gjuhën shqipe janë bërë gjithnjë e më tërheqëse, duke luajtur një rol të pazëvendësueshëm në njohjen e Kinës nga populli shqiptar. Programet jepen tani jo vetëm në valë të shkurtra, por edhe në valë të mesme në Tiranë, në internet,ku botohet dhe revista "Ejani". Redaksia e gjuhës shqipe, si një multimedia e vogël moderne, me përpjekjet e përbashkëta këmbëngulëse të një grupi të rinjsh të talentuar kinezë e shqiptarë, po ndihmojnë dëgjuesit shqiptarë të njohin mirë Kinën dhe përpiqen si kurdoherë për çuarjen përpara të miqësisë dhe bashkëpunimit miqëror midis popujve kinez e shqiptar.

Uroj që emisionet e gjuhës shqipe të bëhen gjithnjë e më të pasura dhe më të larmishme, dhe redaksia e shqipes të arrijë suksese më të mëdha.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China