20140528kozzz |
Tërmeti politik i zgjedhjeve parlamentare europiane
Evropa ishte sot e tronditur pas tërmetit politik të provokuar nga triumfi i Frontit Kombëtar (FN) në Francë dhe i eurofobëve të UKIP në Britaninë e Madhe që dëshmon një kundërvënie ndaj Evropës, Brukselit dhe elitave kombëtare në pushtet.
Pavarësisht rritjes së fortë të ekstremit të djathtë dhe të euroskeptikëve në kontinentin e vjetër, e djathta konservatore mban numrin më të lartë të të zgjedhurve në Parlamentin Europian.
Duke marrë parasysh mësimin historik, kryeministri francez, Manuel Valls, kërkoi sot në mëngjes një riorientim të Bashkimit Europian.
"Jam i bindur se Europa mund të riorientohet për të mbështetur fillimisht rritjen ekonomike dhe punësimin, diçka që ajo nuk e bën prej vitesh", tha ai.
Eurofobët e UKIP-it arritën të kryesonin ndjeshëm në Britaninë e Madhe me një rezultat historik prej 29 për qind dhe morën 23 nga 74 deputetët evropianë të vendit.
Në Francë, duke përfituar nga rënia rekord e popullaritetit të socialistëve që janë në pushtet, Fronti Kombëtar i Marine Le Pen, u bë partia kryesore me një rezultat historik, 24,96 për qind, dhe do të marrë 24 vende nga 74 që ka Franca, njëri prej vendeve themeluese të BE-së.
FN-ja është në një distancë të ndjeshme ndaj rivalëve të UMP-së (20,8 për qind), ndërkohë që Partia Socialiste mori një humbje tjetër, duke arritur në më pakë se 14 për qind të votave.
Madje Le Pen i kërkoi menjëherë presidentit François Hollande organizimin e zgjedhjeve të reja.
"Tërmet politik", shkruante "Frankfurter Allgemeine Zeitung", e përditshmja gjermane i dedikoi titullin kryesor triumfit të Frontit Kombëtar, sikurse kanë bërë të gjitha mediat gjermane dhe europiane.
Ministri britanik i Punëve të Jashtme, William Hague, u shpreh shumë i shqetësuar për fitoren e FN-së. Madje kur u pyet nga gazetarët nëse bëhet fjalë për një parti raciste, ai u përgjigj "po dhe mendoj se duhet të shqetësohemi përballë ngjarjeve të tilla në Europë".
Sipas rezultateve të paraqitura nga Parlamenti Europian, dhe që ende janë provizore, konservatorët e Partisë Popullore Evropiane (PPE) janë në krye me 212 deputetë nga 751 në total, kundrejt 186 për socialistët. Liberalët morën 70 vende të ndjekur nga të gjelbrit me 55. Katër partitë kryesore evropiane, së bashku, kalojnë nga 612 deputetë në 523.
Për sa u përket partive të ndryshme eurofobe, që nuk përbëjnë një bllok të vetëm homogjen, ato morën së bashku 140 deputetë.
Në Gjermani, që dërgon edhe numrin më të lartë të deputetëve në Parlamentin Evropian (96), konservatorët (CDU,CSU) të kancelares Angela Merkel janë në krye, sipas sondazheve paraprake të dala nga kutitë e votimit. Edhe neonazistë
Por, për herë të parë në historinë e saj, partia neonaziste gjermane NPD do të hyjë në Parlamentin Europian, me rreth 300 mijë vota. NPD-ja arriti të marrë një deputet.
Partia e re antieuropiane AFD, që kërkon një shpërbërje të monedhës së përbashkët, do të hyjë gjithashtu në parlament.
Në Austri, partia e ekstremit të djathtë FPO, që shpreson të krijojë një grup me FN-në, ka përparuar ndjeshëm dhe mbërriti në vend të tretë me rreth 20 për qind të votave, që është rritur me më shumë se pesë pikë në raport me vitin 2009.
Në Danimarkë, është Partia Popullore, grupim kundër imigracionit, që arriti në krye me rreth 27 për qind të votave dhe duke marrë katër nga 13 deputetë.
Një parti e vogël eurofobe polake, Kongresi i së Djathtës së Re (KNP), morri 7,2 për qind të votave dhe mund të dërgojë katër deputetë në Parlamentin Europian.
Në Hungari, zgjedhjet janë dominuar gjerësisht nga partia konservatore "Fidesz" e Viktor Orbanit, por ekstremi i djathtë ultranacionlist i partisë "Jobbik" është në vend të dytë me rreth 15 për qind dhe tre deputetë.
Rritja e fortë e ekstremit të djathtë në Europë përkthehet edhe me hyrjen e partisë neonaziste greke "Agimi i Artë" në Parlament, me rreth 10 për qind të votave që mund të dërgojë rreth tre deputetë në Strasburg. Në Greqi, euroskepticizmi paraqitet me daljen në krye të partisë së ekstremit të majtë "Syriza" e Alexis Tsipras, që do të marrë gjashtë deputetë, kundrejt pesë të "Demokracisë së Re", partia në pushtet.
Në Spanjë, dy partitë e mëdha tradicionale, Partia Popullore e së djathtës dhe Partia Socialiste njohën një shpartallim në përfitim të formacioneve të vogla si "Podemos", që ka lindur nga lëvizja e të indinjuarve dhe ka marrë pesë eurodeputetë.
Por në Itali, populisti Beppe Grillo u la shumë mbrapa nga Partia Demokrate, formacioni i qendrës së majtë e shefit të qeverisë Matteo Renzi, që morri 41,5 për qind të votave, sipas të dhënave pas numërimit të tre të katërtave të votave.
E majta ka fituar gjithashtu në Rumani dhe Portugali.
Thirrje për bashkim
Rritja e ekstremit të djathtë është bërë nën sfondin e një pjesëmarrjeje të ulët, 43,09 për qind kundrejt 43 për qind në vitin 2009, viti kur u arrit niveli më i ulët historik i pjesëmarrjes në zgjedhjet evropiane.
Euroskepticizmi ka përparuar në shumë vende të mëdha si Franca dhe Gjermania. Por në shumë vende të Europës Lindore, pjesëmarrja, shumë e ulët, ka rënë edhe më shumë.
"Në përgjithësi, rritja e forcave antieuropiane nuk do të ndryshojë mënyrën se si punon Parlamenti, me një bllok proevropian që mbetet gjerësisht maxhoritar. Por do të ketë pasoja në skenat politike kombëtare dhe mbi mënyrën sesi krerët kombëtarë do të sillen brenda BE-së", vlerëson Jan Techau, drejtori i grupit të reflektimit "Carnegie Europe".
Tashmë beteja profilizohet për presidencën e Komisionit Evropian.
Kandidati i PPE-së, Jean Claude Juncker kërkon presidencën e ekzekutivit evropian.
Asnjë parti nuk ka maxhorancën dhe kjo situatë mund të shtyjë krerët e shteteve evropiane që të kërkojnë një personalitet tjetër të pranueshëm nga deputetët. Ata do të mblidhen nesër në mbrëmje në Bruksel për të diskutuar për këtë çështje.
Policia kineze nis operacionin një vjeçar kundër terrorizmit
Policia kineze ka nisur një operacion një vjeçar mbarëkombëtar kundër terrorizmit.
Fushata po drejtohet nga policia e Xinjiang-ut, ku një sulm i dhunshëm javën e kaluar u mori jetën 39 njerëzve.
Ndjekim tani korrespodenten e CRI-së Ding Lulu.
Disa ditë për sulmit në Urumqi, 41-vjeçari Omerjan thotë se ai është ende në ankth.
Ai u qëllua në një treg në Urumqi ku terroristët shpërthyen një makinë dhe hodhën eksplozivë në mesin e turmës në treg.
Omerjan pati djegie të shumta në këmbë.
"Natën kur dua të fle, më dalin para ato skena të tmerrshme. Tani e kam të pamundur të fle."
Sulmi terrorist i javës së kaluar ishte më i përgjakshmi i viteve të fundit në Xinjiang, ku terroristët dhe ekstremistët kanë ndërmarrë një sërë sulmesh që kanë dëmtuar njerëzit e thjeshtë.
Departamenti i policisë rajonale tha më herët se 23 grupe terroriste dhe ekstremiste fetare janë shkatërruar dhe mbi 200 të dyshuar u arrestuan muajin e kaluar.
Gjithashtu, janë konfiskuar më shumë se 200 mjete shpërthyese.
Sipas deklaratës së policisë, të dyshuarit kishin mësuar nëpërmjet internetit se si të prodhonin armë artizanale.
Sipas policisë, shumica e materialeve në internet janë prodhuar nga Lëvizja islamike Turkistanit Lindor, një organizatë e shpallur terroriste nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.
Grupi ka marrë përgjegjësitë për disa sulme terroriste që synojnë qytetarët e pafajshëm në Xinjiang në vitet e fundit.
Abudurekefu Mala, është kreu i Institutit Islamik të Xinjiang-it, që thotë se ekstremistët nuk mund të përfaqësojnë islamin.
"Kjo sjellje është antinjerëzore, antishoqërore dhe antiqytetëruese. Islami u a ndalon në mënyrë të qartë myslimanëve të dëmtojnë të tjerët. Dëmtimi i një të pafajshmi është i barabartë me dëmtimin e të gjithë komunitetit njerëzor. Kjo është aq e rëndë sa edhe mëkati. Ndërsa kur i shërben një të pafajshmi është e barabartë me shërbimin ndaj mbarë njerëzimit."
Qytetarët e Xinjiang-ut, pavarësisht se shumica e tyre e dënon sulmin, thotë se nevojitet më shumë solidaritet etnik për të çrrënjosur terrorizmin.
"U mësova fëmijëve të mi që kur ishin shumë të rinj se Xinjiang-u është një rajon ku banojnë grupe të shumta etnike. Ata duhet të luajnë me të gjithë nxënësit pavarësisht se të çfarë kombësie janë."
Operacioni kundër terrorizmit do të zgjasë deri në muajin qershor të vitit 2015.
Policia në mbarë vendin do të bashkojë informacionin e tyre për identifikimin e hershëm të grupeve terroriste dhe pjesëtarëve të tyre.
Ata do të vendosin patrulla të armatosura dhe do të kryejnë kontrolle sigurie në vende të populluara publike dhe do të shtrëngojnë masat e sigurisë. Policia do të shtojnë kontrollin mbi eksplozivët dhe armët.