PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Jeta virtuale e një zonje të re
2014-05-12 11:02:57 CRI Komenti juaj Printoni

Sipas të dhënave të Ministrisë së Industrisë dhe të Teknologjisë së Informacionit të Kinës, deri në fund të shkurtit të këtij viti, 172 milionë familje kineze janë lidhur me internet me fibra optike dhe më se 80.5% e vizituesve të përdorin internet me bazë të gjerë me shpejtësi mbi 4Mb. Më 20 prill të vitit 1994, me një linjë të posaçme ndërkombëtare me shpejtësi 64 KB, Kina hyri në kohën e internetit.

Interneti ka ndryshuar thellësisht mënyrën e jetesës dhe zakonet e konsumatorëve kinezë në 10 vjetët e fundit. Sot është bërë një zakon që qytetarë të fillojnë ditën e re me hapjen e kompjuterit, të tabletës, të celularit etj. Sipas statistikave, më se 50% e vizituesve të internetit në Kinë shkëmbejnë dhe ndajnë informacione nëpërmjet platformave sociale në internet si Weibo, QQ, Wechat etj.

Lulëzimi i industrisë IT i ka ndihmuar qindra mijëra kinezë të nisin biznesin privat dhe disa prej tyre kanë patur sukses të madh në tregun global, si për shembull Ma Yun, krijuesi i Taobao-s. Edhe njerëz të zakonshëm kanë marrë përfitime nga kjo rrymë. Chen Xiao, një zonjë e re që banon në Pekin, shet kohën e saj në internet.

Dyqani i saj në Taobao në internet quhet "Jeta e mbetur e Chen Xiao-s". Sipas listës së çmimeve, 8 minuta, një orë dhe një ditë të Chen Xiao-s shiten përkatësisht me 8 juanë, 20 juanë dhe 100 juanë. Chen Xiao premton se gjatë kohës së shitur, ajo do të mbarojë të gjitha detyrat e paraqitura nga klientët përveç krimit, dhunës dhe pornografisë.

Dyqani i Chen Xiao-s u hap në vitin 2008 dhe duke folur për idenë e shitjes së kohës së vet, ajo tha:

"Në vitin 2008 ndodhën shumë gjëra jo të mira për mua. Në fillim të vitit, një stuhi goditi vendlindjen time. Në maj, ra tërmeti i fuqishëm 8 ballësh në Wençuan të Siçuanit ku jetonin shumë të afërm të mi. U detyrova të mbyllja dyqanin për shkak të administrimit të dështuar. Dy shoqe të ngushta u ndanë pak kohë pas dasmës."

Me fatkeqësi të njëpasnjëshme, Chen Xiao u bë konfuze për të ardhmen. Ajo rrinte tërë ditën në shtëpi duke harxhuar shumë kohë në internet deri sa i lindi një ide e re:

"Meqë nuk kam aftësi ta drejtoj jetën time në mënyrë të drejtë, pse të mos lejoj njerëz të tjerë të vendosin, çfarë duhet të bëj çdo ditë. Mendoj se nëse njerëz të tjerë më japin punë për të bërë, ka mundësi të bëj diçka të mirë."

Chen Xiao gjeti një mënyrë të re jetese. Dyqani i ri i saj në internet tërhoqi menjëherë shumë klientë. Ata blejnë kohën e Chen Xiao-s dhe ajo u kryen punë të ndryshme si për shembull pjesëmarrje në festën e ditëlindjes, dorëzim i kafesë klientit, blerja e biletës së trenit etj.

Chen Xiao kujtoi një detyrë të veçantë që preku zemrën e saj:

"Një çift i ri më kërkoi të shkoja në spital për të pritur lindjen e foshnjës së tyre. Pas lindjes, unë nxorra në fotografi këtë familje me 3 veta dhe i shfaqa fotografitë në uebsajtin tim. Në fakt, ata donin të ndanin këtë moment special me të tjerët."

Por shumica e detyrave të klientëve janë të vogla. Për këtë zonja Chen Xiao thotë:

"Një klient që shkonte jashtë Pekinit me punë më kërkoi të blej një rosë të pjekur Pekini dhe tia çoj atij sa më shpejt. Disa të tjerë më kërkojnë të blej lule dhe tua dërgoj shoqeve të tyre. Shoqëroj shpesh të moshuar të shkojnë në spital për mjekim."

Chen Xiao mban çmime të ulta me qëllim që sa më shumë njerëz të provojnë shërbimin e saj dhe ajo është shumë e kënaqur për këtë punë sepse ndjen gëzim kur mbaron porositë e klientëve:

"Më kujtohet se një pacient bleu tërë ditën e kohës sime për ta shoqëruar në spital për mjekim. Ai më pyeti përse jam e gëzuar, unë iu përgjigja se ndihma ndaj të tjerëve na sjell gëzim dhe vetëbesim."

Por kjo veprimtari e zonjës Chen Xiao-s ka ngjallur diskutime. Një përdorues i internetit komenton se jeta e një personi i përket atij dhe nëse shitet jeta, ai do të humbë veten. Një person tjetër nuk bie dakord me këtë pikëpamje, madje është i mendimit se biznesi i Chen Xiao-s është një model krijues për të rinjtë.

Chen Xiao u shpreh se ajo nuk është e qarte se sa kohë do të zgjatë biznesi i saj në internet:

"Disa njerëz më kanë dërguar mesazh ku shprehin interes të fillojnë një biznes si ky i imi. Jam e bindur se kjo është një zgjedhje e mirë për të diplomuar të rinj në tregun e sotëm të punësimit. Mendoj se nuk do të kthehem në mënyrën e mëparshme të jetesës, por nuk e di se sa nevojë do të kenë njerëzit për shërbimet e mia. Jeta është plot me të papritura, por diçka dihet që përpjekjet gjithmonë shpërblehen, thotë zonja Chen Xiao." (Fani)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China