20140429Hedaming |
45 vjet më parë, më 6 qershor të vitit 1969, filloi transmetimi i emisionit shqip i Radios së Jashtme të Kinës. Në disa programe do të dëgjoni historitë e tyre që punuan për mbi 40 vjet për të sjellë zërin e Kinës në Shqipëri.
Së pari mësoni historinë e profesore, Drita He Daming, njërës prej themeluesve të redaksisë shqipe.
"Më quajnë He Daming, Drita-Damini, isha njëra nga themelueset e redaksisë së gjuhës shqipe të Radios së Jashtme të Kinës. Me rastin e 45-vjetorit të fillimit të emisioneve në gjuhën shqipe, do t'ju shpreh në radhë të parë urimet e përzemërta dëgjuesve dhe përdoruesve të dashur shqiptarë të internetit! Njëkohësisht i uroj nga zemra Redaksisë Shqipe t'i zhvillojë gjithnjë e më mirë format e ndryshme mediake, duke përfshirë edhe emisionet radiofonike, dhe të arrijë suksese gjithnjë më të mëdha në të ardhmen!
Ne veteranët, jemi rritur duke punuar që nga mosha e re bashkë me fillimin e emisioneve, domethënë kemi kaluar në rrugën 45-vjeçare së bashku me redaksinë e gjuhës shqipe të Radios së Jashtme të Kinës! Sa shumë kujtime të bukura që kemi për këtë rrugë plot djersë!"
Kolegia e redaksisë Zhang Zhuo bisedoi me Daminin. Më poshtë intervista e plotë:
1. Si e keni filluar punën në Redaksinë e Gjuhës Shqipe? Ishte kërkesa juaj apo ju propozuan? Si ka qenë procesi i formimit të kësaj redaksie?
Në vitet 60-të të shekullit të kaluar marrëdhëniet midis Kinës dhe Shqipërisë ishin në zhvillim shumë të ngrohtë. Para 45 vjetëve në vitin 1969, me kërkesën e palës shqiptare kryeministri ynë i respektuar Çu Ën Lai udhëzoi projektin e përgatitjeve për hapjen e emisioneve shqipe të Radio Pekinit për në Shqipëri. Kështu u hartua një dokument me shkronja të kuqe Nr.4 i Aparatit Qendror për grumbullimin e një numri kuadrosh kinezë të gjuhës shqipe nga njësitë e ndryshme të punës, që të vinin në Radio Pekini pranë Drejtorisë Qendrore të Radiodifuzionit të Kinës asokohe, kurse tani Radion e Jashtme të Kinës, për të formuar Redaksinë e Gjuhës Shqipe për fillimin e transmetimeve të emisioneve për në Shqipëri.
Anëtarët e redaksisë së gjuhës shqipe të CRI-së në vitin 1978
Sipas këtij dokumenti, anëtarët e Redaksisë së Gjuhës Shqipe u transferuan nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës si çifti Cai Zumiao dhe Yang Aizhu, nga Ministria e Kulturës e Kinës si Zheng Zhongxu, nga Akademia e Shkencave Shoqërore e Kinës si Guo Min, nga Ministria e Ekonomi-Tregtisë së Jashtme e Kinës si Sun Wanhu, nga Ministria e Makinerive Nr.1 e Kinës, si Zhai Huailu, Zhang Dakui, Liu Hongzhi dhe He Daming, si dhe nga Drejtoria për Marrëdhëniet e Jashtme pranë Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës si Hou Yuping.
Ndërsa pala shqiptare dërgoi në Pekin për hapjen e emisioneve shqipe, specialistët shqiptarë Kristaq dhe Vasilika Teneqexhiun. Kështu redaksia mblodhi gjithsej 13 veta plus redaktorin e dërguar nga redaksia e gjuhës ruse, Fan Xinlong.
Më 6 qershor të vitit 1969, me udhëzimin dhe përkujdesjen e drejtpërdrejtë të kryeministrit tonë të respektuar Çu Ën Lai filluan zyrtarisht transmetimet e emisioneve shqipe për në Shqipëri. Melodia e hapjes së emisioneve shqipe ishte: "Lindja është e kuqe".
Anëtarët e Redaksisë së Gjuhës Shqipe u regjistruan në Radio Pekini njëri pas tjetrit gjatë këtij kuadri të vitit 1969. Atëherë, unë punoja në Zyrën e Jashtme të Uzinës së Instrumenteve të Shangait pranë Ministrisë së Makinerive Nr.1 të Kinës, ku së bashku me kolegët Zhai, Zhang, Liu etj., punonim për përgatitjen profesionale të inxhinierëve e teknikëve shqiptarë të Uzinës së Instrumenteve të Korçës. Zhai, Zhang dhe Liu shkuan njëri pas tjetrit para meje në Pekin. Pas marrjes së urdhëresës për transferimin e punës në Radion e Pekinit, unë arrita për regjistrim në Radio pak vonë nga koha e fillimit të transmetimeve të emisioneve shqipe, pasi i trajtova disa punë private, si kthimi në Nankin në shtëpinë e prindërve për takimin familjar që ëndërroja gjithmonë për t'u takuar me mamanë, babanë dhe vëllezërit e vegjël. Kolegët që arritën më herët në Radio, bënë shumë punë përgatitore për fillimin e emisioneve shqipe.
2. Ç'menduat kur mësuat se ju kishin caktuar të punonit në Radio Pekini?
Pasi mora urdhëresën për transferimin e vendit të punës nga Shangai në Pekin, isha pak e tronditur. Kisha punuar mbi një vit në Shangai pasi u ktheva në atdhe nga studimet në Shqipëri. Qyteti i Shangait ndodhet shumë afër qytetit Nankin, ku jetonin prindërit tim të dashur e të moshuar. Kur më kujtohej babai, desha të qaja, më vinte shumë keq për të, sepse një ditë ku ai po më shkruante letër nga mallëngjimi i madh për mua që isha duke studiuar shqipen në Shqipëri nga viti 1964, u rrëshqit nga karrigia, u rrëzua mbi tokë dhe u bë i paralizuar, i shtruar gjithmonë në shtrat i pavetëdijshëm. Prandaj më merrte malli për të dhe desha të kthehesha shpesh në Nankin për ta parë e për t'u kujdesuar.
Por më tingëllonte fort në vesh thirrja e Partisë për fillimin e emisioneve në gjuhën shqipe të Radio Pekinit, isha e emocionuar shumë. Mendova se duhet t'i bindem udhëzimit qendror, që ishte pikërisht thirrja e kryeministrit Çu Ën Lai. Si të mos i shërbeja atdheut pasi kisha përvetësuar gjuhën shqipe? Atdheu më përgatiti me shpenzime të larta.
Sidoqoftë gjatë studimeve në Shqipëri kisha ëndërruar të bëhesha një spikere e gjuhës shqipe që me zërin tim të transmetoja ndjenjat miqësore midis popujve kinez e shqiptar. Këtu po ju theksoj se si fillova këtë dëshirë, këtë ëndërr? Kur isha gjatë studimeve në Shqipëri, një herë në kohën e mësimit në klasë në fakultetin e Histori-Filologjisë, pedagogia jonë e dashur shqiptare Zana më kërkoi të lexoja me zë një tekst me tregim fëminor. Unë u ngrita dhe fillova ta lexoja duke imituar zëra fëmijësh me intonacionin e duhur të shqipes standarde që kisha filluar të mësoja me interesim të madh nga pedagogia. Pasi e mbarova së lexuari me pak emocion, pedagogia Zana më lavdëroi menjëherë duke thënë: "Bravo He Damin, të lumtë goja! Ti do të bëhesh patjetër një artiste a një spikere e shkëlqyer e gjuhës shqipe në të ardhmen!" Pikërisht këto fraza të pedagoges Zana më nxitën të ëndërroja për spikeren e gjuhës shqipe, se për një artiste nuk kisha mundësi! Asokohe, ky mendim naiv mund të quhet si sot ëndrra ose ideali i madh i rinisë. Mirëpo atëherë nuk kisha fare ide si ta realizoja këtë ëndërr, vetëm dija të studioja e të punoja me librat, me kokën ulur. Kurse në vitin 1969, "Qielli më dha rastin optimal", domethënë më takoi rasti i ëndërruar për të punuar si spikere në Radio Pekini! Pra pikërisht partia dhe atdheu më thirrën të merrja pjesë në radhën e punonjësve të Radios së Jashtme të Kinës!
Kështu pasi i mbarova të gjitha punët private, shkova e vendosur në Pekin për regjistrimin e punës në "Redaksinë e Gjuhës Shqipe të Radio Pekinit"! Liderët më porositën që të filloja sa më shpejt punën. Të nesërmen fillova punën dhe po atë ditë unë bashkë me specialistin shqiptar, Kristaqin dhe me ndihmën e tij incizova emisionin e lajmeve të asaj dite për në Shqipëri. Ky ishte besim dhe nder i madh që më dha mua radioja, që më dha menjëherë punën e rëndësishme të spikeres së gjuhës shqipe! Mund të them se qysh nga ajo kohë ëndrra ime e rinisë u bë realitet dhe fillova të shkrihesha në armatën e punonjësve të Radios së Jashtme të Kinës, dhe njëkohësisht fillova ta adhuroja këtë çështje të madhe e të shenjtë të transmetimeve shqipe për Shqipëri, dhe për këtë çështje i dhashë rininë dhe energjinë time të gjithë jetës pa u kursyer!
Qysh nga kjo kohë e vitit 1969 dhe deri në pensionim dhe pastaj edhe 7 vjet pune, së bashku me shokë e shoqe kolegë kemi punuar ditë e natë, vite me radhë, pandërprerë në postin e punës së spikerit, të përkthyesit, të redaktorit të gjuhës shqipe! Gjatë më se 40 vjetëve unë pothuajse nuk i kisha shfrytëzuar lejet për kthimin në shtëpi për t'i vizituar prindërit përveç lindjes së vajzës dhe rastit të varrimit të babait në Nankin. Jo pse nuk kisha dëshirë, jo sepse nuk më kishte marrë malli për familjen, por kishim me të vërtetë punë të ngarkuara, sidomos nga fakti se kisha punuar mbi 18 vjet si shefe e Redaksisë duke përfshirë 3 vjet si zv-shefe, lejet ua jepja gjithmonë kolegëve të mi, pasi dhe ata kishin dëshirë të ktheheshin në vendlindje për takim familjar. Unë e shtyja vit pas një viti lejen time... Por unë punoja pa asnjë pendim e ankim dhe me gjithë dëshirën e shpirtin duke iu përmbajtur këtij posti të thjeshtë, por njëkohësisht të shenjtë, sipas mendimit tim, por edhe shumë të ngarkuar e të lodhshëm!
3. Si ishte puna në radio?
Anëtarët e redaksisë së gjuhës shqipe të CRI-së në vitin 2014
Unë dhe disa shokë e shoqe të tjerë që studiuam shqipen vetëm 2 vjet e 7 muaj në Shqipëri nga viti 1964 deri në vitin 1967, pasi më vonë nisi "Revolucioni kulturor" dhe ne u kthyem, duke i mbaruar para kohe studimet në Shqipëri u kthyem në atdhe. Kështu niveli ynë i atëhershëm i gjuhës shqipe nuk arriti nivelin e duhur, të kërkuar nga puna e radios. Por pasi arritëm në Redaksinë e Gjuhës Shqipe të Radio Pekinit, ne u takuam me fat të madh me profesorët dhe miqtë tanë të dashur Kristaq dhe të shoqen Vasilika. Ky çift specialistësh ishte bashkëstudent në Universitetin e Tiranës. Ata mësonin gjuhën ruse në vitin e fundit, kurse ne ishim për specialitetin e gjuhës shqipe të vitit të parë. Vasilikën e kisha shumë shoqe sepse banonte në dhomën karshi me dhomën time në konviktin e vajzave. Miku i saj dashnor ishte pikërisht Kristaqi, një i ri i pashëm, plot energji. Për shkak se ai vinte shpesh për takim te porta e oborrit të konviktit tonë me Vasilikën, edhe unë u njoha me të nëpërmjet Vasilikës. Për fat të madh edhe ata erdhën në Pekin që të na ndihmonin për transmetimin e emisioneve të gjuhës shqipe për në Shqipëri. Kështu ne punonim në të njëjtën zyrë. Qëndrimi i tyre ndaj punës më kishte ndikuar thellësisht. Ata na jepnin mësime, na redaktonin e korrigjonin emisionet tona, regjistrimet në studio, si dhe transmetimet e emisioneve. Nga afër kam mësuar e fituar shumë prej tyre, si rezultat niveli im gjuhësor dhe aftësia ime e punës u ngrit me shpejtësi.
Rexhep Meidani
Sigurisht edhe unë vetë nga dëshira e madhe për t'u bërë një "spikere e kërkuar dhe e dalluar", bëja përpjekje të vazhdueshme e këmbëngulëse. Në ato vite të para të punës çdo ditë përveç fjetjes në konvikt dhe ngrënies në restorantin e Radios, orët e tjera të ditës i kaloja në zyrë, çdo ditë bëja stërvitje të vazhdueshme e të palodhura për nxjerrjen e zërit, për shqiptim të drejtë të shqipes, për frymëmarrjen në incizim, për daktilografim në makinë, për përkthimin e lajmeve, të korrespondencave me përmbajtje të llojllojshme, për incizim para mikrofonit etj., etj.
Atëherë kishim programin gjysmë orë me valë të shkurtra, që fillonte çdo ditë nga ora 3 e gjysmë e mëngjesit, dhe atje në Shqipëri dëgjohej në orën 8 e gjysmë e mbrëmjes. Fill pas këtij programi vijonte përsëritja e tij. Kështu nga lajmet e shumta, redaktori ynë Fan i bashkonte shpesh herë programet me dy gjysma orë në një program të plotë njëorësh. Kjo pothuajse na dyfishoi punën dhe ka qenë një provë e madhe për redaksinë tonë të re të porsa formuar dhe gjithashtu një kalitje e madhe për ne punonjësit e rinj të radios.
Sigurisht puna ishte relativisht intensive. Ndodhte shpesh që pasi mbaruam punën e mbrëmjes dhe ktheheshim për pushim, në mesnatë më zgjonte thirrja e madhe e kolegut që bënte dezhurn në zyrë: "Çohu Damini për shtimin e lajmit!" Pothuajse nxitimthi shkonim prapë në zyrë për ta realizuar punën e përkthimit dhe të incizimit të lajmit. Nganjëherë derisa të dëgjonim melodinë e fillimit të emisionit tonë në orën 3 e 30 minuta të mëngjesit në kabinetin e transmetimeve, ne fillonim hapat për t'u kthyer në shtëpi. Shefi i Redaksisë Cai na thoshte:
"Nesër (në fakt sot) do të filloni punën kur të zgjoni nga gjumi." Mirëpo të gjithë pas gjumit të shkurtër vinim përsëri në orën 8 të mëngjesit në zyrë, ku mblidheshin prapë për punën e ditës së re! Kështu bashkë me ne punonte ditë e natë me përpjekje e seriozitet edhe specialisti, Kristaqi! (Lidhur me Kristaqin e të shoqen kam shkruar në korrik të vitit 2013 një artikull të posaçëm).
Të gjithë ne mbajmë mend qartë mbishkrimet e kryetarit Mao Ce Dun në vitin 1965 për çështjen radiofonike: "Të bëjmë me përpjekje punën radiofonike për t'i shërbyer gjithë popullit kinez dhe popujve të mbarë botës!" Duke ndjekur këtë kartë, çdo njeri kryen me përpjekje punën e tij të radios. Kështu edhe kolektivi ynë ishte shumë i mirë, i bashkuar e dashamirës, puna zhvillohej në rregull, liderët ishin prijës e korrektë, pra të gjithë ne punonim me vullnet e ndërgjegje. Me ndihmën e madhe dhe mësimet e hollësishme të specialistëve shqiptarë niveli ynë gjuhësor ishte ngritur shumë dhe rendimenti e cilësia e punës sonë u forcuan në vazhdimësi! Me gjithë punën intensive e të lodhshme, të gjithë punonin me zemër të shtruar pa ankesë dhe pa përfillur shpërblimet, si për subvencionin e punës së natës.
4. Nga cili dëgjues keni marrë letrën e parë?
Më kujtohet letra e parë që na dërgoi dëgjuesi shqiptar ishte nga zoti Vasil Naçi, që ishte dëgjuesi ynë i rregullt. Ai ndiqte emisionet tona që nga fillimi i tyre e deri te vdekja e tij. Gjithë jetën ai ndiqte zërin e Radio Pekinit. Tregimet e tij ishin shumë. Takimi i tij i parë me mua në Tiranë ishte shumë i prekshëm. Lidhur me këtë unë kam shkruar një artikull të posaçëm me titull: "Takimi i paharrueshëm", që u botua në librin me rastin e 60-vjetorit të formimit të Radios së Jashtme të Kinës.
5. Çfarë ngjarjesh ju kanë lënë mbresa të thella e të paharrueshme?
Nga ato të paharruara të shumta, po përmend vetëm disa raste. 7 vjet pasi u largova nga Shqipëria në vitin 1967, në nëntor të vitit 1974 unë si anëtare dhe njëkohësisht përkthyese e Delegacionit të Miqësisë të Popullit Kinez shkova në Shqipëri për të marrë pjesë në aktivitetet kushtuar 30-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë. Në banketin e pritjes për nder të delegacionit kinez pas përkthimit prej meje të fjalimit të kryetarit të delegacionit kinez dëgjova duartrokitje të zjarrta. Nga tavolina jonë kryesore e banketit u ngrit anëtari i atëhershëm i Byrosë Politike të KQ të Partisë së Punës të Shqipërisë Adil Çarçani, i cili duke e mbajtur lart gotën mbi kokë iu drejtua me zë të lartë të gjithë të pranishmëve: "Le të ngremë dolli për këtë motër kineze që flet shqip kaq bukur e pastër!" Ndërkohë të gjithë të pranishmit u çuan më këmbë duke ngritur dolli dhe duke u drejtuar nga unë. Atmosfera e banketit u bë menjëherë e ngrohtë! Unë me shtat të vogël sikur u mbyta mes urimeve të shqiptarëve me shtat të lartë, isha e emocionuar duke e kuptuar se ai banket qe i nivelit më të lartë asokohe në Shqipëri, ku merrnin pjesë të gjithë anëtarët e Byrosë Politike. Ajo pamje me urime të ngrohta që zgjati nja dy minuta, më dukej sikur zgjatej shumë, më erdhi turp, dëshiroja që të gjithë të uleshin sa më parë. Atëherë desha të thosha vetëm një fjali: "Shqipen që po e përdor, më kanë mësuar shqiptarët!"
Ky rast sikur më sulmoi dhe më ka lënë përshtypje shumë të thellë. Ajo ishte hera e parë që e shoqërova delegacionin kinez për vizitë jashtë vendit. Ndihesha shumë e gëzuar, sepse niveli im i të folurit shqip u pohua zyrtarisht nga shqiptarët, unë mund ta justifikoja atdheun e t'i shërbeja atij me këtë gjuhë shqipe!
Në vitin 1969 mbi tribunën e banketit të Pallatit të Madh të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës, unë qëndroja pranë kryeministrit tonë të respektuar Çu Ën Lai, duke ia lexuar fjalimin e tij të përkthyer në shqip. Këtë detyrë ma ngarkuan liderët tanë. Para kësaj isha pak e shqetësuar për mungesën e eksperiencës për kryerjen e kësaj detyre për një lider kaq të lartë, si Çu Ën Lai. Por shokët tanë më dhanë kurajë! Duke i kujtuar momentet gjatë studimeve në Shqipëri, ku kryeministri Çu Ën Lai na priti dy herë, unë isha e lumtur që pata rast për t'i dhuruar kryeministrit Çu buqeta me lule, kisha dëgjuar këndimin e këngëve prej tij, kisha kërcyer edhe bashkë me të, madje edhe kisha dëgjuar fjalimet e tij me mësime të thella e të durueshme për ne, pra u bëra e vendosur në kryerjen e kësaj detyre dhe e lexova me zë të lartë, të vendosur dhe të saktë fjalimin e kryeministrit Çu Ën Lai.
Kjo ishte hera e parë dhe i vetmi rast që u bëra përkthyese e kryeministrit Çu Ën Lai. Kjo ngjarje më ka lënë mbresë të thellë dhe më ka nxitur gjithmonë në punë! Me punën e kam justifikuar besimin ndaj partisë dhe atdheut!
Për ta pritur vitin e ri 2001 dhe ardhjen e shekullit të ri, njëkohësisht për të forcuar përmbajtjen e emisioneve tona, unë bashkë me gjithë stafin tonë organizuam një takim të madh e të gëzueshëm, duke e ftuar ambasadorin e Shqipërisë në Kinë dhe 7 titullarë të tjerë diplomatikë të ambasadës shqiptare, ambasadorin në detyrë, ish-ambasadorë dhe ish-atashe ushtarakë të Kinës në Shqipëri, si dhe personalitete të njohura nga shqipfolësit kinezë, mbi 40 veta. Takimi kaloi në një atmosferë shumë të ngrohtë e me kuptim të rëndësishëm. Unë e drejtova gjithë procesin e takimit, pastaj hartova personalisht reportazhin si një program të posaçëm me rastin e Vitit të Ri 2001 me titull: "Takim në shekullin e ri". Pas transmetimit të tij ai pati jehonë të madhe dhe në konkursin kombëtar të programeve radiofonike për jashtë fitoi çmimin e madh: "Ylberi i larmishëm" i Kinës, çmimi më i lartë i qeverisë kineze në këtë profil, pra ky qe çmimi më i madh që fitova në programet e shkruara prej meje për emisionet tona.
Gjatë kaq shumë vjetësh pune në radio, kam hasur shumë probleme. Por në ato vite problemi i letrave të dëgjuesve na shqetësonte shumë, sepse numri i tyre kishte rënë shumë deri në njëshifror dhe dyshonim: A ka dëgjues që na ndjekin programet? Nëse s'ka, ne po bëjmë punë kot. Sigurisht kjo kishte lidhje dikur me rënien e marrëdhënieve midis dy vendeve. Unë vendosa që përveç punës së mëparshme, të merresha edhe me punën e letrave të dëgjuesve, që më parë kryhej nga shokët e shoqet e tjera me radhë. Qysh nga viti 1993 fillova të lexoja me kujdes letrat e mëparshme që na dërguan dëgjuesit shqiptarë. Krahas tyre duke shfrytëzuar konkursin mbi njohuritë e Kinës, që organizoi radioja jonë, unë u kapa pas këtij rasti optimal dhe u dërgova shumë letra të konkursit dhe i përsërisja artikujt e konkursit në emisionet tona shqipe. Më në fund na erdhi letra e parë e përgjigjes së konkursit: "Kupa e Hainanit-Konkursi mbi njohuritë e reformës e hapjes së Kinës", që na dërgoi zoti Ramadan, kryetari i Partisë Socialiste Punëtore të Shqipërisë. Përveç përgjigjes ai na shkroi mbi gjendjen e transmetimeve të emisioneve tona shqipe në Shqipëri, mbi entuziazmin e dëgjimit të emisioneve tona nga dëgjuesit shqiptarë, të cilët merrnin pjesë aktive në përgjigjet e konkursit. Ai na tregoi gjithashtu se partia e tij e hartoi programin e partisë sipas përmbajtjeve të emisioneve tona…Të gjitha këto na kanë frymëzuar shumë, na treguan se në Shqipëri kemi dëgjues, jo pak por shumë. Kështu unë u përgjigjesha njëri pas tjetrit me letra, që i shkruaja me më shumë kujdes se sa përktheja korrespondencat. Që nga viti 1993 numri i letrave shtohej njëra pas tjetrës dhe arriti në dyshifror. Radio i dha kolektivit tonë një çmim të progresit dhe më dha edhe mua një çmim individual. Vetëm zoti Ramadan na ka shkruar nga viti 1993 dhe disa vjet me radhë shumë letra me përmbajtje të pasura. Në vitin 1996 unë shkrova një artikull: "Mbrapa 6 letrave", të botuar në koleksionin e librave të Radios. Gjatë kësaj pune me letrat e dëgjuesve shqiptarë kam njohur shumë miq shqiptarë, ashtu edhe kosovarë, si dëgjuesi i verbër nga Kosova Gëzim Xhala, që duke e porositur edhe njerëz të tjerë të na shkruanin. Edhe tregimet e dëgjuesit ish-jugosllav Shaban (ishte edhe pedagogu im gjatë kualifikimit tim profesional në ish-Jugosllavi) e të gjithë familjes së tij ishin shumë prekëse, që morën pjesë aktive në konkurset e Radios sonë: "Mbi njohuritë e Tibetit" të vitit 1994, "Kupa e Tianjinit – Mbi njohuritë e Kongresit të 4-të botëror të grave" që u organizua në Pekin në vitin 1995. Disa vjet me radhë numri i letrave të dëgjuesve shqiptarë shtohej e më shumë, pra Radio më lavdëroi duke më dhënë për disa vjet me radhë çmime. Krahas këtyre gjatë kësaj pune janë nxitur e forcuar vazhdimisht edhe marrëdhëniet e ndjenjat e mia miqësore me dëgjuesit shqiptarë!
Anëtarët e redaksisë së gjuhës shqipe të CRI-së në vitin 1980
Më kujtohet edhe një rast i veçantë, kur u zhvillua në Tiranë në nëntor të vitit 2004 takimi ynë me dëgjuesit shqiptarë me rastin e 35-vjetorit të fillimit të emisioneve tona shqipe, ku u takova me një dëgjues të posaçëm! Pasi mësoi lajmin e zhvillimit të këtij takimi në Tiranë, si dhe numrin e telefonit tonë, ai mori në telefon: "Mirëdita! Unë jam Çermir Çela, kërkoj të takohem me shefen tuaj, Daminin."
"Po, unë jam Damini. Kush jeni?"
"Unë jam një dëgjuesi juaj i rregullt shqiptar. Ju dalloj zërin tuaj! Sa mirë që keni bërë. Unë kërkoj të marr pjesë në këtë takim."
"Po, po! Sigurisht, mund të merrni pjesë në takimin tonë, sigurisht, patjetër!" "Unë jam në Shkodër. Do të vij patjetër për t'ju parë!"
"Mirë se të vini, mirardhsh!"
Atë ditë të takimit unë rrija te porta e godinës për të pritur miqtë shqiptarë që na nderuan duke marrë pjesë në këtë takim. Si edhe me miqtë e tjerë, unë u përqafova me një mesoburrë shqiptar me një palë syzë të errëta, pranë tij ishte një grua, që e mbante për krahu.
"Si ju quajnë?" e pyeta unë me respekt, sepse unë e kuptove menjëherë që kisha të bëja me një mik shqiptar të verbër.
"Më quajnë Çermir Çela."
"Ua, qenkeni ju?!" i fola me habi dhe me emocion të madh, sepse në telefon zoti Çela tha se do të vinte për të na parë, por ai nuk shikon dhe kishte ardhur!
Çermir Çela
Ai më tregoi se ajo grua që ishte pranë tij, ishte e shoqja. Ata që në mëngjes herët qenë nisur nga Shkodra dhe pas 4 orë udhëtimi, më në fund, arritën në Tiranë. Unë e ftova me respekt të madh çiftin Çela të uleshin në mes të rreshtit të parë të karrigeve. Të gjithë si unë ishin të prekur shumë nga kjo pamje.
Takimi i përzemërt u zhvillua në një atmosferë shumë të ngrohtë e miqësore. Çifti Çela ndiqte me vëmendje të madhe procedurën e takimit duke u shkrirë në atmosferën e hareshme. Pastaj erdhi koha e fjalës së dëgjuesve. Para të gjithë të pranishmëve të këtij takimi unë e paraqita zotin Çermir Çela dhe e ftova atë të merrte fjalën.
Zoti Çela u ngrit dhe foli me zë kumbues:
"Unë jam shumë i gëzuar që marr pjesë sot në 35-vjetorin e hapjes së emisioneve të gjuhës shqipe të Radios së Jashtme të Kinës. Pavarësisht nuk shikoj nga sytë, unë dëgjoj rregullisht emisionet e gjuhës shqipe të Radios së Jashtme të Kinës. I njoh mirë nga zëri, Daminin dhe të gjithë gazetarët e tjerë. Ju falënderoj nga zemra dhe i jam shumë mirënjohës Radios së Jashtme të Kinës, që na jep hollësi për vendin e madh mik – Kinën, na jep njohuri për popullin kinez që ne e admirojmë shumë. Ju faleminderit shumë! Ju uroj suksese të mëtejshme Radios së Jashtme të Kinës!"
Unë dhe kolegët e mi kemi kaluar së bashku me dëgjuesit tanë kohët e mrekullueshme shumëvjeçare dhe jemi rritur krahas forcimit të Radios së Jashtme të Kinës!
E falënderoj shumë kolegen time të dashur Zhang Zhou që më intervistoi! Duke shfrytëzuar rastin e 45-vjetorit të hapjes së emisioneve të gjuhës shqipe, unë i uroj nga zemra redaksisë së gjuhës shqipe të përparojë gjithnjë e më shumë dhe kolegëve të mi të dashur të arrijnë suksese gjithnjë më të mëdha për të ardhmen e ndritur! (Çang Çuo)