PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Studiuesi Shaban Sinani flet për CRI-Shqip mbi veprën e Kadaresë
2014-04-16 19:02:42 CRI Komenti juaj Printoni

Ismail Kadareja është shkrimtari më i njohur shqiptar në botë. Javët e kaluara, kemi intervistuar lexuesit dhe përkthyesit kinezë të veprave të Kadaresë. Por si mendojnë për shkrimtarin shqiptarët që kanë të njëjtën prejardhje kulturore me të.

Sot kemi ftuar prof. Dr. Shaban Sinanin, për të folur mbi veprat e Ismail Kadaresë.

Në faqen tonë në Facebook, kemi filluar aktivitetin "I prezantoj mikut kinez një libër të Kadaresë". Na gjeni në Facebook në Radio Ejani dhe merrni pjesë në këtë aktivitet. Keni rastin të fitoni edhe dhurata. Presim pjesëmarrjen tuaj.

Shaban Sinani është studiues dhe historian i letërsisë, etnolog, eseist dhe publicist shqiptar. Ai ka zhvilluar studime të thella mbi letërsinë e Kadaresë. Lidhur me veprën që mund të përfaqësojë Shqipërinë dhe shqiptarët, profesor Sinani shprehu mendimet e tij.

Ai tha:"Vitet e fundme në shtypin shqiptar është shtruar pyetja nëse letërsia shqipe është letërsi europiane. Kësaj pyetjeje shkrimtarët dhe studiuesit i janë përgjigjur në mënyra nga më të ndryshmet, deri kundërshtuese. Për një pjesë [R. Qosja, S. Hamiti], letërsia shqipe është një letërsi provinciale, krejt në periferi të megasistemit letrar europian e botëror, për të mos thënë letërsi mëhallash, siç dhe janë shprehur. Por ka pasur dhe përkrahës të mendimit të kundërt, që letërsia shqipe është tashmë letërsi europiane, është një letërsi dhënëse në thesarin botëror të artit të fjalës. Pothuajse të gjithë mbështetësit e kësaj pikëpamjeje i janë referuar për argument veprës së I. Kadaresë. Mund të thuhet se kjo vepër është pasaporta ndërkombëtare e letërsisë shqipe. I. Kadare, me artin që krijoi, i ktheu letërsisë shqipe përmasën e jashtme, që e kishte pasur në krye të herës, me veprën e M. Barletit Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis, shkruar në bashkëvajtje me rrjedhat e letërsisë humaniste europiane të heronjve. Në shekujt që pasuan pati tentime herë pas here për një rithemelim urash të letërsisë shqipe me atë europiane. Vepra e Bogdanit Cuneus prophetarum qe një prej tyre. Nuk mund të mos përmenden lidhjet e F. Konicës me Guillaume Apollinaire-in, lidhjet e F. Nolit me G. Bernard Shaw-n, lidhjet e L. Poradecit me Ch. Baudelaire-in, lidhjet e M. Kutelit me Eminescu-n, lidhjet e Migjenit me A. Schopenhauer-in dhe F. Nietzsche-n, lidhjet e Petro Markos me E. Hemingway-n, lidhjet e Martin Camajt me E. Montale-n. At Gjergj Fishta dhe Lahuta e Malcìs u bënë shumë shpejt të njohura në botë dhe për herë të parë letërsia shqipe iu afrua Nobel-it. Por askush nuk arriti ta faktorizojë ndërkombëtarisht letërsinë shqipe sa vepra e I. Kadaresë. Ajo është një vepër që studiohet sot në programet universitare në të gjitha anët e botës, është pjesë e pashmangshme e historisë bashkëkohore të letërsisë botërore. Letërsia e I. Kadaresë ka tashmë studiuesit e saj gjithandej: Ke Jing [Beijing Foreign Studies University], David Bellos, Éric Faye, Peter Morgan, John Cox, Gilles de Rapper, J-P. Champseix, St. Courtois, E. Miraco, A. Scarsella etj. Për veprën e I. Kadaresë janë bërë e bëhen dhjetëra studime monografike, më vete e krahasuese, të shkallës së disertacioneve. The Man Booker Prize është çmimi më i lartë vlerësues që ka fituar letërsia shqipe ndonjëherë. Kjo letërsi ende nuk e ka fituar çmimin Nobel, si shumica e letërsive ballkanike [greke, rumune, bullgare, serbe e kroate], por kjo nuk përbën pengesë për ta cilësuar atë tashmë një letërsi të ndërkombëtarizuar. Në anën tjetër, vepra e Kadaresë është fytyra e një epoke, që u shërben vetë shqiptarëve për njohjen e së shkuarës së tyre. Për afro një gjysmë shekulli kjo vepër ishte frymëmarrja e lirë e lexuesit shqiptar, ishte hapësira më luksoze e diskutimit intelektual. Eshtë një vepër e pazëvendësueshme."

Kadareja është i njohur në botë e kështu veprat e tij u përkthyen në disa gjuhë. Nëpërmjet veprave të tij, shumë të huaj njohin Shqipërinë. Zoti Sinani tha se veprat e Kadaresë luajtën rolin e rëndësishëm për njohjen e historisë e kulturës shqiptare.

Ai tha:" Dikur, deri në vitet 1990, njohja e letërsisë shqipe në botë ishte thuajse një çështje shtetërore. Përkthimi i saj bëhej me shpenzime të shtetit dhe përkthyesit, megjithëse një pjesë e tyre vinin prej shtresash të deklasuara, si Jusuf Vrioni, ishin punonjës të dy shtëpive botuese shtetërore. Gjatë afro dy dekadave të pasluftës antifashiste letërsia shqipe u përkthye kryesisht me marrëveshje midis vendve të demokracive popullore, siç quheshin vendet socialiste të bllokut të Lindjes. Në këtë periudhë, pas Migjenit, autorët më të rekomanduar thuajse në të gjitha vendet e Lindjes ish-komuniste ishin ata që i takonin brezit të luftës antifashiste: Aleks Çaçi, Andrea Varfi, Llazar Siliqi, Shevqet Musaraj dhe të tjerë. Në këtë periudhë u përkthye kryesisht letërsi e partishme. Në vitin 1961 I. Kadare botoi në rusisht të parin dhe të fundmin libër poetik, me titullin Lirika, nën kujdesin e studiuesit David Samoilov. Emri i tij u rikthye shumë vonë në letërsinë ruse, vetëm nga fundi i viteve 1980, me botimin e Gjeneralit të ushtrisë së vdekur në revistën Inostranaja literatura [Иностранная литература]. Në vitin 1991, pas ndryshimeve politike që ndodhën, u arrit të botohej një roman më vete i tij, dhe pikërisht Dimri i madh [Суровая зима], përkthyer nga Valeri Modestov. Përgjatë viteve 1970 vepra e I. Kadaresë u bë pjesë e letërsisë në gjuhën frënge. Frëngjishtja ka qenë për një kohë të gjatë gjuha e promovimit dhe njëherësh dhe ndërmjetësuesja e shumë përkthimeve në gjuhë të tjera, që sot numërohen mbi 50. Vetëm pas viteve 1990 vepra e I. Kadaresë nisi të përkthehej drejtpërdrejt nga shqipja në gjuhën angleze. Një provë që pati bërë A. Pipa me romanin Dasma dhe pastaj me Kronikë në gur për shumë rrethana nuk doli e suksesshme. Sot Kadare po njeh një rikthim të ngadaltë., por të sigurt, në gjuhët e fqinjve dhe në vendet e ish-kampit komunist, ku faktor pengues ka qenë gjendja e marrëdhënieve ndërshtetërore. Eshtë për t'u përmendur se Kadare është përkthyer më pak se kudo në gjuhën serbokroate. Kjo mund të ketë lidhje dhe me tematikën dhe problematikën e veprës së tij. Në kushtet e shoqërisë së hapur nuk mund të flitet më për kujdes, aq më pak për programe shtetërore për mënyrën e njohjes dhe përkthimin e letërsisë shqipe në botë. Gjithçka varet nga njohjet e shkrimtarëve me botuesit e huaj, nga paravlerësimi i një tregu të mirë. Ndër shkrimtarët e kësaj periudhe, që janë bërë të njohur prej letërsisë së tyre, është F. Kongoli. Shumë të tjerë i ka bërë të tillë moda, ekzotika, përqeshja me komplekset etnike dhe psikozat kombëtare. Një dukuri e re është brezi i shkrimtarëve shqiptarë që nuk shkruajnë më në gjuhën amtare dhe botohen shqip të përkthyer prej italishtes, anglishtes, frëngjishtes, gjermanishtes etj. Këta shkrimtarë kanë një vend fare modest dhe janë krejt në periferi të sistemeve letrarë ku shkruajnë, por kur kthehen në vendin e lindjes vijnë me lavdinë e botimit në Perëndim, që mashtron shumë lexues. Në fakt, tashmë është nyjëtuar njëfarë nervozizmi prej kritikës letrare të vendeve ku botojnë autorët shqiptarë të alteruar: gjithnjë e më shumë po flitet për një përmbytje të letërsisë vendëse prej të huajve. "

Shqipëria ka mjaft shkrimtarë të shquar. Por Kadareja është më i suksesshmi dhe më i njohuri ndër ta jashtë vendit. Zoti Sinani analizoi arsyet e kësaj situate.

Ai tha: " Janë shumë arsye bashkë. Në vitet 1970, kur romanet i I. Kadaresë nisën të botohen për herë të parë në Paris, Shqipëria ishte një vend i mbyllur, nuk dihej asgjë rreth saj, veç çfarë botohej në shtypin zyrtar. Në këtë periudhë për Perëndimin romanet e Kadaresë ishin një burim i rëndësisë parësore për të mësuar se çfarë po ndodh me Shqipërinë, ishin një burim alternativ ndaj pikëpamjes zyrtare. Jo se këto vepra ishin ideologjikisht alternative, por sepse zbulonin njeriun shqiptar, botën shqiptare, historinë e saj, ishin një dritare e vogël për të depërtuar pak dritë. I. Kadare ishte një zë që vinte prej një vendi krejt të panjohur. Kishte interes të jashtëzakonshëm për të mësuar diçka rreth këtij vendi. Kështu filloi njohja e tij në Francë dhe pastaj në botë. Me kohë, Kadare u bë një referencë themelore jo vetëm e letërsisë shqipe, por edhe e mendimit social në Shqipëri. Ishte dhunti e këtij shkrimtari që mundi t'i ofrojë kohës njëherësh dy lexime: një lexim të brendshëm, përgjithësisht të partishëm; dhe një lexim të jashtëm, përgjithësisht alternativ ndaj politikave dhe mendimeve zyrtare shqiptare të kohës. Vepra e Kadaresë, së paku në kohën e botimit të pare, ndryshe është lexuar në Shqipëri e ndryshe në Perëndim. Ky besoj është çelësi i suksesit të tij, që u mungoi shumë shkrimtarëve të tjerë shqiptarë mjaft të njohur. Po të vihet re se çfarë është përkthyer në gjuhë të huaj nga tradita shqiptare del se janë: Kanuni i Lekë Dukagjinit, eposi heroik legjendar, historitë e Skënderbeut. Dhe këto kanë qenë interesime parësore të letërsisë së Kadaresë. "

Shumë njerëz mendojnë se ka "dy Kadare", një i para viteve '90 dhe një i këtyre viteve e më pas. Mbi këtë pyetje, zoti Sinani thekson:

"Të gjithë shkrimtarët e rëndësishëm shqiptarë, kush më shumë e kush më pak, kush më herët e kush më vonë, kanë qenë në njëfarë mënyre kundërshtarë të vetvetes. Dhe "Faiku faqe ndërron", shkruante F. Noli për F. Konicën në mesin e viteve 1920. Njeriu që kishte kundërshtuar aq shumë "Anadollakun në mësallë", befas ishte bërë simpatizant i A. Zogut dhe madje edhe ambasador i tij. E. Koliqi, në periudhën e fundme të jetës, shkroi "Auto da fé-në" e tij dhe rishkroi "Shtatë pasqyrat e Narcizit". Vetë Noli e qortoi rëndë vetveten tek "Autobiografia". Mua më duket se ka një ekzagjerim lidhur me kundërthëniet e shkrimtarit me veten përgjatë kohërave. Me sa duket kjo vjen nga një kohë kur konsekuenca ishte një mit, ishte kryevlerë. Nëse nuk ishe konsekuent, kjo do të thoshte se jo vetëm që nuk i shërbeje shoqërisë, por ishte kundër saj. I. Kadare është një shkrimtar që shpërfaq jo dy, por shumë pamje të individualitetit krijues. Në fillimet e veta Kadare është një poet i frymëzuar dhe optimist. Në një periudhë të mëvonshme letërsinë e Kadaresë e sundon miti i industrializimit, miti i së ardhmes, miti i teknologjisë, antenave, sputnik-ëve [satelitëve], miti i urbanizimit ["Dasma"], madje dhe miti i njeriut të ri ["Fillrojtësi"]. Prej vitit 1971, kur botohet romani i tij i parë në Perëndim, shfaqet një shkrimtar i menduar, dilematik, pa shumë iluzione si më parë. Periudha e deziluzionit nis pas refuzimit të botimit të poemës "Në mesditë Byroja Politike u mblodh" dhe fushatës së ashpër kundër romanit "Dimri i vetmisë së madhe". Në fund të viteve 1970 e në fillim të viteve 1980 Kadare identifikohet si një shkrimtar kontestator, i çangazhuar në raport me atë që quhet censurë preventive apo në pajtim me prioritetet zyrtare në letërsi. Kësaj kohe i takojnë dhe romanet "Nëpunësi i pallatit të ëndrrave" dhe "Koncert në fund të dimrit", në të cilët, së paku në mënyrën si u lexuan në Perëndim, shenjojnë kalimin prej zhgënjimit e kontestimit në refuzim e disidencë. Pas viteve 1990 Kadare ka shfaqur një anë të veçantë kryesisht në rigjykimin e rinterpretimin e veprave të veta, në eseistikë e publicistikë. Në anë të tjera, në tematikë e problematikë, nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Sigurisht ka një hapje ndaj shqetësimeve shqiptare jashtë Shqipërisë shtetërore, madje dhe një ngjitje drejt veriut të regjistrit të mjeteve të shprehjeve dhe mjeteve gjuhësore. "

Dëgjoni tani mendimin e zotit Sinani mbi veprën që përbën kulmin e krijimtarisë së Kadaresë, si dhe veprën e tij më të parapëlqyer.

Sinani u prezanton lexuesve kinezë veprat e Kadaresë. Po cilën vepër u sugjeroni miqve kinezë?

Ai tha:"Kjo është një pyetje e vështirë, sepse I. Kadare ka pasur vazhdimisht kulmime në krijimtarinë e tij. Ekziston një oponion që "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" shenjon kryeveprën e I. Kadaresë. Ka shumë vepra të mëvonshme që e rivalizojnë këtë roman. Disa studiues, duke ngulmuar se talenti i Kadaresë u shfaq në shkallën më sfiduese me "Gjeneralin ...", të cilin ai e shkroi kur ishte vetëm 26 vjeç, në fakt i krijojnë një problem shkrimtarit në raport me çmimin "Nobel". Sikurse dihet, "Nobel"-i jepet jo për karrierë, por për një vepër. Nëse kjo vepër është "Gjenerali ...", atëherë Akademisë së Nobelit në Stokholm do t'i duhet të mbajë një qendrim autokritik, madje mjaft autokritik, pse nuk e zbuloi dhe vlerësoi këtë shkrimtar para një gjysmë shekulli, kur u botua romani. Mendimi se "Gjenerali ..." përbën veprën me të cilën mund të identifikohet shkrimtari ka të ngjarë të jetë ngulitur edhe për shkak të kohës që ka pasur në favor, të numrit të madh të brezave të lexuesve. Personalisht unë do të veçoja si kryevepra të Kadaresë Vitin e mbrapshtë dhe Nata me hënë, që autori në fillim i quajti novela e tani njihen si romane. Në të parin shkrimtari realizon vështrimin më kritik ndaj ceneve të popullit të vet. Nuk duhet harruar se në veprën e Kadaresë "tjetri" demonizohet rregullisht: në fillim Perëndimi, pastaj sovjetikët, kinezët, jugosllavët, që i ka evidentuar më së miri kolegia Ke Jing në studimin e saj të doktoraturës. Kurse ndaj njeriut shqiptar shumë rrallë ka mbajtur një qëndrim të tillë kritik si tek "Viti i mbrapshtë". "Natën me hënë" dëshiroj ta veçoj për karakterin universal të saj. Midis "Nderit të humbur të Katerina Blumit" të Heinrich Böll-it dhe "Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar" të Gabriel Garcìa Marquez-it, kjo novelë zë një vend krejt origjinal. "

Në faqen tonë në Facebook, kemi filluar aktivitetin "I prezantoj mikut kinez një libër të Kadaresë". Na gjeni në Facebook në Radio Ejani dhe merrni pjesë në këtë aktivitet. Keni rastin të fitoni edhe dhurata. Presim pjesëmarrjen tuaj. (Çang Çuo/ Zhan Dian)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China