Më 26 nëntor u zhvillua në Bukuresht takimi i krerëve të Kinës dhe të vendeve të Evropës Qendrore e Lindore (EQL), ku kryeministri kinez Li Keqiang dhe liderët e 16 vendeve të EQL-së, duke përfshirë edhe kryeministrin shqiptar Edi Rama, publikuan së bashku "Programin e Bukureshtit mbi Bashkëpunimin Kinë-EQL". Në program qartësohen 3 parimet e bashkëpunimit dhe paraqiten 6 fusha kryesore të bashkëpunimit midis dy palëve në të ardhmën. Ekspertë të ndryshëm e kanë vlerësuar programinduke nënvizuar se bashkëpunimi midis Kinës dhe EQL-së, do të shërbejë si një bazë e fortë për çuarjen përpara, në mënyrë aktive dhe të qëndrueshme të bashkëpunimit midis dy palëve.
Gjatë një interviste për gazetarin e Radios së Jashtme të Kinës, drejtori i Drejtorisë së Evropës pranë Institutit Kërkimor mbi Çështjet Ndërkombëtare të Kinës, zoti Cui Hongjian tha se ky është një program i pasur në përmbajtje, ku përcaktohen parimet e bashkëpunimit, vendoset korniza, konkretizohen projektet, paraqiten kërkesat, interesat dhe dëshirat e përbashkëta, tregohet vëmendje edhe për preokupimet e ndryshme të palëve.
Në program theksohet qartë se të dyja palët do të ndjekin 3 parimet si "respektimi reciprok", "barazi dhe leverdi reciproke" dhe "bashkëpunimi me fitime të përbashkëta". Në program planifikohet edhe bashkëpunimi në 6 fusha, si investime ekonomiko-tregtare, monetare, të projekteve të mdha etj. Ndër to "nxitja e bashkëpunimit në investimet ekonomiko-tregtare" ka një peshë të konsiderueshme. Zoti Cui Hongjian është i mendimit se thellimi i bashkëpunimit mes Kinës dhe vendeve të EQL-së orientohet nga kërkesat për bashkëpunim në investime ekonomiko-tregtare dhe këto kërkesa janë shtuar me zhvillimin e marrëdhënieve midis dy palëve. Shpjegimet përkatëse në "Program" nxjerrin në pah karakterin e këtij bashkëpunimi, "zhvillimit dhe fitimeve të përbashkëta".
"Në nenin e parë flitet për 'kundërshimin e proteksionizmit të çfarëdo forme dhe përpjekjet për nxitjen e investimeve reciproke, për shtimin e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar dhe për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit'. Sigurisht, këto janë kërkesat e përbashkëta. Pastaj, në program thuhet se, 'në kohën e zgjerimit të tregtisë, do të pakësohet mosbalancimi në tregti'. Kjo, natyrisht, merr parasysh interesat dhe kërkesat e vendeve të EQL-së, sepse këto vende kanë deficit të madh në tregtinë me Kinën dhe kanë nevojë të madhe të zgjerojnë eksportin me Kinën. Pra, në program mishërohet plotësisht parimi i Kinës për tregtinë e jashtme, që do të thotë, ekuilibrimi i interesave të palëve të tjera. Në fakt, ky parim përbën një përvojë të suksesshme të Kinës në tregtinë e jashtme."
Në Program thuhet se viti 2014 do të jetë "Viti për nxitjen e investimeve ekonomiko-tregtare Kinë-EQL". Gjatë këtij viti, të dyja palët do të zhvillojnë mbledhje në rang ministrash, simpoziume tematike, forume, panaire të mallrave etj. dhe nëpërmjet këtyre aktiviteteve qeveritare e popullore, do të nxitet bashkëpunimi në investimet ekonomiko-tregtare.
Në fushën monetare, Kina inkurajon vendet e EQL-së të shfrytëzojnë plotësisht "kredinë e posaçme prej 10 miliardë dollarësh". Në bashkëpunimin për projektet e mëdha, të dyja palët do të diskutojnë për ndërtimin e hekurudhës midis Kinës dhe EQL-së, që t'i shërbejë transportit ndërkombëtar. Cui Hongjian mendon se këto bashkëpunime janë strategjike dhe shumë konkrete për realizim.
Zoti Cui Hongjian theksoi në veçanti sfondin e publikimit të këtij programi. Në fakt, kur Kina paraqiti vitin e kaluar "12 premtimet" për bashkëpunimin me vendet e EQL-së, ngjalli dyshim jo vetëm nga këto vende, por edhe nga Bashkimi Evropian. Brenda vetëm një viti, premtimet e palës kineze bëhen "program" i përbashkët, ku pasqyrohet vullneti i të dy palëve. Ky ndryshim nuk realizohet lehtë! Programi tregon sinqeritetin e palës kineze dhe mishëron bazën e fortë të bashkëpunimit midis dy palëve.
"Gjatë kontakteve njëvjeçare, vendet e EQL-së shikojnë sinqeritetin e qeverisë kineze dhe rezultatin e bashkëpunimit. Pikërisht me këtë sfond, gjatë takimit në Bukuresht, u prezantua ky dokument programatik, ku përmblidhet vullneti dhe interesat e përbashkëta. Nga '12 premtimet' e vitit të kaluar në 'Programin e Bukureshtit' të këtij viti, bashkëpunimi midis Kinës dhe EQL-së ka hyrë në rrugën e duhur."
Zoti Cui Hongjian vuri në dukje gjithashtu se Kina dhe vendet e EQL-së kanë perspektivën e bukur të bashkëpunimit, por për realizimin e bashkëpunimit ka ende rrugë për të bërë. Midis 16 vendeve të EQL-së ka ndryshime të mëdha dhe Kina duhet të kërkojë pikat e përbashkëta mes ndryshimeve. Të dyja palët do të kalojnë një proces njohjeje për tu mësuar me njeri-tjetrin. (Wang Lei)