20130828koz |
Inspektorët e OKB-së filluan punën për të hetuar akuzat për përdorimin e armëve kimike në Siri.
Një ekip i Kombeve të Bashkuara që ndodhet në Siri për të hetuar akuzat për përdorimin e armeve kimike, si nga qeveria ashtu edhe nga rebelët e opozitës, përfunduan të hënën ditën e parë të punës në kryeqytetin e Sirisë, Damask.
Por ekipi i OKB-së u qëllua me snajper nga njerëz të armatosur.
Snajperët hapën zjarr të hënën ndaj një makine të Kombeve të Bashkuara që transportonte ekipin e hetimit të armëve kimike në periferi të Damaskut.
Një zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm Farhan Haq, tha se sulmi i detyroi hetuesit të kthehen në bazën e tyre.
"Unë nuk kam asnjë detaj në lidhje me drejtim se nga cili drejtim erdhën të shtënat. Nuk janë identifikuar ende ata që qëlluan, ndërkohë shpresoj se të gjitha palët do të ndihmojnë për të zbardhur këtë çështje dhe për të parandaluar çdo përsëritje të mëtejshme të përdorimit të armëve kimike," tha Haq.
Si qeveria siriane dhe rebelët akuzojnë njëri-tjetrin për kryerjen e sulmit.
Në ditën e parë të hetimeve, ekspertët e OKB-së vizituan dy spitale, pyetën dëshmitarët, të mbijetuarit dhe gjithashtu mbledhin disa mostra.
Si SHBA-ja dhe Britania e Madhe thonë se kanë informacion që të sugjerojë se forcat siriane të qeverisë kanë dislokuar armë kimike.
Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry e quajti përdorimin e armëve kimike kundër civilëve në Siri "të pafalshëm" dhe "të pamohueshëm".
"Masakra ndaj civilëve, vrasja e grave dhe fëmijëve, si dhe e kalimtarëve të pafajshëm me armë kimike është e turpshme dhe e pamoralshme. Nga çdo standard është e pafalshme dhe pavarësisht justifikimeve dhe rrethanave që disa e kanë prodhuar, ajo është e pamohueshme," tha Kerry.
Shtetet e Bashkuara akuzojnë regjimin e presidentit Bashar al-Assad për zhdukjen e provave.
Ndërkohë, një aktivitet i pazakonshëm ushtarak është vënë re në bazën ajrore britanike në Qipro, çka ngreh spekulimet për përgatitjen e ndërhyrjes ushtarake kundër objektivave të qeverisë siriane.
Pavarësisht, presidenti sirian i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat për përdorimin e armëve kimike.
Assad thotë se pretendimi i Perëndimit se qeveria e Sirisë ka përdorur armë kimike është "një ofendim i pabazë".
Televizioni sirian shfaqi pamje të inspektorëve të OKB-së, teksa vizitonin një nga viktimat e sulmit me gaz në një strehim të rebelëve në periferi të Damaskut.
"Burimet e mediave thanë se ekipi që ishte përgjegjës për hetimin e sulmit kimik u qëllua në zonën Moazamiya nga militantët e armatosur, pasi ata ishin dorëzuar në mënyrë të sigurtë në zonat që janë nën kontrollin e milicisë. I njëjti burim tha se qeveria e Sirisë i bën përgjegjës milicët për sigurinë e ekipit të OKB-së derisa ata të kthehen të sigurtë."
Një video e publikuar në internet tregon një prej viktimave të sulmit të së mërkurës së kaluar duke folur rreth ngjarjes së hidhur.
"Aty kishte kimikate, më pas ne shkuam të thërrisnim ambulancat. Mua filluam të më merreshin mendtë dhe nuk mund të shihja. Nuk po shikoja se ç'po ndodhte dhe u rrëzova përtokë. Gjendja është shumë e keqe,'' shprehet dëshmitari.
Agjencia Reuters që e shpërndau videon, thotë se nuk mundi të verifikonte vërtetësinë e saj.
Nga ana tjetër Rusia është duke akuzuar opozitën siriane për manipulimin e ngjarjeve dhe gjuajtjen me snajper të ekspertëve të OKB-së.
Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergey Lavrov tha se nuk ka asnjë fakt që të mbështesë akuzat.
"Ata e kanë lajmëruar zyrtarisht në Uashington, Londër dhe Paris, se kanë fakte të pakundërshtueshme për fajësinë e qeverisë siriane. Ata nuk mund t'i prodhojnë faktet, por vazhdojnë të thonë se 'vija e kuqe' është shkelur dhe se ata nuk mund të presin më gjatë," tha Lavrov.
Gjithashtu Bashkimi Europian thotë se është e rëndësishme që inspektorët e Kombeve të Bashkuara të arrijnë të ekzaminojnë faktet me shpejtësi për të qartësuar situatën.
Edhe qeveria kineze ka deklaruar se kundërshton përdorimin e armëve kimike nga çdo palë në Siri.
Tregtia në internet ndryshon zonat rurale në Kinë
Tregtia në internet nuk ka ndryshuar vetëm mënyrën e jetesës në qytetet e Kinës, por ajo gjithashtu ka ndryshuar jetët e njerëzve në zonat rurale.
Zhvillimi i tregtisë në internet në qytezën Shaji filloi në vitin 2006. Në atë kohë, disa banorët filluan të shisnin mobilie të punuara në shtëpi me dorë nëpërmjet rrjetit më të madh të shitjes në internet në Kinë, Taobao.
Për shkak të stilit tepër modern dhe çmimit të arsyeshëm, mobiliet u bënë shumë popullore në internet.
Duan Liang është një prej banorëve të parë që fitoi para duke prodhuar mobilie në shtëpi. Tani ai shet më shumë mobilie për zyra dhe tavolina për kompjuter dhe ka fituar eksperiencë të pasur.
"Në fillim realizoja shitje me vlerë 1000 juan në muaj, por pas katër vjetësh, vlera e shitjeve ditore shkon në 20,000 juan. Tani unë marr mbi 100 porosi në ditë."
Ashtu si Duan Liang, shumë banorë të tjerë u pasuruan pasi shitjes në internet të mobileve të prodhuara në mënyrë artizanale.
Ndërkohë pagesa vjetore në qytezë është rritur nga 4000 juanë në 9000 vitin e kaluar.
Sipas të dhënave, vetëm në gjysmën parë të këtij viti, shitjet në internet të prodhimeve të kësaj qyteze arritnë në 800 milionë juan.
Përvoja e shitjes online të mobilieve ka dhënë udhëzime të dobishme për shitjen e produkteve të tjera.
Zyrtari vendor Xing Xinfang thotë se nga ky këndvështrim, shitja online e mobilieve është bërë një industri kryesore dhe frymëzues në qytezë.
"Ne kemi përfituar nga avantazhet e tregtisë në internet për të ulur koston. Vitin e kaluar, disa kompani nga qyteza filluan të shesin të brendshme dhe produkte elektronike në internet."
Qyteza e Shaji-së planifikon të ndërtojë një zonë speciale industriale në të ardhmen. Zona do të mbajnë funksione të shumta, dhe do të jetë një vend për tregtimin online, logjistikën, ekspozita, trajnimin e personelit dhe shërbime ndaj biznesit.
Xing Xinfang e konsideron zonën si një projekti tërësor që mund të integrojë resurset lokale dhe të rrisë efikasitetin e e-tregtisë në Shaji.
"Ne filluam ndërtimin e zonës industriale për tregtinë në internet vitin e kaluar në mënyrë që t'i japin më shumë hapësirë E-commerce për t'u rritur. Infrastruktura, rrugët, fabrikat, komunitetet e reja dhe ndërtesat e zyrave janë të gjithë duke u ndërtuar."
Nëpërmjet tregtisë në internet, qyteza e Shaji-së ka grumbulluar të mira gjigante materiale dhe ka transformuar strukturën ekonomike. Modeli i ndjekur këtu është një shembull për të treguar se si informacioni ka ndryshuar mënyrën se si njerëzit bëjnë biznes, edhe në pjesën rurale të Kinës. (Leftion Peristeri)