Nga Selia e Vatikanit ka mbërritur në Tiranë kopja origjinale e librit të parë shqip, "Meshari" i Gjon Buzukut.
Kopja origjinale e Mesharit, e cila daton që nga viti 1555 vjen në Tiranë me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, ndërsa ajo do të qëndrojë e ekspozuar në Bibliotekën Kombëtare gjatë muajit nëntor.
Biblioteka Apostolike e Vatikanit pranoi kërkesën e Shqipërisë për të ekspozuar veprën më të lashtë në gjuhën shqipe, "Mesharin", në Tiranë.
Që nga botimi e deri me 1740, gati dy shekuj, "Meshari" ishte një vepër e humbur, një vepër e panjohur. Më 1740 në Bibliotekën e Propaganda Fides, afër Romës, Mesharin e don Gjon Buzukut (1555) e zbuloi ipeshkvi i Shkupit Imzot Gjon Nikollë Kazazi nga Gjakova.
Libri mendohet të jetë shtypur në Venedik me alfabetin latin, duke shtuar disa shenja cirilike për tingujt në shqip. Ky zbulim bëri bujë të madhe, sepse është libri i parë në gjuhën shqipe.
Ky zbulim mbeti në heshtje për më tepër se një shekull, deri më 1909, kur e rizbuloi arbëreshi Pal Skiroi, në Bibliotekën e Vatikanit, ku gjendet edhe sot me shënimin Katalogu: R.G. Liturgia III, 194.
Gjon Buzuku është autori i parë i njohur deri më sot i letërsisë shqiptare, shqipëruesi i një libri kishtar, që është quajtur "Meshari" (1555), vepra letrare më e vjetër shqipe e botuar që është ruajtur deri sot. Ishte prift katolik, famullitar i një kishe në Shqipërinë Veriore jo aq larg nga vendi i botimit.
Për autorin, nga ishte, ku punoi, mbi ç'baza arriti ta shkruante e ta botonte librin e vet, janë pyetje që ende nuk kanë gjetur një përgjigje të plotë. Ndonjë gjë të paktë që dimë për jetën e autorit, për vështirësinë që hasi, për punën, qëllimin dhe kohën kur e shkroi ose e botoi veprën e vet, e mësojmë vetëm nga parathënia e librit dhe gjuha e tekstit. "u Doni Gjoni, i biri i Bdek Buzuku". Gjon Buzuku ishte një prift katolik i Malësisë së Mbishkodrës, mendohet të ketë qenë nga Kraja.