"Belaz" është një firmë e njohur bjelloruse e prodhimit të makinave vetëshkarkuese. Sot në të gjithë botën një ndër tre makina vetëshkarkuese është e kësaj marke. Në vitin 2009, për t'u zgjeruar në tregun kinez, "Belaz" ngriti bashkë me një kompani kineze një uzinë në periferinë e Pekinit. Duke përmendur bashkëpunimin me palën kineze gjatë këtyre viteve, zv.menaxheri i "Belaz"-it Sergei Kovaleviç shpreh mendimin se ky ishte një vendim shumë i mençur:
"Në Kinë mund të fitohen para. Kam punuar në këtë kompani për 12 vjet dhe kam vënë re se gjithnjë e më shumë firma kineze kanë ndërtuar uzina e fabrika në Bjellorusi, ndërsa gjithnjë e më shumë bjellorusë po shkojnë në Kinë për biznes. Tani ekonomia botërore po zhvillohet ngadalë, ndërsa shpejtësia e rritjes së Kinës është mbresëlënëse për këdo. Kina është një partnere bashkëpunimi e madhe dhe e fuqishme."
Që prej fundit të shekullit të kaluar kur u shpall vend i pavarur, Bjellorusia ndodhet në një fazë transformimesh politike dhe ekonomike. Ajo ka nevojë urgjente për kapitale të huaja për të nxitur rritjen e vet ekonomike. Nga ana tjetër, Pekini ka inkurajur vitet e fundit politikën e "daljes jashtë vendit" të kompanive kineze. Në këtë mënyrë, edhe marrëdhëniet midis Kinës dhe Bjellorusisë në fushat e import-eksportit, të bashkëpunimit teknologjik etj. kanë arritur përparime të mëdha. Vitin e kaluar vëllimi i tregtisë dypalëshe arriti 3 miliardë dollarë, duke shënuar rekord.
Por kjo është vetëm një pjesë e sukseseve të bashkëpunimit tregtar midis Kinës dhe Europës Qendrore e Lindore. Duke folur lidhur me gjendjen e përgjithshme të këtij bashkëpunimi, përgjegjësi i Departamentit për Europën në Ministrinë e Tregtisë të Kinës Chen Ming shprehet:
"Vitet e fundit zhvillimi i marrëdhënieve tregtare midis Kinës dhe Europës Lindore e Qendrore është i shpejtë dhe rritja e tregtisë dypalëshe është mbi dyshifrore. Investimet e ndërsjella janë rritur vazhdimisht dhe vëllimi i tregtisë është shtuar 11 herë, duke arritur nga 3 miliardë dollarë në vitin 2001 në 489 miliardë dollarë vitin e kaluar. Investimet tona në Europën Lindore dhe Qendrore janë rritur nga disa dhjetëra milionë dhjetë vjet më përpara deri në më shumë se 3 miliardë dollarë. Investimet e tyre në Kinë janë më shumë se 1.5 miliardë dollarë."
Ndër faktorët e zhvillimit të shpejtë të marrëdhënieve midis Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore është edhe zgjerimi i fushave të bashkëpunimit. Vitet e fundit, bashkëpunimi dypalësh në fushën financiare, turistike, të ekonomisë së gjelbër, e veçanërisht të tregtisë, ka ardhur vazhdimisht duke u rritur. Vaji i trëndafilit, qelibari, kristali, birra, makinat dhe prodhime të tjera të vendeve europianolindore e europianoqendrore kanë hyrë në familjet kineze. Nga ana tjetër, artikujt kinezë të përdorimit të përditshëm me çmimet e tyre të lira, janë mirëpritur nga konsumatorët në Europën Qendrore e Lindore. Për sa i përket potencialit të bashkëpunimit tregtar midis të dyja palëve, zv.rektori i Universitetit të Tregtisë së Jashtme të Kinës, profesor Zhao Zhongxiu, është i mendimit se bashkëpunimi në sektorin e shërbimeve është një risi, por edhe fushat tradicionale, si industria e automjeteve, e makinerive të rënda etj., kanë perspektivë të gjerë. Prof. Zhao shprehet:
"Sektori i shërbimeve është një fushë që duhet zgjeruar, duke përfshirë edhe shërbimin e informacionit, shërbimin e prodhimit, shërbimin bankar etj. Europa Lindore është pak e vonuar në këto fusha, ndërsa kompanitë kineze janë konkurruese dhe kanë përvojë. Por Europa Lindore ka epërsi tradicionale në industrinë e automobilave, të makinerive, industrinë kimike etj. Gjatë procesit të zhvillimit të Kinës, ka hapësirë të gjerë për të bashkëpunuar me Europën Lindore në këto fusha."
Me zhvillimin e qëndrueshëm të Reformës dhe Hapjes, Kina ka shfaqur forcë konkurruese në kushtet e krizës financiare ndërkombëtare. Nga ana tjetër, vendet e Europës Qendrore e Lindore kanë nevoja të ngutshme për reforma ekonomike, prandaj e kanë ndryshuar qëndrimin e tyre: nga vetëm vëzhguese, tashmë ato janë bërë kërkuese të bashkëpunimit me Kinën. Në të njëjtën kohë, Pekini ka hartuar një sërë masash ligjore ndihmëse për të forcuar bashkëpunimin dypalësh. Z. Chen Ming thotë:
"Në aspektin ligjor, tani ne kemi nënshkruar marrëveshje ekonomike-tregtare dhe kontrata për të nxitur investimet e ndërsjella me të gjitha vendet e Europës Qendrore e Lindore. Me disa prej tyre kemi tani marrëveshje për transportin detar e ajror etj. Të gjitha këto forcojnë bazën ligjore për bashkëpunimin tregtar dypalësh. Ndër të gjitha masat politike, me ndikim më të madh janë 12 masat e paraqitura nga kryeministri Wen Jiabao në Forumin e 2-të Tregtar Kinë-Europë Qendrore e Lindore."
Në prillin e vitit 2012 kryeministri kinez Wen Jiabao u takua për herë të parë me udhëheqësit e 16 vendeve të Europës Qendrore e Lindore, gjë që ka një domethënie historike për zhvillimin e bashkëpunimit tregtar dypalësh. 12 masat e shpallura në takim nga z. Wen për të forcuar bashkëpunimin miqësor me Europën Lindore e Qendrore kanë forcuar besimin e të dyja palëve.
Polonia është një ndër vendet e para që vendosën marrëdhënie diplomatike me Kinën. Në vitin 1950 qeveritë e të dyja vendeve firmosën kontratën e parë tregtare ndërmjet tyre. Në vitin 2010 vëllimi i tregtisë dypalëshe arriti në 11.14 miliardë dollarë. Polonia është partnerja më e madhe tregtare e Kinës në rajonin e Europës Qendrore e Lindore për të shtatin vit me radhë, ndërsa Kina është partnerja më e madhe tregtare dhe destinacioni numër një i eksporteve të Polonisë në Azi. Ambasadori i Polonisë në Pekin Tadeuez Chomicki shprehet se pa dyshim Kina është një ndër partnerët më të rëndësishëm të vendeve të Europës Lindore e Qendrore dhe qeveria polake dëshiron ta shtojë më tej nivelin e bashkëpunimit tregtar me Kinën.
"16 vendet e Europës Lindore e Qendrore nuk janë një bashkim i thjeshtë, por një gjë tjetër që kemi të përbashkët është se çdonjëri prej vendeve tona dëshiron të zhvillojë marrëdhëniet tregtare me Kinën. Sipas Polonisë dhe vendeve të tjera të rajonit, por edhe sipas Kinës, bashkëpunimi ynë ende nuk ka arritur nivelin e duhur. Gjatë 30 vjetëve të fundit Kina ka qenë gjithmonë vendi me zhvillimin më të shpejtë në botë dhe ne kemi ende hapësira të mëdha për rritjen e nivelit të bashkëpunimit tregtar," shprehet z. Chomicki
Ndër të gjitha vendet e rajonit të Europës Qendrore e Lindore, Hungaria thith numrin më të madh të investimeve kineze, rreth 2 miliardë dollarë në total. Zv.sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme hungareze Szabolcs Takacs shprehet se Kina është një partnere e rëndësishme e Hungarisë. Të dyja vendet kanë bashkëpunuar në shumë fusha dhe ai shpreson se në të ardhmen vëllimi i tregtisë dypalëshe do të dyfishohet. Z. Takacs thotë:
"Dy vjet më parë qeveria hungareze shpalli një sërë masash të pjekura dhe të qarta në fushën diplomatike. Ajo ndjek një politikë të jashtme të hapur dhe e vlerëson shumë hapjen ndaj vendeve të Lindjes. Sigurisht Kina është një partnere e mirë dhe e rëndësishme tregtare dhe ne shpresojmë në forcimin e bashkëpunimit me të në të gjitha fushat."
Me shpeshtimin e vizitave të nivelit të lartë midis Kinës dhe Europës Qendrore e Lindore vitet e fundit, edhe dëshira e kompanive të tyre për të forcuar bashkëpunimin është forcuar më shumë. Të dyja palët kanë arritur mjaft konsensuse në fushën e tregtisë, por gjatë procesit të bashkëpunimit janë shfaqur disa probleme dhe vështirësi, të cilat sipas kreut të Departamentit për Europën në Ministrinë kineze të Tregtisë Chen Ming janë në tre drejtime:
"Së pari, komunikimi njerëzor është ende i pamjaftueshëm. Tregu i Europës Lindore e Qendrore është treg i ri, por ne nuk e njohim shumë atë, dhe po ashtu as brezi i ri i politikanëve të Europës Qendrore e Lindore nuk ka shumë dijeni për Kinën pas Reformës dhe Hapjes. Së dyti, është problemi i vizave. Disa nga vendet e këtij rajoni ndodhen në zonën e Shengenit, të tjerat jo. Në një situatë të tillë, aplikimi nga kompanitë kineze për leje pune ose qëndrim afatgjatë për punonjësit e tyre është i vështirë. Së treti, me zgjerimin e përmasave e fushave të tregtisë, mundësia e konflikteve tregtare midis të dyja palëve është më e madhe."
Por, nga ana tjetër, z. Chen shton se, megjithëse vitet e fundit tregtia midis Kinës dhe Europës Qendrore e Lindore është ndodhur përballë sfidave të krizës financiare dhe krizës europiane të borxheve, e ardhmja e bashkëpunimit tregtar dypalësh është e ndritur.
Siç u shpreh edhe kryeministri kinez Wen Jiaobao në forumin e prillit të këtij viti, marrëdhëniet miqësore midis Kinës dhe Europës Qendrore e Lindore ndodhen përballë shanseve të mira dhe po mirëpresin pranverën e shpresës. Nëse tani mbillet fara, patjetër më vonë do të vilen edhe frytet e bashkëpunimit dypalësh.