Shkëmbimet mes Kinës dhe Shqipërisë kanë vijuar kësaj herë në nivel partiak. Një grup deputetësh dhe drejtuesish të Partisë Demokratike të Shqipërisë, po vizitojnë Kinën.
Në përbërje të delegacionit janë nënkryetari dhe kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, nënkryetari i Parlamentit, Ardian Turku, deputetët Rajmonda Bulku, Gjergji Papa e Edmond Spaho si dhe kryetari i degës së PD-së së Shkodrës, Astrit Bushati.
Duke folur rreth bashkëpunimit, Patozi shpreh besimin se vizita e delegacionit të PD-së në Kinë do të rrisë nivelin e marrëdhënieve dypalëshe.
"Kjo vizitë, por edhe vizita të tjera të niveleve më të larta, do t'i përmirësojnë marrëdhëniet edhe më tepër, për shkak se dy vendet, përveç miqësisë tradicionale që ekziston, mund të rrisin bashkëpunimin me interes të ndërsjelltë. Unë kam shumë besim se kjo vizitë do t'i shërbejë pikërisht këtij qëllimi", tha Patozi.
Deputeti Gjergji Papa ndërkohë thotë se është i rëndësishëm bashkëpunimi në nivel vendor mes Kinës dhe Shqipërisë. Ai përmend bujqësinë, turizmin dhe shkëmbimet universitare si pika të rëndësishme të bashkëpunimit mes dy vendeve.
"Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kinës mund të shtrihet në disa fusha, duke u bazuar edhe në potencialet ekonomike të rajonit të Korçës, që dallohet për turizmin dhe bujqësinë. Korça e ka shumë të rëndësishëm zhvillimin dhe intensifikimin e shkëmbimeve të investimeve. Gjithashtu në Korçë ka ka një universitet, me katër fakultete, ku do të përmendja atë të bujqësisë dhe atë ekonomik, me të cilat mendoj se mund të bëhen shkëmbime në nivel pedagogësh dhe studentësh, duke parë që niveli intelektual dhe ai i universiteteve kineze, sipas atyre që na u prezantua këtu, është i lartë. Kjo mund të ketë interes reciprok, jo vetëm për shkëmbimet akademike, por edhe për shkëmbimet kulturore mes studentëve shqiptarë dhe atyre kinezë", tha Papa.
Delegacioni i Partisë Demokratike, gjatë qëndrimit në Kinë vizitoi kryeqytetin Pekin dhe më pas qytetet e Nanijingut dhe Naningut. Funksionarët e PD-së të enjten shkojnë në Hong Kong. (Leftion Peristeri)


















