PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Wang Zhonghua, miliarderi pa celular
2016-04-12 16:54:34 CRI Komenti juaj Printoni

Wang Zhonghua është themeluesi dhe presidenti i "Spring Airlines", kompania e parë ajrore private kineze dhe kompania e vetme e fluturimeve me kosto të ulët në Kinë. Kompania ofron çmime mesatarisht afro 35 % më të lira se të kompanive të tjera ajrore, por ndonjëherë mund të arrijnë edhe deri në 10 herë më të lira. Për ta mundësuar një gjë të tillë, Wang Zhonghua punon në një zyre të vogël bashkë me drejtuesit e tjerë të kompanisë në një ndërtesë të thjeshtë, ndan me ta të njëjtën dhomë hoteli dhe hanë makarona çasti kur shkojnë me shërbime pune, nuk ka sekretar e sekretare, e madje thonë se nuk ka as telefon celular. Falë edhe këtyre sakrificave, kompania e tij renditet sot e katërta ndër kompanitë e fluturimeve ajrore kineze, fill pas tre kompanive të fuqishme shtetërore.

Kur Wang Zhonghua u tha miqve të vet se do të hynte në biznesin e aviacionit tetë vjet më parë, ai nuk mori ndonjë mbështetje të madhe në këtë vendim, që shumë prej tyre e quajtën aventurë. "Sapo hapa derën, një shoku im më tha me zemërim: 'A nuk mund të hetoje mirë tregun? A e di gjendjen e aviacionit civil?" kujton Wang.

Megjithatë, Wang Zhonghua, deri atëherë pronari i një agjencie udhëtimesh të suksesshme, ishte i vendosur për të pranuar sfidën. Kështu në vitin 2005, me vetëm një "Airbus A320" të përdorur, ai krijoi "Spring Airlines", e para kompani ajrore private kineze dhe e vetmja me kosto të ulët.

Ishte koha e duhur, pasi numri i udhëtarëve me aeroplan në Kinë po shtohej. Po ndërsa udhëtimet ajrore në Kinë po njihnin një rritje të shpejtë, kompanitë ajrore private kineze nuk patën ndonjë ecuri të mbarë. Pas disa vjetësh, vetëm dy ose tre nga rreth 15 prej tyre i bënë ballë rivalitetit, ndërsa të tjerat ose falimentuan, ose u blenë nga konkurrentët e tyre shtetërorë. "Spring Airlines", me rritjen e vet të shpejtë, ishte një përjashtim.

Avioacioni civil në Kinë mbizotërihej nga tre kompanitë e fuqishme shtetërore: "Air China", "China Southern" dhe "China Eastern". Por Wang Zhonghua kishte një parullë që të mbetej në mendje: "T'u krijojmë mundësinë masave të fluturojnë", dhe kompania e tij ofronte çmime që ishin mjaft tërheqëse, duke siguruar një efikasitet 95 % përdorimi të aeroplanit, teksa rivalët e vet gjigantë përpiqeshin që të arrinin deri në 70 %. Shpejt kompania falë edhe kulturës së vet të kursimit u rrit, duke arritur të ketë të ardhura vjetore prej qindra milionë juanësh dhe rreth 20 aeroplanë brenda disa vjetësh.

"Si një kompani ajrore me kosto të ulët, 'Spring Airlines' është e përkushtuar për t'u ofruar udhëtarëve të vet mjetet më të efektshme të trasportit, por duke i mbajtur çmimet sa më të ulëta për publikun e përgjithshëm. Ne jemi gati të investojmë në teknologjitë e reja, të cilat ndihmojnë për të ulur më tej kostot operacionale," thotë Wang Zhenghua. "'Spring Airlines' ka si qëllim të ofrojë çmime të ulëta duke funksionuar në mënyrë efikase dhe duke i bërë fluturimet më të përballueshme nga udhëtarët e zakonshëm".

Themeluesi dhe drejtuesi i "Spring Airlines" mendon se ka një potencial që kompanitë ajrore t'i ulin kostot e tyre. "Kostot mund të ulen në thuajse çdo nivel," vëren Wang Zhenghua. "Kështu, ne hoqëm të gjitha ndjenjëset e klasit të parë e të klasit të biznesit dhe i bëmë të gjitha ndenjëset ekonomike. Po ashtu, ne i shesim biletat në internet, gjë që mund të thjeshtojë procedurën dhe të pakësojë hallkat. Sepse përndryshe, klientëve do t'u duhej të telefononin dhe neve na duhej të punësonim dikë për t'iu përgjigjur telefonatave dhe për të shënuar rezervimet. Gjithashtu, për këtë do të nevojitej një zyrë. Kështu, duhet të paguash qiranë, faturat e ujit e të energjisë elektrike etj. E gjithë kjo pjesë nuk ekziston tashmë. Vetëm sa u përket shitjeve kostoja jonë është 80 % më e ulët se e konkurrentëve tanë. Pra është diçka shumë më e lirë."

Dhe meqë klientët më të vjetër mendojnë se interneti është i komplikuar dhe mbështeten te agjencitë për blerjen e biletave, klientët që janë objektivi i kompanisë ajrore "Spring Airlines" janë të rinjtë, që janë të aftë në përdorimin e kompjuterit. "Klientët tanë janë kryesisht të grupmoshës 18-30 vjeç. Sigurisht ata që janë në moshën 18-22 vjeç janë studentë, kështu që zakonisht nuk kanë para dhe çmimet e biletave tona 99 apo 199 juanë janë shumë të përshtatshme për ta. Por edhe më pas, kur diplomohen e nisin punë, ata qëndrojnë me ne," thotë Wang Zhenghua.

Duke buzëqeshur, ai tregon një ngjarje interesante nga fillimi i fluturimeve për në Japoni: "Ne po shitnim bileta në internet. Zakonisht një biletë nga Shangai në Tokio kushton 30 mijë – 50 mijë jenë. Çmimi më i ulët i biletave tona ishte 4000 jenë, pra 10 herë më i lirë, dhe të gjithë ishin të befasuar. Por teksa po shitnim biletat, morëm shumë telefonata ankesash. Ata thoshin se kishin telefonuar gjithe ditën, po nuk blinin dot bileta. Madje njoftuan edhe median, duke u thënë se ne ishim mashtrues dhe se nuk kishim bileta fare. Por e vërteta ishte se biletat ishin shitur që në 18 minutat e para dhe ishin blerë nga të rinj. Ditën që do të nisnim fluturimet për në Tokio, ishin mbledhur një numër gazetarësh. Ata i pyetën udhëtarët se si i kishin siguruar biletat. Njëri prej tyre, një i ri, u tha se ishte praktikuar që dhjetë ditë përpara, kështu që, kur filloi shitja, e bleu biletën brenda dy minutash. Ndërsa një e re tha se kur bleu biletën, i kishte telefonuar të dashurit dhe e kishte pyetur nëse donte t'i blinte edhe atij një biletë. I dashuri i tha se po, pasi qoftë edhe vetëm përvoja e udhëtimit aq lirë ia vlente. Pra, blerja në internet është diçka shumë e përshtatshme për të rinjtë. Ndërsa më të vjetërve u duheshin të paktën 20 minuta për të blerë biletën, kështu që mbetën pa to."

Për të shtuar numrin e udhëtarëve dhe për të ulur më tej koston, "Spring Airlines" planifikon të instalojë "ndenjëse vertikale" në aeroplanët e vet, pra ku udhëtarët mund të qëndrojnë në këmbë, dhe tani po pret miratimin nga autoritetet përkatëse.

Nuk është hera e parë që qarkullon një ide e tillë. Kompania ajrore me bazë në Dublin "Ryanair" e propozoi shitjen e biletave për qëndrimin në këmbë në avion në vitin 2009, por hoqi më pas dorë nga një ide të tillë. Të shohim nëse këtë herë ideja e Wang Zhenghua-së do të realizohet dhe do të shohim për here të parë udhëtarë që udhëtojnë me aeroplan duke qëndruar më këmbë.

Wang Zhenghua thotë se dy njerëzit që jetojnë që admiron më shumë janë Bill Gates dhe Herb Kelleher. "E admiroj Bill Gates se është një biznesmen i suksesshëm," shprehet ai. Megjithatë, modeli për biznesin e tij mbetet Kelleher, bashkëthemeluesi dhe kryetari i kompanisë ajrore "Southwest Airlines", pionierja e fluturimeve me kosto të ulët në botë. "Herb Kelleher-i është si një mësues për mua, sepse krijoi modelin e biznesit të kompanive ajrore me kosto të ulët, që më ka frymëzuar aq shumë. Synimi ynë është që të bëhemi një 'Southwest Airlines' tjetër. Ne duam të kemi 400 ose 500 aeroplanë ashtu si ata. Është në dorën tonë që ta bëjmë një gjë të tillë realitet," thotë Wang Zhenghua.

Të ardhurat vjetore të "Spring Airlines"-it i kalojnë 1 miliard dollarët. Me vetëm rreth 50 aeroplanë, vlerësohet se afërsisht një ndër 30 udhëtarë nga ajri në Kinë fluturon me aeroplanët e "Spring Airlines".

"Në fillim të gjithë ishin dyshues, duke thënë se ishim shumë të dobët nga ana teknologjike dhe financiare. Por tani ne kemi arritur të bëhemi të fortë falë punës së madhe. Ne jemi përballur me konkurrencë që prej fillimit. Prandaj, ne nuk kemi frikë prej saj," thekson Wang Zhenghua. "Rezultatet tona kanë qenë relativisht të qëndrueshme. Luhatjet nuk janë në stilin tonë. Edhe gjatë krizës financiare të vitit 2008, kur shoqëritë e mëdha ajrore humbën qindra milionë juanë, ne arritëm të sigurojmë një fitim të vogël."

"Kompanitë e mëdha kanë përparësi. Por kjo nuk do të thotë kompanitë e vogla nuk mund të kenë sukses," shprehet Wang Zhenghua.

Një sfidë për kompaninë është sidoqoftë dhënia e lejes për fluturimin në linjat më popullore ajrore të Kinës. Ndonëse nga Aeroporti Ndërkombëtar Hongqiao i Shangait mund të fluturohet me aeroplanët e "Spring Airlines"-it në më shumë se 20 qytete, kompania ka vetëm një fluturim për në Pekin çdo ditë, dhe mbërritja atje është pas mesnate. Wang Zhenghua shprehet: "Sa herë hapen linja të reja ajrore, unë aplikoj për to. Ne kemi gjithçka nevojitet për të operuar në këto linja. Por nëse nuk ka pranohet kërkesa, ne nuk shkurajohemi dhe përqendrohemi që ta bëjmë sa më mirë punën tonë në linjat ku na janë miratuar fluturimet".

Më tej ai shton: "Ka nga ata që ankohen se 'Spring Airlines'-it nuk i janë dhënë linjat më të mira ajrore. Por unë e shoh këtë ndryshe. Ne na janë dhënë tashmë linja dhe orare të mira. Mendoj se gjërat duhen me një zemër mirënjohëse. Nuk mund ta shohësh drejtësinë vetëm nga këndvështrimi yt. Ndonjëherë duhen të kesh një perspektivë të ndryshme. Nëse je njeriu i ngarkuar me miratimin e linjave ajrore, mund të mos jesh në gjendje t'i bësh të gjithë të lumtur. Kështu që duhet të jesh mirënjohës, dhe pastaj, duke qenë i tillë, do të punosh me kënaqësi."

Në 21 janar të vitit të kaluar "Spring Airlines" u regjistrua në Bursën e Shangait, me një ofertë publike fillestare 293 milionë dollarë amerikanë. Që prej atëherë kompania e Wang Zhenghua-së e ka më shumë se katërfishuar vlerën e vet, duke u kthyer tashmë në kompaninë më të madhe ajrore me kosto të ulët në Azi për nga kapitalizimi i tregut. Ndërkohë, Wang Zhenghua ka hyrë në radhët e miliarderëve. Pasuria e tij arrin tashmë në 1.55 miliardë dollarë.

Lidhur me arsyet e suksesit të tij dhe kompanisë së vet "Spring Airlines", Wang shprehet: "Nuk kemi asgjë të veçantë, thjesht kemi punuar me zell dhe me vendosmëri. Përqendrimi, të qenët me këmbë në tokë dhe përpjekjet e mëdha na kanë bërë ata që jemi sot. Kultura e kompanisë sonë është se duhet të jesh në gjendje t'u bësh ballë vështirësive dhe kritikave nga të tjerët."

Duket se për Wang Zhenghua-në suksesi është një rrugëtim e jo një vendmbërritje, dhe prandaj në njëfarë mënyre thotë se ende nuk e ka arritur atë. "Unë kam krijuar një agjenci udhëtimesh dhe një kompani ajrore, por nuk jam i kënaqur me madhësinë e asnjërës prej tyre. Unë dua të bëj më të mirën për të dy këto kompani," shprehet ai.

"E nisa si një biznesmen i vogël. Unë dua të jem në kontroll të diçkaje. Por megjithatë, nëse do që biznesi yt të rritet, nuk duhet të varesh vetëm te disa njerëz," vë në dukje Wang Zhenghua. "Shpresoj se brezi i ri do të ruajë kulturën e tanishme të 'Spring Airlines': kursim, mirënjohje, respekt. Jo vetëm stafi, por edhe dy djemtë e mi duhet të respektojnë rregullat e kompanisë. Ne të gjithë kemi një marrëdhënie harmonike me njëri-tjetrin."

Më tej Wang Zhenghua shprehet: "Filozofia ime është: Ji i kujdesshëm në kohë lulëzimi; përballu me sfidat në kohë të këqija.' Kjo do të thotë se nuk duhet të vetëkënaqesh kur tregu është në gjendje të mirë, por të jesh i kujdesshëm dhe të kërkosh të zbulosh se ku mund të lindin problemet. Pjesa e dytë e filozofisë sime është të përballesh me realitetin në kohë të vështira, por pa u frikësuar. Në vitin 2008, kur të gjitha linjat ajrore kryesore kishin humbje të mëdha dhe tregu ishte plot pesimizëm, ne bëmë investimet më të mëdha që kishim bërë ndonjëherë që nga themelimi ynë. Ne ishim të shqetësuar, por rezultati ishte shumë i mirë."

Wang Zhenghua thekson se udhëtimi me kosto të ulët është një prirje globale. Ai vëren: "Udhëtimi me aeroplan sot nuk është vetëm për 'fisnikërinë' a të pasurit si në të kaluarën, po është një formë e zakonshme e transportit për masat. Udhëtarët sot janë më të ndjeshëm ndaj çmimeve se më parë. Dhe me rritjen ekonomike, shumë njerëz i kanë mjetet, por edhe kanë nevojë për të udhëtuar. Njerëzit tani janë më të shpërndarë gjeografikisht dhe janë shumë kureshtarë për pjesën tjetër të botës."

Wang Zhenghua thotë se frika më e madhe e tij kur vjen fjala te biznesi është siguria, dhe kjo sepse "siguria është jetike për çdo kompani ajrore".

E megjithatë, ai thotë teknologjia ka ardhur duke u përmirësuar, duke bërë që aeroplanët të jenë më të sigurt, si edhe më të shpejtë: "Sot mund të fluturosh në skajin tjetër të globit në vetëm 24 orë, gjë që ishte e paimagjinueshme më parë."

Wang Zhenghua shprehet se nuk do të reshtë përpjekjet për ta bërë udhëtimin me aeroplan më të lirë dhe më të përballueshëm nga masat e gjera, jo vetëm në Kinë, por edhe në vende të tjera, si Japonia e Koreja e Jugut dhe vendet e Azisë Juglindore. "Çmimet tona sot janë afro 35 % më të ulëta se të të tjerëve. A mund të jetnë 50 % më të ulëta? Unë do të vazhdoj të bëj përpjekje për këtë," thotë Wang Zhenghua.

Ashtu si për shumë biznesmenë të pasur është ironike që, ndonëse kanë shumë para, kanë shumë pak kohë për t'i përdorur ato, edhe Wang Zhenghua shprehet se puna nuk i lejon shumë kohë për të bërë gjërat që dëshiron të bëjë. "Më pëlqejnë udhëtimet dhe të shkrihem me natyrën, por kam pak kohë për ta bërë një gjë të tillë." E megjithatë, ai thotë se sa herë udhëton diku, shpenzon një ditë të tërë për të parë një panoramë të bukur. "Kultura ekziston në natyrë," vëren Wang-u.

Një pasion tjetër i madh i Wang Zhenghua-së është taiji, një lloj arti luftarak: "Unë punoj nga mëngjesi në darkë, shtatë ditë në javë. Megjithatë, unë kaloj disa kohë duke praktikuar taiji"

Ai thotë se ka praktikuar këtë art të lashtë luftarak kinez për katër dekada, gjë që ka bërë të jetë i shëndetshëm edhe tani që është në të 70-tat. Për të, megjithatë, taiji gjithashtu shërben si një filozofi biznesi në kohët moderne. Wang Zhenghua shprehet: "Të gjitha lëvizjet e taiji-së duken shumë të buta, por ato përmbajnë një forcë të madhe të brendshme. Të njëjtën gjë bëj edhe me drejtimin e kompanisë ajrore. Unë vazhdoj të buzëqesh edhe kur jam i dëshpëruar nga tregu ose kushtet rregullatore. Por brenda meje, vendosmëria për të arritur suksesin nuk lëkundet kurrë."

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China