PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
"Alibaba" mund të bëhet platforma më e madhe e shitjes me pakicë në botë
2016-04-05 16:44:59 CRI Komenti juaj Printoni

Në fund të marsit Grupi "Alibaba" publikoi një raport, sipas të cilit gjiganti kinez i biznesit elektronik në vitin financiar 2016 arriti një vëllim shitjesh prej 3 trilionë juanësh në platformën e vet elektronike. Kjo do të thotë që grupi kinez "Alibaba" mund ta kalojë gjigantin amerikan "Walmart" dhe të bëhet platforma më e madhe e shitjes me pakicë në botë.

Në ditën kur u publikua raporti, "Alibaba" ftoi përfaqësues të bizneseve, ofruesve të shërbimeve dhe mediave, për të dëshmuar bashkë rritjen e statistikave tregtare në platformën "Alibaba". Sipas raportit, vëllimi i tregtisë elektronike të Grupit ka arritur tashmë në 3 trilionë juanë. Kryezyrtari ekzekutiv i "Alibaba"-s Zhang Yong u shpreh: "Vëllimi 3 trilionë juanë është vetëm një pikënisje e re. Ne shpresojmë që në vitin 2020 ky vëllim të arrijë në 6 trilionë juanë, ose 1 trilion dollarë amerikanë."

Zv.presidenti i grupit dhe drejtori i Institutit të Kërkimeve të "Alibaba"-s, Gao Hongbing, është i mendimit se 3 trilionë juanë shitje janë arritur për arsye që teknologjia e internetit po zgjeron në mënyrë të pandërprerë kufijtë e biznesit, duke ndryshuar marrëdhëniet mes sektorit të prodhimit dhe konsumatorëve. Në këtë mënyrë është rritur kërkesa e konsumatorëve.

"Unë mendoj që kemi arritur shifrën 3 trilionë juanë, sepse kemi përdorur modelin e ri, shitblerjen në platformë në internet, çka ka krijuar një mjedis më të lirshëm për blerësit dhe shitësit. Kështu, unë mendoj që përdorimi i kësaj platforme është një element shumë i rëndësishëm për zgjerimin e përmasave të biznesit tonë. Në të kaluarën, prodhuesit ua dërgonin shpërndarësve mallrat dhe këtu detyra e tyre mbaronte. Mirëpo në kohën e sotme, epërsia më e madhe e platformës së internetit është që blerësit mund të dinë nëse konsumatorët kanë nevojë apo jo për mallrat e tyre në platformën 'Tmall.com'. Kështu, ata mund të menaxhojnë sasinë e prodhimit dhe të përmirësojnë modelin ose funksionet e produkteve. Ky model ka sjellë çlirimin e sektorit të prodhimit," thotë Gao Hongbing, zv.presidenti i grupit dhe drejtori i Institutit të Kërkimeve të "Alibaba"-s.

Edhe zv.presidenti i grupit "Haier" Li Huagang ka të njëjtin mendim me Gao Hongbing-un. Ai bëri të ditur se, që nga viti 2012, kur "Haier"-i nisi bashkëpunimin zyrtar me grupin "Alibaba", shitja e pajisjeve elektroshtëpiake është shtuar në mënyrë të dukshme. Sipas tij, më e rëndësishmja është që përdorimi i kësaj platforme ka zgjeruar rrugën e biznesit dhe ka përmirësuar modelin e zhvillimit të grupit të tij.

"Shumë klientë na kanë paraqitur në 'Tmall' kërkesat e tyre. Unë mendoj që shitjet janë vetëm njëri aspekt. Më e rëndësishmja është që, në këtë platformë, së pari mund të testosh aftësitë e tua dhe, së dyti, mund të shohësh nëse klientët janë të kënaqur. Në të kaluarën, kur nuk kishte platformë interneti, nuk kishte lidhje me blerësit, kurse në këtë platformë mund të shohim qartë procesin e shitjes. Krahas kësaj, mund të marrim shumë informacion. Kështu, unë mendoj që bashkëpunimi me 'Tmall.com' siguron jo vetëm një platformë shitjeje, por edhe një platformë ku mund të përmirësohet aftësia e përgjithshme e një kompanie," thotë zv.presidenti i grupit "Haier" Li Huagang.

Në platformën "Alibaba" ka mbi 1 miliard produkte, më shumë se 10 milionë dyqane dhe mbi 400 milionë blerës aktivë. Ndër mallrat e tregtuara në "Alibaba", orenditë, pajisjet elektroshtëpiake, veshjet, pajisjet elektronike dhe artikujt për femra e fëmijë renditen në vendet e para. Femrat përbëjnë mbi gjysmën e përdoruesve në "Taobao.com" dhe të rinjtë janë klientët kryesorë.

Sipas të dhënave të publikuara më parë nga Zyra Kombëtare e Statistikave të Kinës, një vëllim shitjesh prej mbi 3 trilionë juanësh përbën afro 10 % të vëllimit të përgjithshëm të shitjes me pakicë të mallrave të konsumit në mbarë Kinën. Kryezyrtari ekzekutiv i grupit "Alibaba" Zhang Yong u shpreh se mjedisi i ri i biznesit dhe mjedisi i internetit janë ndërthurur në mënyrë të plotë, duke krijuar një sinergji mjaft të madhe. Kjo ka nxitur në një masë të madhe biznesin e grupit "Alibaba". Tani gjithnjë e më shumë dyqane po futen në tregtinë elektronike. Z. Zhang bëri të ditur që, në të ardhmen, "Alibaba" do të rregullojë infrastrukturën e biznesit, si dyqanet në internet, logjistikën dhe të dhënat me teknologjinë cloud. Kështu, të gjithë partnerët në këtë platformë mund të zhvillojnë biznesin e tyre në mënyrë më efikase dhe ekonomia e mbarë vendit mund të përparojë më tej.

"Unë mendoj që vëllimi prej 3 trilionë juanësh në të vërtetë tregon forcën e madhe të konsumatorëve në Kinë. Sot po flasim për reformën në fushën e ofertës dhe përmirësimin e përgjithshëm të kornizës së tanishme. Besoj që kjo kërkon që ta shfrytëzojmë teknologjinë e internetit, të përdorim platforma të reja ekonomike dhe ta ndihmojmë sektorin e manifakturës të marrë në mënyrë më efikase të dhënat përkatëse të konsumatorëve, duke përmirësuar ofertën në bazë të përmirësimit të konsumit. Unë besoj që po afrohen reformat e gjithanshme në zinxhirin e furnizimit të bazuara në të dhënat e mëdha dhe revolucioni i sektorit të manifakturës. Kjo do të sjellë një energji të madhe për zhvillimin në fazën tjetër," thotë Zhang Yong, kryezyrtar ekzekutiv i grupit "Alibaba".

Sipas raportit të fundit nga "Walmart"-i, deri në fund të janarit të këtij viti, të ardhurat e grupit në vitin financiar 2016 arritën 482.1 miliardë dollarë amerikanë, ose afro 3143.2 miliardë juanë, duke pësuar rënie me 0.7%.

Grupi "Walmart" në mbarë botën ka gjithsej 11000 supermarkete dhe 2.2 milionë punonjës. Ndërsa tani, duke përjashtuar sektorin B2B, grupi "Alibaba" ka vetëm 8000 punonjës në biznesin e shitjes me pakicë. Kjo do të thotë që gjiganti kinez ka një potencial të madh dhe biznesi i tij mund të shënojë një rritje të dukshme. (Jiang Lei)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China