PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Zhou Yahui, i riu më i pasur në Kinë
2016-04-05 16:44:15 CRI Komenti juaj Printoni

Instituti "Hurun" ka publikuar së fundmi listën e "10 miliarderëve më të rinj në Kinë" për vitin 2016. Në krye të kësaj liste renditet presidenti dhe kryetari i bordit i Kompanisë Teknologjike "Kunlun" të Pekinit, Zhou Yahui, me një pasuri që vlerësohet në 23 miliardë juanë (diçka më shumë se 3.5 miliardë dollarë amerikanë). Ai u bë miliarder vitin e kaluar, në janar, një muaj që mund të thuhet se ishte pjellor për sa i përket krijimit të miliarderëve të rinj kinezë. Kompania e krijuar dhe e drejtuar prej tij është sot një prej krijuesve dhe operatorëve më të mëdhenj të lojërave në internet në Kinë, por ka hyrë tashmë edhe në biznese të tjera dhe është zgjeruar edhe jashtë vendit.

Zhou Yahui ka lindur 39 vjet më parë në qytetin piktoresk të Lijiang-ut, në provincën jugore kineze Yunnan. Prindërit e tij ishin nëpunës të thjeshtë shteti e donin që edhe djali i tyre të gjente ndonjë punë të sigurt dhe të mirë në shtet, pas përfundimit të studimeve universitetare dhe të atyre të masterit në një universitet prestigjioz si ai Qinghua i Pekinit. Por Zhou Yahui kishte aspirate të tjera. Ai donte të niste sipërmarrjen e vet, duke krijuar aplikacionin social "Huoshen". Po pas njëfarë kohe u duk se prindërit e tij kishin pasur të drejtë: sipërmarrja e tij e parë dështoi. Zhou Yahui nuk guxonte nga turpi as të kthehej në vendlindje për të parë prindërit. Sidoqoftë, ai vendosi të mos hiqte dorë, por në njëfarë mënyre të ndryshonte strategji. Dhe kështu në vitin 2006 Zhou Yahui nisi punë në rrjetin social kinez "Renren". Ai studioi me vëmendje mënyrën e funksionimit e të menaxhimit të kompanisë, veçanërisht se si ajo e shtonte numrin e përdoruesve të rinj. Pas afro një viti Zhou e la "Renren"-in për të bërë më shumë para duke shitur programe kompjuterike dhe lojëra në internet jashtë vendit. Këtë herë biznesi i tij shkoi mbarë dhe në vitin 2008 Zhou Yahui themeloi Kompaninë Teknologjike 'Kunlun" të Pekinit, një krijuese dhe distributore e lojërave në internet në Kinë.

Kompania Teknologjike "Kunlun" e Pekinit u bë distributore e lojës "Angry Birds" të "Rovio Entertainment", "Clash of Clans" dhe "Boom Beach" të "Supercell" dhe "Need for Speed" të "Electronic Arts". Zhou Yahui e nënshkroi marrëveshjen me "Rovio Entertainment" pas tre orë bisedimesh, deri në orën dy të mëngjesit, me drejtuesit e kësaj kompanie që kishin fluturuar enkas nga Finlanda.

Por objektivi i Kompanisë Teknologjike "Kunlun" të Pekinit ka qenë që nga fillimi shtrirja përtej Kinës. Për këtë arsye Zhou Yahui e kalon edhe tani pjesën më të madhe të vitit jashtë vendit, në kërkim të pikave të reja të zgjerimit të kompanisë së vet. Dhe kështu "Kunlun"-i nënshkroi marrvëshje me "Facebook"-un. Po ashtu, përveç rrjetit më të madh social në botë, Kompania Teknologjike "Kunlun" e Pekinit i tregton produktet e veta edhe nëpërmjet aplikacioneve në celular. Kompania e Zhou Yahui-tkrijoi programin e komunikimit në grup "RaidCall" për përdoruesit jashtë pjesës kontinentale të Kinës. Ky aplikacion është tashmë mjaft popullor në Tajvan, por edhe në Rusi. Nga ana tjetër, në Tajlandë 'Kunlun"-i ka vendosur partneritet me aplikacionin e mesazheve "Line" për të promovuar lojërat e veta. Kompania ka gjithashtu dy dyqane aplikacionesh në celular, "1mobile" dhe "brothersoft.com", të cilat kanë tashmë bashkërisht 20 milionë përdorues aktivë në muaj.

Kuang Shi, analist në Bankën Ndërkombëtare të Kinës, vëren se fokusi i "Kunlun"-it është zgjerimi jashtë vendit, gjë që e ka bërë këtë kompani tërheqëse për investitorët

"Strategjia e e Kompanisë Teknologjike 'Kunlun' të Pekinit mbështetet në zgjerimin ndërkombëtar. Arsyeja kryesore përse investitorët janë të interesuar për të blerë aksione të 'Kunlun'-it është potenciali që ka kompania jashtë vendit," thotë Kuang.

Në vitin 2014 të ardhurat nga tregjet jashtë vendit të Kompanisë Teknologjike "Kunlun" të Pekinit zinin më shumë se 70 % të vëllimit të përgjithshëm të të ardhurave të kompanisë, me vlerë 1.93 miliardë juanë (afro 295 milionë dollarë amerikanë). Ndërkohë, ndonëse shitjet e "Kunlun"-it në vitin 2015 patën një ulje të vogël, duke shkuar në 275 milionë dollarë amerikanë, fitimet u rritën, duke kapur vlerën 63.5 milionë dollarë amerikanë.

Guo Chengjie, zv.drejtor i kërkimeve për argëtimin në internet në firmën e këshillimeve "iResearch" të Pekinit, thekson: "'Kunlun'-i ka tashmë një njohje shumë të mirë të tregjeve ndërkombëtare, kur mund të thuhet se shumica e kompanive kineze sapo kanë filluar të zgjerohen jashtë vendit."

Zhou Yahui synon ta kthejë "Kunlun"-in në një prej kompanive më të mëdha të internetit në Kinë. Qëllimi i tij nuk është të konkurrojë me gjigantë të tillë si "Alibaba", "Baidu" ose "Tencent" brenda vendit, por të zgjerojë platformën e kompanisë së tij për të përfshirë mediat sociale, shfletuesit e internetit, financat në internet dhe videot, për të tërhequr përdoruesit jashtë vendit.

Për të realizuar këto ambicie, në muajt e parë të këtij viti Zhou Yahui ka bërë dy blerje të rëndësishme.

Në janar Kompania Teknologjike "Kunlun" e Pekinitvuri në zotërim për 93 milionë dollarë amerikanë 60 % të aksioneve të "Grindr", rrjeti më i madh shoqëror i njohjeve mes meshkujve në botë, me më shumë se 2 milionë përdorues ditorë në 196 vende të botës.

Zhou Yahui dëgjoi për herë të parë për "Grindr" verën e kaluar. Kompania amerikane po kërkonte blerës dhe një mik i tregoi Zhou Yahui-t lidhur me këtë. Miliarderi kinez vendosi ta shfrytëzojë këtë rast për t'u përfshirë në sektorin e rrjeteve shoqërore.

Blerja më e fundit e "Kunlun"-it është ajo - në krye të një konsorciumi - e krijuesit norvegjez të shfletuesit të internetit "Opera" për 1.23 miliardë dollarë. Konsorciumi i udhëhequr nga Zhou Yahui përfshinte edhe kompaninë e sigurisë në internet "Qihoo 360". "Kunlun"-i po punon tani me "Qihoo" për të përmirësuar sigurinë dhe shpejtësinë e "Opera"-s. Numri i përdoruesve të këtij shfletuesi në internet e kalon shifrën 300 milionë në muaj. Kontrolli i një shfletuesi të tillë do t'i sigurojë "Kunlun"-it bazë për zgjerimin në fusha të tjera biznesi.

Për Zhou Yahui-n thuhet me shaka se, ndonëse zotëron një prej kompanive më të mëdha të lojërave në internet në Kinë dhe me një zgjerim të shpejtë në tregun ndërkombëtar, vetë nuk është i pasionuar pas këtyre lloj lojërash dhe rrallë luan me to. Po sigurisht nuk është kjo arsyeja përse ai ka planifikuar prej një kohe të gjatë diversifikimin e "Kunlun"-it. Që kur punonte në "Renren" ai vuri re përpjekjet për diversifikim në biznese të tjera që po bënte kjo kompani, kur biznesi i saj kryesor po arrinte një pikë pezulli.

"Që nga dita e parë që krijoi Kompaninë Teknologjike 'Kunlun' të Pekinit, Zhou donte që ta mbështeste biznesin e vet në një platformë shoqërore ose shfletimi në internet dhe jo në një sektor si lojërat në internet," thotë Cao Yi, presidenti i firmës së kapitaleve me rrezik "Source Code Capital" dhe një shok i vjetër i Zhou Yahui-t.

Biznesi kryesor i "Kunlun"-it mund të jetë i pasigurt, meqë shijet e luhatshme të atyre që luajnë në internet kërkojnë përmirësime të vazhdueshme të produkteve. "Është e vështirë të parashikosh se cila lojë do të bëhet e pëlqyer," vëren Zhou Yahui.

Zhou thotë se do që t'i ketë pasuritë e veta në sektorë ku rritja duket e garantuar ose të paktën më e mundshme. "Kompanitë e lojërave në internet duhet t'i investojnë paratë në vende ku mund të sigurojnë të ardhura më të sigurta," thekson Zhou Yahui.

E megjithatë, analistët besojnë se baza e "Kunlun"-it përsëri mbeten lojërat në internet dhe se vetëm mbarëvajtja e këtij biznesi do të siguronte mbarëvajtjen e zgjerimit edhe në sektorë të tjerë. "Nësenjësia e lojërave në internet e Kompanisë Teknologjike 'Kunlun' nuk është e qëndrueshme, blerjet e tjera të saj fare lehtë mund të kthehen në një barrë për të. Kompania përballet me disa rreziqe të fshehura," shprehet Guo Chengjie, zv.drejtor i kërkimeve për argëtimin në internet në firmën e këshillimeve "iResearch" të Pekinit.

Një tjetër biznes i rëndësishëm për Kompaninë Teknologjike "Kunlun" të Pekinit është edhe financimi në internet. Zhou Yahui thekson se synon që kompania e krijuar dhe e drejtuar prej tij të gëzojë një pozicion pararojë në këtë sektor, teksa kreditimi në internet po përhapet me shpejtësi në tregjet e reja, siç është Kina. Kështu vitin e kaluar kreditimi në internet në Kinë arriti në 149 miliardë dollarë amerikanë,duke pasur rritje me 289 % krahasuar me vitin 2014. "Kunlun" ka tashmë 24 % të aksioneve në "Qufenqi.com", një uebsajt për kredidimin e studentëve, si edhe ka blerë për 14.5 milionë dollarë amerikanë20 % në "Mitou", kompania që zotëron uebsajtin e lidhur me shëndetin "Yangqianguan". Por Kompania Teknologjike "Kunlun" e Pekinitpo ashtu ka investuar jashtë vendit në këtë drejtim. Ajo bleu në qershor 2015 20 për qind të kompanisë britanike të shërbimeve të huadhënies "LendInvest" për 34 milionë dollarë.

Kompania Teknologjike "Kunlun" e Pekinit po ashtu është një ndër investitorët e parë në kompaninë logjistike kineze "Dada", me një vlerë tregu që arrin deri në 1 miliardë dollarë amerikanë. Për Zhou Yahui ky përbën një investim të mirë financiar.

Muajin e kaluar, dega e Hong-Kongut e Kompanisë Teknologjike "Kunlun" të Pekinit krijoi një kompani të inteligjencës artificiale në Shtetet e Bashkuara, të quajtur "Kunlun AI". Kompania e ka bazën në Palo Alto të Kalifornisë dhe do të krijojë teknologji reklamimi, njohjeje zëri dhe sigurie informacioni. Dega e Hong-Kongut e Kompanisë Teknologjike "Kunlun" të Pekinit ka investuar 3 milionë dollarë për të pasur 15 për qind në "Kunlun AI", ndërsa pjesa tjetër do të zotërohet nga një numër kompanish të tjera investuese.

Kjo nuk është hera e parë që "Kunlun"-i investon në sektorin e inteligjencës artificiale. Në janar kjo kompani bleu edhe 20 për qind të aksioneve në kompaninë e re robotike amerikane "Woobo" për 800 mijë dollarë.

Liu Jiang, analist në kompaninë "Changjiang Securities", vë në dukje: "'Woobo' po krijon produkte të reja hardueri dhe robotët e tij mund të shërbejnë si një platformë për teknologjitë e inteligjencës artificiale të 'Kunlun'-it."

Liu Jiang-u shprehet se ai beson se sektori i inteligjencës artificiale një një nga sektorët kryesorë ku do të investojë Kompania Teknologjike "Kunlun" e Pekinit.

Zhou Yahui u fut në radhët e miliarderëve në janar të vitit të kaluar, kur "Kunlun"-i u regjistrua në Bursën e Shenzhen-it. Kompania siguroi 1.4 miliardë juanë nga oferta publike fillestare. Çmimi i aksioneve të saj u rrit me 44 për qind, kufiri i rritjes në ditën e parë të tregtimit më 21 janar, dhe vazhdoi të rritej në maksimumin ditor prej 10 për qind për nëntë ditë me radhë. Pasuria e Zhou Yahui-t arriti në 1.8 miliardë dollarë, duke u katërfishuar që prej ofertës publike fillestare të kompanisë së tij, duke u shtuar tashmë afro dy herë brenda pak më shumë se një viti.

Në të vërtetë, investitorët kanë treguar një interes gjithnjë e më të madh për ofertat publike fillestare në bursat kineze. "Çmimet e aksioneve kanë njohur një rritje të madhe, sepse aksionet e reja në bursat kineze të kategorisë A janë të rralla," thotë James Hu Jiaming-u, analist në Korporatën "Capital Securities" të Shangait, duke shtuar se "sektori i lojërave në internet ka njohur rritje në tregun e aksioneve në Kinë që prej gjysmës së dytë të vitit të kaluar."

Ka pasur një "rritje të përshpejtuar" në sektorin e lojërave në internet, e nxitur nga popullariteti i aplikacioneve në celular, të tilla si "WeChat", shprehet më tej James Hu Jiaming-u.

Janari i vitit të kaluar ishte muaji me numrin më të madh të ofertave publike fillestare në më shumë se një vit, duke krijuar edhe një numër miliarderësh, përfshirë pra edhe Zhou Yahui-n.

Në gjashtë javët e para të vitit 2015, në ekonominë e dytë për nga madhësia në botë u krijuan më shumë se 20 miliarderë, shumica e të cilëve nga ofertat publike fillestare, çmimet e të cilave investitorët i kanë çuar në kufijtë ditorë të rritjes, një gjendje që të kujton ethet e blerjes së aksioneve në fund të viteve '90 të shekullit të kaluar në Kinë.

"Ofertat publike fillestare janë bërë një produkt investimesh mjaft i nxehtë në Kinë," thotë Ronald Wan, kryekëshilltar për Kinën i firmës së këshillimeve "Asian Capital Holdings". "Kështu të gjithë aksionerët që kontrollojnë ofertat publike fillestare bëhen shumë të pasur më pas, bëhen miliarderë."

Presidenti dhe kryetari i "Kunlun"-it Zhou Yahui është shprehur se synon që deri në vitin 2020 të sigurojë 1 miliard dollarë fitime nga shfletuesi në internet "Opera", aplikacionet e rrjeteve sociale, shërbimet financiaret dhe bizneset e lojërave dhe video në internet.

Kur e pyet nëse mund t'i përballojë dështimet, Zhou Yahui thotë pa u menduar shumë se po. Ai i vlerëson ato ashtu siç bëri me sipërmarrjen e vet të parë të pasuksesshme "Huoshen" disa vjet më parë: një pësim i bërë mësim. "Investimet e mia janë të hershme dhe unë nuk kam frikë nga dështimet," thotë ai. "Dështimet janë thjesht kostoja që duhet të paguajë çdo kompani që të rritet."

Megjithatë, i riu më i pasur në Kinë shton: "E di se në të gjitha fushat ku po zgjerohemi janë tashmë shumë konkurruese. Por kompania jonë është mjaft e fortë. Unë jam i sigurt se ne mund të gjejmë rrugën e suksesit."

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China