20160329-fe.m4a |
Kohët e fundit u zhvillua në Pekin Forumi i Lartë i Zhvillimit për vitin 2016. Në këtë forum morën pjesë zyrtarë, specialistë, sipërmarrës dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, të cilët diskutuan dhe dhanë mendime për zhvillimin e Kinës gjatë pesë vjetëve të ardhshëm. Zv.kryeministri kinez Zhang Gaoli u shpreh gjatë këtij forumi se ekonomia kineze ka një prirje të mirë dhe se në tremujorin e parë të këtij viti mund të ketë shënuar një fillim të mbarë.
Forumi i Lartë i Zhvillimit 2016 është organizuar nën kujdesin e Qendrës së Studimit të Zhvillimit pranë Këshillit të Shtetit të Kinës dhe u zhvillua nga Fondi i Studimit të Zhvillimit i Kinës. Ai është aktiviteti i parë i nivelit të lartë pas dy sesioneve të vitit 2016 të Kinës. Tema kryesore në këtë forum ishin objektivat e zhvillimit për pesë vjetët e ardhshëm.
Zv.kryeministri kinez Zhang Gaoli vuri në dukje në ceremoninë e hapjes së forumit se prirja e zhvillimit të ekonomisë kineze është pozitive dhe nuk do të ketë probleme të mëdha, nëse nuk ndodhin rreziqe sistemore dhe rajonale në fushën financiare. Meqë të dhënat kryesore ekonomike janë të mira, vlerësohet se ekonomia kineze mund të ketë shënuar një fillim të mbarë në tremujorin e parë.
"Ne e pranojmë që ekonomia kineze përballet me trysninë e rënies, por në përgjithësi gjendja është e qëndrueshme dhe ka prirje të mirë. Treguesit kryesorë ekonomikë të vendit në periudhën janar-mars të këtij viti kanë prirje pozitive. Mund të parashikoj që në tremujorin e parë të sivjetshëm, ekonomia kineze ka pasur një fillim të mbarë. Sivjet ne do t'i kalojmë vështirësitë dhe vitin tjetër do të kemi më shumë hapësirë," tha Zhang Gaoli.
Zhang Gaoli theksoi se ekonomia kineze tani është futur në një fazë të re zhvillimi dhe nuk mund të vazhdojë modelin e vjetër me zhvillim intensiv. Në pesë vjetët e ardhshëm, mbështetur në reformën strukturore në fushën e ofertës, duhet të realizohen pesë detyra kryesore, të cilat janë: ulja e kapacitetit të prodhimit, pakësimi i rezervës, eliminimi i forcave shtytëse, ulja e kostos dhe plotësimi i disavantazheve. Kina do të përpiqet të ngrejë cilësinë, efektivitetin dhe nivelin e zhvillimit ekonomik brenda disa vjetëve. Zhang Gaoli u shpreh se sivjet në Kinë do të zhvillohet Samiti i G20-s dhe Kina është e gatshme që të shtojë komunikimin dhe bashkërendimin, për të nxitur formimin e një ekonomie botërore "novatore, dinamike, bashkëvepruese dhe tolerante". Zhang tha gjithashtu se zhvillimi i Kinës do t'u sjellë vendeve të tjera raste të reja zhvillimi.
"Kina së pari duhet të rregullojë siç duhet çështjet e veta. Ky është një kontribut për ekonominë botërore. Ne do të ndihmojmë për të krijuar një mjedis ligjor dhe ndërkombëtar biznesi dhe do të përpiqemi që, nëpërmjet zhvillimit tonë, të bëjmë që të përfitojnë edhe palët e tjera. Në fazën e re, në gjendjen e re normale dhe me zhvillimin e saj të ri, Kina ende ka plot mundësi biznesi, gjallëri dhe shpresë," tha zv.kryeministri kinez Zhang Gaoli.
Pak kohë më parë, agjencia ndërkombëtare e vlerësimit "Moody's" e uli vlerësimin e saj për borxhin sovran të Kinës nga "i qëndrueshëm" në "negativ", duke e ruajtur vlerësimin për bonot qeveritare kineze në AA3. Lidhur me këtë, ministri i Financave i Kinës Lou Jiwei u shpreh se tregu nuk ka reaguar negativisht ndaj vlerësimeve të "Moody's" dhe se Kina nuk u kushton ndonjë vëmendje të madhe vlerësimeve të kësaj agjencie ndërkombëtare.
"Si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, tregu nuk ka pasur ndryshime të shkaktuara nga vlerësimet mbi borxhin sovran të Kinës. Kursi i këmbimit të RMB-së në tregun ndërkufitar nuk pati rënie, por ngritje. Në tregun ndërkombëtar nuk ka pasur shitje me vlerë të ulët të RMB-së. Në fakt, ne nuk u kushtojmë shumë vëmendje këtyre vlerësimeve dhe nuk ka nevojë që të kërkojmë mbështetje nga njëra agjenci te tjetra, sepse gjendja është ajo që është. Reagimi i tregut, angazhimet e qeverisë kineze dhe lëvizjet tona të ardhshme do të tregojnë besimin tonë dhe aftësitë tona për ta vënë në jetë këtë besim," u shpreh ministri i Financave Lou Jiwei.
Ministri kinez i Tregtisë Gao Hucheng vuri në dukje se Kina ka nënshkruar marrëveshje të tregtisë së lirë me 22 partnerë tregtare të saj, që zënë 38 % të vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme të Kinës. Në të ardhmen, Kina do të shpejtojë formimin e rrjetit të zonave të tregtisë së lirë të standardit të lartë dhe do të marrë pjesë aktivisht në bashkëpunimin lidhur me sistemin e qeverisjes ekonomike globale.
"Kina është një fuqi e madhe dhe jo një 'milingonë që fshihet pas elefantit'. Gjatë Planit të 13-të 5-vjeçar, ne do të marrim pjesë në mënyrë aktive në qeverisjen globale dhe do të përmbushim detyrimet ndërkombëtare të një fuqie të madhe. Së pari, do të ruajmë rolin e sistemit të tregtisë shumëpalëshe si një platformë kryesore, për të nxitur liberalizimin dhe lehtësimin e tregtisë ndërkombëtare dhe investimeve. Së dyti, do të forcojmë krijimin e sistemit të tregtisë së lirë rajonale dhe dypalëshe. Së treti, do të nxisim përsosjen e sistemit të qeverisjes ekonomike globale dhe do të marrim pjesë aktivisht në bashkëpunimin ndërkombëtar për sistemin e qeverisjes ekonomike globale. Së katërti, do të zbatojmë përgjegjësitë ndërkombëtare dhe do të mbështesim vendet në zhvillim për forcimin e kapaciteteve të tyre," thotë Gao Hucheng, ministri i Tregtisë i Kinës.
Lidhur me eliminimin e të ashtuquajturave forca shtytëse (domethënë të instrumenteve të ndryshme financiare për të rritur fitimet), që ka tërhequr mjaft vëmendjen e publikut, guvernatori i Bankës Popullore të Kinës Zhou Xiaochuan u shpreh se një nga rreziqet që përballon sistemi financiar i Kinës në të vërtetë vjen nga niveli tepër i lartë i këtyre forcave nga ndërmarrjet dhe sektorët qeveritarë. Për këtë arsye, duhet të shpejtohet zhvillimi i tregut të kapitaleve, të shtohen financimet e drejtpërdrejta dhe të pakësohet varësia e ndërmarrjeve nga burimet e kredidhënies.
"Një metodë e rëndësishme është që të shpejtohet zhvillimi i tregut të kapitaleve. Nëpërmjet financimit të aksioneve të përbashkëta në tregun e kapitaleve, më shumë kursime të qytetarëve mund të përdoren në financimin e aksioneve të përbashkëta. Kjo mund të ulë nivelin e borxhit në prodhimin e brendshëm bruto dhe përqindjen e borxhit të marrë nga bankat," thotë Zhou Xiaochuan.
Duke folur për kursin e këmbimit të RMB-së, Zhou Xiaochuan-i vuri në dukje se duhet të mbikëqyren rregullisht pastrimi i parave dhe financimet për terroristët, si edhe duhet të parandalohen gabimet në nivelin makro, si kredimarrja e tepërt nga sipërmarrjet dhe blerjet e gabuara të monedhave. "Nisur nga gjendja e tanishme, ne do të inkurajojmë dhe do të mbështesim investimet e ndërsjella brenda e jashtë vendit," thotë Zhou Xiaochuan, guvernatori i Bankës Popullore të Kinës. (Jiang Lei)