PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Li Rucheng-u, miliarderi i veshjeve të të rinjve
2016-03-29 16:53:06 CRI Komenti juaj Printoni

Jeta nuk e ka përkëdhelur gjithmonë presidentin e Grupit "Youngor" të Kinës Li Rucheng. Në rini ai u dërgua të punonte në bujqësi, e pas shumë në një fabrikë veshjesh. Falë aftësive të tij ai u bë drejtor i kësaj fabrike, ku do të zinte rrënjë grupi i tij, që tashmë është një konglomerat me biznese në prodhimin e tekstileve e të veshjeve, pasuri të paluajtshme dhe investime financiare, ku janë të punësuar më shumë se 50 mijë veta. Megjithatë, veshjet vazhdojnë të mbeten kryesoret për sipërmarrjen e miliarderit 65-vjeçar.

Li Rucheng-u ka lindur në vitin 1951 në qytetin Ningbo të provincës Zhejiang. Gjatë Revolucionit Kulturor ai ishte një ndër ata 17 milionë të rinj intelektualë që u dërguan "të edukohen" në fshat. Puna në bujqësi ishte e rëndë për të riun, e megjithatë ai e vlerëson atë edhe si një mjet të mirë për kalitjen e vullnetit dhe përgatitjen për përballimin e vështirësive.

Në fillim të viteve '80, Li Rucheng-u u caktua të punonte në Fabrikën e Veshjeve Rinore të Ningbo-s. Fillimisht ai ishte një punëtor i thjeshtë ngarkim-shkarkimi, ndërsa më pas u caktua shef i repartit të prerjes. Por fabrika ndodhej përballë rrezikut të falimentimit. Li Rucheng-u udhëtoi në Verilindjen e largët të Kinës dhe u kthye me një urdhërporosi për dymbëdhjetë ton pëlhurë, duke e shpëtuar fabrikën nga mbyllja. Afërmendsh roli i Li Rucheng-ut për shpëtimin e fabrikës dhe aftësitë drejtuese të tij nuk kaluan pa u vënë re. Më pas punëtorët e zgjodhën Li Rucheng-un drejtor të fabrikës.

Në fillim të viteve '80 Kina po përjetonte të kundërtën e asaj që po njeh sot, një mungesë ekonomike në të cilën kërkesa e kalonte ofertën. Kamionët rreshtoheshin jashtë Fabrikës së Veshjeve Rinore për të marrë mallin, ndërkohë që veshjet ishin ende në prodhim. Fabrika e drejtuar nga Li pati një rritje të shpejtë dhe nisi t'i zgjerojë kapacitet e prodhimit.

Në vitin 1983 Li Rucheng-u u entuziazmua kur mësoi që Kompania "Kaikai Shirts" e Shangait po kërkonte t'ia kalonte procesin e prodhimit ndonjë firme tjetër. Në të vërtetë, 32-vjeçarit të atëhershëm i shkoi ndër mend diçka më shumë. Meqë "Kaikai" ishte një markë e njohur, Li Rucheng-u pyeti veten: "Përse të mos e përdorim këtë mundësi për ta bindur 'Kaikai'-n të na lejojë të përdorim markën e saj?" Dhe kështu, pas bisedimesh intensive, Kompania "Kaikai Shirts" e Shangait dhe fabrika që drejtonte Li Rucheng-u arritën një marrëveshje. "Kaikai Shirts" pranoi ta lejonte Fabrikën e Veshjeve Rinore të Ningbo-s të paguante për përdorimin e markës "Kaikai" dhe të teknologjisë përkatëse. Kjo do të thoshte se Fabrika e Veshjeve Rinore e Ningbo-s, duke vepruar si një degë e "Kaikai Shirts"-ut, mund t'i prodhonte dhe t'i shiste produktet e veta nën emrin e markës "Kaikai".

Pas arritjes dhe vënies në zbatim të marrëveshjes me Kompaninë "Kaikai Shirts", Fabrika e Veshjeve Rinore njohu një rritje të ndjeshme të të ardhurave. Fitimet vjetore u rritën nga 400 000 juanë (55 000 dollarë amerikanë) në një milion juanë (mbi 137 000 dollarë amerikanë) brenda vitit të parë pas marrëveshjes. Ndërkohë, në vitin e dytë vëllimi i shitjeve arriti në 10 milion juanë (1.37 milionë dollarë amerikanë) dhe fitimet e fabrikës u dyfishuan.

Pas këtij hapi të zgjuar dhe mjaft fitimprurës, Li Rucheng-u megjithatë nuk u mjaftua me kaq. Ai nuk donte që Fabrika e Veshjeve Rinore e Ningbo-s të punonte vetëm për kompani të tjera. Gjatë marrëdhënieve të tij të biznesit me kompaninë "Kaikai Shirts", Li Rucheng-u po çonte ndër mend të krijonte një markë të re të vetën. Dhe kështu në vitin 1986, Fabrika e Veshjeve Rinore e Ningbo-s filloi të prodhonte produktet e markës së vet të parë, të quajtur "Beilun Port". Edhe pse pozicioni i marketingut të markës ende nuk ishte përcaktuar në atë kohë, "Beilun Port" mbeti një markë këmishash cilësore që qëndronin mbi këmishat mesatare në treg. Çmimi i tyre ishte 39 deri në 49 juanë (përkatësisht mbi 5.3 dhe 6.7 dollarë amerikanë), pak mbi çmimin mesatar të këmishave në atë kohë në Kinë. Konsumatorët megjithatë i mirëpritën këto këmisha me këtë çmim. Deri në vitin 1989, fabrika e drejtuar nga Li Rucheng-u kishte shitur tre milion këmisha "Beilun Port".

Ndërsa "Beilun Port" arriti atë që dukej si kulmi i suksesit të saj, Li Rucheng-u po mendonte për kufizimet e natyrshme të markës së vet. Ai mori një vendim të guximshëm për ta braktisur këtë markë që kishte filluar të bëhej e njohur dhe të ngrinte një ndërmarrje të përbashkët me kompaninë "Nam Kwong" të Makaos. Ideja për këtë Li Rucheng-ut i erdhi nga besimi se "Beilun Port"-i kishte marrë një ngjyrë shumë të fortë lokale, gjë që kufizonte mundësinë e saj të ardhshme për të tërhequr një grup më të gjerë klientësh. Që kompania të shmangte pikën e ngecies dhe të arrinte potencialin e vet të plotë, marka e saj duhej në njëfarë mënyre të rilindte.

Dhe kështu në gusht të vitit 1990 u themelua Kompania e Veshjeve "Youngor", me markën e regjistruar tregtare "Youngor". Ky emër i ngjante emrit të fshatit Yadu, ku Li Rucheng-u kaloi pesëmbëdhjetë vjet duke bërë punë bujqësore, si edhe fjalës angleze young "i ri", që nënkuptonte se rrënjët e kompanisë ishin në një fabrikë veshjesh për të rinjtë dhe e personifikonte kompaninë si një të ri në pritje të rritjes së mëtejshme dhe pjekurisë.

Si president i kompanisë, Li Rucheng-u menjëherë filloi të punojë për ta bërë "Youngor"-in një markë të klasit botëror. Kompania "Youngor" investoi miliona dollarë në blerjen e makinerive e të pajisjeve të nivelit më të lartë botëror nga Gjermania, Japonia, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera. Teknikat e prodhimit, si dhe kontrolli i cilësisë përmbushnin standardet e bizneseve të tjera të klasit botëror. Si rezultat i vizionit të Li Rucheng-ut, marka "Youngor" një njohu sukses të madh.

Pa kaluar shumë, produktet e "Youngor"-it u bënë kaq popullore, saqë urdhërporositë vërshuan prej furnizuesve nga gjithë Kina. "Porositë ishin thjesht të pareshtura", kujton Li Rucheng-u më vonë. Në vitin 1991, "Youngor"-i u nderua me titullin "Markë e njohur kineze," duke u bërë një nga vetëm dy fitueset e këtij titulli nga industria e veshjeve.

Më pas"Youngor"-i nisi prodhimin e këmishave të cilësisë së lartë HP, të cilat u bënë menjëherë mjaft të pëlqyera e mjaft të kërkuara në treg dhe "Youngor"-i nisi të zërë vendin e vet të veçantë në sektorin e veshjeve të nivelit të mesëm e të lartë.

Në vitin 1997, tre vjet pas prodhimit dhe hedhjes në treg të këmishës HP, Li Rucheng-u vendosi që "Youngor"-i të krijonte një këmishë të re, VP. Këmisha u prodhua me një teknologji të tillë që bënte që të mos rrudhosej e që kështu të mos kishte nevojë për hekurosje, teksa ishte e butë në të prekur dhe e lehtë për t'u larë dhe për t'u tharë.

Pas vitit 2005, "Youngor"-i nisi prodhimin e këmishës DP, një këmishë e së ardhmes e përmirësuar. Kjo këmishë u bë duke përdorur pëlhurë pambuku të pastër me cilësi të lartë të prodhuar nga vetë "Youngor"-i. Pas përpunimit me të ashtuquajturën teknologji të shtypjes me hekur, pëlhura ruan vetinë e jashtëzakonshme të mosrrudhjes edhe pas shumë larjeve. Ndërkohë, përshkueshmëria dhe përthithja e ujit prej saj bëhen më të përshatshme, pa dëmtuar shkëlqimin e sipërfaqes së pëlhurës. Këto këmisha janë të përkryera për të rinjtë dhe ata që dëshirojnë të tregojnë stilin e tyre modern dhe të shpërfaqin idenë e vetërealizimit.

Në mars të vitit 2006, "Youngor"-i nisi marketingun intensiv të këmishës së re DP në të gjithë Kinën. Në Pekin, Hangzhou, Nanjing, Wuhan, Xian dhe trembëdhjetë qytete të tjera të Kinës u zhvilluan konferenca shtypi dhe veprimtari të tjera promovuese për këmishën e pambukut që nuk kishte nevojë për hekurosje. Ky promovim kishte si qëllim të shtonte më tej popullaritetin dhe reputacionin e këmishës DP, si edhe të konsolidonte besnikërinë ndaj markës dhe të zgjeronte pjesën e saj të tregut. Pavarësisht nga çmimi i shitjes më shumë se 500 juanë, këmisha DP e "Youngor"-it vazhdoi të ishte e parapëlqyer për një kohë të gjatë, duke qenë një ndër më fitimprurëset për kompaninë.

Në nëntor të vitit 2006, Komisioni Shtetëror i Shkencës dhe i Teknologjisë i vlerësoi këmishën DP si " Produkt i ri kryesor në shkallë kombëtare".

Pas suksesit në biznesin e këmishave, "Youngor"-i nisi të prodhojë edhe kostume. Në vitin 1994, pas këmishat e tij u përfshinë ndër "10 këmishat më të mira" në Kinë, "Youngor"-i importoi dhe vuri në funksionim linja moderne prodhimi kostumesh nga Gjermania, Italia, Japonia dhe vende të tjera, si dhe solli modele kostumesh dhe teknika prodhimi nga firmat më të njohura italiane të kostumeve. Brenda një viti, kostumet e stilit italian të "Youngor"-it u bënë një sukses i jashtëzakonshëm në tregun e kostumeve.

Me qëllim për të siguruar që të zotëronte aftësinë optimale në përzgjedhjen e materialeve për kostumet dhe saktësi e shpejtësi në prerje, "Youngor"-i përdori teknologjitë më të përparuara, duke themeluar në të njëjtën kohë një nga qendrat kryesore të modeleve të kostumeve në botë. Teknologjia dhe pajisjet e qendrës garantuan prodhimin e kostumeve me cilësi të lartë dhe për një kohë më të shkurtër, duke forcuar konkurrencën e "Youngor"-it në tregun e kostumeve. Tani, pas shumë vitesh përpjekjeje, kostumet e "Youngor"-it janë bërë popullore dhe kanë bërë që kompania të udhëheqë në këtë industri për sa i përket pjesës që zë në tregun e brendshëm.

Li Rucheng-u e përshkruan konkurrencën në biznesin modern me një metaforë: "Është si një luftë. Në të kaluarën, këmbësoria ishte më e fuqishme, dhe pastaj forcat ajrore. Po tani? Jo forcat detare, por një forcë e bashkuar, ajrore, tokësore dhe detare, e sinkronizuar me teknologjinë e informacionit." Mbështetur në këtë koncept të presidentit të vet, "Youngor"-i ka shpenzuar shuma të mëdha kapitalesh për të krijuar një zinxhir industrial në shkallë të gjerë e të integruar vertikalisht. "Youngor"-i tani menaxhon endjen e pëlhurës, ngjyrosjen, prodhimin e veshjeve, marketingun dhe shitjet. Një diversifikim i tillë e ka ngritur në masë të madhe vlerën e markës "Youngor".

Në vitin 2001 u ndërtua Qyteti Ndërkombëtar i Veshjeve "Youngor" me 100 milionë dollarë, duke mbuluar një sipërfaqe prej rreth 500 mu kineze (afro 33 hektarë). Me një prodhim vjetor prej dhjetë milionë këmishash, dy milionë kostumesh dhe njëzet milion veshjesh sportive (të rastit), ​​qyteti është bërë baza e e prodhimit të veshjeve më e madhe dhe më gjithëpërfshirëse në botë, me pajisjet më të mira dhe me gamën më të plotë të funksioneve. Gjatë vizitës së tij këtu, Pierre Cardin u shpreh: "Unë kam udhëtuar nëpër botë dhe kam parë kompanitë më të mëdha të veshjeve në botë. Për sa u përket përmasave, ju ua kaloni të gjithëve."

Në qershor të vitit 2002, projekti më i ri i "Youngor"-it tërhoqi vëmendjen brenda industrisë dhe skepticizëm jashtë saj. Kompania filloi ndërtimin e Qytetit të Tekstileve "Youngor", që integron prodhimin e pëlhurave e të veshjeve me shitjen. Qyteti i Tekstileve "Youngor" mbulon një sipërfaqe rreth 500 mu kinezë dhe përfundoi në vitin 2003. Ai është tani një bazë të madhe e prodhimit të tekstileve dhe pëlhurave të cilësisë së lartë në Kinë.

Dikur "Youngor"-i importonte 500 deri në 600 milionë juanë pëlhura në vit, por periudha e ngadalshme e dorëzimit të mallit (zakonisht rreth dy muaj) ishte një faktor kryesor kufizues në aftësinë e kompanisë për t'iu përgjigjur ndryshimeve në kërkesat e tregut. Ndaj Li vendosi: "Të nisim prodhimin e pëlhurave, në mënyrë që të kemi mundësi të garantojmë që cilësia e rrobave tona t'i plotësojë kërkesat e klientëve tanë."

Tani prodhimi i tekstileve është bërë një ndër bizneset më fitimprurëse për kompaninë.

Grupi "Youngor" ka një kulturë dhe sistem menaxhimi që ka në qendër njeriun. Grupi i kanë qëndruar besnik zhvillimit harmonik, duke siguruar arritje të mëdha gjatë këtyre viteve.

Ata që vizitojnë mjediset e Grupit "Youngor", mund të shohin se makinat e drejtuesve dhe automjetet e punës kurrë nuk kalojnë nëpër vendet nga ecin punonjësit dhe rënia e borive është e ndaluar. Ky ka qenë një rregull i prerë për më shumë se njëzet vjet. Në zyra drejtuesit punojnë së bashku me anëtarët e zakonshëm të stafit dhe të gjithë duhet të ulin zërin kur flasin në telefon. Grupi "Youngor" ka synuar gjithnjë këtë: zbutjen e hierarkisë. Për Li Rucheng-un, "Youngor"-i, që i ka fillesat në fshat, duhet të mbështetet pikërisht te punëtorët nga fshati për zhvillimin e vet. Prandaj, shumica e 50 000 punonjësve të "Youngor"-it janë nga fshati.

Kur filloi reforma e sistemit të zotërimit të aksioneve në vitin 1993, "Youngor"-i u mundësoi të gjithë punonjësve të vet të bëheshin aksionerë, duke u lejuar edhe punonjësve të rinj që kishin punuar atje për më shumë se një vit të blinin aksione. Deri më tani Grupi ka krijuar pesë sisteme të shpërndarjes së të ardhurave që plotësojnë njëri-tjetrin. Li Rucheng-u propozoi që pagat e punëtorëve të rriten me një përqindje më të lartë se ajo e drejtuesve dhe të ruajnë një nivel rritjeje 8% -10% në vit. Numri i punëtorëve që duan të largohen nga "Youngor"-i është jo më shumë se 2 %, ndër më të ultat në kompanitë kineze, gjë që tregon mjedisin harmonik të "Youngor"-it.

"Harmonia është lloj kulture dhe ndërtimi institucional. Ne theksojmë solidaritetin ndërmjet të punësuarve dhe barazi në shpërndarjen e të ardhurave. Ne krijojmë mundësi të barabarta për secilin individ", shprehet Li Rucheng-u.

Shtimi i aftësisë për krijimin e risive mbetet jetik për industrinë e tekstilit dhe të veshjeve të Kinës. "Youngor"-i është i vendosur për të krijuar një zinxhir industrial të cilësisë më të lartë. Duke bashkuar forcat me kompani të njohura botërore, duke rekrutuar talente, duke punuar me pajisje të fjalës më të fundit të teknologjisë dhe duke vënë në dispozicion një buxhet prej 100 milionë dollarësh amerikanë, "Youngor"-i ka pasur sukses në arritjen e këtij objektivi.

"Youngor"-i ka vijuar përshpejtimin e procesit të ndërkombëtarizimit, duke u bërë një ndër përfaqësueset kryesore të produkteve "të prodhuara në Kinë". Ajo ka tashmë qendra dizenjimi e rrjete shpërndarjeje e shitjeje në ShBA, Itali, Japoni etj.

Shumë firma të prodhimit të veshjeve e kanë të lehtë fillimisht, por suksesi shumë shpejt zë e zbehet. Prandaj, shumë njerëz shprehen se biznesi i prodhimit të veshjeve i ngjan një meteoriti. Megjithatë, Li Rucheng-u thotë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë me "Youngor"-in, e cila e ka siguruar përparimin e vazhdueshëm nëpërmjet risive.

Li Rucheng-u hyri në radhët e miliarderëve në vitin 2014, pas rritjes së aksioneve të kompanisë së tij të regjistruar në Bursën e Shangait. Tashmë pasuria e tij arrin në 1.1 miliard dollarë.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China