20160322-LIANGHUI.m4a |
Tani në Kinë po zhvillohen sesionet vjetore të Asamblesë Kombëtare Popullore dhe Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez. Në këto sesione, anëtarët e këtyre dy organeve kanë paraqitur shumë projekte lidhur me sektorët kryesore, si ekonomia, bujqësia, kultura dhe arsimi etj. Ndër to, reforma në fushën e ofertës është një nga temat më të rëndësishme. Po përse nevojitet një reformë e tillë dhe çfarë problemesh duhen përballuar gjatë këtij procesi? Anëtarët e Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez, përfshirë edhe ekonomistin e njohur Li Yining, kanë përgjigjet e tyre për këto pyetje. Sipas tyre, Kina duhet të përshtatet me "gjendjen e re normale" ekonomike dhe të nxitë reformat përkatëse.
"Më mirë të rrisim mbështetjen për ripunësimin e punëtorëve sesa të mbajmë një ndërmarrje me humbje. E përsëris, më mirë të rrisim mbështetjen për ripunësimin e punëtorëve sesa të mbajmë një ndërmarrje me humbje," theksoi Li Yining-u.
Li Yining-u i bëri këto komente në një konferencë për shtyp gjatë sesionit vjetor të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez (KKPPK). Lidhur me domosdoshmërinë dhe vështirësitë e mundshme të reformës në fushën e ofertës, Li Yining-u, si anëtar i KKPPK-së dhe ekonomist i njohur, u shpreh se, për sa i përket zhvillimit ekonomik, reforma mund të bëhet si nga ana e kërkesës, ashtu edhe e ofertës. Por përse Kina sot duhet të fokusohet te oferta dhe të zhvillojë reforma strukturore në këtë drejtim? Li Yining-u shpjegon që kjo duhet bërë nisur nga gjendja e tanishme e ekonomisë kineze.
"Ekonomia kineze ndodhet në fazën e kalimit nga industrializimi në pasindustrializim, sepse mbi 50 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto vjen nga sektori i shërbimeve. Po të shohim ngadalësimin e rritjes ekonomike, kjo dukuri është e njëjtë në të gjithë botën. Kur futesh gradualisht në fazën e pasindustrializimit, rritja e nivelit të prodhimit nuk mund të jetë aq e shpejtë. Kjo nuk është më e rëndësishmja. Më e ngutshmja është rregullimi i strukturës së ekonomisë kineze. Gjatë procesit të rregullimit, disa sektorë me mbikapacitet duhet medoemos të ristrukturohen. Mirëpo ne duhet të shohim që gjendja e përgjithshme në vitin 2016 është e qëndrueshme dhe pozitive," thotë Li Yining, ekonomist i njohur kinez.
Anëtari i Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez dhe president i grupit CITIC të Kinës Chang Zhenming u shpreh se lidhur me ofertën ekzistojnë probleme strukturore. Këto probleme janë më të dukshme te kompanitë, veçanërisht në ndërmarrjet shtetërore. P. sh., në sektorë të tillë si metalurgjia e zezë, lëndët e ndërtimit dhe energjetika, oferta dhe kërkesa nuk janë të balancuara dhe kapaciteti i prodhimit është tepër i madh. Ndërmarrjet shtetërore ndodhen përballë detyrave shumë të vështira të uljes së kapacitetit të prodhimit, të inventarit e kostos së prodhimit etj. Kjo kërkon që të vazhdojë nxitja e reformave lidhur me ndërmarrjet shtetërore. Chang Zhenming u shpreh se reforma e ndërmarrjeve shtetërore kërkon kohë.
"Reformimi i ndërmarrjeve shtetërore nuk bëhet brenda natës. Nga këndvështrimi i përgjithshëm, çdo ndërmarrje ka gjendje të ndryshme. Ndërmarrjet shtetërore kanë histori të ndryshme, merren me biznese të ndryshme dhe përballen me mjedise të ndryshme konkurrimi. P.sh., ndërmarrjet qendrore dhe ndërmarrjet lokale kanë dallime dhe çdo ndërmarrje formon modelin e vet afatgjatë dhe të ndryshëm të biznesit. Kështu, reforma në ndërmarrjet shtetërore duhet të bazohet te koncepti 'Një kompani, një strategji'. Vjet u shpejtuan hapat e reformës dhe ristrukturimi i ndërmarrjeve shtetërore. Po bashkohen ose ristrukturohen 12 ndërmarrje, si kompanitë hekurudhore CSR e CNR, kompani energjetike SNPTC dhe CPI, grupet e transportit COSCO dhe SHIPPING CHINA, si edhe kompanitë energjetike 'Minmetals' dhe MCC. Kjo tregon që reforma e ndërmarrjeve shtetërore po bëhet në mënyrë të qëndrueshme sipas kalendarit të përcaktuar," thotë Chang Zhenming, president i grupit CITIC të Kinës.
Përveç çështjeve si ulja e kapacitetit dhe reforma shtetërore, edhe reforma e ofertës në fushën bujqësore ka qenë një temë e diskutuar gjerësisht nga publiku. Anëtari i Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez dhe zv.kryetari i grupit të punës për bujqësinë pranë Komitetit Qendror të PKK-së Chen Xiwen bën të ditur që vitin e kaluar importi i sojës në Kinë ishte shtatë herë më i madh se niveli i prodhimit vendas. Kjo tregon që varietet e sojës së prodhuar në Kinë janë pakësuar në mënyrë të dukshme.
Ndërkohë, vëllimi i prodhimit të misrit në Kinë në vitin 2015 arriti në 220 milionë tonë, sasia më e madhe ndër pesë drithërat kryesore në vend. Megjithatë, në vitin 2015 importi i varieteve të misrit dhe i varieteve alternative të misrit arriti 44 milionë tonë, çka ka shtuar gjendjen e mosekulibrit ndërmjet kërkesës dhe ofertës, duke e shtuar shumë këtë të fundit.
Chen Xiwen u shpreh se këto dukuri tregojnë që tani në Kinë në strukturën e drithërave ka dallime të dukshme mes ofertës e kërkesës dhe çmimi i drithërave nuk ka forcë të madhe konkurruese në tregun ndërkombëtar. Kjo tregon nga ana tjetër domosdoshmërinë e reformës në drejtim të ofertës në bujqësi. Ai është i mendimit që kjo reformë duhet të përqendrohet në tre sektorë.
"E para, duhet të përpiqemi për balancimin e përgjithshëm mes ofertës dhe kërkesës për drithëra. Tani ende ekzistojnë probleme, prandaj duhet të shtojmë dhe të stabilizojmë më tej nivelin e prodhimit të drithërave. E dyta, dallimi mes varieteve është i dukshëm, prandaj duhet të forcojmë rregullimin strukturor të varieteve të drithërave, për t'ua përshtatur më mirë kërkesave të tregut. E treta, nëse çmimi i drithërave nuk është mjaft konkurrues, edhe po të bëjmë balancimin e vëllimit të përgjithshëm, si edhe të varieteteve, përsëri drithërat do të importohen nga jashtë. Kështu, reforma strukturore e ofertës në bujqësi duhet të përqendrohet te risitë teknologjike, me anë të të cilave mund të krijohen varietete më të mira, të ulet kostoja e prodhimit dhe të shtohet rendimenti," theksoi Chen Xiwen, zv.kryetari i grupit të punës për bujqësinë pranë Komitetit Qendror të PKK-së. (Jiang Lei)