PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Sahit Muja, shqiptari që mund të bëhet njeriu më i pasur në botë
2016-03-22 14:56:44 CRI Komenti juaj Printoni

Magnezi mendohet se do të jetë metali i së ardhmes dhe me potencial biznesi që vlerësohet në triliona dollarë. Një nga rezervat më të mëdha në botë të xeherorëve të magnezit është zbuluar në Shqipëri, pikërisht në Tropojë, vendlindja e presidentit dhe kryezyrtarit të kompanisë "Albanian Minerals" Sahit Muja. Për këtë të fundit thuhet se pikërisht magnezi mund ta bëjë në një të ardhme jo fort të largët njeriun më të pasur në botë.

 

v

Sahit Muja ka lindur në fshatin Vlad të Tropojës. "Jam rritur në një familje tradicionale tropojane, me prindër të mrekullueshëm," thotë ai. Që fëmijë Sahiti e njohu se ç'është puna. "Kam filluar të punoj që kur kam qenë 7 vjeç. Mblidhja bimë mjekësore dhe vlerën e parasë e kam ditur qysh fëmijë, se punoja gjatë pushimeve të verës," kujton Sahit Muja. Ai ishte gjithashtu një nxënës i mirë, gjë që i mundësoi të vazhdonte universitetin. Pas përfundimit të studimeve në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, kur Shqipëria nisi hapjen ndaj botës, edhe Sahit Muja, si shumë të rinj të tjerë, emigroi në Itali. Më pas ai shkoi në Turqi, ku fillimisht nisi të merrej me sportin e boksit, por pak nga pak edhe me biznes. "Në Turqi kam qenë boksier, dhe kur filluan të vinin emigrantët rusë në Stamboll, unë nisa të blija arin prej tyre dhe ta shisja në Turqi, mbase edhe ngaqë jam rritur në Tropojë, që është e pasur në minerale," kujton ai. Pas arit, Sahit Muja nisi të investojë edhe në minerale të tjera, duke iu përkushtuar në të njëjtën kohë edhe biznesit të pasurive të paluajtshme dhe të restoranteve. Më pas ai shkoi në Afrikën e Jugut, dhe pastaj, tashmë si një biznesmen i fuqishëm dhe jo si një emigrant i zakonshëm, Sahit Muja shkoi në Shtetet e Bashkuara, ku fillimisht hapi një firmë ndërtimi, duke investuar edhe në kompani mineralesh e nafte. "Pasi fitova njëfarë përvoje dhe sigurova asete, u ktheva në vendlindje, ku tani kaloj pjesën më të madhe të kohës," shprehet z. Muja.

Sahit Muja e mori vendimin për t'u kthyer në Shqipëri edhe duke u nisur nga pasuria e madhe e vendlindjes së vet. "Ikëm nga Shqipëria pa asgjë dhe u kthyem me miliona dollarë investime dhe bëmë të mundur riaktivizimin e minierave që ishin mbyllur, sollëm inxhinierë ekspertë të kësaj fushe, të cilët bënë studime të mëtejshme dhe i ringritën këto miniera," vë në dukje z. Muja. "Shqipëria është një nga vendet më të pasura në burime natyrore per metër katror në botë," shprehet ai. "Shqipëria ka rezervat më të mëdha të xeherorëve të kromit dhe të magnezit në Evropë. Shqipëria ka boksit, nikel, kobalt, magnez, hekur, qymyrguri, metale të rralla etj."

Më tej Sahit Muja thotë: "Kemi zbuluar pasuri të jashtëzakonshme, përveç asaj që kishte zbuluar shteti shqiptar, diku te 3 %. Ultrabaziku i Tropojës është i dyti në botë për sa i përket sipërfaqes dhe përmban të paktën 500 milionë tonë krom. Vlera e tij është qindra miliarda dollarë, prej të cilave do të përfitojë ekonomia shqiptare. Një nga minierat tona të kromit në Shqipëri është më e madhja në Europë. Kromi shqiptar është më i pasuri në botë."

Por edhe një mineral tjetër përveç kromit gjendet me shumicë në Tropojë. "Gjatë kërkimit të kromit ne gjetëm edhe sasi të mëdha magnezi. Në Tropojë gjenden rreth 2 miliardë tonë. Është një pasuri shumë e madhe për kombin shqiptar dhe ne po bëjmë investime për zhvillimin e kësaj industrie. Shpresojmë se do të arrijmë sukses," shprehet Sahit Muja.

"Ne kemi një leje te perjetshme për të nxjerrë xeherorët e magnezit në Tropojë,"thekson ai.

 

Magnezi nuk gjendet si metal i lirë. "Aktualisht, minierat e 'Albanian Minerals' kanë rezervat më të mëdha dhe më të pasura në botë të magnezit, më shumë se 20 miliardë tonë, të cilat kapin një vlerë prej triliona dollarësh. Xeherorët e magnezit në minierat e 'Albanian Minerals' janë më të mirat në botë dhe kanë përmbajtje prej më shumë se 52% magnez."

"Teknologjitë e reja të magnezit do të mundësojnë krijimin e industrive të ardhshme me vlerë triliona dollarë, si edhe do ta bëjnë më të mirë jetën tonë. Nëse je një investitor në kërkim të 'gjësë tjetër të madhe të së ardhmes', metali i magnezit duket se është një nga rastet më të mira për të investuar në këtë shekull," vë re Sahit Muja.

"Si kryezyrtar ekzekutiv i 'Albanian Minerals', kam hartuar një strategji afatgjatë për të siguruar rezervat më të mëdha dhe më të mira në botë të magnezit dhe për të udhëhequr me prodhimin e këtij metali për një kohë të gjatë në të ardhmen," thotë Muja.

Zbulimet e reja tregojnë pra se magnezi ofron triliona dollarë mundësi biznesi. Shërbimi Gjeologjik i ShBA-së vëren se "burimet nga mund të nxirret magnezi shkojnë nga shumë të mëdha në të pafundme".

"Magnezi është një mrekulli e re dhe do të bëhet metali më i rëndësishëm në botë. Kërkesa për magnez është më shumë se trefishuar në dhjetëvjeçarin e fundit dhe pritet të shtohet edhe më tej nga rritja e ekonomive në zhvillim dhe teknologjive të reja," vë në dukje Sahit Muja. "Ka një interes të jashtëzakonshëm për magnezin. Ky metal do ta ndryshojë tërësisht pikëpamjen ekonomike për burime të pastërta të energjisë."

Magnezi vlerësohet si metali i së ardhmes. "Nevoja globale për magnez është shtuar shpejt dhe prodhimi nuk do të jetë në gjendje të plotësojë kërkesën. Magnezi përdoret gjerësisht në industrinë e çelikut, bujqësi, sektorin e energjetikës, industrinë e makinave, ndërtim, mbrojtje, industrinë kimike etj.," shprehet Sahit Muja.

Mendohet se magnezi mund të japë një ndihmesë të rëndësishme në luftën kundër ndryshimit klimatik dhe mund ta bëjë shpëtojë botën një ditë nga varësia prej lëndëve djegëse fosile. Magnezi ka potencial të lartë në krijimin e karburantit më efikas.

Bateritë e magnezit mund të zëvendësojnë bateritë e litiumit. Magnezi është jo vetëm më i lehtë dhe më i lirë se litiumi, por ka edhe një dendësi energjie më të madhe.

Inxhinierët dhe shkencëtarët kanë bërë zbulime të rëndësishme lidhur me prodhimin e veturave, kamionëve, trenave, aeroplanëve e anijeve më të lehta e kjo është siguruar duke shtuar përdorimin e magnezit në prodhimin e pjesëve të këtyre mjeteve. Magnezi vlerësohet si një metal shumë i çmuar për sa i përket peshës së lehtë. Ai ka një dendësi të ulët dhe është 33 % më i lehtë se alumini, 60 % më i lehtë se titani dhe 75 % më i lehtë se çeliku, megjithatë, për shumë aplikime është më i fortë për njësi vëllimi se të tre këto metale. Magnezi mund të prodhojë lidhje të fortësisë së madhe me kromin, aluminin, bakrin, manganin, nikelin, titanin, zinkun dhe metale të tjera. Ai është gjithashtu një metal jashtëzakonisht elastik. Përveç funksioneve të tij themelore, magnezi gjithashtu mund të përdoret në pjesë të ndryshme mekanike dhe të zëvendësojë lidhjet e aluminit në pothuajse çdo gjë që duam ta bëjmë më të lehtë dhe më të fortë.

"Nevoja për lëshim sa më të vogël të ndotjeve, së bashku me zhvillimin e automjeteve elektrike, vazhdojnë ta bëjnë nevojën për një peshë sa më të lehtë objektivin kryesor strategjik të të gjithë prodhuesve të automjeteve dhe magnezi mund të japë një ndihmesë të madhe në arritjen e këtij objektivi," shprehet z. Muja.

"Albanian Minerals" ka pasur si objektiv edhe zgjerimin ndërkombëtar. Kompania tashmë e ka shtrirë biznesin edhe në vende të tjera, si Indi, Turqi, Indonezi, Oman e disa vende afrikane. "'Albanian Minerals' investon edhe në kompani të tjera, dhe ndihmojmë edhe minierat e vogla. Ne kemi investuar në 600 kompani në mbarë botën," vë në dukje Sahit Muja.

Por për "Albanian Minerals" veçanërisht e rëndësishme është Kina. Kina është një ndër vendet më të mëdha prodhuese dhe konsumuese të magnezit në botë. Vetëm gjatë vitit 2013, në Kinë janë prodhuar 770 mijë tonë magnez, shifër kjo e barasvlefshme me 89 % të prodhimit botëror të magnezit. Nga ana e saj, edhe "Albanian Minerals" po investon tashmë në Kinë, ku ka ngritur një numër rafinerish. Kompania e Sahit Mujës po punon me kompani private kineze për të krijuar ndërmarrje të përbashkëta dhe që të regjistrohet në bursat e Kinës.

Sahit Muja rrëfen: "Kam qenë në Kinë në fillim të viteve '90 për vizitë dhe për të vlerësuar mundësitë e pafundme që shfaqen aty. Më kujtohet që u thashë miqve të mi kinezë se Kina do të bëhet ekonomia më e madhe në botë."

"Industria minerare, energjia, nafta, këto janë ato që më kanë sjellë prosperitet mua, familjes sime, dhe që mund t'i sjellin prosperitet mbarë kombit shqiptar," thekson z. Sahit Muja. Ai thotë se në zonën e Bytyçit ku e ushtron veprimtarinë e vet kompania e tij, papunësia është 0 %. "Askush që ka kërkuar punë, nuk është kthyer mbrapsht, dhe punonjësit e kompanisë sonë kanë ndër rrogat më të larta në Shqipëri," vë në dukje Sahit Muja.

Për Sahit Mujën e pasur nuk është vetëm nëntoka e trojeve ku jetojnë shqiptarët, por edhe virtytet e tyre, sidomos të qenit punëtorë dhe aftësia në sipërmarrje. "Ne shqiptarët kemi asete të jashtëzakonshme. Jemi një komb shumë punëtor dhe e kemi treguar veten edhe në Amerikë, ku ka shumë milionerë shqiptarë. Vetëm në Nju-Jork ka mjaft shqiptarë jashtëzakonisht të suksesshëm, mijëra pallate janë pronë e shqiptarëve dhe ka shumë biznese të hapura prej tyre."

Mëgjithatë, më tej ai shton: "Por ne nuk jemi të vetëdijshëm për pasuritë e mëdha që kemi. Edhe unë që merrem me këtë prej më shumë se 20 vjetësh nuk e kisha kuptuar se sa të pasur jemi. Tokat shqiptare janë si një oqean. Sa më shumë analiza kemi bërë, kemi vërtetuar që Zoti na ka bekuar me shumë pasuri. Kuptohet këto nuk do të shfrytëzohen brenda ditës, por duhet që dikush të fillojë. Jam shumë i sigurt se brezat që do të vijnë pas nesh që po punojmë tani, do të gjejnë një rrugë të hapur deri diku."

Sahit Muja është një njeri që e do shumë kombin e vet dhe është krenar për të: "Jam patriot, e dua vendin tim dhe jam njeriu më i privilegjuar në botë që jam shqiptar, që kam gjak ilir. Këtë nuk do ta harroj kurrë dhe do t'ua trashëgoj edhe fëmijëve të mi."

Kur e pyet se cilat janë vetitë që e bëjnë një njeri një biznesmen të suksesshëm, Sahit Muja thotë: "Thesari i një njeriu është karakteri, është mendja e tij. Në qoftë se ke një karakter të pastër, i parashtron vetes një rrugë që do të ndjekësh, i sheh aftësitë e tua dhe ndjek një ëndërr që është e mbështetur në realitet, dhe e edukon veten, do të bëhesh i suksesshëm patjetër."

Megjithëse tashmë një miliarder, Sahit Muja mbetet një njeri i thjeshtë. "Gjithçka është rritur në aspektin ekonomik, por mendja nuk më është rritur," thotë duke buzëqeshur ai. "Unë vesh çizmet, kokoren dhe futem në galeri me minatorët, punoj me ta tetë orë kur jam aty dhe ha në mensë me ta."

 

Si një arsye të suksesit të vet Sahit Muja sheh edhe marrjen me sport. "Unë kam qenë boksier. Jam marrë me sport gjithë jetën dhe sporti është i rëndësishëm për trupin e njeriut. Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë, dhe kur një trup të shëndetshëm edhe një thesar i tillë si mendja zhvillohet më mirë," shprehet z. Muja. Por për të pasur një mendje të shëndoshë e të ndriçuar, ai, ashtu sikurse edhe kur ishte i ri, përdor edhe studimin: "Çdo ditë e konsideroj ditë shkolle, studioj shumë, 5 orë në ditë. Kjo më ndrit mendjen që të punoj më shumë. E quaj veten student të botës, që mendon se dija nuk mbaron kurrë dhe çdo ditë duhet të mësoj diçka të re."

Pasuria e Sahit Mujës vlerësohet nga 2 deri në 3 miliardë dollarë. Megjithatë, me përhapjen gjithnjë e më të madhe të përdorimit të magnezit, mediat ndërkombëtare, të tilla si CNN-i, janë shprehur se në një të ardhme jo fort të largët shqiptari Sahit Muja mund të bëhet njeriu më i kamur në botë A do të ndodhë vërtet kjo? Le të presim e të shpresojmë.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China