20160315FE |
Në raportin për punën e qeverisë të mbajtur pak kohë më parë, kryeministri kinez Li Keqiang vuri në dukje se duhet të bëhet në mënyrë të përshtatshme rregullimi i të ashtuquajturave "kompani fantazmë". Për këtë, qeveria qendrore do të përdorë një fond të posaçëm prej 100 miliardë juanësh, si asistencë për punëtorët e këtyre kompanive.
"Kompani fantazmë" është në fakt një term i ri i paraqitur në raportin e punës të qeverisë kineze. Kompani të tilla nuk janë rentabël dhe e vazhdojnë punën vetëm me mbështetjen nga qeveria ose me financim nga bankat. Në vitet '70-'80 të shekullit të kaluar, për shkak se sindikatat ishin të fuqishme, ndërmarrjet ishin kryesisht shtetërore dhe qeveritë bënin ndërhyrje të shumta, edhe vendet e zhvilluara si Britania dhe ShBA-ja kanë pasur sfida të ngjashme nga kompanitë fantazmë.
Në Kinë, kompanitë fantazmë kryesisht janë në sektorët me mbikapacitet, si industria e qymyrgurit, e metalurgjisë së zezë dhe e çimentos. Këto kompani jo vetëm kanë harxhuar burime të shumta shoqërore dhe financiare dhe kanë marrë një vëllim mjaft të madh kredish, por edhe vazhdojnë prodhimin, edhe pse mallrat e prodhuara prej tyre shiten nën kosto. Kjo ka krijuar një vëllim të madh oferte të panevojshme, duke shkaktuar edhe çrregullime në treg dhe në çmimin e mallrave.
Për arsye se nuk sjellin fitime, kompanitë fantazmë nuk kanë interes të shtojnë konkurrueshmërinë në prodhim. P. sh., çmimi i produkteve të metalurgjisë së zezë është rritur në mënyrë të qëndrueshme në tregun ndërkombëtar, por shumë kompani fantazmë të këtij sektori në Kinë prodhojnë vetëm produkte të cilësisë të dobët. Kështu, për shembull, në vitin 2015, çmimi i pllakave të çelikut të prodhuara nga kompania e çelikut "Maanshan" ishte vetëm 1800 juanë për ton, ose 1.8 juanë për kilogram, duke qenë kështu më lirë se çmimi i një kilogrami lakër. Ndërkaq, për produktet e cilësisë së lartë të metalurgjisë së zezë, Kina ende varet nga importet.
Për shkak të mbikapacitetit në disa sektorë, kompanitë fantazmë zotërojnë një numër të madh burimesh. Qeveria kineze e ka kuptuar që duhet të pakësojë patjetër nivelin e prodhimit dhe të eliminojë kapacitetet e prapambetura të prodhimit të kompanive fantazmë. Vetëm në këtë mënyrë, kompanitë që kanë rezultate të mira mund të thithin më shumë burime shoqërore dhe të kenë më shumë interes për një prodhim më cilësor. Kjo do të plotësojë kërkesat e tregut dhe do të përmirësojë strukturën industriale në Kinë. Ky është thelbi i reformës në fushën e ofertës që ka ndërmarrë Kina.
Kryetari i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës Xu Shaoshi bëri të ditur në një konferencë për shtyp se tani Kina ka vënë në përdorim një fond të posaçëm për të mbështetur një numër ndërmarrjesh shtetërore që t'u ofrojnë garanci punëtorëve të tyre.
"Brenda pesë vjetësh, kapaciteti i prodhimit të hekurit dhe çelikut do të pakësohet me 100-150 milionë tonë, kurse brenda 3-5 vjetësh, kapaciteti i prodhimit të qymyrgurit do të ulet me 500 milionë tonë, ndërkohë që do të bëhet edhe ristrukturimi i një kapaciteti tjetër prej 500 milionë tonësh. Për këtë, qeveria qendrore ka vënë në përdorim një fond shumë të madh garancie, për t'i ndihmuar kompanitë shtetërore të garantojnë punëtorët që janë në vështirësi," thotë Xu Shaoshi, kryetari i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës.
Mbyllja e kompanive fantazmë ndoshta mund të sjellë daljen nga puna të shumë punëtorëve, përveç një vëllimi të madh kredish të këqija për bankat, prandaj çështja kryesore lidhur me uljen e mbikapacitetit është garantimi i këtyre punëtorëve në vështirësi. Gjatë këtij procesi, duhet të shtohen lidhjet me sistemin e sigurimeve shoqërore, për të zgjidhur shqetësimet e punëtorëve të këtyre kompanive. Në të vërtetë, Kina në të ardhmen do të pakësojë në mënyrë graduale ndihmën dhe mbështetjen për kompanitë me humbje. Kështu, qeveria mund ta shfrytëzojë drejtpërdrejt këtë mbështetje financiare për të ripunësuar punëtorët që dalin nga puna dhe për të kompensuar ata që nuk mund të ripunësohen. Ekonomisti i njohur kinez Li Yining e ka theksuar qartas që reforma në fushën e ofertës është e domosdoshme.
"Më mirë të rrisim mbështetjen për ripunësimin e punëtorëve sesa të mbajmë një ndërmarrje me humbje. E përsëris, më mirë të rrisim mbështetjen për ripunësimin e punëtorëve sesa të mbajmë një ndërmarrje me humbje," theksoi Li Yining-u.
Krahas kësaj, qeveria kineze ka marra masa përkatëse reforme për të ofruar mbështetje për punëtorët që humbin punën. Lidhur me këtë, anëtari i Asamblesë Kombëtare Popullore (AKP) dhe kryetari i Shoqatës së Sigurimeve Shoqërore të Kinës Zheng Gongcheng ka dhënë propozimet e veta gjatë dy sesioneve të sivjetshme të Kinës.
"Së pari, duhet të shfrytëzohet sistemi i sigurimeve të papunësisë, i cili duhet të ofrojë trajnime profesionale ose fonde garancie për punëtorët që humbin punën. Së dyti, duhet të bëhet siç duhet kualifikimi profesional i punëtorëve. Krahas kësaj, duhet të ketë një politikë të përshtatshme për ripunësimin dhe fillimin e bizneseve. Ata që dalin nga puna në ndërmarrjet shtetërore gjatë këtij procesi duhet të kenë përparësi për gjetjen e vendeve të mira të punës," theksoi Zheng Gongcheng, anëtar i AKP-së dhe kryetar i Shoqatës së Sigurimeve Shoqërore të Kinës.
Disa ekspertë janë të mendimit se zhvillimi i shpejtë i sektorit të shërbimeve mund të krijojë vende të reja për punëtorët që dalin nga puna, pasi vjet në këtë sektor u krijuan 13 milionë e 120 mijë vende të reja pune. Krahas kësaj, në raportin e sivjetshëm të punës së qeverisë kineze, është shpallur objektivi që, në vitin 2016, të krijohen mbi 100 milionë vende të reja pune në zonat urbane. Ulja e mbikapacitetit është një hap i rëndësishëm i reformës në fushën e ofertës në Kinë. Pas "dimrit" të reformave në ekonominë kineze, ka arsye për të besuar që, qoftë punëtorët, qoftë kompanitë, do të hyjnë në stinën e pranverës. (Jiang Lei)