20160308-hp.m4a |
Themeluesi dhe kryetari i Grupit "Oceanwide" të Kinës Lu Zhiqiang është anëtar i Komitetit të Përhershëm të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez, që po zhvillon tani sesionin e vet vjetor në Pekin. Tashmë "Oceanwide" është një prej konglomerateve më të mëdha private në Kinë, me biznese në shërbimet financiare, pasuritë e patundshme, teknologjinë e informacionit, hoteleri, art e media etj. E ndonëse vlerësimet për pasurinë e Lu Zhiqiang-ut janë ndonjëherë mjaft të ndryshme, nuk ka dyshim se ai është një ndër njerëzit më të pasur në pjesën kontinentale të Kinës.
Lu Zhiqiang-u ka lindur në nëntor të vitit 1952 në Weihai të provincës Shandong në Kinën Lindore. Në vitin 1971 ai nisi punë si teknik në Uzinën e Motorëve Diezel të Weifang-ut po në provincën Shandong. Më pas, në mars të vitit 1980, Lu Zhiqiang-u u emërua zv.drejtor i Zyrës së Zhvillimit Teknologjik të qytetit Weifang.
Por ishte koha kur në Kinë kishte filluar Reforma e Hapja dhe fryma e sipërmarrjes private po merrte një zhvillim të shpejtë. Prandaj Lu Zhiqiang-u vendosi ta lërë sektorin shtetëror dhe të nisë biznesin privat, duke krijuar në vitin 1985, me një kapital prej më shumë se 6 milionë juanësh (ose afro 1 milion dollarë amerikanë), paraardhësin e atij që është shndërruar sot në Grupin "Oceanwide" të Kinës. Fillimisht kompania e Lu Zhiqiang-ut u fokusua në sektorin e arsimit, por kur qeveria kineze filloi reformën në sektorin e strehimit në vitin 1988, "Oceanwide" kaloi në sektorin e pasurive të patundshme. Ky do të ishte biznesi themelor i "Oceanwide" për më shumë se një dhjetëvjeçar. "Oceanwide" u bë një ndër kompanitë më të mëdha të ndërtimit në qytetet kryesore kineze. Për shembull, në kryeqytetin Pekin "Oceanwide" ka ndërtuar dhe zotëron ndërtesa të tilla që bien në sy, si Qendrën "Glory" të Kinës, në një bulevard që të çon në sheshin "Tiananmen" dhe që për një kohë të gjatë është vlerësuar si qendra më e madhe tregtare në Kinë.
Në dhjetor 2013, Grupi "Oceanwide" i Kinës nisi ndërtimin e Qendrës Tregtare Botërore të Wuhan-it, kryeqendra e provincës Hubei në Kinën Qendore-Jugore. Me një investim prej rreth 18 miliardë juanësh (2.9 miliardë amerikanë), Qendra Tregtare Botërore e Wuhan-it do të jetë një nga ndërtesat më të larta në rajonin e Azi-Paqësorit, duke u përbërë nga dy kulla 438 metra të gjata secila.
Pas pasurive të patundshme Lu Zhiqiang-u e shtriu biznesin e kompanisë së vet "Oceanwide" edhe në shërbimet financiare. Në vitin 1996, Grupi Oceanwide i Kinës mori pjesë në krijimin e së parës bankë tregtare private në Kinë, Bankës "Minsheng" të Kinës, duke u bërë një ndër aksionaret kryesore të kësaj banke. Lu Zhiqiang-u po ashtu bleu aksione edhe në kompanitë e sigurimeve, si "Haitong". Falë aftësive të tij për marrëveshje, që i dhanë edhe nofkën "gjahtar kapitalesh", pasuritë e "Oceanwide" shpejt u rritën në 16 miliardë juanë (afro 2.6 miliardë dollarë amerikanë).
Në vitin 2009 Lu Zhiqiang-u bleu 29 % të aksioneve që Akademia e Shkencave Shoqërore e Kinës kishte në "Legend", grupi që ka në zotërim kompaninë e njohur të prodhimit të kompjuterave e të celularëve "Lenovo". Liu Chuanzhi, drejtuesi i "Legend" dhe njëkohësisht edhe mik i Lu Zhiqiang-ut, kishte mësuar se ky i fundit kishte mbledhur shumë para pas shitjes së një pjese të aksioneve në Bankën "Minshang" dhe në kompaninë e sigurimeve "Haitong". Lu Zhiqiang-u nga ana e tij kishte marrë vesh se Akademia e Shkencave Shoqërore e Kinës planifikonte ta zvogëlonte përqindjen e aksioneve që zotëronte në "Legend". Themeluesi dhe drejtuesi i "Oceanwide" mori atë që e quan "vendim rrufe" për të investuar në "Legend". Dhe kështu, për 2.75 miliardë juanë, Lu bleu 29 % të aksioneve të "Legend", duke u bërë aksionari i tretë më i madh i kësaj kompanie.
"Blerja e aksioneve nga 'Oceanwide'-i e bëri strukturën e 'Lenovo'-s më të orientuar nga tregu dhe përmirësoi mekanizmin e stimujve," shprehet Lu Zhiqiang-u. Zërave se çmimi i blerjes ishte shumë i lartë, ai iu përgjigj: "Ne jemi optimistë për të ardhmen e 'Lenovo'-s dhe çmimi lidhet me perspektivat e zhvillimit afatgjatë dhe të ardhmen e kompanisë. Ky është një investim strategjik dhe ne jemi të fokusuar në vlerën e ardhshme të këtij investimi. Pagova 2 miliardë juanë dhe në pesë vjet ato mund të kthehen në 20 miliardë."
Gjatë viteve të fundit Grupi "Oceanwide" i Kinës ka bërë investime të mëdha jashtë vendit, veçanërisht në pasuritë e patundshme në Shtetet e Bashkuara, së bashku me një numër kompanish të tjera të njohura kineze. Në gusht të vitit të kaluar "Oceanwide" shpenzoi rreth 400 milionë dollarë për një terren ndërtimi pranë Manhatanit në Nju-Jork. Po vjet "Wall Street Journal" u shpreh se Grupi "Oceanwide" i Kinës po bëhej "një prej blerësve më të mëdhenj të pasurive të patundshme në Kaliforni". Ndër blerjet përfshihet edhe ajo e një trualli në jug të qendrës së San-Franciskos për afro 300 milionë dollarë, ku kompania planifikon të ndërtojë dy kulla zyrash, si edhe një hotel e ndërtesa banimi në Los Anxheles.
Pas 30 vjetësh rritjeje dhe zhvillimi, Grupi "Oceanwide" i Kinës ka tani një forcë të gjithanshme konkurruese dhe strukturë biznesi të larmishme, që mbizotërohet nga biznesi financiar dhe plotësohet edhe nga përshirja në sektorin e pasurive të patundshme, energjetikë, kulturë dhe media, duke krijuar një kulturë korporative dhe mënyrë menaxhimi të veçantë. Më shumë se 40 kompanitë e degët e këtij grupi funksionojnë në qytetet e mëdha të Kinës kontinentale si Pekin, Shangai, Shenzhen, Hangzhou, Wuhan e Qingdao, e po ashtu edhe në Hong-Kong, si edhe jashtë vendit, si në ShBA, Australi dhe Indonezi.
Vlerat themelore të grupit janë: Zell, besim, përkushtim, risi dhe aspirata. Koncepti i menaxhimit është integrim i objektivave shoqërore, korporative e individuale; integrim i përgjegjësive shoqërore, korporative e individuale; integrim i interesave shoqërore, korporative e individuale.
Lu Zhiqiang-u thotë se meritën për suksesin e "Oceanwide" e ka i gjithë stafi i tij, bashkë me të cilin e ka arritur suksesin si në biznesin brenda vendit, ashtu edhe jashtë, dhe përkushtimi i të cilit sipas tij hedh bazat për zhvillimin e grupit në të ardhmen.
Grupi "Oceanwide" i Kinës ka kryer investime të mëdha në sektorë të tillë si ai bankar, sigurimet, kontratat me zbatim te ardhëm e të tjerë. Institucionet më të mëdha financiare që kontrollon "Oceanwide" përfshijnë Kompaninë e Sigurimeve "Minsheng", Kompaninë e Kontratave me Zbatim të Ardhshëm "Minsheng" etj., teksa Grupi ka aksione jokontrolluese edhe në institucione të tjera financiare, duke përfshirë Kompaninë Bankare "Minsheng" të Kinës, Kompaninë Bankare të Gjirit Beibu të Guangxi-së etj. Grupi "Oceanwide" i Kinës është duke zbatuar një strategji zhvillimi pesëvjeçare, që synon zhvillimin e mëtejshëm të biznesit të tij në sektorin financiar nëpërmjet krijimit të vazhdueshëm të risive dhe integrimit të burimeve të ndryshme financiare. Vjet "Oceanwide" njoftoi se do të investonte 643 milionë dollarë amerikanë për të krijuar katër kompani financiare.
Energjetika është sektori i ri ku po investon Grupi "Oceanwide" i Kinës, që e ka marrë një vendim të tillë mbështetur në strategjinë e kompanisë dhe strategjinë kombëtare për energjinë. Investimet kryesore të Grupit "Oceanwide" të Kinës në këtë sektor përfshijnë kompani dhe projekte të tilla si Kompaninë e Investimeve në Energjinë e Gjelbër "Oceanwide", Projektin e Minierave të Qymyrgurit "Hongdunjie" të Shanxi-së,Projektin e Energjisë së Re "Feniks" etj.
Lu Zhiqiang-u po ashtu nënshkroi një kontratë në gusht 2014 për të blerë 71 % të firmës infrastrukturore të regjistruar në Bursën e Hong-Kong-ut "Hutchison Harbor Ring" për494 milionë dollarë amerikanë nga "Hutchison Whampoa" e miliarderit të njohur nga Hong-Kongu Li Ka-shing. Kjo shënon hyrjen e Grupit "Oceanwide" të Kinës edhe në sektorin infrastrukturor.
Grupi "Oceanwide" i Kinës e ka vlerësuar sektorin e kulturës dhe të medias si një fushë investimesh, duke pasur parasysh programin kombëtar të Kinës për të mbështetur industrinë kulturore. Grupi "Oceanwide" i Kinës ka investuar në kompani dhe projekte në sektorin e kulturës dhe të medias, duke përfshirë Kompaninë e Promocionit "JingguanXincheng" të Pekinit, Resortin e Turizmit Kulturor Ndërkombëtar etj
Në dhjetor 2006, filmi "Rruga", i sponsorizuar nga grupi "Oceanwide", përfaqësoi Kinën në edicionin e 30-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Kajros, duke fituar çmimin e filmit më të mirë. Po ashtu edhe dy aktorët kryesorë të filmit morën përkatësisht çmimet e aktorit dhe të aktores më të mirë të Festivalit.
Me qëllim promovimin dhe zhvillimin e kulturës e të arteve kineze, Grupi "Oceanwide" i Kinës dhuroi për krijimin bashkë me Akademinë e Arteve të Kinës të Çmimit të Kulturës dhe të Artit Kinez në vitin 2010, dhe e zhvilloi ceremoninë e parë të dhënies së këtij çmimi në vitin 2011. Në vitin 2013 Grupi "Oceanwide" i Kinës dhuroi 100 milionë juanë (mbi 16 milionë dollarë) për krijimin e Fondacionit të Kulturës dhe të Arteve Kineze po në bashkëpunim me Akademinë e Arteve të Kinës.
Në qershor 2012, Grupi "Oceanwide" i Kinës organizoi në bashkëpunim me Qendrën e Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Kinës ceremoninë e dhënies së Çmimeve të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Kinës.
Krahas zhvillimit të biznesit, Grupi "Oceanwide" i Kinës dhe kryetari Lu Zhiqiang, nën moton "Nga shoqëria, për shoqërinë", kanë marrë pjesë aktivisht në veprimtari bamirësie e të mirëqenies publike. Grupi "Oceanwide" i Kinës vlerësohet se ka dhuruar deri më tani përgjatë shumë viteve 1.7 miliard juanë për çështje të tilla si zbutja e varfërisë dhe ndihma në raste fatkeqësish, arsimi, ndihma humanitare, mbrojtja e mjedisit etj., nëpërmjet hartimit dhe pjesëmarrjes në qindra projekte të mirëqenies publike.
Për të nxitur zhvillimin e programeve të mirëqenies publike dhe për të pasqyruar vlerat e përgjegjësisë shoqërore të kompanive joshtetërore e të sipërmarrësve privatë, Grupi "Oceanwide" i Kinës dhe themeluesi i tij Lu Zhiqiang kanë dhuruar 200 milionë juanë për të themeluar Fondacionin "Oceanwide". Që nga krijimi në vitin 2010, ky fondacion ka marrë pjesë aktivisht në çështjet e mirëqenies publike e bamirësi dhe është bërë një platformë e rëndësishme për punën e bamirësisë nga Grupi "Oceanwide" i Kinës.
Si Grupi "Oceanwide" e kompanitë përbërëse të tij, ashtu edhe Lu Zhiqiang-u, janë nderuar me shumë tituj e çmime. Kështu Grupi "Oceanwide" i Kinës ka marrë Medaljen e Programit "Guangcai", Çmimin "Sipërmarrja më bamirëse", Çmimin "Njerëzit nuk harrojnë kurrë", Çmimin "10 sipërmarrjet kryesore për bamirësi në Kinë" për disa vjet me radhë, Çmimin e Përgjegjësisë Shoqërore po ashtu për disa vjet me radhë etj. Kryetari i Grupit "Oceanwide" të Kinës Lu Zhiqiang nga ana e tij ka marrë çmime si "Personi më i respektuar" në vitin 2012, Çmimin "Sipërmarrës i shquar për përgjegjësinë shoqërore korporative" po në vitin 2012, çmimin "Individ i shquar në bamirësi" për disa vjet me radhë etj.
Duke qenë një udhëheqësit e sektorit privat në Kinë, Lu Zhiqiang-u është gjithashtu edhe zv.kryetar i Federatës Mbarëkineze të Industrisë dhe Tregtisë.
Sipas listës së njerëzve më pasur në pjesën kontinentale të Kinës për vitin 2015, të hartuar nga Instituti "Hurun", pasuria e Lu Zhiqiang-ut ishte 13 miliardë dollarë, duke u renditur i teti, por revista "Forbes" në vlerësimin e vet në kohë reale e ul mjaft vlerën e pasurisë së 64-vjeçarit, vetëm në 5 miliardë dollarë, duke zënë kështu vendin e 28-të ndër njerëzit më të pasur në pjesën kontinentale të Kinës.
Lu Zhiqiang-u është një njeri që sidoqoftë nuk e pëlqen bujën dhe kërkon të flasë më shumë se me fjalë, me punën e vet. "Kurrë nuk kam dashur të jem në media," shprehet Lu Zhiqiang-u. E megjithëse është ndër njerëzit më të pasur në Kinë, çuditërisht Lu Zhiqiang-u e quan veten jo fort të zotin në biznes. "Nuk jam ndonjë biznesmen shumë i mirë. Unë shikoj gjithmonë panoramën më të gjerë. Nëse je njeri që bën shumë llogari dhe vjen tek unë, ti sigurisht do të dalësh i fituar dhe unë i humbur," thotë njeriu që në biznes ka arritur atë që qindra milionë të tjerë vetëm mund ta ëndërrojnë.