20160301FE |
Me futjen në "fazën e re normale" të ekonomisë kineze, rritja e saj është ngadalësuar, kostoja e krahut të punës është rritur më tej dhe disa kompani të huaja janë larguar nga Kina. Kjo ka tërhequr vëmendjen e madhe të publikut, veçanërisht të investitorëve të huaj. Por të dhënat e publikuara nga Ministria e Tregtisë e Kinës tregojnë që vjet Kina ka përdorur një vëllim investimesh të huaja shumë më të madh se në vitin 2014, çka tregon që investitorët janë optimistë për perspektivën e ekonomisë kineze.
Qysh nga gjashtëmujori i 2-të i vitit të kaluar, shumë vende, si Gjermania, Irlanda, Rusia dhe Japonia, kanë dërguar në Kinë delegacione biznesi për të parë nga afër mjedisin e investimeve. Kryetari i Shoqatës së Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme të Gjermanisë Winfried Bostelmann, si kryetari i delegacionit gjerman, ka vizituar shumë krahina të Kinës, duke vlerësuar pozitivisht mjedisin e investimeve në Kinë.
"Jemi shumë optimistë për perspektivën e tregut kinez. Këtë herë kemi sjellë në Kinë përfaqësuesit e disa kompanive gjermane, pasi duam t'i ndihmojmë ata të gjejnë mundësi bashkëpunimi në Kinë. Shumë kompani gjermane janë të gatshme për investime në Kinë," thotë Winfried Bostelmann, kryetari i Shoqatës së Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme të Gjermanisë.
Kohët e fundit, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Kinë publikoi një raport mbi mjedisin e investimeve, ku vihet në dukje se, për arsye të ngadalësimit të rritjes së ekonomisë kineze, shumë kompani të huaja kanë bërë vlerësime më pragmatike dhe më gjakftohta mbi mjedisin e biznesit në Kinë. Megjithatë, për dy vjetët e ardhshëm, pothuajse 70 % e sipërmarrjeve anëtare të kësaj Dhome janë optimiste për rritjen e tregut kinez.
Ashtu si Dhoma Amerikane e Tregtisë në Kinë, edhe Zyra Përfaqësuese e Organizatës së Tregtisë së Jashtme të Japonisë në Pekin ka bërë një sondazh, rezultati i të cilit tregon se vëllimi dhe numri i investimeve japoneze në tregun kinez kanë ndaluar prirjen e rënies. Shefi i kësaj Zyre Yoshihisa Tabata tha:
"Është fakt që rritja ekonomike e Kinës po ngadalësohet. Por a do të thotë kjo se një e gjë e tillë ka një ndikim shumë negativ mbi tregun kinez? Shumë pak kompani japoneze mendojnë kështu. Ato ende kanë besim te tregu kinez, duke menduar që në 'fazën e re normale', ngadalësimi i rritjes ekonomike është një gjë e zakonshme. Në kushte të tilla, ato duhet të shfrytëzojnë mundësitë për të zgjeruar biznesin e tyre. Kompanitë japoneze që kanë këtë mendim, nuk janë të pakta," thotë Tabata.
Të dhënat e Ministrisë së Tregtisë të Kinës tregojnë që në vitin 2015 në Kinë u krijuan 26.5 mijë ndërmarrje me investime të huaja, 11.8% më shumë në krahasim me vitin 2014. Vlera e investimeve reale të huaja të përdorura vjet në Kinë ishte 781.3 miliardë juanë, shifër kjo 6.4 % më shumë se në vitin 2014 dhe me një ritëm rritjeje 4.7 pikë përqindjeje më shumë se rritja vjetore në vitin 2014.
Përveç vëllimit më të madh të investimeve të huaja, edhe efektiviteti i përdorimit të këtyre investimeve është përmirësuar më tej. Drejtori i Drejtorisë së Investimeve të Huaja në Ministrinë e Tregtisë të Kinës Tang Wenhong u shpreh se në vitin 2015 sektori i shërbimeve dhe sektori i prodhimit me teknologji të lartë kanë tërhequr më shumë investime të huaja, duke shënuar rritje të dukshme.
"P. sh., në sektorin e shërbimeve, janë përdorur investime të huaja reale prej 477 miliardë juanësh, ose 17.3 % më shumë në krahasim me një vit më parë. Edhe sektori i prodhimit me teknologji të lartë ka shënuar rritje të mëtejshme, duke përdorur investime të huaja reale me një vlerë prej 58.35 miliardë juanësh, që është 9.5 % më shumë se në vitin 2014. Përveç kësaj, në sektorët me mbikapacitet prodhimi, si ai i hekurit e çelikut, i çimentos dhe i aluminit elektrolitik, nuk është miratuar pothuajse asnjë kompani e re me investime të huaja," thotë Tang Wenhong.
Sipas raportit të Zyrës Përfaqësuese e Organizatës së Tregtisë së Jashtme të Japonisë në Pekin, ndër sektorët e prodhimit, kompanitë japoneze janë më të prirura për shtimin e investimeve në sektorët me konsum më të madh në tregun vendas, si industria ushqimore, makineritë dhe mjetet e transportit, dhe më pak në sektorët me vëllim të madh eksporti, si industria tekstile. Lidhur me këtë, shefi i kësaj Zyre Yoshihisa Tabata thotë:
"Si bazë e përpunimit për eksport, aftësia konkurruese e Kinës është në rënie. Ky është fakt. Prandaj, kompanitë japoneze në Kinë që më së shumti i eksportojnë prodhimet e tyre, kanë hartuar strategji zhvillimi për të ruajtur gjendjen e tanishme, ndërsa kompanitë japoneze që shesin më shumë në tregun kinez, duan t'i shtojnë investimet. Kështu, mund të themi që kompanitë japoneze në Kinë po zhvillohen në dy drejtime të ndryshme."
Krahas kësaj, edhe kompanitë e përfshira në listën e 500 kompanive kryesore të botës i kanë shtuar në mënyrë aktive investimet në tregun kinez. Vitin e kaluar, një prej tyre, kompania holandeze DSM, që është prodhuesja më e madhe e vitaminës C në botë, bleu me 175 milionë juanë një firmë farmaceutike në Jiangsu të Kinës Lindore. Zv.presidenti ekzekutiv i strategjive korporative dhe i blerjeve në Azi i DSM-së, Philip Eykerman, u shpreh se kjo kompani është e gatshme që të vazhdojë të shtojë nivelin e investimeve në tregun kinez.
"Kohët e fundit e kemi zhvendosur biznesin në Kinë. Do të vazhdojmë të shtojmë investimet, sepse kemi besim të vendosur që Kina ende është një treg i rëndësishëm për ne dhe mund të shohim që ky treg po rritet me shpejtësi të madhe," thotë Philip Eykerman, zv.presidenti ekzekutiv i strategjive korporative dhe blerjeve në Azi i DSM-së.
Tani në Kinë ka më shumë se 2400 institucione kërkimore-shkencore me investime të huaja. Zv.drejtorja e Institutit të Studimeve pranë Ministrisë së Tregtisë së Kinës, Xing Houyuan, është e mendimit se efektiviteti i përdorimit të investimeve të huaja është shtuar pandërprerë, sepse po ashtu është përmirësuar pandërprerë struktura industriale.
"Me rregullimin e strukturës industriale, janë eliminuar disa investime të vogla dhe biznese që kërkojnë krahë të shumta pune, kurse investimet e huaja me përmasa të mëdha, me nivel të lartë dhe me teknologji të lartë, veçanërisht kompanitë shumëkombëshe, kanë lëvizur në Kinë. Kjo është një arsye e rëndësishme përse ne i përdorim investimet me efektivitet, me nivel më të lartë dhe në përmasa më të përshtatshme," thotë Xing Houyuan, zv.drejtore e Institutit të Studimeve pranë Ministrisë së Tregtisë së Kinës. (Jiang Lei)