20160301-hp.m4a |
Yu Minhong-u ka lindur më 15 tetor 1962 në një familje fshatare Jiangyin të provincës Jiangsu në Kinën Lindore. Ai e kaloi fëmijërinë duke ndihmuar të atin në punë. Ngaqë ishin të varfër dhe nuk mund të blinin tulla, Yu Minhong-u e shihte shpesh të atin të përdorte copa gurësh e tullash për ndërtime të ndryshme. 64-vjeçari thotë se vendosmëria, prakticiteti dhe largpamësia e të atit kanë ndikuar në të gjithë jetën e tij. "Në qoftë se ke një plan në kokë, gjithmonë mund t'i kthehesh gurët në një shtëpi. Po ta shpërbësh një piramidë, prej saj mbeten vetëm një grumbull gurësh. Nëse e jeton pa ndonjë qëllim jetën, ajo nuk është tjetër përveçse një grumbull ditësh," vëren ai. Yu Minhong-u thotë se më vonë mësimi i mbledhjes me durim të gurëve nga babai i tij do të ndikonte që më vonë ai të "grumbullonte" ditë të tëra pune të palodhur, që më në fund i mundësuan pranimin në universitet pas dy dështimesh. Por në të vërtetë, ishte në këtë rast vendosmëria e së ëmës që e çoi në rrugën e arsimimit.
Në atë kohë shumë fëmijë në Kinë nuk arrinin dot të ndiqnin shkollën, për shkak të varfërisë së familjeve të tyre, por e ëma i jepte gjithmonë zemër Yu Minhong-ut që të mësonte sa më shumë. "E vetmja shpresë dhe dëshirë e nënës sime ishte që të bëhesha mësues. Ajo e dinte nga përvoja e vet e drejtpërdrejtë se sa e vështirë ishte jeta e një bujku, prandaj më nxiste vazhdimisht që të shkoja në shkollë. Ende i kujtoj fjalët e saj: 'Bëhu mësues, bëhu mësues, ti duhet të bëhesh patjetër mësues'," sjell ndër mend Yu Minhong-u.
Në vitin e fundit të shkollës së mesme, Yu Minhong-u duhej të vendoste për të ardhmen e vet: të kthehej në shtëpi e të punonte në bujqësi, apo të jepte provimin e pranimit në universitet për të vazhduar më tej shkollimin. Për shumicën e shokëve të Yu Minhong-ut, që ashtu si ai ishin nga familje fshatare, ndjekja e universitetit dukej si një ëndërr. Por Yu Minhong-u ishte i etur për të renë e të njihte botën e madhe. Përveç së ëmës, edhe dikush tjetër ndikoi që Yu Minhong-u ta kërkonte këtë ëndërr: "Kisha një mësues të mrekullueshëm anglishtje. Ai e këshillonte me forcë çdonjërin prej nesh që ta jepte provimin e pranimit në universitet. Ai na thoshte: 'Shpresoj që ta shfrytëzoni këtë mundësi për të vazhduar arsimin e lartë. Kur ta provoni, nuk do të zhgënjeheni'".
Dhe kështu, duke marrë zemër nga mësuesi i tij, Yu Minhong-u e dha provimin, por nuk arriti të fitonte. Një vit më pas, ai e dha provimin përsëri dhe përsëri dështoi. "U mërzita shumë. Shumica e studentëve nga fshati do të hiqnin dorë po të dështonin dy herë në provim. Edhe ua vendosa të heq dorë, edhe pse kisha shumë dëshirë të shkoja në universitet," thotë Yu Minhong-u.
E megjithatë, i riu nuk u dorëzua, i nxitur edhe nga e ëma. Ai nisi të studionte më shumë se 15 orë në ditë dhe më në fund këmbëngulja e tij u shpërblye. Yu Minhong-u nisi studimet në Departamentin e Gjuhëve Perëndimore në Universitetin e Pekinit, një universitet i famshëm dhe që është ëndrra e shumë të rinjve kinezë.
E megjithatë, pranimi për të studiuar në Universitetin e Pekinit nuk do të ishte fundi i telasheve të Yu Minhong-ut kur vjen fjala te arsimimi. Atë e vunë në grupin e nxënësve të prapambetur, ngaqë nuk fliste mirë anglisht. Po ashtu, ai u sëmur dhe iu desh të qëndrojë për një vit në shtëpi. Yu Minhong-u vë në dukje se për herë të parë e pa veten në një mjedis ku iu duk vetja i pavlefshëm. "Unë jam një njeri i ndjeshëm. Jam rritur në një fshat të pazhvilluar, të shkëputur nga të gjitha ndikimet e modernizimit. Papritmas isha i rrethuar nga shokët e klasës që mund të flisnin rrjedhshëm për Kantin, Niçen dhe Vitgenshtajnin. Ndjeva se kishte një humnerë mes nesh dhe nisa të ndihem sikur kisha humbur rrugën," shprehet ai.
E megjithatë, Yu Minhong-u përsëri nuk u dorëzua dhe u mundua shumë për ta ngushtuar këtë hendek. Siç thotë edhe vetë, ai kaloi katër vjet "të zymtë" të jetës universitare, por, megjithatë, vëren gjithashtu se këta katër vjet ishin plot domethënie për të dhe e bënë edhe më të fortë. Falë vendosmërisë së vet, pas diplomimit në vitin 1985, ai u mbajt në Universitetin e Pekinit si pedagog anglishteje. Jeta për të kishte filluar më në fund të bëhej e bukur.
"Universiteti i Pekinit më dha një shtëpi të vogël. Jepja tetë orë mësim në javë. Përgatisja materialet mësimore, lexoja libra, gatuaja dhe shëtitja përgjatë liqenit të kampusit. Jeta ishte e thjeshtë, por e qetë," thotë Yu.
Megjithatë, duket sikur njeriu është në një përpjekje të vazhdueshme për ndryshim dhe kjo qetësi e Yu Minhong-ut do të prishej kur ai pa se shumë nga ish-shokët e tij të universitetit po shkonin të studionin jashtë vendit.
Ishin vitet '80 të shekullit të kaluar, kur në Kinë kishte nisur tashmë Reforma e Hapja, dhe shumë të rinj ishin të etur për të studiuar jashtë, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, me synimin për të realizuar Ëndrrën Amerikane. As Yu Minhong-u nuk i shpëtoi dot këtij tundimi.
Dhe kështu Yu Minhong-u vendosi të mblidhte para për të studiuar në ShBA, por shpejt e kuptoi se kjo ishte e pamundur me rrogën që merrte. Me 180 juanë në muaj që fitonte, do t'i duheshin 220 vjet të bënte sasinë e duhur, por edhe sikur të siguronte bursë studimi, përsëri do të ishte e pamjaftueshme. Prandaj Yu nisi të jepte mësim edhe në një shkollë private. Por fati do t'i nxirrte përsëri pengesa. Ndonëse pak nga pak filloi të mblidhte para dhe u pranua nga disa universitete në ShBA, nuk arriti dot të merrte vizë amerikane. Ai tregon: "Më duhej të hiqja dorë nga studimi në ShBA dhe t'i kushtoja më shumë kohë dhe energji punës me studentët kinezë, për t'i ndihmuar ata të përmirësonin njohjen e anglishtes dhe të realizonin ëndrrën për të studiuar jashtë. Në atë kohë kuptova gjithashtu se më pëlqente shumë të punoja me nxënësit në këtë mënyrë, dhe se e bëja mirë punë. Nisa ta pyetja veten: 'Pse të mos hap vetë një shkollë, që mund të jetë edhe më e mirë dhe më të aftë për t'u shërbyer nevojave të studentëve kinezë sesa ajo ku po jam mësim tani'?"
Por që ta bënte një gjë të tillë, i duhej të hiqte dorë nga puna në universitet. Ishte një zgjedhje mjaft e vështirë. I duhej të linte një punë të sigurt e mjaft të nderuar në Kinë, si ajo e pedagogut në një universitet prestigjioz, për të nisur një aventurë si ajo e biznesit, ku për më tepër nuk kishte asnjë përvojë. E megjithatë, thellë vetes Yu Minhong-u zgjedhjen e kishte bërë tashmë.
Dhe kështu në nëntor 1993 Yu Minhong-u krijoi Shkollën "New Oriental" të Pekinit, që më vonë do të shndërrohej në Grupin e Arsimit dhe të Teknologjisë "New Oriental". Shkolla fillimisht ofronte kurse përgatitore për provimet GRE dhe TOEFL për të rinjtë kinezë që donin të studionin në ShBA. Në dimrin e ftohtë, Yu Minhong-u ngjiste reklama në rrugët dhe rrugicat tradicionale të Pekinit për të promovuar shkollën e vet të sapohapur. Por në vitin e parë kurset që jepte Yu Minhong-u u ndoqën nga vetëm 30 nxënës. Duke kujtuar fillimet e "New Oriental", Yu Minhong-u shprehet: "Transportoja me një furgon të vogël e të vjetër gjithçka për të cilat kishte nevojë shkolla. Stafi im përbëhej vetëm nga dy mësues. Shkolla ishte në një shtëpi njëkatëshe me qira, me një dhomë që kishte vetëm një tryezë dhe disa karrige dhe që shërbente si klasë. Mjetet e thjeshta për t'i bërë reklamë ishin një kovë me zamkë dhe një pirg posterash."
Në kushtet e konkurrencës së fortë, për të mbijetuar e për t'u shquar nga të tjerët, Yu ndoqi një strategji të cilën ai e quajti "ndarje e përfitimeve".
"Në atë kohë, shkollat e tjera të mësimit të anglishtes i kishin tarifat 300- 400 juanë. Për të tërhequr studentët, unë e ula çmimin në 160 juanë. Në të njëjtën kohë, fillova edhe kurse falas. Pas 20 orësh, ata që mendonin se mësimi ishte i efektshëm, paguanin 160 juanë për të vazhduar studimin. Me këtë metodë të veçantë, 'New Oriental' fitoi jo vetëm një pjesë të konsiderueshme të tregut, por edhe një emër të mirë," thotë Yu.
Një tjetër burim i suksesit të shkollës së Yu Minhong-ut ishte zgjedhja e mënyrave të veçanta të mësimdhënies, të cilat ndërthurnin teknikat e të mësuarit ndërveprues e me humor me vlerat tradicionale kineze të arsimit. Dhe kështu Yu u bë një personazh kaq popullor, saqë studentët nisën të mbanin radhë për t'u regjistruar në shkollën e tij. Brenda një viti Yu Minhong-u kishte fituar para të mjaftueshme për të studiuar jashtë vendit, por tani ai nuk donte me ta bënte një gjë të tillë.
"Ngurroja ta lija shkollën që kishte më shumë se 2 000 nxënës dhe shumë të tjerë ishin në pritje për t'u regjistruar. Ne ndihmuam një numër studentësh kinezë të ndiqnin universitetet amerikane duke marrë provimet TOEFL ose GRE. Prirja për të studiuar jashtë vendit po forcohej dhe numri i nxënësve ishte në rritje, kështu që kuptova se biznesi që kisha zgjedhur, ishte shumë premtues," vë në dukje Yu Minhong-u.
Nën drejtimin e Yu Minhong-ut, "New Oriental", që nisi si shkollë mësimi e gjuhës angleze me 30 studentë, tani ofron edhe mësimin e gjuhëve të tjera, kurse përgatitore për studimin brenda dhe jashtë vendit, arsim fillor e të mesëm, botime, arsim në internet dhe shërbime këshillimi për studimet jashtë vendit. "Qëllimi im i ardhshëm është ta bëj 'New Oriental' një model të arsimit privat në Kinë," shprehet Yu.
Në vitin 2006 Grupi i Arsimit dhe i Teknologjisë "New Oriental" u bë e para kompani private arsimi e regjistruar në Bursën e Nju-Jorkut, me një ofertë publike fillestare 112.5 milionë dollarë amerikanë. Por Yu Minhong-u nuk është nga ata që vetëkënaqen. Pas regjistrimit, ai theksoi: "Nuk jam i ngazëllyer nga lajmi. Nuk është një mrekulli, por rezultat i natyrshëm i përpjekjeve tona gjatë 15 vjetëve të fundit. Është vetëm një gur kilometrik përgjatë rrugës, por kemi ende një rrugë të gjatë për të përshkuar. Ne duhet të ecim drejt, pasi më shumë njerëz janë duke na shikuar tani."
Yu Minhong-u ka shkruar më shumë se 10 libra dhe mbështetur mbi historinë e tij është bërë madje edhe një film. Yu Minhong-u është vlerësuar si një nga 25 njerëzit me ndikimin më të madh në Kinë. Po ashtu, disa media e kanë quajtur "mësuesi më i suksesshëm në histori", por Yu jo vetëm që nuk e pranon një gjë të tillë, por thotë se është ende larg nga të qenit i suksesshëm, pa bërë fjalë pastaj për të qenë më i suksesshmi. Duke folur për kompaninë në përgjithësi, ai thotë: "Ne nuk jemi të suksesshëm, të paktën jo deri më tani. Duhet të jemi të kujdesshëm, sepse marrëzia shpesh fshihet pas arritjeve. Ne duhet të ecim përpara për të krijuar më shumë pasuri dhe më shumë mrekulli."
Për Minhong-unnuk ekziston diçka e tillë si "idetë e vogla". "Në ditët e sotme, kur duan të nisin ndonjë biznes, njerëzit bëjnë plane madhështore, por kompanitë vërtet të mëdha zakonisht fillojnë të vogla dhe më vonë rriten. Kur nisi 'New Oriental', ishte thjesht një kurs përgatitor në gjuhën angleze, me vetëm një duzinë nxënësish. 'Wal-Mart'-i, gjiganti numër një i shitjes me pakicë në botë, po ashtu filloi si një dyqan i vogël," vëren Yu Minhong-u. Dhe më tej shton: "Nga perspektiva sipërmarrëse, restorantet e kompanitë e teknologjisë janë të njëjta. Restorantet e suksesshme mund të bëhen një "McDonalds" ose KFC tjetër, dhe ato nuk janë domosdoshmërisht të një klase më të ulët se 'Facebook'-u apo 'Google'"
Sipas Yu Minhong-ut, shpirti i sipërmarrjes përbëhet nga katër elemente.
Së pari është guximi, që përkthehet në njëfarë mënyrë në prirje për aventurë. Ai thotë se kur është fjala për biznesin, nuk ka garanci, dhe se që të nisësh një biznes, duhet të jesh i përgatitur për një mundësi 90% për dështim, sepse sipas tij, ndër 100 kompani që fillojnë biznesin, vetëm 10 dhjetë do të mbijetojnë dhe vetëm një do të bëhet një sukses vërtet i madh. "Jeta e një sipërmarrësi është si një lojë kumari. Duhet të llogaritësh koston që paguan duke hequr dorë nga një punë e qëndrueshme dhe ta krahasosh me rreziqet dhe fitimet që ke nga fillimi i një biznesi. Para se të fillosh një biznes, duhet të pyesësh veten nëse mund ta përballosh dështimin," mendon Yu.
Së dyti është vendosmëria. Për sipërmarrësit, suksesi dhe dështimi janë dy anë të së njëjtës medalje, vë në dukje Yu Minhong-u. Ndërsa shumicën e njerëzve mund t'i lëshojë lehtë zemra pas përjetimit të dështimeve, sipërmarrësit përpiqen dhe kërkojnë për mundësi të mira brenda dështimeve dhe sfidave me të cilat përballen. Sipërmarrësve gropat përgjatë rrugës në të vërtetë u nxitin më tej entuziazmin, dhe ajo së cilës i druhen është qëndrueshmëria.
Së treti është fryma e ekipit. Sipas Yu Minhong-ut, sipërmarrësi është hero, por heroi nuk duhet ta shpërdorë heroizmin e tij nëpërmjet individualizmit. Sigurisht, heroi ka aftësi të forta individuale, po ka edhe frymën e ekipit dhe është i gatshëm të kërkojë ndihmën e të tjerëve për të arritur objektivat që ka.
Së fundmi, është shpirti i krijimit të risive. Yu shprehet: "Krijimi i risive është pikërisht si fillimi i një biznesi. Ne nuk kemi nevojë të 'ndryshojmë botën' nga themelet. Për sa kohë që diçka përbën një përmirësim krahasuar me të kaluarën, ajo është një risi". Për të inovacioni është si uji, merr shumë forma dhe ka një numër të pafund mundësish.
Yu Minhong-u shprehet se një sipërmarrës i vërtetë duhet të jetë idealist nga natyra dhe jo thjesht të jetë vetëm dikush në kërkim të bërjes së fitimeve. Në qoftë se një sipërmarrës i mungojnë idealet, vë në dukje ai, kompanisë do t'i mungojë kultura, dhe një kompani pa kulturë është vetëm një makinë biznesi, e cila një ditë do të marrë fund. Një sipërmarrës duhet gjithashtu të marrë përsipër përgjegjësitë shoqërore.
Konfuci, filozofi dhe arsimtari i famshëm kinez, është një nga mendimtarët që vlerëson më shumë Yu Minhong-u, së bashku me Zhan-Zhak Rusoin, Niçen dhe Shopenhaurin. "Konfuci kishte një përgjegjësi të madhe shoqërore," thotë Yu. "Unë e fillova arsimin privat për të siguruar jetesën. Por, me rritjen e kompanisë, përgjegjësia shtohet. Për mua përgjegjësi shoqërore do të thotë që t'u shërbej studentëve me gjithë zemër."
Yu Minhong-u e pranon se një karriera e tij me një ritëm të lartë ka bërë që ai të ndiejë presion të madh dhe të vuajë nga mungesa e gjumit për vite me radhë. Ai ende përpiqet të gjejë kohë për të shijuar pasione të tilla si leximi, të shkruarit, udhëtimet dhe disa "sporte të rrezikshme", si kalërimi dhe skitë. "Unë jam i etur për të bërë jetën idilike të intelektualëve në kohët e shkuara: shkrim, lexim, udhëtime dhe pirje raki me shokët," vëren Yu Minhong-u me keqardhje.
E megjithatë, kalërimi në ndonjë rrethinë të Pekinit është një nga metodat e parapëlqyera të tij për çlirimin e stresit. Por, ndërsa është i dhënë pas kuajve, Yu thotë se nga ana e temperamentit ndihet më afër deveve, me ritëm të ngadaltë dhe të qeta e të durueshme.
"Deveja mund të përshkojë një rrugë të gjatë në kushte të vështira. Karriera është e ngjashme me udhëtimin nëpër shkretëtirë. Suksesi i karrierës do të thotë të ecësh nga një oazë në tjetrën. Kjo kërkon një këmbëngulje si ajo e devesë e një sens të mirë orientimi," vë në dukje ai.
Yu Minhong-u është bërë një idhull për shumë të rinj studentë kinezë për stilin e gjallë e plot humor të mësimdhënies. Zhao Kun, student në Universitetin e Komunikimit në Pekin, tregon: "Z. Yu Minhong mbajti një leksion në universitetin tim ... Rreth 1500 studentë ndodheshin në auditor. Besoj se çdo student u mahnit nga stili i tij i të folurit, veçanërisht nga humori dhe pasioni i tij. Gjatë gjithë leksionit e qeshura nuk u ndal. Mendoj se ndër gjërat më të rëndësishme të stilit të tij të të folurit, është se ai gjithmonë bën shaka me veten. Kështu që në njëfarë mënyrë ai të bëhet si një mik i vjetër. Mendoj se prandaj për shumë njerëz të thjeshtë ai është si një hero."
Yu Minghong-u është një njeri i këndshëm dhe prandaj studentët e duan shumë. Lidhur me të ka mjaft histori e gazmore, disa të vërteta e disa jo. Një prej tyre është ajo mbi gjoja dobësinë e tij në llogari. Kur shkolla e tij fitoi 100 juanë në ditën e parë të punën, Yu Minhong-u u dha të dy mësuesve që punonin në atë kohë nga 40 juanë dhe u tha: "Pjesa tjetër është imja dhe ky rregull nuk do të ndryshojë." Mësuesit u gëzuan. Por edhe kur shkolla fitoi 1 000 juan një ditë, Yu Minhong-u thuhet se përsëri u dha mësuesve nga 40 juanë secilit dhe u tha: "Pjesa tjetër është imja dhe ky rregull nuk do të ndryshojë."