20160216LoveStorage-1.mp4 |
Është gjithmonë kënaqësi kur përjeton ose kujton çastet e paharrueshme të një historie dashurie. Po kur bëhet fjalë për planet e martesës dhe hollësitë e organizimit të dasmës, gjërat nuk janë dhe aq romantike dhe koklaviten disi. Një prej pyetjeve të shumta që duhet të marrin përgjigje përpara dasmës është nëse ajo duhet fotografuar apo xhiruar. Jessie Shao është një vajzë e re dhe simpatike kineze që ka gjetur një tjetër mënyrë sesi çiftet mund t'ua rrëfejnë dashurinë e tyre të tjerëve. Kur i lindi ideja për të krijuar atë që e quan "depo" për ruajtjen e historive të dashurive të njerëzve të ndryshëm, ajo nuk e mendonte se ky do të kthehej në një biznes aq fitimprurës e të respektuar. Tashmë kompania e fotografisë dhe e videografisë martesore "Love Storage" e krijuar para pak më shumë se katër vjetësh prej saj është bërë e njohur jo vetëm në Britaninë e Madhe, ku është themeluar e regjistruar, por edhe në Kinë, dhe në vitin 2013 u përfshi ndër 50 kompanitë kryesore të videografisë së dasmave nga revista "Cosmo Bride". Por fillimet e Jessie Shaos ishin të vështira.
Shao Jingzhu, e njohur me emrin e biznesit si Jessie Shao, ka lindur 28 vjet më parë në kryeqytetin e Kinës, Pekin. Jessie u diplomua për gazetari radiofonike dhe televizive në Universitetin e Wuhan-it, në provincën Hubei të Kinës Jugore, dhe më pas shkoi në Britaninë e Madhe për të ndjekur studimet për menaxhim arti dhe politika kulturore në Universitetin e Mançesterit. Lidhur me arsyen e zgjedhjes së kësaj dege, Jessie Shao thotë: "Nuk kisha ndonjë parapëlqim të veçantë për këtë degë, por arsyeja përse e zgjodha ishte thjesht sepse ofronte tre muaj punë pas përfundimit të kursit. Sigurisht mendova që ishte një ide e mirë, pasi përvoja e punës nuk është diçka që mund të fitohet lehtë, ndonëse do ta kuptoja pa kaluar shumë se tre muaj nuk mjaftonin."
Në dimrin e vitit 2010 ekonomia europiane u godit nga recesioni. Si shumë diplomuar në Mbretërinë e Bashkuar atë vit, Jessie Shao kishte vështirësi për të gjetur punë. Befas një ide i erdhi në mend. "Përse të mos bëhem sipërmarrëse," mendoi ajo. "Në vend që të gjykohem e të përzgjidhem nga kompanitë e mëdha duke dhënë intervista dhe duke luftuar për ta gjetur veten në një vend të huaj, mund ta kem më të lehtë po të punoj për veten time."
Kur e pyet se nga është frymëzuar për të nisur biznesin, ajo thotë: "Im atë është bankier dhe punon në projekte të mëdha. Xhaxhai im është biznesmen dhe është mjaft i suksesshëm. Thonë që gjatë gjithë historisë së familjes sime, çdo brez ka pasur një sipërmarrës, dhe me sa duket, në brezin e tanishëm jam unë." Më tej Jessie shton: "Në të vërtetë, e zbulova që kam talent për biznes vetëm gjatë tre vjetëve të fundit. Vitin e parë nuk e mora seriozisht nga këndvështrimi i biznesit – vetëm nga viti i dytë e në vazhdim kuptova se isha bërë gjithnjë e më e ndjeshme ndaj parasë. Besoj se dikush bën përpjekje të konsiderueshme për të bërë para vetëm kur i dëshiron sa ç'duhet ato."
20160216LoveStorage-2.mp4 |
Në të vërtetë, fotografimi dhe xhirimi i dasmave nuk ishte diçka e re, kështu që Jessie Shao fillimisht pati idenë origjinale të xhironte filma të shkurtër të mbështetur në histori të vërteta dashurie. Ajo vuri postera kudo dhe postoi reklama në forumet e studentëve; po ashtu u jepte fletushka në rrugë kalimtarëve, duke pyetur çiftet e reja nëse do të donin që historia e tyre të filmohej.
"Ndihesha shumë e pështjelluar gjatë muajve të parë. Jeton në një qytet të huaj, ecën në rrugë dhe bisedon me njerëz, por nuk arrin dot t'i bindësh që të përfshihen në biznesin tend," shprehet ajo.
"M'u deshën gjashtë muaj për të kuptuar se kjo ide ishte shumë e vështirë të zbatohej në Angli. Anglezëve nuk u pëlqen të fotografohen ose të filmohen pa pirë parë," thotë duke buzëqeshur Jessie Shao, por thekson se parimi i vetëm i saj në atë kohë ishte që të mos jepej e të hiqte dorë.
Në nëntor të vitit 2011, dy muaj para se të skadonte viza e saj studentore, Jessie Shao regjistroi në Angli kompaninë e vet të quajtur "Love Storage". Duke mos pasur përvojë pune dhe duke mos ditur pothuajse asgjë rreth biznesit ose marketingut, Jessie Shao punësoi aktorë për videon e saj të parë. Më pas, për një vit të tërë, ajo u kushtoi vëmendje ndryshimeve në treg dhe projekteve në të cilat mund të punonte për të fituar përvojë.
Për të kaluar vështirësitë e fillimit, Jessie Shao vendosi të bëjë një ndryshim, duke kaluar nga historitë e dashurisë edhe te finalizimi i tyre, pra dasmat. Ajo thotë: "Mendoja se regjistrimi i historive të dashurive të njerëzve të zakonshëm dhe ruajtja e kujtimeve të tyre të dashurisë ishte një gjë e bukur. Por shpejt e kuptova se, për të mbijetuar, nevojitej komercializimi, dhe gjëja më e lehtë do të ishte të regjistroja ceremonitë e dasmës. Kështu që fillova të kaloj ngadalë nga filmimi i historive të dashurisë të çifteve në filmimin e ceremonive të dasmës, por duke mbajtur ende tridhjetë për qind a më shumë të idesë origjinale, domethënë regjistrimin e historive të dashurive para dasmës të çifteve, dhe pastaj pjesa tjetër është vetë ceremonia, duke krijuar një bazë për mbijetesën tonë si një kompani. Bashkimi i këtyre dy ideve na dha një treg dhe mundësinë për të shkuar te njerëzit që kanë nevojë për shërbimet tona: çiftet që duan të martohen."
Në fillim të vitit 2013 Jessie Shao vendosi ta provonte duke investuar për një reklamë në "Google" dhe duke bërë të ashtuquajturin optimizim të uebsajtit të saj në motorin e kërkimit, që është një mënyrë për rritjen e vizitorëve të uebsajtit nëpërmjet renditjes sa më lart në rezultatet e kërkimit në një motor kërkimi në internet, në këtë rast në "Google". Sigurisht që për këto iu desh të paguajë një shumë të madhe. Jessie po ashtu optimizoi uebsajtin e vet dhe krijoi mjaft nga ato që quhen lidhje të brendshme interneti të uebsajtit të saj. Pas disa ditësh heshtjeje, telefoni më në fund ra.
"Ishte një janar shumë i tensionuar. Dukej sikur po luanim bixhoz, por në fund fituam. Atë vit organizuam 80 dasma, 16 vetëm në qershor," ndërmend e reja.
Një gjë që ndihmoi në rritjen e reputacionit të kompanisë së Jessie Shao-s "Love Storage" ishte pra vendimi i saj për të ndërthurur historinë e dashurisë së çdo çifti me pamjet e dasmës së tyre. Kjo strategji shpejt tërhoqi disa njerëz të famshëm, si modele dhe aktorë e aktore teatri.
"Kurrë nuk hoqa dorë nga rrëfimi i historive të dashurisë, por gjeta një mënyrë më të mirë për ta bërë këtë," thekson Jessie Chao.
Në vitin e dytë, "Love Storage" i trefishoi të ardhurat në krahasim me vitin e parë. Suksesi i zgjerimit të shpejtë të biznesit të "Love Storage" qëndron edhe në aftësinë e menaxhimit të të ardhurave.
Nëpërmjet një sistemi pagese duke mbajtur depozitë dhe me parapagim, "Love Storage" ishte në gjendje të siguronte para përpara se të ofronte shërbimin. Pastaj këto para Jessie Shao i shfrytëzoi për fushata të tjera marketingu në internet, duke sjellë kërkesa më të mëdha për shërbimet e kompanisë së saj, e si rrjedhojë edhe më shumë fitime. Prandaj edhe në dimër, kur nuk organizohen shumë dasma, "Love Storage" arriti të marrë fitime nëpërmjet parapagimit.
Në gusht 2014 "Love Storage" arriti një rekord të ardhurash, një pjesë të të cilave Jessie Shao e investoi për një zyrë dhe pajisje të reja për kompaninë. Një veprim i tillë e ndihmoi kompaninë "Love Storage" të ketë një fluks tjetër klientësh dy herë më shumë se një vit më parë. Megjithatë, Jessie Shao nuk investon në pasuri të tjera fikse nëse nuk arrihet objektivi i përcaktuar me kujdes i realizimit të të ardhurave të kompanisë. Kështu "Love Storage" mban në qarkullim një sasi të mjaftueshme parash dhe siguron rritjen e qëndrueshme të fitimeve.
"Love Storage" hapi në vijim degë në vende të tjera të Europës, si Itali dhe Spanjë, duke organizuar të gjitha llojet e dasmave nga sfonde të ndryshme kulturore si skoceze, greke, xhamajkane, nigeriane, indiane dhe myslimane.
Por sigurisht një rritje tjetër të vrullshme kompania "Love Storage" e pati kur Jessie Shao e zgjeroi biznesin në vendlindjen e vet, Kinë, ku tregu i shërbimeve për dasmat gjatë viteve të fundit ka pasur një potencial të madh duke njohur një zhvillim të jashtëzakonshëm.
Me pasurimin gjithnjë e më të madh, me një numër të madh të rinjsh e të rejash që duan të jetë pjesë e botës moderne globale, me prindërit që duan të bëjë gjithçka për fëmijët e tyre të vetëm dhe me një nxitës aq të fuqishëm sa interneti, nuk është për t'u çuditur që dasmat e stilit perëndimor po bëhen një biznes i madh në Kinë. Dhe të thuash se sektori i shërbimeve të dasmave në Kinë po lulëzon, është pak.
Sipas një vlerësimi të bërë nga Qendra e Kërkimit dhe e Statistikave të Sektorit të Shërbimeve për Dasmat, vlera mesatare vjetore e parave të shpenzuara për martesë në Kinë është 600 miliardë juanë (afro 97 miliardë dollarë), nga më shumë se 40 miliardë dollarë amerikanë që është në ekonominë numër një në botë, ShBA. Ndonëse kostoja mesatare e një dasme është më e vogël se në mjaft vende të tjera, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, përsëri në Kinë bëhen afro 10 milionë dasma në vit, pesë herë më shumë se në Shtetet e Bashkuara, ndërsa shpenzimet kanë ardhur gjithashtu duke u rritur.
Nga fotografitë dhe videot e paradasmës deri te veshjet e dasmës dhe marrja e makinave me qira, procedura e "të martuarit" në Kinë është ndonjëherë shumë më e komplikuar sesa në vendet europiane apo ShBA.
Shumë çifte të rinj që janë nga krahina të ndryshme, tani zgjedhin të bëjnë disa dasma të stileve të ndryshme në qytete të ndryshme. Prandaj, shumë kompani kineze kanë krijuar një formulë të plotë shërbimi, që përfshin gjithçka të mundshme për të tërhequr klientët.
"Në Kinë tregu i shërbimeve për dasmat është shumë më i pjekur dhe më i zhvilluar. Ka shumë kompani me ide të reja e krijuese, mjaft nga të cilat punojnë me aplikacione në celular, duke pasur kështu një elasticitet dhe potencial të madh. Në Kinë sektori i shërbimeve për dasmat është po aq i rëndësishëm sa edhe industria ushqimore dhe, për të konkurruar në tregun kinez, ne duhet të ofrojmë ide krejt të ndryshme prej atyre të kompanive të tjera. Shumë nga klientët janë të dhënë pas kulturës perëndimore dhe mund të them me plot besim se askush në tregun kinez nuk i kupton më mirë se ne ceremonitë perëndimore të dasmave. Kjo është epërsia jonë më e fortë konkurruese," shprehet Jessie Shao.
Strategjia e "Love Storage" në Pekin është disi e ndryshme nga e kompanive të tjera. Në fillim ata intervistojnë çifte, për të gjetur njerëz me të cilët duan të punojnë. Historitë e stilistëve, dizenjuesve grafikë, skenaristëve dhe pronarëve të butikëve me të cilët bashkëpunon "Love Storage", të gjitha tashmë janë hedhur në film.
Ekipi i "Love Storage" ulet me çiftet për të pirë ndonjë gjë dhe për të folur për dashurinë.
"Është pak a shumë si në filmat me Woody Allen, një atmosferë qetësuese. Harrojeni blerjen e makinës dhe të shtëpisë në Pekin dhe le të flasim për dashurinë," thotë Jessie Shao.
"Love Storage" është tashmë një kompani që ofron jo vetëm shërbime fotografie dhe videografie për dasmat, por edhe shërbimet e planifikimit para dhe pas dasmës, si p. sh. muaji i mjaltit. Kompania ka nisur paketa të reja shërbimesh në tregun kinez, si ajo e quajtur "Miniudhëtimi jashtë i dasmës", që ofron organizimin ndaras të ceremonisë dhe të darkës. "Me këtë paketë," shprehet Jessie, "ne i inkurajojmë klientët tanë të mos i zhvillojnë së bashku ceremoninë dhe darkën e dasmës (siç është zakoni në dasmat kineze), por të shtrojnë një darkë të mirë në Britaninë e Madhe ose në vende të tjera të Europës. Ne ndihmojmë për të krijuar përvojën më të mahnitshme të ceremonisë së dasmës për një klient tradicional kinez, si zhvillimi i saj në një kështjellë apo muze. Dhe kjo është gjithashtu edhe një përvojë udhëtimi e muajit të mjaltit."
Kur e pyet se çfarë do të donte të arrinte në biznesin e vet në disa vitet e ardhshme, sidomos në degën kineze, që është themeluar kohët e fundit, Jessie Shao thotë: "Kam shpresa të mëdha te dega e kompanisë sonë në Kinë. Në Britani madhësia e tregut është shumë më e vogël e, edhe në qoftë se sigurojmë pjesën më të madhe të mundshme të tregut, përsëri kjo do të ishte diçka shumë më e vogël. Besoj se të ardhurat tona në Britani e në vende të tjera europiane do të hyjnë në një pikë mbetjeje në vend shumë shpejt, pasi marzhi i fitimit është i ulët dhe kostoja e punës e lartë. Në Kinë, nga ana tjetër, potenciali është i madh dhe marzhet e fitimit të larta. Përveç kësaj, sektori i shërbimeve për dasmat në Kinë është në lulëzim dhe konsumatorët kinezë e kanë shumë për zemër të shpenzojnë për dasmat, si dhe të udhëtojnë në Evropë. Pra, me markën tonë dhe me degët tona në Europë e në Kinë të lidhura me njëra-tjetrin, ne mund të të krijojmë një markë sa më të veçantë të shërbimeve për dasmat që të jetë e mundur. Unë jam shumë entuziaste për të ardhmen e kompanisë sonë."
Lidhur me suksesin e saj në biznes, Jessie Shao shprehet: "Ajo që më ndihmon, është se jam një vëzhguese e mirë dhe e etur për të mësuar gjëra të reja. Jam gjithashtu një komunikuese e mirë dhe e zonja në trajtimin e marrëdhënieve me njerëzit. Kjo më ka bërë ajo që jam sot."
Më tej Jessie Shao shprehet: "Të filmosh një dasmë nuk është e lehtë, por pas mbi katër vjetësh dhe më shumë se 300 dasmash, kurrë as edhe për një sekondë nuk e kam humbur pasionin. Çdo dasmë është e veçantë dhe ndiej emocion sa herë shoh nusen duke u bërë gati me padurim për ditën e saj të madhe, e pastaj duke ecur plot emocion drejt altarit e duke derdhur lot lumturie teksa thotë 'Po!'. Pa përmendur pastaj buzëqeshjen krenare në fytyrën e dhëndrit, që më në fund mund të thotë fjalët: 'Gruaja ime'."