PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Kina, forcë aktive e sistemit ekonomik ndërkombëtar
2016-01-26 14:46:32 CRI Komenti juaj Printoni

Qysh nga viti 2008, kur shpërtheu kriza financiare, situata ekonomike e financiare globale ka pësuar ndryshime të mëdha. Me tkurrjen e ekonomisë botërore, disa vende në zhvillim kanë pasur vështirësi në financimin e ndërtimit infrastrukturor, kurse rendi financiar ndërkombëtar pritet të riformësohet. Pikërisht në një situatë të tillë u themelua Banka Aziatike e Investimeve Infrastrukturore (BAII).

Për sa i përket sistemit të qeverisjes globale, ekonomia botërore - me Bankën Botërore në qendër dhe bankat e zhvillimit, si Banka Aziatike e Zhvillimit, në rol zbatues - drejtohet kryesisht nga vendet e zhvilluara, si ShBA-ja, disa vende të Europës Perëndimore dhe Japonia. Në këtë sistem të vjetër qeverisjeje, vendet në zhvillim, si Kina, nuk kanë të drejtën e fjalës dhe interesat nëpërmjet këtij sistemi global nuk janë të shpërndara në mënyrë të ekuilibruar.

Banka Aziatike e Investimeve Infrastrukturore është një institucion aziatik zhvillimi shumëpalësh. Kapitali i regjistruar i saj është 100 miliardë dollarë amerikanë dhe selia ndodhet në kryeqytetin kinez, Pekin. Detyra e saj kryesore është mbështetja për ndërtimin infrastrukturor në Azi-Paqësor.

Themelimi i BAII-së u propozua në tetor të vitit 2013 nga presidenti kinez Xi Jinping, ndërsa në janarin e sivjetshëm u organizua ceremonia e hapjes zyrtare të bankës dhe u formua bordi drejtues i saj. Gjatë kësaj periudhe 27-mujore, banka ka fituar mbështetje të gjerë dhe ka pasur një pjesëmarrje aktive nga komuniteti ndërkombëtar. Numri i vendeve themeluese të bankës ka arritur në 57. Zhang Jianping i Institutit të Studimeve të Ekonomisë Botërore pranë Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe të Reformës të Kinës është i mendimit se formimi i Bankës Aziatike të Investimeve Infrastrukturore është në përputhje me nevojat e shumë vendeve të botës dhe sigurisht do të mirëpritet prej tyre.

"Nga njëra anë, pas pjesëmarrjes në këtë bankë, këto vende në të ardhmen mund të marrin mbështetje financiare nga BAII për të përmirësuar gjendjen e tyre infrastrukturore, duke përmirësuar mjedisin e biznesit e të investimeve, dhe kjo mund të tërheqë më shumë investime të huaja. Nga ana tjetër, nëpërmjet mekanizmit të bashkëpunimit në kuadër të BAII-së, do të ketë më shumë kushte favorizuese për bashkëpunim dhe zhvillim të gjithanshëm rajonal në të ardhmen," thotë Zhang Jianping.

Financa është shpirti dhe thelbi i ekonomisë moderne. Më parë Kina ka marrë pjesë në Bankën Botërore dhe Bankën Aziatike të Zhvillimit si një vend i zakonshëm anëtar, ndërsa me formimin e Bankës Aziatike të Investimeve Infrastrukturore, vendi më i populluar i botës për herë të parë merr pjesë në sistemin e qeverisjes ekonomike globale si hartues rregullash. Një gjë e tillë jo vetëm ka shtuar të drejtën e fjalës të vendeve në zhvillim në sistemin ekonomik botëror, por edhe tregon se Kina është e gatshme të mbajë më shumë përgjegjësi ndërkombëtare.

"Ne nxitim diskutimin e përbashkët, zhvillimin e përbashkët dhe gëzimin e përbashkët. Kjo tregon që të gjithë, qofshin të mëdhenj apo të vegjël, duhet të bashkëpunojnë në mënyrë të barabartë. Bashkëpunimi që duam ne, duhet të përparojë vetëm në bazë të konsensusit nga të gjitha palët. Ky koncept bashkëpunimi është një prirje në zhvillimin e sotëm të botës," thotë Zhang Jianping i Institutit të Studimeve të Ekonomisë Botërore pranë Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe të Reformës të Kinës.

Krahas kësaj, arsyeja tjetër që ka tërhequr një numër kaq të madh vendesh për të marrë pjesë në BAII është që Kina ka përvojë të pasur në ndërtim infrastrukturor. Studiuesi i Universitetit të Kembrixhit Martin Jacques shprehet që, në qoftë se në botë ka vetëm një vend ekspert lidhur me ndërtimin e infrastrukturës, ajo është Kina dhe Kina e di si të bëjë këtë punë.

Në qershor të vitit 2015 u nënshkrua në Pekin Protokolli i Bankës Aziatike të Investimeve Infrastrukturore, sipas të cilit Kina zotëron 30.34% të aksioneve dhe 26.06% të të drejtës së votës në këtë bankë. Kështu, Kina është aksionarja më e madhe dhe vendi anëtar me përqindje më të madhe të drejte vote në BAII. Në fund të vitit 2015, 17 vende themeluese të BAII-së, me 50.1 % të vlerës së përgjithshme të aksioneve, miratuan protokollin e nënshkruar, gjë që shënoi krijimin zyrtar të Bankës Aziatike të Investimeve Infrastrukturore.

"Kjo është një ngjarje e madhe në reformën e sistemit të qeverisjes ekonomike ndërkombëtare. Banka Aziatike e Investimeve Infrastrukturore, si një institucion i ri i zhvillimit shumëpalësh, është futur në sistemin e tanishëm të zhvillimit shumëpalësh," thotë Lou Jiwei, ministri i Financave i Kinës.

Për Bankën Aziatike të Investimeve Infrastrukturore, krijimi me sukses është vetëm hapi i parë i "Marshimit të madh". Si një bankë investimesh infrastrukturore, puna kryesore e saj është plotësimi i nevojave të vendeve anëtare dhe kredidhënia në mënyrë të sigurt e efikase. BAII ka disa dallime nga Banka Botërore dhe Banka Aziatike e Zhvillimit. Në fakt, Kina nuk e ka formuar këtë bankë për të ndryshuar sistemin ekzistues, por për ta plotësuar atë.

Sipas një raporti të Bankës Aziatike të Zhvillimit, për infrastrukturën në rajonin e Azi-Paqësorit për dhjetë vjetët e ardhshëm duhen së paku 8 trilionë dollarë. Detyra kryesore e Bankës Botërore dhe e Bankës Aziatike e Zhvillimit është ulja e varfërisë dhe ato nuk mund ta përmbushin një kërkesë kaq të madhe. Ish-përfaqësuesi dhe kryeekonomisti i degës së Bankës Aziatike të Zhvillimit në Kinë, Tang Min, u shpreh:

"Me sa di unë, BAII në fazën e formimit dhe në fazën e përgatitjes ka marrë përvojë dhe ka bërë rregullime të gjithanshme mbi sistemet e ndryshme dhe ka dërguar shumë zyrtarë për përvojë në Bankën Botërore dhe Bankën Aziatike të Zhvillimit. Ndërkohë, Banka Aziatike e Zhvillimit dhe Banka Botërore kanë dërguar shumë zyrtarë për të dhënë përvojë në BAII. Unë mendoj që bashkëpunimi mes tyre është shumë i ngushtë," thotë Tang Min, ish-kryeekonomisti i degës së Bankës Aziatike të Zhvillimit në Kinë.

Përveç marrjes së përvojës nga institucionet ekzistuese, me qëllimin që të ofrojë shërbime më të mira për ndërtimin infrastrukturor të vendeve të saj anëtare, Banka Aziatike e Investimeve Infrastrukturore ka bërë disa ndryshime për rinovimin e sistemit. Ndryshe nga sistemi i tanishëm, sistemi i ri i BAII-së do të jetë më efikas. Lidhur me këtë, studiuesja e Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare Bashkëkohore të Kinës Chen Fengying është e mendimit:

"Së pari, Banka Botërore, Banka Aziatike e Zhvillimit, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim janë shembuj për ne, pasi ato kanë shumë përvojë të suksesshme; së dyti, kemi një kornizë të thjeshtë; së treti, kemi një bord të rinovuar drejtues. Në institucionet e tanishme ndërkombëtare, kuotat janë të ndara sipas përqindjes së blerjes dhe çdo anëtar mund të futet në bordin drejtues. Ndërsa ne i përzgjedhim anëtarët e bordit nga e gjithë bota dhe ata nuk janë as të përjetshëm, as të emëruar, por me kontratë. Të gjitha këto bëhen për interes të BAII-së," thotë Chen Fengying, studiuese e Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare Bashkëkohore të Kinës.

(Jiang Lei)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China