20160105-hpzhaowei |
Zhao Wei është pa dyshim një femër e bukur, por edukatorja e dikurshme e kopshtit, tashmë një ndër aktoret më të njohura në Kinë, jo vetëm është e bekuar me bukuri dhe mjeshtëri aktoriale, por edhe me mprehtësi për investime, gjë që ka bërë të pagëzohet si "Warren Buffet-i e showbiz-it" në Kinë.
Duke ndërthurur trurin e bukurinë me aftësinë "për ta kthyer në ar gjithçka që prek", Zhao Wei ka tashmë një pasuri, që bashkë me atë të të shoqit Huang Youlong, e kalon një miliard dollarë. Ajo vlerësohet se është aktorja më e pasur në botë që ende punon.
Zhao Wei (e njohur edhe si Vicky Zhao) ka lindur më 12 mars 1976 në qytetin Wuhu të provincës Anhui. Babai i saj ishte inxhinier, ndërsa e ëma mësuese. "Prindërit e mi ishin njerëz të shkolluar, kështu që unë u rrita me besimin se, në qoftë se nuk e kisha një arsimim të mirë, do të isha e pavlerë në jetë," shprehet ajo. Dhe dukej sikur edhe Zhao Wei do të trashëgonte profesionin e së ëmës, teksa vijonte shkollën pedagogjike, por thotë se fati i rregulloi gjërat në atë mënyrë që të jetë ajo që është sot, një aktore mjaft e njohur dhe e pasur.
Kur Zhao Wei ishte në moshën 17-vjeçare, në qytetin e saj u xhirua filmi "Hua Hun", ku interpretonte edhe aktorja e njohur Gong Li. Zhao Wei u përzgjodh të ishte ndër figurantet. Kjo përvojë ia ndryshoi jetën së resë. Ajo e kuptoi se donte të bëhej aktore dhe e la punën si edukatore. Veçse kishte një problem. "Unë mendoja se aktoret duhej të ishin të bukura, ndërsa vetja më dukej si një vajzë e zakonshme," shprehet ajo.
Dhe dukej kështu se edhe rasti i Zhao Wei-t do të ishte ai i një vajze të zakonshme që shpresonte dëshpërimisht se ndonjë kërkues talentesh do ta spikaste dhe si në përralla ajo do të kthehej në yll. Kjo u përforcua kur ajo dështoi shumë herë në aplikimet e saj në shkolla dhe universitete të ndryshme, para se sytë t'i zinin njoftimin për një shkollë të re kinematografike në Shangai të themeluar nga Xie Jin, një ndër më të njohurit e brezit të vjetër të regjisorëve kinezë, që quhej Akademia e Yjeve. Zhao Wei shkoi në Shangai për të marrë pjesë në provimin e pranimit. "Më dhanë një copë letër ku ishte përshkruar një situatë," kujton ajo. "Duhej të luaja një skenë me një tjetër vajzë, me të vërtetë të rreptë, që duhej të interpretonte një shitëse. Unë duhej të isha klientja që duhej të kthente diçka në dyqan. Duke u përpjekur të tregonte aftësitë e saj të aktrimit, vajza tjetër më bërtiti se nuk mund ta ktheja mallin. Ishte aq e vrazhdë, saqë ia plasa së qarës. Isha shumë naive. Kujtoja se vërtet po përpiqesha të ktheja diçka dhe ajo nuk po më linte. Kështu që qava e qava derisa profesor Xie Jin-i më tha: 'Mirë, vajzë, bëj pak pushim.' Në të vërtetë, profesorëve u kisha lënë mbresa. Sepse në Kinë, në qoftë se mund të qash në çdo kohë, kjo gjë vlerësohet si një aftësi shumë e rrallë. "
Dhe Zhao Wei nisi studimet në këtë akademi dhe u zgjodh nga Xie Jin-i në vitin 1994 për të luajtur në filmin e tij "Pas murit të turpit", që do të ishte filmi i përzgjedhur zyrtarisht nga Konferenca e Grave e OKB-së e vitit 1995.
Zhao Wei është e pakënaqur me interpretimin e vet në këtë film, por megjithatë e quan një tjetër përvojë të vyer për të ardhmen. "Isha shumë e re për të kuptuar rolin," vëren Zhao, "por, në qoftë se një regjisor i njohur të përfshin në grupin e aktorëve të një filmi, pavarësisht se sa mirë e ke lujatur rolin, regjisorë të tjerë më pak të njohur do të duan të të marrin për filmat e tyre."
Në vitin 1996, asokohe 20-vjeçarja Zhao Wei nisi studimet në Akademinë e Filmit të Pekinit, duke siguruar pikët maksimale në provimin e pranimit dhe duke u bërë pjesë e legjendares "Klasë 96" (pra e vitit 1996), që përfshinte edhe yje të tjerë të ardhshëm të kinemasë, të televizionit e të muzikës, të tillë si aktorët e këngëtarët Huang Xiaoming e Chen Kun, si edhe He Lin-in, e para aktore aziatike që ka fituar një Çmim "Emmy".
Fillimisht Zhao Wei-t iu dhanë disa role të vogla në filma dhe telenovela, si "Pallati Lindor, Pallati Perëndimor", "Dhoma e madhe magjike" etj., derisa luajti rolin e protagonistes në telenovelën "Motra në Pekin".
Më pas do të vinte kthesa e madhe për Zhao Wei-n. Teksa ishte ende me studime, vajza e bukur sybajame u pikas nga romancierja tajvaneze Chiung Yao, e cila po kërkonte aktorë për një ekranizim të njërit prej romaneve të saj. Dhe kështu në vitin 1997 Zhao Wei luajti, së bashku me aktoren tani me famë botërore Fan Bingbing, një rol protagonist në telenovelën "Princesha Perlë", të përshtatur sipas romanit të Chiung Yao-s. Personazhi i interpretuar nga Zhao Wei quhej Dallëndyshja e Vogël. Ishte një punë rraskapitëse dhe intensive për asokohe 21-vjeçaren: "Xhironim 18 deri në 20 orë në ditë. Kishte dy grupe aktorësh. Njëri grup xhironte gjatë ditës, tjetri gjatë natës. Shpesh unë duhej t'i bëja të dyja," kujton ajo. "Sapo përfundoja, më zinte menjëherë gjumi."
Por mundi i Zhao Wei-t dhe i të gjithë grupit u shpërblye. Një vit më pas, në 1998, kur u transmetua në pjesën kontinentale të Kinës, "Princesha Perlë" theu rekordin e shikueshmërisë së një telenovele dhe u bë mjaft e ndjekur në të gjitha bashkësitë kineze në mbarë botën. Ndërsa vetë Zhao Wei në vitin 1999 fitoi titullin e aktores më të mirë në Çmimet "Shqiponja e artë" – ose "Emmy kinez" – duke u bërë aktorja më e re që e kishte fituar ndonjëherë këtë çmim.
Pa kaluar shumë u xhirua edhe vazhdimi i "Princeshës Perlë", i cili vazhdoi të thyente rekordin e shikueshmërisë. Zhao Wei dhe personazhi i saj i princeshës u kthye në një fenomen. Edhe sot, pas më shumë se 15 vjetësh, nëpër shtëpitë kineze mund të gjesh portretin e Dallëndyshes së Vogël të interpretuar nga Zhao Wei.
Në vijim Zhao Wei luajti në një varg telenovelash, që u bënë mjaft të njohura jo vetëm në Kinë, por edhe në mbarë Azinë Lindore, të tilla si "Romancë në shi", një tjetër prodhim i Chiung Yao-s. Më pas ajo vendosi të përqendrohej te filmi. "Kisha shkuar aq larg sa mundesha me televizionin. Kishte ardhur koha të provoja diçka të re," tregon Zhao Wei.
Dhe kështu Hong-Kongu me një kinematografi të zhvilluar u bë objektivi i saj. Ajo luajti në filma të regjisorëve hongkongas si "Dueli", "Odise kineze 2002" dhe "Futboll Shaolin"-i. Më pas në vitin 2003 Zhao Wei nisi të punonte me regjisorë të pjesës kontinentale, duke marrë pjesë në filma të tillë si "Lëkura e pikturuar", "Mulan," "Themelimi i një republike", "Dashuri", "Luftëtarët e qiellit dhe të tokës", "14 tehet" etj., si edhe në seriale televizive të tilla si "Mamaja tigër". Shumë prej këtyre veprave ishin një sukses i vërtetë për sa u përket fitimeve, sigurisht edhe falë pranisë së bukuroshes Zhao Wei, e cila nga ana tjetër falë lojës në këta filma u bë një ndër aktoret më të paguara e më të pasura në Kinë.
Zhao Wei është vlerësuar me çmime të shumta. Përveçse është shpallur aktorja më e mirë në Çmimet "Shqiponja e artë", ajo ka fituar edhe çmimin "Aktorja më e mirë" në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shangait dhe në Çmimet "Njëqind lulet", "Aktore e spikatur" në Çmimet e Kinematografisë "Huabiao" të Kinës etj. Ajo po ashtu u përzgjodh nga votuesit në vitin 2006 si "Aktorja më popullore në pjesën kontinentale të Kinës" në edicionin e dytë të Çmimeve të Dramave Televizive të Kinës, e po atë vit u përfshi në "Listën e 100 personaliteteve më të njohura të Kinës", duke zënë vendin e katërt. Viti 2006 dukej se ishte me fat për Zhao Wei-n për sa u përket vlerësimeve, pasi po atë vit ajo u përfshi në "Listën e 100 njerëzve më të bukur në botë" të revistës "People", teksa një vit më parë, 2005, edhe përdoruesit e uebsajteve të mëdha kineze "Sina.com" e "Sohu.com" e kishin shpallur Zhao Wei-n "Gruan më të bukur të Kinës". Ndërkohë, në vitin 2002, Zhao u votua si gruaja e dytë më tërheqëse në botë, pas Ana Kurnikovës, në një anketë të revistës FHM të Singaporit.
Përveç aktrimit, talenti i Zhao Wei-t shtrihet gjithashtu në fusha të tjera të artit. Ajo ka edhe një karrierë të suksesshme si këngëtare, duke regjistruar shtatë albume ndërmjet viteve 1999 dhe 2009, të cilat kanë qenë mjaft të shitura dhe që shpesh janë përfshirë ato vetë ose këngë të tyre përkatësisht në listën e 10 albumeve a të 10 këngëve më të mira në pjesën kontinentale të Kinës. Në vitin 2006 Zhao Wei ka marrë edhe një çmim të "MTV Asia"-s si artistja më e parapëlqyer në Kinën kontinentale.
Në vitet e fundit Zhao Wei e ka kthyer vështrimin nga regjia. Me gjithë programin e ngarkuar, ajo nisi përsëri studimet në Akademinë e Filmit të Pekinit, ku kishte studiuar më parë, por këtë herë për të marrë gradën master në regji filmi. Në vitin 2013 Zhao Wei bëri debutimin e saj regjisorial në filmin romantik "Kaq të rinj". Filmi ishte një sukses i vërtetë komercial, duke siguruar 141 milionë juanë (21.6 milionë dollarë) nga biletat që në fundjavën e parë të shfaqjes në kinematë e pjesës kontinentale të Kinës, dhe 300 milionë juanë (46.1 milionë dollarë) brenda një jave, ndërkohë që në fund vlera e përgjithshme arriti në më shumë se 300 milionë juanë (mbi 107.6 milionë dollarë), duke zënë vendin e pestë për sa u përket fitimeve të një filmi në historinë e kinematografisë kineze dhe duke e bërë Zhao Wei-n regjisoren kineze femër që ka siguruar fitimet më të mëdha nga një film.
Zhao Wei fitoi "Debutimin më të mirë regjisorial" në Çmimet "Gjeli i artë", dhe po ashtu u bë fituesja më e re e regjisë më të mire në Çmimet "Njëqind lulet".
Por, kur e pyet nëse po përgatitet të punojë si regjisore me kohë të plotë, Zhao Wei të përgjigjet: "Ndoshta jo, sepse regjisoret femra shpesh i përkushtojnë shumë kohë punës së tyre, kurse unë ende dua të aktroj. Nuk jam shumë e aftë t'u përkushtohem me gjithë zemër dy gjërave në të njëjtën kohë."
E megjithatë Zhao Wei thotë se një ditë mund t'i thotë lamtumirë edhe aktrimit: "Unë kam tashmë gjithçka që duhet të kem, dhe ajo çfarë bëj tani janë gjërat për të cilat kam interes. Nëse do të vijë dita që do t'i them lamtumirës ekranit, kjo do të ndodhë për shkak se interesat e mia kanë ndryshuar. Unë jam e motivuar më shumë nga interesat sesa nga fama ose pasuria. Për shembull, filmat, këngët, mundësia për të punuar me regjisorë të mëdhenj, të gjitha këto janë gjëra që më japin përvojë dhe më kualifikojnë." Dhe më tej duke buzëqeshur thotë: "Rruga ime nuk ka qenë diçka që e zgjodha vetë për të ndjekur; të tjerët ma përcaktuan rrugën, por askush nuk më mësoi se si ta ndjek atë."
Si një nga yjet më të mëdha të Kinës, Zhao Wei ka fituar miliona nga rolet e saj në kinematografi, por edhe më shumë nga një gamë e jashtëzakonshme reklamash. Ajo ka qenë imazhi i më shumë se 120 produkteve, si produkteve kineze të bukurisë e shëndetit, verës e motoçikletave, si edhe të markave perëndimore si "Mercedes Benz", "DeBeers", "Versace", "Zegna", "Dior", "Jaeger-LeCoultre", "Sony Ericsson" etj.
Në vitin 2001, ajo u zgjodh si një nga modelet "10 Modelet më Popullore të Reklamës" në Kinë. Po atë vit ajo u rendit e dyta në "Listën e 10 artistëve kryesorë të publicitetit në Kinë. Rrjeti qendror televiziv i Koresë së Jugut KBS e renditi Zhao-n të parën në Kinë e Japoni dhe të dytën në Korenë e Jugut, duke e kurorëzuar "Mbretëresha e reklamave në tre vende."
Zhao Wei quhet tashmë "aktorja miliardere", e cila e ka rritur pasurinë e vet nëpërmjet investimeve të zgjuara.Në vitin 2011 Zhao Wei bleu për 4 milionë euro kështjellën e shekullit të 16-të "Monlot" dhe vreshtin e saj, në rajonin Bordo të Francës. Ajo po ashtu ka investuar me sukses në pasuritë e patundshme dhe ka blerë një firmë singaporeane të shitjes me pakicë të bizhuterive, duke e rritur edhe më shumë pasurinë e vet.
(Photo 8)
Por megjithatë, kanë qenë investimet e mprehta në burse që e kanë futur tashmë Zhao Wei-n në "klubin e miliarderëve". Pa dyshim, investimi më i madh dhe më i fitimprurës i Zhao Wei-t ishte ai i bërë në dhjetor 2014 në Grupin "Alibaba Pictures" të listuar në Bursën e Hong-Kongut, të mikut të saj Jack Ma, themeluesi i gjigantit kinez të tregtisë në internet "Alibaba". Në qershor 2014 Jack Ma kishte blerë 61 për qind të aksioneve të një kompanie kinematografike të quajtur "ChinaVision", e cila ishte me humbje prej disa kohësh. Për të rritur vlerën në bursë të investimit të tij, Jack Ma, që ishte një fillestar në biznesin e filmit, i kërkoi Zhao Wei-t të përfshihej në këtë sipërmarrje. Dhe Zhao Wei ia plotësoi dëshirën mikut të vet.
Zhao Wei bleu 9.18 për qind të "Alibaba Pictures" për 3.1 miliardë dollarë hongkongas (afro 400 milionë dollarë amerikanë) nëpërmjet "Gold Ocean Media", një kompani investimi që ajo e zotëron bashkë me të shoqin, Huang Youlong. Ishte pa dy dyshim një lëvizje e zgjuar. Gjashtë muaj më vonë, pas një rritje të ndjeshme të çmimeve të aksioneve në Bursën e Hong-Kongut, kapitalizimi i "Alibaba Pictures" në treg u rrit në 74.3 miliardë dollarë hongkongas (9.6 miliardë dollarë amerikanë), duke i siguruar çiftit një fitim me vlerë 762 milionë $. Bashkë me pasuritë e tjera, çifti Zhao Wei-Huang Youlong ka tashmë mbi 1 miliard dollarë amerikanë.
Zhao Wei ia ka kushtuar një pjesë të kohës dhe të pasurisë së saj çështjes së bamirësisë, nëpërmjet përfshirjes aktive dhe dhurimeve për organizata të tilla si Projekti "Shpresë" i Fondacionit të Rinisë të Kinës, Fondi i Fëmijëve i Kombeve të Bashkuara (UNICEF) dhe Kryqi i Kuq i Kinës. Në vitin 2002, ajo dhuroi 100 000 juanë për Projektin "Shpresë" të Fondacionit të Rinisë të Kinës. Në vitin 2004 Zhao Wei krijoi një fond bursash në Wuhu, vendlindjen e saj.
Pas tërmetit të madh të Sichuan-it në vitin 2008, Zhao Wei dhuroi 100 000 juanë nëpërmjet Kryqit të Kuq të Kinës. Menjëherë më pas ajo dhuroi 500 000 juanë për ndërtim shkollash
Në 29 mars 2010, Zhao i dhuroi 200 000 RMB pushtetit vendor të Yunnan-it, teksa kjo provincë po vuante nga thatësirës më e rëndë gjatë disa dhjetëvjeçarëve të fundit. Në prill, pas tërmetit në provincën Qinghai, Zhao dhuroi 200 000 juanë nëpërmjet Fondacionit për Zbutjen e Varfërisë të Kinës.
Në vitin 2011 Zhao Wei mori Çmimin e Bamirësisë të Kinës për ndihmesën e saj për njerëzit në nevojë.