PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Kina, më shumë rëndësi zhvillimit të gjelbër
2015-12-29 15:21:47 CRI Komenti juaj Printoni

Mjedisi është baza e mbijetesës dhe e zhvillimit të njeriut. Me zhvillimin ekonomik, ndotja e mjedisit është bërë një problem i pashmangshëm në Kinë. Tashmë në vendin më të populluar në botë theksi si kurrë më parë është vënë në mbrojtjen e mjedisit, pakësimin e ndotjes dhe kufizimin e prirjes së keqësimit të gjendjes ekologjike.

Pak kohë më parë Kina miratoi zyrtarisht Planin e 13-të 5-vjeçar për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit. Në këtë dokument zhvillimi i gjelbër është përfshirë ndër pesë konceptet kryesore të zhvillimit të Kinës në pesë vjetët e ardhshëm. Dokumenti kërkon hartimin e një politike bazë për kursimin e burimeve dhe mbrojtjen e mjedisit, si edhe shpejtimin e procesit të ndërtimit të një shoqërie miqësore ndaj mjedisit. Drejtori i Qendrës së Studimit të Politikave Mjedisore dhe Ekonomike pranë Ministrisë së Mbrojtjes së Mjedisit të Kinës Xia Guang është i mendimit se, në pesë vjetët e ardhshëm, zhvillimi i gjelbër do të jetë koncepti që do të orientojë zhvillimin e Kinës.

"Plani i 13-të 5-vjeçar është një projekt që përfshin vënien e ndërtimit të 'qytetërimit ekologjik' në një vend strategjik dhe ndërthurjen e tij me konceptet e tjera kryesore kombëtare. Ky projekt e pasqyron një frymë të tillë. Në planin e 13-të 5-vjeçar, zhvillimi i gjelbër shfaqet si shpirti i zhvillimit të Kinës, prandaj mund të themi që ky projekt është i nivelit të përparuar botëror," thotë Xia Guang.

Që nga Reforma dhe Hapja, e nisur në vitet '80 të shekullit të kaluar, Kina, duke ndjekur strategjinë e ashtuquajtur "Kalim i lumit duke prekur zallin", pra të një reforme graduale, ka bërë përpjekje të mëdha për zhvillimin ekonomik. Mirëpo arritjet e mëdha ekonomike të Kinës janë bërë duke paguar një kosto të rëndë lidhur me mjedisin.

"Në të kaluarën, kemi sakrifikuar mjedisin për zhvillimin ekonomik. Është e vërtetë që kemi arritur disa suksese, por pa përmbushur kërkesat e 'qytetërimit ekologjik'. Prandaj, këtë herë është përfshirë koncepti i zhvillimit të gjelbër, gjë që tregon se orientimi nga vlerat gjatë zhvillimit të përgjithshëm është më i qartë dhe përputhet më mirë me interesat afatgjata të publikut," thotë Xia Guang, specialist në Ministrinë e Mbrojtjes së Mjedisit të Kinës.

Që nga viti 2013, ekonomia kineze është futur në të ashtuquajturën "fazë e re e zakonshme", duke kaluar nga rritja e shpejtë në rritjen e mesme dhe të lartë. Krahas kësaj, po përmirësohet edhe struktura ekonomike dhe nxitës të zhvillimit ekonomik tashmë po bëhen risitë dhe jo investimet. Zv.kryetari i përhershëm i Shoqatës së Studimeve Ekologjike të Kinës Zhu Guangyao shprehet:

"Në qoftë se do të përpiqeshim të përmbushnim kërkesat e tanishme të 'qytetërimit ekologjik' me modelin e vjetër të zhvillimit, ky do të ishte një proces kalimtar shumë i dhimbshëm. Pa një vendosmëri të madhe për ndryshimin e modelit të vjetër, vetëm masat e zakonshme nxitëse nuk mund ta çojnë përpara zhvillimin e gjelbër. Kyçi është vendosmëria. Këto objektiva, si zhvillimi i përtëritshëm, i gjelbër dhe me karbon të ulët, mund të realizohen vetëm po të këmbëngulim pandërprerë."

Guangdong-u i Kinës Jugore është një provincë pilot e zhvillimit ekonomik. Me zhvillimin e shpejtë mbi 30-vjeçar, tani ky gjigant ekonomik është fokusuar te mjedisi. Falë zbatimit të konceptit të zhvillimit të gjelbër, këto dy vjetët e fundit, mjedisi në këtë provincë është përmirësuar ndjeshëm. Kështu, kapaciteti i trajtimit të ujërave të zeza në Guangdong i kalon 20 milionë tonët në ditë, duke përbërë 13 % të kapacitetit të mbarë vendit. Nga ana tjetër, ndër shtatë lumenjtë kryesorë të vendit, lumi Zhujiang që kalon nëpër këtë provincë ka cilësinë më të mirë. Anëtari i Shoqatës Ekologjike të Kinës dhe profesor në Institutin e Shkencave Mjedisore të Universitetit Zhongshan Guan Dongsheng u shpreh:

"Provinca Guangdong ka GDP-në më të madhe në vendin tonë, prandaj niveli i lëshimit të lëndëve ndotëse në këtë provincë është shumë i madh dhe Guangdong-u përballet me një detyrë të vështirë për sa i përket mjedisit. Gjatë Planit të 13-të 5-vjeçar, qeveria kineze ka parashikuar të bëjë investime të mëdha për mbrojtjen e mjedisit dhe Guangdong-u me siguri do të shfrytëzojë këtë rast dhe do të zhvillojë me forcë të madhe sektorët e mbrojtjes së mjedisit, pikërisht për ta ruajtur më mirë mjedisin."

Në fakt, në çdo plan 5-vjeçar të Kinës janë përfshirë jo vetëm treguesit drejtues, por edhe ata kufizues. Me zhvillimin e shpejtë ekonomik dhe rritjen e nivelit të jetesës, treguesit kufizues po fokusohen gradualisht te shërbimet publike, si mbrojtja e mjedisit dhe kursimi i burimeve. Në Planin e 13-të 5-vjeçar, zhvillimi i gjelbër zë një vend më të rëndësishëm se në të kaluarën. Kryetari i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës Xu Shaowu u shpreh:

"I pari është zhvillimi me lëshim të ulët karboni. Ne do të shtojmë përqindjen e burimeve të energjisë jofosile, që në vitin 2014 arriti në 11.1%. Gjithashtu, do të nxitim edhe përdorimin e pastër të qymyrgurit, për të formuar një sistem energjetik të sigurt, me lëshim të ulët karboni dhe efektivitet të lartë. Së dyti, duhet të kursejmë dhe t'i shfrytëzojmë burimet në mënyrë efikase. Kjo kërkon që të shtojmë mbikëqyrjen e treguesve kufizues dhe të shtojmë përmasën dhe forcën e kontrollit. Së treti, punët e menaxhimit duhet të bëhen në bazë të tregut. Duhet të përcaktohen standardet e përdorimit të ujit, të energjisë dhe tokës, si edhe të nisin transaksionet mbi të drejtat e ujit dhe të lëshimit," thotë Xu Shaowu, kryetari i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës.

Me zhvillimin ekonomik e shoqëror, përveç pasurimit, edhe mjedisi i gjelbër dhe natyra e bukur janë një tregues kryesor i lumturisë së qytetarëve. Bashkekzistenca harmonike me natyrën dhe zhvillimi i gjelbër janë bërë motimet e zhvillimit të tanishëm dhe të ardhshëm të Kinës. Konceptet e mbrojtjes së mjedisit dhe të zhvillimit të vazhdueshëm të Kinës janë pohuar edhe nga shumë personalitete të huaja, si p. sh. nga ish-kryeministri italian Mario Monti.

"Unë mendoj që bashkërendimi dhe ekulibrimi janë faktorët kyç të zhvillimit të vazhdueshëm, qoftë për ekonominë kineze, qoftë për ekonominë botërore. Mendoj se është shumë e rëndësishme që Kina po i kushton rëndësi këtij drejtimi. Kjo do të jetë në të mirë të ekuilibrimit të zhvillimit ekonomik me mbrojtjen e mjedisit," thotë Monti, ish-kryeministri italian.

Në fjalën e vet në Konferencën e 21-të të OKB-së për Ndryshimin e Klimës, presidenti kinez Xi Jinping paraqiti konceptet dhe projektet e Kinës për përballimin e ndryshimit të klimës. Ai u shpreh se, në përballimin global të ndryshimit të klimës, Kina po shndërrohet nga një pjesëmarrëse pasive në një projektuese aktive.

"Kina në 'Kontributin e pavarur kombëtar' ka paraqitur objektivin që rreth vitit 2030 të arrihet niveli maksimal i lëshimit të dioksidit të karbonit dhe që të bëhen përpjekje që në vitin 2030 niveli i lëshimit të dioksidit të karbonit për njësi të GDP-së të ulet me 60-65 % krahasuar me vitin 2005. Në konsumin e energjive, energjitë jofosile do të zënë rreth 20 % të konsumit të përgjithshëm. Vëllimi i burimeve pyjore do të rritet me 4.5 miliardë metra kubë krahasuar me vitin 2005. Megjithëse do të nevojiten përpjekje të mëdha, kemi besim dhe vendosmëri për realizimin e premtimeve tona," u shpreh presidenti kinez Xi Jinping në Konferencën e 21-të të OKB-së për Ndryshimin e Klimës. (Jiang Lei)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China