20151222FEshanghe |
Ditët e fundit u zhvillua në Zhengzhou të Kinës Qendrore takimi i 14-të i kryeministrave të vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh). Objektivat e këtij takimi ishin thellimi dhe zgjerimi i bashkëpunimit mes vendeve anëtare të OBSh-së në tregti, investime, financë e komunikacion, dhe diskutimi për ndërthurjen e nismës së Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik. Ekspertët janë të mendimit se shumica e vendeve anëtare të OBSh-së janë vende të rëndësishme të Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe bashkëpunimi ekonomik mund t'i sjellë raste dhe dinamizëm të ri kësaj organizate ndërkombëtare. Në të ardhmen, vendet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait do të eksplorojnë aktivisht modelin e ri të bashkëpunimit me përfitime të ndërsjellta, për të nxitur zhvillimin e Europës dhe Azisë.
Që nga krijimi i saj në vitin 2001, Organizata e Bashkëpunimit të Shangait ka pasur arritje të mëdha në bashkëpunimin në fushën e sigurisë, por në fushën ekonomike kjo organizatë vlerësohet se nuk i ka shfrytëzuar plotësisht potencialet e veta. Për këtë arsye, bashkëpunimi konkret ekonomik është bërë prej vitesh objektivi dhe konsensusi i kësaj organizate. Në muajin shtator të vitit 2013, presidenti i Kinës Xi Jinping shpalli për herë të parë konceptin strategjik të Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit, duke ofruar një ide të re për bashkëpunimin ekonomik mes vendeve anëtare të OBSH-së. Drejtori i Departamentit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Institutin e Studimeve të Ekonomisë Ndërkombëtare pranë Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës Zhang Jianping vë në dukje se Kina dhe vendet e tjera anëtare të OBSh-së kanë pasur arritje të dukshme në bashkëpunimin në fushën e infrastrukturës dhe të prodhimit industrial.
"Tani Kina dhe Rusia kanë filluar në mënyrë të gjithanshme bashkëpunimin në prodhimin industrial. Kështu, për shembull, të dyja vendet kanë studiuar dhe prodhuar bashkërisht aeroplanin gjigant komercial. Kompanitë kineze dhe ruse kanë bërë studimin paraprak të përbashkët për ndërtimin të hekurudhës së shpejtësisë së lartë në Rusi. Kina dhe Kazakistani kanë bashkëpunuar në shumë sektorë industrialë, si në metalurgjinë e zezë, prodhimin e çimentos, qelqit, lëndëve të ndërtimit etj. Krahas kësaj, në vitet e fundit, Kina ka pasur bashkëpunim të frytshëm me disa vende të tjera të këtij rajoni në infrastrukturë, si edhe në ndërtimin e rrjetit elektrik dhe të transmetimit të energjisë. Një shembull është kompania TBEA, e cila ka ndihmuar në ndërtimin e rrjetit të transmetimit të energjisë në largësi të madhe në Azinë Qendrore," thotë Zhang Jianping, drejtori i Departamentit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Institutin e Studimeve të Ekonomisë Ndërkombëtare.
Sipas të dhënave përkatëse, vëllimi i tregtisë mes Kinës dhe vendeve të tjera të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në vitin 2014 arriti në 130 miliardë dollarë amerikanë, mbi 10 herë më shumë se në vitin 2001, kur ishte vetëm 12 miliardë dollarë. Tani, investimet kineze në vendet anëtare të OBSh-së i kanë kaluar 70 miliardë dollarët amerikanë, ndërkohë që vendet e tjera anëtare të OBSh-së kanë bërë investime prej më shumë se 1 miliard dollarësh në tregun kinez. Lidhjet ekonomiko-tregtare mes Kinës dhe vendeve të tjera të OBSh-së kanë nxitur bashkëpunimin dhe shkëmbimet kulturore, shkencore, arsimore e njerëzore. Një gjë e tillë përputhet edhe me konceptin e "5 lidhjeve" të paraqitur në bazë të strategjisë "Një Brez dhe Një Rrugë". Sekretari i përgjithshëm i Qendrës Studimore të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait pranë Akademisë së Shkencave të Kinës, Sun Zhuangzhi, është i mendimit që Brezi Ekonomik i Rrugës së Mëndafshit do t'i sjellë më shumë mundësi OBSh-së dhe në të ardhmen do të nxitë zhvillimin e Euroazisë. Krahas kësaj, ai mendon se Organizata e Bashkëpunimit të Shangait mund të japë garanci për sistemin e bashkëpunimit të Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit.
"Organizata e Bashkëpunimit të Shangait dhe Brezi Ekonomik i Rrugës së Mëndafshit mund të përparojnë në mënyrë të përbashkët. Ndërkohë, falë disa nismave të përbashkëta, bashkëpunimi ekonomik mes vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait mund të arrijë shumë shpejt në një nivel më të lartë," thotë Sun Zhuangzhi, sekretari i përgjithshëm i Qendrës Studimore të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait pranë Akademisë së Shkencave të Kinës.
Në majin e sivjetshëm, presidenti i Kinës Xi Jinping dhe homologu i tij rus Vladimir Putin nënshkruan "Deklaratën e përbashkët për lidhjen e Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik", duke institucionalizuar konceptin e zhvillimit ekonomik rajonal afatgjatë. Për realizimin e kësaj lidhjeje strategjike, Organizata e Bashkëpunimit të Shangait padyshim është një platformë e rëndësishme. Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait Dmitry Mezentsev është i mendimit se nisma kineze e Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit përshtatet me kërkesat e përbashkëta të vendeve të rajonit dhe është në të mirë të zhvillimit të mbarë Euroazisë. Në të ardhmen, vendet përgjatë Rrugës së Mëndafshit duhet të gjejnë një model zhvillimi me bashkëpunim me përfitime të ndërsjella.
"Nisma e Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit është një makrokoncept. Ajo është një strategji largpamëse. Në fazën e ardhshme, palët duhet të përparojnë më tej, dhe në këtë drejtim ka ende shumë punë për të bërë. Ne duhet të koordinojmë konceptin e Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit me projektet dhe strategjitë e zhvillimit afatgjatë të vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait. Ne duhet të marrin parasysh në mënyrë harmonike dhe të plotë interesat e vendeve anëtare, e sigurisht edhe objektivat e zhvillimit afatgjatë," thekson Mezentsev.
Tani prodhimi i brendshëm bruto i vendeve anëtare të OBSh-së është afro 13 trilionë dollarë amerikanë. Vëllimi i tregtisë mes këtyre vendeve është i vogël, por potenciali është shumë i madh. Pjesëmarrësit në takimin e kryeministrave të OBSh-së ranë dakord për nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit tregtar në këtë rajon. Kryeministri kinez Li Keqiang vë në dukje:
"Në takimin e kryeministrave të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait u arrit konsensus që të nxiten ministrat e tregtisë të vendeve anëtare që ndodhen brenda kornizës së OBT-së, që të studiojnë thellë masat efikase për lehtësimin dhe liberalizimin e tregtisë e të pagesave doganore."
Përveç platformës lidhur me tregtinë, kryeministri kinez propozoi edhe krijimin e një platforme mbi bashkëpunimin njerëzor. Qeveria kineze ka marrë vendim që, në pesë vjetët e ardhshëm, t'u ofrojë 20 mijë bursa shtetërore për të studiuar në Kinë të rinjve nga vendet anëtare të OBSH-së. Udhëheqësit e këtyre vendeve anëtare u shprehën në këtë takim se janë të gatshëm për të bashkërenduar përpjekjet për të zbatuar konsensusin e arritur, për të shfrytëzuar sa më mirë mekanizmat e ndryshëm dhe për të nxitur bashkëpunimin infrastrukturor, tregtar, financiar dhe kulturor. (Jiang Lei)