20151222-hp |
Kina i ka dhënë fund mbizotërimit të Japonisë në Azi për sa u përket eksporteve të teknologjisë së lartë, ka bërë të ditur ditët e fundit Banka Aziatike e Zhvillimit. Pjesa e Kinës në eksportet e mallrave të teknologjisë së lartë nga Azia, të tilla si instrumente mjekësore dhe pajisje aeroplanësh e telekomunikacioni, u rrit në 43.7 për qind në vitin 2014, nga 9.4 për qind në vitin 2000, kurse pjesa e Japonisë ra në 7.7 për qind vitin e kaluar, nga 25.5 për qind që ka qenë në vitin 2000.
Ky ndryshim shifrash tregon suksesin që ka arritur Kina në bërjen e risive dhe teknologjisë motorët kryesorë të rritjes së saj ekonomike, teksa përpiqet të ngrihet në zinxhirin e vlerës së prodhimit.
Ekspertët vërejnë se Kina është bërë tashmë mjaft konkurruese dhe ka një forcë pune mjaft të kualifikuar, teksa kompanitë kineze po i kushtojnë një rëndësi gjithnjë e më të madhe kërkim-zhvillimit dhe risive.
Dronat, smartfonat, e madje edhe trenat e shpejtësisë së lartë të prodhuar nga Kina, janë bërë të njohur në shkallë ndërkombëtare dhe numri i kompanive në sektorin e prodhimit të produkteve të teknologjisë së lartë është trefishuar gjatë 15 vjetëve të fundit, duke arritur tani në pothuajse 30 000, nga më pak se 10 000 në vitin 2000. Një prej këtyre kompanive është edhe ajo e themeluar dhe e drejtuar nga Jiang Bin-i, "GoerTek", që është ndër prodhueset më të mëdha në botë të pajisjeve akustike dhe furnizuese e disa prej gjigantëve botërorë, si "Apple", "Samsung", "Nokia", "Panasonic", "Sony", "Google", "Microsoft" etj.
Në vitin 1978 udhëheqësi i atëhershëm kinez Ten Hsiao Pin vizitoi personalisht një uzinë prodhimi televizorësh të "Panasonic"-ut në Osaka të Japonisë, ku u takua me themeluesin e gjigantit japonez Konosuke Matsushita. Ten Hsiao Pin i kërkoi Konosuke Matsushitës të ndihmonte në modernizimin e sektorit të pajisjeve elektrike dhe elektronike të Kinës. Shumë shpejt teknikët kinezë nisën të mësonin se si i prodhonte "Panasonic"-u orizgatueset, ventiluesit e ajrit dhe radiot me tranzistorë.
Por Jiang Bin-i do të shkonte një hap më tej, duke ndjekur filozofitë e biznesit të Matsushitës dhe duke i zbatuar ato në mënyrë krijuese. Dhe dy vjet më parë krijuesi dhe kryetari i kompanisë "GoerTek" ishte një ndër dhjetë njerëzit më të pasur në pjesën kontinentale të Kinës.
Jiang Bin-i ka lindur në vitin 1965 në Weifang të provincën lindore kineze Shandong. Studimet e larta i ndoqi në Universitetin e Aeronautikës dhe të Astronautikës të Pekinit, po shpesh i linte leksionet dhe shkonte në bibliotekë, ku lexonte libra nga më të ndryshmit, sepse ishte një i ri shumë kureshtar dhe me interesa të gjera.
Pas diplomimit në vitin 1987, Jiang Bin-i nisi punë në një ndërmarrje të përbashkët mes bashkisë së Weifang-ut dhe një kompanie japoneze produktesh elektronike, ndërmarrje që merrej me prodhimin e mikrofonave. Megjithatë, në fillim të viteve '90 të shekullit të kaluar, pas nëntë vjetësh pune aty, i pakënaqur, siç thotë, "duke i mbajtur çantën bosit", Jiang Bin-i vendosi të krijojë bashkë me disa ortakë të tjerë firmën e vet të prodhimit të mikrofonave.
Pakkush e priste që firma e re dhe e vogël shpejt do të fillonte të ishte fitimprurëse, por më pas, me gjithë suksesin, fatkeqësisht ajo u shpërbë, për shkak se Jiang Bin-i nuk arriti t'i bindte dot partnerët e vet të biznesit për një zgjerim më të shpejtë.
Jiang Bin-i vendosi që të krijojë një kompani të re. Dhe kështu në qershor të vitit 2001, bashkë me të shoqen, Hu Shuangmei, ai themeloi kompaninë IEA, pararendësen e "Goertek"-ut. Firma nisi si një biznes i vogël familjar. Jiang Bin-i përdori aftësitë e tij teknike dhe përvojën e njohjen e sektorit, ndërsa e shoqja u mor me anën operacionale dhe marketingun. Në vitin 2005 edhe vëllai i vogël i Jiang Bin-it, Jiang Long, i sapodiplomuar, do t'i bashkohej kompanisë, për të drejtuar njësinë e marketingut dhe të shitjeve jashtë vendit.
Kompania kishte vetëm rreth 10 punëtorë. Në vitin 2002 IEA bleu një linjë moderne prodhimi, ndërsa dy vjet më pas do të krijonte në mënyrë të pavarur linjën e vet të prodhimit. Jiang Bin-i u fokusua në tërheqjen e shumëkombësheve, duke përfshirë edhe vetë "Panasonic"-un. Me kalimin e kohës IEA u bë një ndër kompanitë më të mëdha prodhuese të mikrofonave në Kinë.
Më 9 gusht 2007 IEA u ripagëzua si "GoerTek" dhe Jiang Bin-i mori detyrën e kryetarit të bordit e të menaxherit të përgjithshëm, e shoqja të zv.menaxheres së përgjithshme, ndërsa i vëllai nisi të shërbente si zv.kryetar i bordit. Ky nuk ishte thjesht një ndryshim emri, por nënkuptonte se kompania do të ishte e orientuar drejt tregut, dhe më e fokusuar në kërkimin tekniko-shkencor, për t'u siguruar klientëve të vet produkte më cilësore. "GoerTek"-u i kushtoi një vëmendje të madhe cilësisë, por duke hedhur bazat për zhvillimin e mëtejshëm.
Jiang Bin-i vendosi ta ngushtojë sferën e biznesit të kompanisë së vet, duke e specializuar atë në prodhimin e mikrofonave për "Bluetooth"-in dhe të mikrofonave në miniaturë. Ishte një vendim i mençur, ngase popullarizimi i smartfonave do të sillte një rritje të ndjeshme të biznesit të "Goertek"-ut. Në vitin 2008, shtatë vjet pasi u themelua, "GoerTek"-u u kuotua në Bursën e Shenzhen-it. Një vit më pas, edhe pse biznesi përjetoi rënie, për shkak të krizës ekonomike e financiare globale, Jiang Bin-i arriti ta ruajë të qëndrueshme vijimësinë në kompaninë e vet. Në mars të atij viti, "GoerTek"-u nënshkroi një marrëveshje strategjike bashkëpunimi me "Plantronics Bluetooth"-in. Prodhimi i të gjitha mikrofonave "Bluetooth" u kalua nga "Plantronics" te "GoerTek", që u bë kështu një kompani udhëheqëse në prodhimin e "Bluetooth"-ëve në botë, ndërkohë që Jiang Bin-i u pagëzua si "Mbreti i "Bluetooth"-it i Kinës.
Gjatë pesë vjetëve pas kuotimit në bursë kapitalizimi i tregut i "Goertek"-ut do të rritej më shumë se 500 herë, duke e bërë këtë kompani një ndër më të suksesshmet në bursat kineze. Tani vlera e "GoerTek"-ut i kalon 50 miliardë juanët. "GoerTek" ka tashmë vlerën më të madhe të tregut ndër kompanitë e produkteve akustike në bursat kineze.
Jiang Bin-i thotë se ajo që ai e quan në mënyrë të figurshme "ndërtimi i urave" ka qenë forca kryesore konkurruese e "GoerTek"-ut. "Ura" më e rëndësishme, sipas tij, është nevoja për të investuar në një masë të madhe në kërkim-zhvillim. "GoerTek"-u shpenzon rreth 10 % të të ardhurave të veta në kërkim-zhvillim, një përqindje mjaft e lartë kjo, po të kesh parasysh që kompanitë e tjera harxhojnë mesatarisht diku te 2 %. Në vitet e fundit "GoerTek-u ka investuar rreth 300 milionë juanë në vit për kërkim-zhvillim, ndërsa planifikon që në vitet e ardhshme të vërë deri në 1 miliard në vit në funksion të kërkim-zhvillimit.
Pikërisht kjo vendosmëri në kërkimet teknologjike ka bërë që përgjatë viteve të zhvillimit të vet e të grumbullimit të përvojës "GoerTek"-u të formojë një bazë klientësh të nivelit të lartë, ndër të cilët "Samsung", "Apple", HP, "Cisco", "China Unicom", LG, "Panasonic", "Siemens", "Foxconn", "Flextronics", "Asus", "Lenovo", "Kyocera", ZTE, "Plantronics", "Harman", "Logitech" etj.
Në fillimet e veta parulla e "GoerTek"-ut ishte "Të mësojmë nga 'Panasonic'-u", sepse "Panasonic"-u ishte në atë kohë kompani udhëheqëse në industrinë e prodhimit të mikrofonave, ndërsa tashmë "Panasonic"-u është bërë një ndër klientët më të rëndësishëm të "GoerTek"-ut. Një e treta e të ardhurave të kompanisë së krijuar e të udhëhequr nga Jiang Bin-i llogaritet se vjen pikërisht nga gjiganti japonez. Jiang Bin-i tregon se "GoerTek"-u siguroi 101 nga 102 pikët e mundshme kur "Panasonic"-u e inspektoi për certifikatën mjedisore. "Drejtuesit e 'Panasonic'-ut u shprehën se ne kishim dalë më mirë edhe se disa prej degëve të tyre," vëren Jiang Bin-i.
"GoerTek"-u ka tashmë degë në Pekin, Shenzhen, Hong-Kong, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Korenë e Jugut, Vietnam etj. Në qershorin e sivjetshëm "Goertek"-u krijoi një degë në Danimarkë dhe një ndërmarrje të përbashkët në Suedi, për të zgjeruar biznesin e vet në Europë.
Që nga themelimi në vitin 2001, "GoerTek" ka kanë vazhdimisht një kompani e konsoliduar me një rritje të qëndrueshme dhe të shpejtë. Në fund të vitit 2013, si vlera e përgjithshme e pasurive të kompanisë, ashtu edhe të ardhurat nga shitjet arritën në më shumë se 10 miliardë juanë (mbi 1.5 miliardë dollarët amerikanë).
"Kultura e cilësisë" është filozofia e biznesit e Jiang Bin-it. Që në fillimet e "GoerTek"-ut Jiang Bin-i paraqiti moton që kompania do të kishte "talente të klasit të parë që do të prodhonin produkte të klasit të parë, duke u ofruar klientëve shërbime të klasit të parë".
"GoerTek" renditet në krye në tregut si në Kinë, ashtu edhe në botë për sa u përket të ashtuquajturve mikrofona miniaturë ose mikrofona trupi, pra mikronave që përdoren në televizion, në teatër a në të folurit publik, e që së fundi janë edhe aksesorë të celularëve e smartfonave. Vëllimi i biznesit të prodhimit me dizajn origjinal i kufjeve të "Bluetooth"-it dhe i biznesit të prodhimit të syzeve 3D të kësaj kompanie zënë vendin e parë në botë.
"GoerTek" përfshihet ndër 100 sipërmarrjet kryesore në pjesën kontinentale të Kinës dhe në Hong-Kong, duke zënë vendin e 26-të në vitin 2013, si edhe e gjashta ndër 100 kompanitë kryesore elektronike të Kinës, ndërkohë që në vitin 2011 kësaj kompanie iu dha një titull nderi si kompania numër një ndër 100 kompanitë e kuotuara në bursë në Kinë.
"GoerTek"-u ka marrë gjithashtu shumë çmime, si çmimin kombëtar "Model biznesi i industrisë së informacionit elektronik" në Kinë, "Çmimin e risive në prodhim", "Çmimin e rritjes më të shpejtë në sektorin e teknologjisë së lartë", "Çmimin e shërbimit më të mirë për konsumatorin", "Çmimin e cilësisë të guvernatorit të provincës Shandong", "Çmimin e progresit tekniko-shkencor të provincës Shandong" dhe një numër çmimesh të tjera.
"GoerTek"-u ka krijuar një partneritet strategjik afatgjatë me shumë institucione kërkimore dhe universitete të njohura, të tilla si Instituti i Akustikës i Akademisë Kineze të Shkencave, Universiteti "Qinghua", Universiteti i Nankinit, Universiteti i Postë-Telekomunikacionit i Pekinit, Universiteti i Shandong-ut dhe kështu me radhë. "GoerTek"-u u është përkushtuar kërkimeve bazë në fushën e teknologjisë elektro-akustike, teknologjive të reja të përparuara dhe krijimit të produkteve të reja. Kompania "GoerTek" ka ngritur në bashkëpunim me Institutin e Akustikës të Akademisë Kineze të Shkencave Laboratorin e Akustikës së Komunikimit, Laboratorin e Përbashkët të Teknologjisë së Komunikimit në bashkëpunim me Universitetin e Postë-Telekomunikacionit të Pekinit, Qendrën e Sipërmarrjes Teknologjike të Provincës së Shandong-ut, Qendrën e Kërkimeve të Inxhinierisë së Zërit të Provincës së Shandong-ut, si edhe një numër laboratorësh të përbashkët inxhinierikë në shkallë kombëtare e lokale, e po ashtu edhe institucione të tjera kërkimore-shkencore.
Kompania "GoerTek" është shumë e përkushtuar ndaj përmirësimit të aftësive të pavarura të krijimit të risive, përparimit të të ashtuquajturit "integrim vertikal", duke zgjeruar thellësinë e zinxhirit industrial, në bashkëpunimin me klientë të nivelit të lartë ndërkombëtarë dhe shfrytëzimit të talenteve. Kompania e krijuar dhe e drejtuar nga Jiang Bin-i kap aktivisht rastet që ofrohen nga zhvillimi i madh i tregut të produkteve elektronike të konsumit, duke u integruar thellësisht në zinxhirin global të industrisë së produkteve të nivelit të lartë. Për këtë qëllim "GoerTek"-u ka përshpejtuar krijimin e risive teknologjike, duke përvetësuar si vlera të saj themelore "ndershmërinë, pragmatizmin, pozitivitetin e novacionin" dhe duke synuar të bëhet ofruesi më i madh i produkteve të zërit në botë.
Në vitin 2013 Jiang Bin-i u rendit i dhjeti në "Listën e njerëzve më të pasur në pjesën kontinentale të Kinës" me 6.1 miliardë dollarë, duke u ngjitur 19 vende krahasuar me një vit më parë, 2012, në saje të rritjes 53 % të vlerës së aksioneve të "GoerTek"-ut në bursë. Po atë vit Jiang Bin u përfshi në listën e 50 kryezyrtarëve ekzekutivë me ndikim më të madh në Kinë të revistës "Forbes". Vitin e kaluar Jiang Bin-i ishte ndër 10 sipërmarrësit e teknologjisë së lartë më të pasur në Kinë. Tani pasuria e 50-vjeçarit llogaritet në 3.9 miliardë dollarë amerikanë.
Jiang Bin-i gjithashtu ka krijuar edhe një fondacion bamirës për të ndihmuar familjet e punonjësve të kompanisë së tij, si edhe banorët në zonat e prekura nga fatkeqësitë.