20151215FE |
Këshilli i Shtetit i Kinës kohët e fundit kërkoi në një mbledhje të tij që të përshpejtohet procesi i përmirësimit të teknologjisë së ndërmarrjeve, për ta ngritur nivelin e tanishëm të prodhimit. Në këtë mbledhje u shpallën një varg projektesh të rëndësishme të përmirësimit teknologjik, me synimin që produktet kineze të ngrihen në një nivel më të lartë teknologjik.
Tani sektori i manifakturës në Kinë po vijon të përballet me problemin e mbikapacitetit. Sektorët tradicionalë, si industria e lehtë, metalurgjia e zezë, industria tekstile dhe ajo e lëndëve të ndërtimit, janë ndikuar në mënyrë të dukshme.
Studiuesi i Institutit Studimor pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës Yuan Gangming vë në dukje se tani, vetëm me uljen e kostos dhe të çmimit të mallrave, kompanitë nuk mund të dalin jashtë fazës së ngadalësimit të rritjes, kështu që ato duhet të marrin parasysh zhvillimin afatgjatë, duke u bazuar në një nivel më të lartë teknologjik. )
"Nga ana e përgjithshme, kompanitë duhet të kalojnë nga faza me zhvillim intensiv dhe shpenzime të mëdha në një fazë me teknologji të lartë, njohuri të reja dhe risi. Kështu, duhet të përpiqemi për rregullimin e sektorit të manifakturës, veçanërisht lidhur me përmirësimin teknologjik. Edhe në vendet që kanë pasur sukses, si Koreja e Jugut dhe Japonia, ka ekzistuar një gjendje e tillë dhe më pas ato janë futur në një fazë zhvillimi me teknologji e cilësi të lartë dhe risi të shumta. Ky është problemi që po përballojmë tani," thotë Yuan Gangming.
Në kushte të tilla, Këshilli i Shtetit i Kinës ka marrë vendim të japë mbështetje për përmirësimin e teknologjisë në sektorët tradicionalë, si industria e lehtë, metalurgjia e zezë, industria tekstile dhe industria e lëndëve të ndërtimit. Kështu, efektiviteti i prodhimit dhe cilësia e pajisjeve do të rriten në një nivel të lartë dhe kostoja do të ulet më tej. Kjo pa dyshim është një gjë e mirë për ndërmarrjet që ndodhen në gjendje të vështirë, si edhe për ekonominë kombëtare.
Kryeministri kinez Li Keqiang kërkoi në mbledhjen e Këshillit të Shtetit që procesi i ngritjes së nivelit teknologjik duhet të jetë i orientuar nga gjendja e tregut. Ai shpalli shumë masa konkrete, si lehtësimi i procedurave para zbatimit të projektit, nxitja e shqyrtimeve të përbashkëta, publikimi i udhëzimeve për përmirësimin teknologjik, planifikimi i projekteve kryesore të përmirësimit teknologjik dhe përsosja e sistemit të stimujve me garantim të financimit dhe dëmshpërblimit për rreziqet. Krahas tyre, qeveria do të nxitë ndërmarrjet të shfrytëzojnë politikat e ndryshme, si ato të novacionit masiv, financimit në grup dhe mbështetjes masive.
Liu Xuezhi nga Qendra e Studimeve Financiare e Bankës së Komunikacionit të Kinës shprehet që, në kushtet e tanishme, një gjë e tillë është pozitive për disa sektorë. Tani sektorët tradicionalë, si metalurgjia e zezë dhe industria e lëndëve të ndërtimit, përballen me presione të mëdha menaxhimi. Publikimi i këtyre masave dhe politikave ka treguar drejtimin e zhvillimit, duke ofruar hapësira të reja zhvillimi.
Lidhur me këto masa mbështetëse, studiuesi i Institutit Studimor të Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës Yuan Gangming u shpreh se publikimi i tyre tregon që qeveria kineze po krijon lehtësi për përmirësimin dhe risitë teknologjike të kompanive, si edhe financimin e tyre:
"Për shembull, vendi ynë ka pasur përparim të dukshëm në mbështetjen për krijimin e risive. Pjesa e fondeve të kërkim-zhvillimit në të ardhurat është rritur në 2%, por përsëri ky mbetet një nivel ende i ulët në krahasim me kompanitë e disa vendeve të tjera. Në disa kompani me nivel të lartë krijimi risish, fondet për kërkim-zhvillim mund të zënë 5% e madje 10% të të ardhurave të tyre. Prandaj në mbledhjen e tij Këshilli i Shtetit u përpoq të zgjidhë problemin e fondeve. Nëse kompanitë kanë nevojë për krijim risish, qeveria do të marrë masa të ndryshme, duke përfshirë ato tradicionale, si kredi bankare dhe financim të drejtpërdrejtë. Krahas kësaj, Këshilli i Shtetit ka paraqitur disa masa të reja, si financimi në grup dhe novacioni masiv. Kështu, mund të shfrytëzohen fondet në mënyrë më të shkathët."
Në këtë mbledhje Këshilli i Shtetit i Kinës vendosi gjithashtu fokusimin në fushat kryesore të programit "Made in China 2025", mbështetjen për luajtjen e rolit kryesor nga kompanitë, bazimin në parimin mbështetës dhe kufizues, orientimin nga tregu dhe synimin për shtimin e cilësisë dhe fitimeve. Përballë këtyre masave dhe mundësive të reja, çfarë duhet të bëjnë kompanitë për të shtuar aftësinë e novacionit të pavarur dhe konkurrimit? Lidhur me këtë, drejtorja e Departamentit të Ekonomisë Botërore pranë Institutit të Studimit të Marrëdhënieve Moderne Ndërkombëtare të Kinës Chen Fengying thotë:
"Plani i 13-të 5-vjeçar është një plan për fazën e ndryshimit. Kjo do të thotë që koncepti i zhvillimit po ndryshon dhe politikat po ndryshojnë. Kompanitë duhet patjetër të bëjnë hulumtime në këtë drejtim. Së dyti, kompanitë duhet të kërkojnë hapësira të reja zhvillimi sipas aftësive dhe nevojave të tyre. Çdo biznes ka gjendje të ndryshme. Projekti 'Internet+' është një ide shumë e mirë dhe ka potencial të madh, mirëpo kompanitë kanë kushte të ndryshme, prandaj duhet menduar si mund të ndërthuret faza e re me sektorët tradicionalë. Kjo kërkon aftësi në krijimin e risive."
Kryeekonomisti i kompanisë së sigurimeve "Huaxin" pranë grupit "Morgan Stanley", Zhang Jun, analizon që tani Kina po fokusohet te reformat strukturore dhe është i mendimit se reformat duhet të përqendrohen tek oferta.
Zhang Jun-i thotë që shpejtimi i rregullimit në sektorin e prodhimit është një pjesë e rëndësishme për ruajtjen e rritjes së mesme dhe të lartë gjatë procesit të ndryshimit të zhvillimit ekonomik. Sipas Zhang, duke u nisur nga perspektiva afatshkurtër, fokusi duhet të vendoset te konsumi dhe të inkurajohen investimet në kapitalet fikse, ndërsa nga perspektiva afatmesme ose afatgjatë, përqendrimi duhet të jetë tek oferta dhe duhet të shtohet produktiviteti nëpërmjet ristrukturimit të sektorit të manifakturës. Në këtë mënyrë, ekonomia kineze nuk do të ketë probleme të shkaktuara nga ulja e krahëve të punës, e prodhimit dhe e kapitaleve.
(Jiang Lei)