PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
RMB-ja, monedhë e re ndërkombëtare
2015-12-08 09:48:41 CRI Komenti juaj Printoni

Bordi drejtues i Fondit Monetar Ndërkombëtar miratoi përfshirjen e monedhës kineze RMB në shportën e re të monedhave të Së drejtës së Veçantë të Tërheqjes (SDR), që do të hyjë zyrtarisht në fuqi më 1 tetor të vitit 2016. Ekspertët janë të mendimit që përfshirja e RMB-së në SDR do të shpejtojë më tej procesin e ndërkombëtarizimit të monedhës kineze.

Në një deklaratë të saj FMN-ja ka theksuar se RMB-ja plotëson të gjitha kriteret ekzistuese për të qenë pjesë e shportës monetare SDR dhe do të përdoret si monedhë ndërkombëtare bashkë me dollarin amerikan, euron, jenin japonez dhe paundin britanik.

Në këtë deklaratë thuhet gjithashtu se shporta e re do të hyjë në fuqi më 1 tetor të vitit të ardhshëm për të garantuar që të ketë kohë të mjaftushme për ndryshimet e reja. Vlera e SDR-së do të përcaktohet nga mesatarja e ponderuar e të pesë monedhave ndërkombëtare.

FMN-ja ka theksuar se, me hyrjen edhe të juanit kinez, SDR-ja do të jetë më e shumëllojshme dhe mund të përfaqësojë të gjitha monedhat kryesore të botës, gjë që do të shtojë forcën tërheqëse të SDR-së si rezervë monetare.

Drejtorja Menaxhuese e FMN-së Christine Lagarde e ka quajtur hyrjen e RMB-së në shportën SDR si një ngjarje historike për sistemin financiar ndërkombëtar dhe si një njohje nga FMN-ja e arritjeve të Kinës në reformat në sistemin monetar dhe financiar:

"Qeveria kineze vitet e fundit ka filluar ndryshimin e modelit të zhvillimit ekonomik të orientuar nga tregu dhe përfshirja e RMB-së në shportën monetare të Të drejtave të Veçanta të Tërheqjes është një gur kilometrik."

Kreu i FMN-së shtoi gjithashtu se një vit më parë ajo ndoshta do të kishte rezervat e veta ndaj përfshirjes së RMB-së në shportën SDR, por tashmë Kina ka bërë një sërë reformash të mëdha, si liberalizimi i kursit të këmbimit dhe shtimi i transparencës mbi të dhënat ekonomike. Kështu, përfshirja e RMB-së në SRD është miratim nga FMN-ja i reformave të Kinës në sistemin e vet monetar dhe financiar.

"Kjo është një njohje nga FMN-ja e reformave të zbatuara, si edhe e atyre që do të zbatohen, në Kinë," thotë Lagarde.

Znj. Lagarde theksoi se vazhdimi dhe thellimi i përpjekjeve në këtë drejtim do të krijojë një sistem më të fortë monetar e financiar ndërkombëtar dhe do të mbështetë rritjen e stabilitetin e ekonomisë kineze dhe të asaj botërore. Nga ana e tij, studiuesi i Qendrës së Shkëmbimeve Ekonomike Ndërkombëtare të Kinës Wang Jun është i mendimit se përfshirja e RMB-së në shportën SDR tregon vlerësimin e monedhës kineze nga tregu ndërkombëtar dhe vendet e zhvilluara.

"Një gjë e tillë simbolizon që RMB-ja ka fituar njohjen nga tregu ndërkombëtar, veçanërisht nga vendet e zhvilluara, duke forcuar statusin e vet ndërkombëtar dhe duke shtuar të drejtën e fjalës dhe ndikimin e vendit tonë në financat ndërkombëtare. Krahas kësaj, një numër më i madh vendesh do të mbajnë RMB. Në të ardhmen, kjo do të shtojë përdorimin e RMB-së në veprimtarinë ekonomike ndërkombëtare, si përcaktimi i çmimeve, pagesat dhe investimet," thotë Wang Jun.

Që nga viti 2010, FMN-ja ka shqyrtuar mundësinë e përfshirjes së RMB-së në SDR. Qysh prej asaj kohe, Kina ka marrë një sërë masash për shpejtimin e ndërkombëtarizimit të monedhës së saj. Veçanërisht sivjet, qeveria kineze ka shpallur një sërë masash konkrete, si publikimi i rezervës valutore, hapja e tregut të letrave me vlerë dhe tregut valutor për bankat qendrore të vendeve të tjera, përmirësimi i sistemit të përcaktimit të vlerës mesatare të RMB-së dhe përdorimi i standardit të FMN-së mbi publikimin e të dhënave. Këto masa kanë hequr pengesat teknike për hyrjen e RMB-së në shportën SDR dhe kanë lëshuar një sinjal pozitiv se Kina është e vendosur në reformat financiare dhe hapjen e tregut të kapitaleve, duke fituar vlerësimin e institucioneve dhe të investitorëve ndërkombëtarë.

Studiuesi i Institutit të Financave pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës Yin Zhongli është i mendimit se, pas përfshirjes së RMB-së në shportën SDR, Kina do të shpejtojë reformat financiare.

"Hyrja e RMB-së në shportën SDR do të thotë që reformat financiare të vendit do të shpejtohen, pasi FMN-ja ka një sërë standardesh mbi shportën SDR. Kjo do të thotë që reformat e vendit në fushën financiare do të përputhen me standardet ndërkombëtare dhe të tregut. Njëkohësisht ato do të ecin me një hap më para," thekson Yin Zhongli.

Krahas shpejtimit të procesit të ndërkombëtarizimit të monedhës kineze, Wang Jun u shpreh se përfshirja në shportën SDR do të lehtësojë më tej përdorimin e RMB-së jashtë vendit.

"Në të ardhmen, një gjë e tillë me siguri do të jetë në të mirë të blerjeve jashtë vendit, turizmit ose investimeve, si blerja e banesave jashtë vendit. Të gjitha këto do të lehtësojnë përdorimin e RMB-së nga qytetarët kinezë," thotë Wang Jun.

Përveç ekspertëve kinezë, edhe ekspertët në ShBA i kanë kushtuar vëmendje përfshirjes së RMB-së në shportën SDR. Drejtori i Departamentit të Këmbimit Valutor për Azinë pranë grupit "Merrill Lynch" Adarsh Sinha u shpreh për mediat se pranimi i RMB-së në shportën SDR do të bëjë që një numër më i madh vendesh të botës ta përfshijnë RMB-në në rezervat e tyre valutore. Kjo, sipas mendimit të tij, do të ketë ndikime të mëdha në tregun monetar global dhe në qarkullimin ndërkombëtar të kapitaleve.

"Ndikimet nuk do të jenë të mëdha për një periudhë afatshkurtër, por afatmesme dhe afatgjatë. Pas përfshirjes në shportën SDR, kursi i këmbimit të RMB-së do të jetë më elastik dhe gjithnjë e më shumë vende do të shtojnë rezervë monetare me RMB. Unë parashikoj që, në disa vitet e ardhshme, kërkesa në botë për bono të qeverisë kineze do të arrijë në 370 miliardë dollarë amerikanë," analizon Adarsh Sinha, drejtor i Departamentit të Këmbimit Valutor për Azinë pranë grupit "Merrill Lynch". (Jiang Lei)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China