20151201HPpj1 |
Kina ka 56 kombësi dhe rreth gjysma e tyre, 26, jetojnë në rrafshnaltën mahnitëse të provincës Yunnan në Kinën Jugperëndimore, të pagëzuar edhe si "Jugu i reve". Yunnan-i është provinca me numrin më të madh të pakicave kombëtare, 15 ndër të cilat janë mjaft të veçanta. Vitet e fundit gjithnjë e më shumë gra nga pakicat kombëtare kanë nisur të dalin nga pragu i shtëpive të tyre dhe të nisin biznesin.
Në qershorin e sivjetshëm, një numër i madh vizitorësh e klientësh të mundshëm shkuan në sallën e Du Jian-it në edicionin e tretë të Ekspozitës Kinë-Azi Jugore të zhvilluar në Kunming, kryeqendër e provincës Yunnan të Kinës Jugperëndimore, për të parë e për të blerë veshjet me karakteristika të pakicave kombëtare të kësaj province. Shumë prej tyre u shprehën se kurrë nuk kishte parë veshje të tilla aq të bukura dhe aq të modës.
Du Jian-i (në mes) në sallën e saj në Ekspozitën Kinë-Azi Jugore
"Njëzet sipërmarrje të drejtuara nga gratë dhe për gratë, duke përfshirë edhe firmën e Du-së, janë ftuar nga Federata e Grave e Yunnan-it për të marrë pjesë në edicionin e tretë të Ekspozitës Kinë-Azi Jugore, që ka si objektiv të shfaqë arritjet e punës së tyre dhe t'i ndihmojë edhe më tej këto gra në veprimtarinë e tyre të biznesit, duke krijuar një platformë për bashkëveprimin me homologet e tyre si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, si dhe për të bërë reklamimin e bizneseve e të produkteve të tyre," vë në dukje Ge Qi, drejtoreshë e Departamentit të Publicitetit në Federatën e Grave të Yunnan-it. Me tej ajo shtoi se firma e Du Jian-it kishte prodhuar me sukses një koleksion veshjesh me karakteristikat e kombësive, duke shfaqur hirin e pakicave kombëtare vendore për botën e jashtme.
Kurse vetë Du Jian-i shprehet se kultura e pakicave kombëtare do të jetë gjithmonë e pëlqyer prej publikut dhe do të sjellë gjallëri të re në treg, meqë ka ecur me hapin e kohës. E rol në këtë ka luajtur pa dyshim edhe vetë Du Jian-i dhe sipërmarrja e saj e suksesshme.
Du Jian-ie humbi punën e vet në vitin 1999, kur Fabrika e Ngjyrosjes së Veshjeve të Pakicave Kombëtare e Wenshan-it, vendlindjes së saj, u detyrua të mbyllej. Në atë kohë, ashtu si edhe shumë kolege e kolegë të saj, Du ishte në një gjendje dëshpërimi dhe jeta i dukej e pashpresë, pasi kishte humbur burimin e të ardhurave për veten dhe familjen. E megjithatë, një gjendje e tillë nuk zgjati shumë. Du Jian-igjeti guximin për të përballuar vështirësinë para së cilës ndodhej dhe për të ndryshuar jetën e vet. Dhe kështu pa humbur kohë ajo u lidh me klientët e rregullt të fabrikës ku kishte punuar më parë, me shpresën për të siguruar porosi dhe për të ndihmuar në ripunësimin e vetes dhe të grave të tjera që kishin punuar në fabrikë me të. Dhe këta klientë, të cilëve u la mjaft mbresa vendosmëria dhe guximi i Du Jian-it për të hapur biznesin e vet, vendosën të bashkëpunojnë me të. Për shkak të kapitalit të kufizuar dhe mungesës së hapësirës për të punuar, Du Jian-i dhe ish-koleget e saj i kthyen shtëpitë e tyre në punishte për prodhimin e veshjeve me porosi. Duke pasur besimin dhe mbështetjen e kolegeve të saj, në maj të vitit 2006 Du Jian-i themeloi Studion e Kostumeve të Vallëzimit "Rrezja e diellit" të Wenshan-it. Pas përpjekjeve të përbashkëta dhe punës së palodhur, sipërfaqja e studios u dhjetëfishua dhe numri i makinave qepëse u rrit nga vetëm një në fillim në 30. Në të njëjtën kohë, numri i llojeve të produkteve që prodhonte studioja "Rrezja e diellit" u shtua nga rreth 30 në më shumë se 100 dhe të ardhurat vjetore të studios i kaluan 2.5 milionë juanët (393 000 dollarët amerikanë).
Du Jian-i duhej të udhëtonte shpesh nëpër fshatra për të mbledhur zbukurime karakteristike të kombësive, për shkak të nevojave për modele të reja që kishte studioja e saj. Për shkak të ndikimit të krizës ekonomike botërore në vitin 2009, shumë gra nga Yunnan-i që kishin shkuar për të punuar në qytetet e mëdha, veçanërisht në provincat më të pasura bregdetare, u detyruan të kthehen në vendlindjen e tyre, duke mos pasur asnjë punë për të bërë. Por edhe ato që vazhdonin të punonin larg vendlindjes, nuk kishin kohë për t'u kujdesur për fëmijët e tyre. Prandaj, Du Jian-i e pyeti veten nëse kishte ndonjë mundësi që këto gra të vendosnin një baraspeshë ndërmjet punës dhe jetës familjare. Pas vizitave në shtëpitë e tyre, ajo pa se shumica e këtyre grave ishin të afta për të prodhuar stoli të veçanta karakteristike të kombësive të punuara me dorë. Du Jian-i punësoi 127 gra të kombësive zhuang, miao, yi etj. nga më shumë se 20 fshatra në Wenshan dhe kontetë fqinje. Ato prodhonin me dorë punime gjysmë të gatshme me karakteristika të kombësive të tyre për studion e Du Jian-it, që u jep më pas dorën e fundit atyre në përputhje me shijen e klientëve të qyteteve. Me mbështetjen e Du Jian-it, këto gra nuk kishin nevojë për të gjetur punë në qytetet e mëdha, por tashmë mund të fitonin më shumë dhe të kalonin kohë me familjet e tyre, sidomos me fëmijët.
Në qershor të vitit të kaluar Du Jian-i e riregjistroi studion e saj me emrin Kompania e Produkteve të Kombësive "Boya" e Yunnan-it, e cila tashmë ka për qëllim që të promovojë mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale, të nxitë zhvillimin e kulturës tradicionale të pakicave kombëtare dhe të kthehet vetë në një markë të këtyre pakicave. me një përhapje të gjerë dhe me një vlerë të lartë të shtuar. Me prodhimin në shkallë të gjerë, intensiv dhe profesional, Kompania e Produkteve të Kombësive "Boya" është fokusuar në shndërrimin e veshjeve të ndryshme, qëndismave dhe burimeve të tjera kulturore të pakicave kombëtare të Yunnan-it në një markë e njohur, që përfaqësojnë imazhin e kontesë Wenshan dhe më gjerë, në bazë të kërkesave të tregut, kulturës së veshjes, krijimit të markës etj., si edhe të burimeve të tjera kulturore që lidhen me veshjen e kombësive.
Kostume të pakicave kombëtare të Yunnan-it
Deri tani më shumë se 600 gra të kombësive miao, zhuang, yao etj. nga më shumë se 100 fshatra të gjithë prefekturës janë të punësuara me kohë të pjesshme nga kompania e Du Jian-it për të prodhuar produkte gjysmë të gatshme, kryesisht qëndisma. Kompania e Produkteve të Kombësive "Boya"ka 10 pika shitjeje në të gjithë provincën Yunnan dhe një pasuri fikse me vlerë 9 milionë juanë (1.413 milionë dollarë amerikanë), ndërsa prodhimi vjetor ka shkuar tashmë në 5 milionë juanë (785 000 dollarë amerikanë). Du Jian-ika njoftuar kohët e fundit se sipërmarrja e saj do të bëjë një investim prej 15 milionë juanësh (2.355 milionë dollarë amerikanë) për të ndërtuar Qendrën e Shitjes së Veshjeve të Kombësive të Yunnan-it, e cila pritet të jetë një platformë për promovimin e kulturës së pakicave kombëtare të kësaj province, veçanërisht të kulturës së veshjes.