PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Serkyi, sipërmarrësja jugure që pasurohet nga "vjeturinat"
2015-12-01 15:56:09 CRI Komenti juaj Printoni

Serkyi është një biznesmene, mësuese, artiste, zejtare dhe koleksioniste nga kombësia jugure.


Biznesmenia jugure Serkyi

Jugurët janë një popullsi e lashtë nomade, pasardhës të një dege të kombësisë ujgure që lulëzoi gjatë dinastisë Song (960-1279 e. s.) në juglindje të pellgut Tarim në Azinë Qendrore. Sot shumica e jugurëve merren me blegtori në pllajat e mbuluara nga dëbora dhe kullotat në vargmalet Qilian, në qarkun autonom Sunan në provincën Gansu në pjesën veriperëndimore të Kinës, ku emigruan pas stuhive të mëdha të rërës në fillim të shekullit të 15-të gjatë Dinastisë Ming (1368- 1644).

Rreth 10 000 jugurë jetojnë në Sunan, konteja e vetme në Kinë ku ata janë mbizotërues për sa i përket numrit, ndonëse në Sunan jetojnë edhe pjesëtarë të 14 kombësive të tjera. Rreth 300 jugurë jetojnë në Rajonin Autonom Xinjiang-Ujgur, ndërsa 1 600 të tjerë në pjesën tjetër të Kinës.

Kostumet tradicionale jugure janë plot ngjyra të gjalla dhe të pasura me kuptime simbolike. Jakat e larta dhe kapelat me xhufkë janë tiparet dalluese të veshjeve tradicionale jugure, ku mbizotërojnë ngjyra si e kuqja, e verdha, e kaltra, e gjelbra dhe e bardha. Ata zakonisht veshin çizme lecke me modele të veçanta me figura bimësh e kafshësh, si edhe të reve, yjeve, diellit dhe hënës.


Vajza me kostum jugur

Me muzeun e sapohapur, që përmban më shumë se 1 000 objekte të mbledhura nga blegtorët fisnorë jugurë në kontenë autonome të kombësisë jugure Sunan, biznesmenia 54-vjeçare Serkyi synon të ruajë dhe të mbrojë trashëgiminë kulturore të kombësisë së cilës i përket.

Serkyi ka marrë edhe nofkën "gruaja e vjeturinave", sepse "ajo mbledh gjithçka lidhur me jugurët, nga gjilpërat deri te veglat e vjetruara që përdoreshin dikur për të përpunuar lëkurën", thotë e bija, Marjan Sun.

Dy vjet më parë, një biznesmen nga Kina Jugore i propozoi Serkyi-së që ta financonte ai ndërtimin e këtij muzeu në këmbim të një vazoje të çmuar prej porcelani në koleksionin e saj.

"Nuk pranova," shprehet Serkyi. "Ka më shumë se 10 000 Jugur dhe këto objekte u përkasin atyre."

Serkyi nisi grumbullimin e sendeve të tilla në vitin 1978, kur pas përfundimit të shkollës së mesme filloi të punojë si një e ashtuquajtur "mësuese në kurriz të kalit" në një shkollë fillore në kullotë. "Kurrë nuk e kisha menduar se vjeturinat ishin aq të rëndësishme për banorët e kombësisë sonë," shprehet ajo.

Serkyi gjithashtu koleksionon sendet e vjetra e të bukura të zejtarisë të krijuara nga artistët popullore jugurë.

Një tjetër pasion i Serkyi-së është piktura. "Më ka pëlqyer piktura që kur isha fëmijë. Modelet e bukura që qëndiste nëna ime dhe peizazhet piktoreske të kullotës për frymëzuan t'i hidhja ato në letër," kujton ajo.

Serkyi studioi për tetë vjet pikturë me Sun Renru-në, një studiues në muzeun e Sunan-it, derisa më në fund u pranua për të ndjekur studimet në Universitetin Veriperëndimor të Kombësive në Lanzhou, kryeqendër e provincës Gansu, në vitin 1987.

Serkyi studioi aty pikturën në vaj. Pedagogët e saj, artistë të njohur, i thanë kur u diplomua që, në qoftë se do të kishte një piktor të shquar të pikturës me vaj jugure, duhej të ishte ajo.

Pas përfundimit të universitetit, Serkyi filloi të punojë në muzeun e Sunan-it, ndërsa vazhdoi pasionin e vet të vjetër të mbledhjes së "vjeturinave", duke pasur në krah edhe të shoqin.

"Burri im më përkrah shumë", tha Serkyi. "Edhe ai vetë bën vepra arti dhe asnjëherë nuk është ankuar që unë i përdorja të gjitha kursimet tona për të blerë 'vjeturina'."

Një ditë Serkyi do të zbulonte edhe vlerën materiale të produkteve të zejtarisë jugure.

Serkyi kujton vizitën e saj të parë në Tajvan në vitin 1999, si pjesë e një delegacioni të trashëgimisë kulturore të kombësive të organizuar nga qeveria qendrore. Me rastin e kësaj vizite ajo bëri khata, një shall mëndafshi që jepet si një dhuratë përshëndetjeje në budizmin tibetian, si edhe çanta të qëndisura.

Një mesnatë Serkyi i telefonoi të shoqit, e përlotur pas kishte numëruar të gjithë dollarët tajvanezë dhe dollarët amerikanë që kishte fituar. Ajo kishte bërë barasvlerësin e rreth 50 000 juanëve (7 900 dollarë amerikanë) në një javë. I shoqi nuk arrinte ta besonte dot, pasi paga mesatare mujore në atë kohë në Sunan ishte vetëm rreth 200 juanë.

"Kjo ishte hera e parë që e ndjeva vlerën e kulturës jugure në treg," vë në dukje Serkyi. "Vetëm kur njerëzit e shohin se me produktet e tyre mund të fitojnë para, mjeshtëritë e vjetra mund të rigjallërohen me të vërtetë dhe të trashëgohen te brezat e rinj."

Sot, Serkyi zotëron një punishte për prodhimin e produkteve të zejtarisë të kombësisë jugure me 28 punëtorë. Ajo rrëfen se vjet biznesi i saj solli rreth 100 000 dollarë amerikanë, dhe po ashtu sivjet pret që fitimet t'i kalojnë 100 000 dollarë amerikanë. Në vitin 2005 Serkyi bleu kooperativën e kontesë së vet që ishte në prag të falimentimit dhe e ka bërë tashmë atë rentabël. Serkyi gjithashtu u mësoi falas endje pëlhure, qëndisje, gatim, bërje tendash etj. më shumë se 10 nxënësve, duke përfshirë edhe të birin e të bijën.

Serkyi thotë se i mësoi pjesën më të madhe të mjeshtërive dhe të zakoneve jugure nga nëna e saj Sonamkyi, e cila u nda nga jeta në vitin 2009 në moshën 84-vjeçare, pasi kishte rritur shtatë fëmijë, duke përfshirë dy jetimë, pothuajse e vetme, pasi i shoqi i vdiq herët.

"Nëna fliste rrjedhshëm gjashtë-shtatë gjuhë dhe ishte një grua jugure e fortë dhe me zemër të madhe," shprehet Serkyi. "Është mrekulli që ajo arriti të rrisë kaq shumë fëmijë e vetme, pasi babai im vdiq në vitin 1961, kur ajo ishte tre muaj shtatzënë me mua."

Për Serkyi-n të gjitha arritjet e saj janë si rrjedhojë e vetive që ka trashëguar nga e ëma: "Nëna ime më thoshte gjithmonë që të duroja e të kapërceja të gjitha vështirësitë e jetës, dhe që të isha e lumtur dhe gjithmonë të fokusohesha te gjërat që vërtet kanë kuptim në këtë jetë".

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China