20151201FE |
Në vitin 2013 kryetari i Shtetit i Kinës Xi Jinping paraqiti konceptin strategjik për ndërtimin e Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe Rrugës Detare të Mëndafshit të Shekullit XXI (të quajtur shkurt "Një Brez dhe Një Rrugë"), gjë që është mirëpritur nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht nga mbi 60 vendet përgjatë Brezit Ekonomik. Mirëpo disa vende dhe media perëndimore kanë qenë skeptike, duke e cilësuar strategjinë e Kinës "Një Brez dhe Një Rrugë" si "'Plani Marshall' i Kinës" dhe kanë shprehur shqetësimin që Kina do ta shfrytëzojë këtë strategji për të siguruar pozitën e vet mbizotëruese në rajon.
Lidhur me këtë, presidenti kinez Xi Jinping u shpreh gjatë vizitës së vet në Britaninë e Madhe se "Një Brez dhe Një Rrugë" janë të hapura: gjeografikisht lidhen me Azi-Paqësorin në lindje dhe takohen me Europën në perëndim. "Një Brez dhe Një Rrugë" kalon nëpërmjet Afrikës, Azinë e Europës dhe të gjitha vendet që dëshirojnë mund të marrin pjesë në të. Duke u shprehur në mënyrë të figurshme, presidenti Xi tha se "Një Brez dhe Një Rrugë" nuk janë një rrugë e vogël private e një pale, por një bulevard i madh i përbashkët. Fjalët e Xi Jinping-ut janë vlerësuar gjerësisht nga publiku. Kryetari i Distriktit Financiar të Londrës Alan Yarrow thotë:
"Koncepti 'Një Brez dhe Një Rrugë' ka shfrytëzuar mirë Rrugën e Mëndafshit, duke i lidhur sërish Lindjen me Europën. Kjo lidhje është realizuar një pjesë në det dhe pjesa tjetër në tokë. Një gjë e tillë na ka ofruar një mundësi shumë të mirë, veçanërisht në bashkëpunim infrastrukturor. Kjo është në të mirë të zhvillimit tonë të përbashkët në të ardhmen."
Pak ditë më parë, Kina miratoi planin e 13-të 5-vjeçar për ekonominë kombëtare dhe zhvillimin shoqëror të vendit, ku kërkohet që të nxitet ndërtimi i "Një Brez dhe Një Rrugë" dhe bashkëpunimi me vendet e rajonet përgjatë "Një Brez dhe Një Rrugë", veçanërisht në sektorët e industrisë e të prodhimit të pajisjeve, për të krijuar një situatë të re me lidhje të ndërsjella dhe hapje të përbashkët mes vendeve perëndimore dhe atyre lindore. Kjo është hera e parë që Kina e përfshin bashkëpunimin me vendet përgjatë "Brezit ekonomik" në planin e saj 5-vjeçar. Kështu, pas zbatimit prej mbi 30 vjetësh të politikës së tërheqjes së investimeve brenda vendit, Kina është futur në një fazë të re fokusimi si në thithjen e investimeve të huaja, ashtu edhe në të ashtuquajturën "dalje jashtë vendit" të kompanive kineze. Su Xiaohui nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare të Kinës është e mendimit që "Një Brez dhe Një Rrugë", si një platformë e re e hapjes së Kinës, e ka lidhur ekonominë e Azisë Lindore me atë të Europës. Kjo medoemos do të sjellë shanse të reja zhvillimi për vendet përkatëse.
"'Një Brez dhe Një Rrugë' u shërben të dyja palëve. Posaçërisht Brezi Ekonomik i Rrugës së Mëndafshit lidh kontinentin aziatik me atë europian. Qarku ekonomik i Azisë Lindore tani ka perspektivë të mirë dhe është një rajon me mjaft gjallëri në mbarë Azinë. Shumë vende i kushtojnë vëmendje të madhe zhvillimit të këtij rajoni. Kemi folur për 'Shekullin aziatik" dhe në fakt kjo është një gjë pozitive. Për sa i përket Europës, shumë vende të zhvilluara aty kanë një bazë të fortë. Kështu, lidhjet mes dy palëve me siguri do të sjellin një numër ndikimesh pozitive," thotë Su Xiaohui.
Koreja e Jugut është një ekonomi e rëndësishme në Azinë Lindore. Në vitin 2013, qeveria koreanojugore propozoi konceptin e "diplomacisë ekonomike Europë-Azi". Profesori i Universitetit Dongguk, Yoon Myung Chul (Jun Mjung Çul), bëri të ditur që thelbi i konceptit të "diplomacisë ekonomike Europë-Azi" të Koresë së Jugut është formimi i një rrjeti logjistik mes Europës dhe Azisë. Kjo në përgjithësi është e njëjtë me strategjinë e Kinës "Një Brez dhe Një Rrugë", që synon të lidhë Europën dhe Azinë si një të tërë. Tani popullsia e Europës dhe Azisë zë 75% të popullsisë së përgjithshme të botës dhe vëllimi i përgjithshëm i GDP-së së këtyre dy kontinenteve përbën 60% të GDP-së botërore. Kjo sipas tij do të thotë që strategjia "Një Brez dhe Një Rrugë" ka një perspektivë të mirë.
"Unë mendoj që koncepti i Koresë së Jugut i 'diplomacisë ekonomike Europë-Azi' dhe strategjia e Kinës 'Një Brez dhe Një Rrugë' kanë pika të përbashkëta dhe mund të realizohet lidhja mes tyre, si edhe përfitimet e përbashkëta," thotë profesori Yoon Myung Chul nga Universiteti Dongguk i Koresë së Jugut.
Ndër vendet europiane, që ndodhen në anën tjetër të Rrugës së Mëndafshit, strategjia "Një Brez dhe Një Rrugë" po popullarizohet gjithnjë e më shumë. Ambasadori i Gjermanisë në Kinë Michael Clauss vë në dukje:
"Strategjia 'Një Brez dhe Një Rrugë' është një koncept i njohur në mbarë Gjermaninë. Mes Kinës dhe Gjermanisë është vënë në përdorim hekurudha Chongqing-Duisburg. Në vitin 2014, kur presidenti Xi Jinping vizitoi Gjermaninë, shkoi për ta pritur vetë trenin e ardhur nga Chongqingu. Unë mendoj që kjo lidhje tokësore do të nxitë tregtinë mes dy vendeve dhe ndërtimin infrastrukturor mes Kinës dhe Europës. Do të ketë projekte të shumta në këtë drejtim."
Ndërsa ambasadori i Italisë në Kinë, Francesco Sequi, u shpreh:
"Italia ka interes të madh për bashkëpunimin 'Një Brez dhe Një Rrugë', dhe jo vetëm për të marrë pjesë, por edhe për të zënë një vend të rëndësishëm, pasi ky është një projekt largpamës dhe me rëndësi jashtëzakonisht të madhe ekonomike dhe politike. Rruga e Mëndafshit ka ekzistuar prej kohësh. Në të kaluarën, Italia dhe Kina kanë qenë në të dy skajet e rrugës, që nxiti shkëmbimet kulturore dhe ekonomike. Ne presim shumë nga bashkëpunimi brenda kësaj konrnize. Bashkëpunimi do të përfshijë fusha të tilla si transporti hekurudhor, portet dhe aviacioni. Në fakt, në disa fusha kemi pasur bashkëpunim. P.sh., tani nga Italia ka 49 fluturime të drejtpërdrejta për në Kinë".
Në fillim të muajit nëntor, Ministria e Tregtisë e Kinës bëri të ditur se, nga janari deri në shtator, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë mes Kinës dhe vendeve që ndodhen përgjatë "Një Brez dhe Një Rrugë" arriti në 742.8 miliardë dollarë amerikanë, duke zënë 25.6% të vëllimit të përgjithshëm të import-eksporteve të Kinës. Gjatë kësaj periudhe, kompanitë kineze kanë bërë investime me vlerë 12.03 miliardë dollarë në 48 vende prej këtyre vendeve, duke shënuar një rritje me 66% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në të njëjtën kohë, po në nëntëmujorin e parë të këtij viti, vendet përgjatë "Një Brez dhe Një Rrugë" kanë krijuar 1604 kompani në Kinë, duke bërë investime reale prej 6.12 miliardë dollarësh amerikanë, 18.4 % më shumë se vitin e kaluar.
(Jiang Lei)