20151124-FEshisan5 |
Që prej vitit 1953 Kina ka filluar të hartojë planet 5-vjeçare, ku përcaktohen objektivat dhe drejtimet e zhvillimit të vendit gjatë pesë vjetëve në vijim. 2015-a është viti i fundit i planit të 12-të 5-vjeçar dhe në fund të tetorit Kina miratoi planin e 13-të 5-vjeçar, duke përcaktuar programin e zhvillimit për pesë vjetët e ardhshëm.
Në këtë plan është paraqitur objektivi për realizimin e një shoqërie të mirëqenies. Për këtë, planifikohet që në vitin 2020, në bazë të niveleve të mesme e të larta të rritjes, si edhe të zhvillimit të balancuar e të vazhdueshëm, niveli i GDP-së dhe të ardhurat mesatare për frymë të dyfishohen krahasuar me vitin 2010. Krahas kësaj, sektori industrial do të rritet drejt nivelit të mesëm dhe të lartë, sektori i konsumit do të japë më shumë ndihmesë për rritjen ekonomike dhe procesi i urbanizimit do të shpejtohet. Lidhur me këto synime të përfshira në planin e 13-të 5-vjeçar, zv.drejtori i Institutit të Studimeve Makroekonomike pranë Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës Ma Xiaohe shprehet:
"Në planin e ri kërkohet që të ruhen nivelet e mesme dhe të larta të rritjes ekonomike. Kjo do të thotë që rritja nuk mund të jetë shumë e ulët, përndryshe kjo do të ndikojë në arritjen e objektivit të krijimit të shoqërisë së mirëqenies. Kështu, niveli më i ulët i rritjes është përcaktuar 6.5 %, në rast të kundërt, nuk mund të realizohen objektivat lidhur me të ardhurat për frymë, punësimin dhe shërbimet publike. Niveli i mesëm dhe i lartë i rritjes duhet të jetë nga 6.5% deri në 7.5%."
Gjatë 30 vjetëve të kaluara, Kina ka pasur rritje të madhe ekonomike, gjë që ka sjellë zhvillimin e saj, si edhe ka dhënë ndihmesë të madhe për mbarë botën. Mirëpo vitet e fundit, modeli i vjetër i zhvillimit ndodhet para një gjendjeje të vështirë dhe Kina ka filluar të kërkojë ndryshimin e këtij modeli. Gjatë këtij procesi, rritja ekonomike është ngadalësuar dhe Kina po futet në të ashtuquajturën 'gjendje e re normale' me një rritje të mesme e të lartë, strukturë të përmirësuar, gjallëri të re dhe sfida të shumta. Chen Fengying nga Qendra e Studimeve të Ekonomisë Botërore pranë Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Kinës thekson:
"Mendoj që faktori nxitës i zhvillimit ekonomik në Kinë po ndryshon. Plani i 13-të 5-vjeçar duhet të pasqyrojë ndryshimin e mjedisit të përgjithshëm dhe të përshtatet për prirjet e së ardhmes. P.sh., politikat që duhet të hartojmë, duhet të përshtaten me 'gjendjen e re normale'."
Tani ekonomia kineze ndodhet një periudhë me tre faza të ndërthurura, të cilat janë faza e ndryshimit të rritjes, faza e rregullimit strukturor dhe faza e hartimit të politikave stimuluese. Ma Xiaohe është i mendimit që tani puna kryesore për zhvillimin ekonomik është kalimi nga modeli i vjetër i zhvillimit në 'gjendjen e re normale'.
"Në të kaluarën, fuqia e zhvillimit varej nga sektorët e nivelit të mesëm dhe të ulët, si industria e rëndë dhe sektorët me lëshim, ndotje dhe investime të mëdha. Në të ardhmen, do të fokusohemi tek sektorët me vlerë të lartë të shtuar, teknologji të lartë dhe lëshim të paktë. Problemi është që tani sektorët me ndotje dhe me harxhim të madh të energjisë po eliminohen dhe kostoja e tyre po rritet, prandaj këta sektorë po lëvizin jashtë. Ndërkohë, sektorët e rinj me teknologji të reja po rriten ngadalë. Kështu, duhet të përpiqemi me anë të reformave për të kaluar nga modeli i vjetër në modelin e ri në mënyrë të bashkërenduar," thotë Ma Xiaohe, zv.drejtori i Institutit të Studimeve Makroekonomike pranë Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës.
Plani i 13-të 5-vjeçar është plani i parë 5-vjeçar pas futjes së Kinës në 'gjendjen e re normale'. Për t'u përshtatur me këtë gjendje, Kina ka paraqitur pesë konceptet kryesore të zhvillimit: inovativ, i bashkërenduar, i gjelbër, hapur dhe i përbashkët. Zv.drejtori i Grupit Drejtues Financiar pranë Komitetit Qendror të PKK-së Yang Weimin u shpreh:
"Këto pesë koncepte kryesore janë një transformim i thellë gjatë procesit të zhvillimit, por edhe përcaktojnë vazhdimin e zhvillimit pas realizimit të shoqërisë së mirëqenies. Do të realizojmë një shoqëri të gjithanshme të mirëqenies, por nëse akumulojmë një sërë problemesh pas realizimit, kjo do të thotë se i kemi zhvendosur problemet nga e sotmja në të ardhmen. Edhe diçka e tillë nuk mund të funksionojë."
Njerëzit mendojnë që në "gjendjen e re normale, reformat e reja dhe hapja e mëtejshme e Kinës do të sjellë më shumë shanse për botën. Presidenti i shoqërisë gjermane BVMW Winfried Bostelmann ka të njëjtin mendim. Ai thotë:
"Kina është me fat, pasi ka ruajtur rritjen e shpejtë, ndërsa në Gjermani rritja vjetore është vetëm 1.5% ose 1.7%. Kështu, megjithëse ekonomia kineze në tremujorin e 3-të shënoi rritje me vetëm 6.9%, që është më pak se të kaluarën, por kjo është 'gjendja e re'. Për kompanitë gjermane, tregu kinez është një mundësi shumë e madhe. Jemi shumë të kënaqur që shohim një prirje kaq të fortë të rritjes së ekonomisë kineze."
Presidenti i Shoqatës Federale Gjermane të Bashkimeve dhe Blerjeve Kai Lucks u shpreh që raporti i fundit i plenumit të 5-të të PKK-së përfshin politika të reja, si mbështetjen për Reformën dhe Hapjen, zhvillimin e ekonomisë së hapur të nivelit të të lartë, shtimin e rrogave për punëtorët e kualifikuar etj. Sipas tij, një gjë e tillë u ofron mundësi kompanive gjermane të bëjnë biznes me Kinën.
"Shumë kompani gjermane po kërkojnë raste zhvillimi në mbarë botën. Fakti është që Kina është tregu më i madh në shumë fusha dhe kjo do të ofrojë më shumë mundësi për kompanitë gjermane. Gjithashtu, në Kinë ka shumë punëtorë të mirëpërgatitur, të cilët janë të kualifikuar dhe shumë të zellshëm," thotë Lucks, president i Shoqatës Federale Gjermane të Bashkimeve dhe Blerjeve.
Në planin e 13-të 5-vjeçar do të synohet shtimi dhe pasurimi i nivelit të hapjes ndaj botës së jashtme. Kjo do të përmirësojë situatën e hapjes, do të nxitë hapjen e ndërsjelltë dhe do të krijojë një mjedis të përshtatshëm. Kryeekonomisti i Departamentit të parashikimit ekonomik pranë Qendrës Kombëtare të Informacionit të Kinës Zhu Baoliang mendon se dobia më e drejtpërdrejtë nga hapja janë përfitimet e përbashkëta.
"Nga njëra anë, ne do të hapim disa sektorë ndaj investimeve të huaja, ndërkohë që disa nga sektorët tanë të prodhimit do të dalin jashtë vendit për bashkëpunim ndërkombëtar. Kështu, këta sektorë do të luajnë rol jashtë vendit, duke nxitur eksportet dhe investimet kineze në tregun ndërkombëtar. Nga ana tjetër, ne do të vazhdojmë të tërheqim teknologji e pajisje moderne dhe të ngremë nivelin teknologjik në bazë të përhapjes së efekteve të teknologjive moderne," thotë Zhu Baoliang, kryeekonomist i Departamentit të parashikimit ekonomik pranë Qendrës Kombëtare të Informacionit të Kinës. (Jiang Lei)