20151124-hp |
Themeluesi dhe kryetari i grupit të pasurive të patundshme "Century Golden Resources" Huang Rulun është tashmë ndër ndërtuesit më të mëdhenj në mbarë Kinën, si edhe një ndër njerëzit më të pasur të saj, me 4 miliardë dollarë, por vlerësohet se një shumë edhe më të madhe se pasuria e vet e ka dhuruar tashmë. Dhe kjo sepse për të "është më e rëndësishme që nga paratë e tua të përfitojnë sa më shumë njerëz sesa t'ua lësh ato fëmijëve të tu."
Huang Rulun-i ka lindur në vitin 1951 në një fshat të vogël peshkatarësh të lokalitetit Lianjiang, në provincën juglindore kineze të Fujian-it. Familja e tij nuk ishte në gjendje të mirë ekonomike dhe kjo bëri që në moshën 15-vjeçare Huang Rulun-i të ndërpriste studimet dhe të fillonte të punonte. "Kam pasur një jetë të vështirë kur isha fëmijë. Ngaqë familja ime ishte e varfër, nuk ia doli dot të përballonte shpenzimet për shkollimin tim," ndërmend Huang Rulun-i. E po ashtu varfëria e bëri Huang Rulun-in që në moshë të re të ëndrrojë të bëhet sipërmarrës dhe ta nxjerrë familjen e vet nga kushtet e vështira ekonomike. Për këtë arsye, që pas fillimit të Reformës dhe Hapjes, ai ngriti një biznes të vogël.
Në vitin 1986, kur ishte në moshën 35-vjeçare, me paratë e fituara Huang Rulun-i shkoi në Filipine, për ta provuar fatin e vet aty, duke ndjekur një traditë shekullore emigrimi të banorëve të provincës Fujian në Manila, Singapor, Kuala-Lumpur të Malajzisë, Xhakartë të Indonezisë dhe vende të tjera kryesisht të Azisë Juglindore. Huang u vendos në kryeqytetin filipinas Manila, ku jetonte në një dhomë të vogël dhe ku nisi biznes me po me një kapital të vogël, por ishte shumë punëtor, i disiplinuar e kursimtar, duke pasur gjithmonë ëndrra të mëdha. Dhe në këtë mënyrë ai u bë një biznesmen i suksesshëm, duke u marrë fillimisht me tregti me Kinën, ndërsa më pas ngriti një kompani ndërtimi, qendrën e së cilës në vijim e zhvendosi në Hong-Kong, ku ngriti një perandori në pasuritë e patundshme, me projekte në Singapor, Malajzi, e madje edhe në Europë, e pikërisht në Spanjë.
Një tjetër kulm në karrierën meteorike të biznesit të Huang Rulun-it ishte kthimi i tij në provincën e vet të lindjes, Fujian, në vitin 1991. Huang Rulun-i krijoi kompaninë e pasurive të patundshme "Century Golden Resources" të Fuzhou-t, kryeqendra e provincës Fujian, që sot është shndërruar në grupin "Century Golden Resources". Projekti i parë i zbatuar nga "Century Golden Resources", në bashkëpunim me bashkinë e Fuzhou-t, ishte Kulla "Guotai", që u shndërrua në një ndërtesë simbol të kryeqendrës së provincës Fujian. Ishte një lëvizje e zgjuar e Huang Rulun-it, pasi ai e nuhati zhvillimin që do të kishte tregu i pasurive të paluajtshme komerciale në pjesën jugore të Kinës në fillim të viteve '90 të shekullit të kaluar. Përgjatë tre vjetëve në vazhdim "Century Golden Resources" vazhdoi me projekte pasurish të paluajtshme komerciale, ndërsa më pas Huang Rulun-i vendosi që kompania të hyjë edhe në tregun e ndërtesave të banimit. Përsëri ishte një strategji e ndjekur në kohën e duhur, pasi në vitin 1994 në Kinë nisën kufizimet në tregun e pasurive të paluajtshme komerciale. Ndryshe nga mjaft prej konkurrentëve të vet, Huang Rulun-i ishte mjaft i përmbajtur kur vinte fjala te marrja e kredive. "Përdorni paratë tuaja dhe mos përdorni shumë financim të jashtëm, kjo mund t'ju bëjë lakmiqarë dhe agresivë," e këshillonte ai stafin e vet. Përfundimisht Huang Rulun-i u bë ndërtuesi më i madh në provincën Fujian. Më pas "Century Golden Resources" nisi zbatimin e projekteve edhe në kryeqendrën e provincës fqinje me Fujian-in, Jiangxi, qytetin e Nanchang-ut.
Në vitin 1999 Huang Rulun-i mori vendimin që kompania e tij "Century Golden Resources" të zgjerohet edhe në Kinën Veriore, veçanërisht në Pekin, duke krijuar një numër risish. Gjatë ndërtimit të projektit "Century Nice Garden", kompania e Huang Rulun-it zbatoi për herë të parë në Kinë të ashtuquajturin "model të strukturës flutur", duke ndryshuar modelin tradicional dhe duke shënuar një epokë të re në sektorin e ndërtesave të banimit. Më pas në ndërtimin e projektit "Century New Scenery" kompania "Century Golden Resources" ndoqi një model të veçantë të izolimit të banesave, duke ndërfutur elemente kulturore dhe historike të stilit të ndërtesave të vjetra të Pekinit. Kur Pekini fitoi të drejtën për organizimin e Lojërave Olimpike të vitit 2008, "Century Golden Resources" zbatoi në Fshatin Olimpik të Pekinit projektin "Century Jiayuan". Më vonë, suksesi me këtë projekt e nxiti Huang Rulun-in të nisë ndërtimin e projektit ambicioz "Century City", me sipërfaqe 3.7 milionë metër katror dhe me një investim 17 miliardë juanë (mbi 2.66 miliardë dollarë amerikanë), projekti më i madh komercial dhe i banimit në Pekin në atë kohë. "Century City" ka 110 ndërtesa banimi, si edhe shkolla e ndërtesa zyrash. Nga viti 2000 deri në 2003, "Century City" u rendit i pari ndër projektet e ndërtimit për sa u përket të ardhurave nga shitjet. Huang Rulun-i i qëndroi besnik parimit të vet, duke thënë se nuk huajti "as edhe një qindarkë nga bankat". Një arsye e suksesit të "Century City" ishte se kishte si objektiv tregun e nivelit të mesëm, pikërisht kur shtresa e mesme në Kinë nisi të zgjerohej dhe fuqia e saj konsumuese të shtohej. Vetë Huang Rulun-i u bë një nga biznesmenët e pasurive të patundshme më të mëdhenj të Pekinit.
Duke kujtuar kohën që kaloi në Filipine, Huang Rulun-i shprehet se i bëri përshtypje që në Manila kishte më shumë se 10 qendra të mëdha tregtare. Ai donte të ndërtonte komplekse të tilla edhe në Pekin, prandaj në vitin 2004 ngriti Qendrën Tregtare "Golden Resources" të Pekinit. Sërish duke bërë një veprim të zgjuar, Huang Rulun-i e ndërtoi këtë qendër tregtare pranë "Century City", duke bërë kështu që qendra të ketë si klientë potencialë më shumë se 20 mijë banorët e "Century City"-t. "Century Golden Resources" e përsëriti një model të tillë edhe jashtë Pekinit në kryeqendrat e provincave të tjera, si Kunming të Yunnan-it, Changsha të Hunan-it, Guiyang të Guizhou-t dhe Hefei të Anhui-t. "Century Golden Resources" ka ndërtuar tashmë dhe ka në pronësi 10 qendra të mëdha tregtare. Gazeta e njohur amerikane "The New York Times" e cilësoi një herë Huang Rulun-in si ndërtuesi më i madh i qendrave tregtare në botë.
Në vijim "Century Golden Resources" filloi ndërtimin e hoteleve luksoze dhe tani zotëron afro 15 të tilla, ndër të cilat spikat "Century Golden Resources Grand Hotel" i Pekinit, i njohur edhe si "Empark Grand Hotel" i Pekinit, një hotel me pesë yje në qendër të kryeqytetit kinez.
Në vitin 2012, "Century Golden Resources" u rendit i 27-ti në listën e kompanive të pasurive të patundshme të Kinës, me një vëllim shitjesh 10 miliardë juanë (më shumë se 1.5 miliardë dollarë amerikanë). Aktualisht, grupi i pasurive të patundshme "Century Golden Resources" ka 7 grupe të bashkëlidhura në Pekin, Yunnan, Chongqing, Fujian, Shanghai, Hunan dhe Guizhou, me mbi 50 sipërmarrje dhe më shumë se 20 000 të punësuar. Vitin e kaluar "Century Golden Resources" regjistroi mbi 5 miliardë dollarë amerikanë të ardhura. Huang Rulun-i ka investuar gjithashtu në Kompaninë e Sigurimeve të Jetës të Kinës dhe në Bankën e Pekinit. Në tetor të vitit të kaluar, Grupi "Century Golden Resources" investoi 32 milionë dollarë amerikanë për të blerë 10 % të aksioneve në kompaninë e sapokrijuar ajrore "Fuzhou Airlines". "Century Golden Resources" po ashtu ka hyrë tashmë edhe në industrinë minerare. Huang Rulun-i parashikon që konglomerati i tij do të bëhet gjithnjë e më aktiv në prodhimin e energjisë, duke parë nevojën e ekonomisë së Kinës për furnizimin me sasi të mëdha nafte dhe burime të tjera të energjisë.
Ndryshe nga kompanitë e tjera të ndërtimit, të cilave u duhen zakonisht dy ose tre vjet për të përfunduar projektet e tyre, Huang Rulun-i krenohet që "Century Golden Resources" i duhet mesatarisht vetëm një vit për ndërtimin edhe të projekteve të mëdha, pa lënë pas dore cilësinë, duke rritur mjaft besueshmërinë e kompanisë.
Në vitet e fundit "Century Golden Resources" ka filluar të blerë troje në qytetet e mesme dhe të vogla të Kinës, duke ndjekur strategjinë "Ndërtim shtëpish për njerëzit e thjeshtë; fitime të vogla, por të menjëhershme."
Huang Rulun-i është një njeri punëtor dhe i njohur për vëmendjen që u kushton hollësive. Pasioni i tij i vetëm përveç punës është golfi, sport të cilin ai e luan shumë rrallë, për shkak të orarit të ngjeshur të punës së përditshme. Ai i inspekton personalisht kantieret e ndryshme të ndërtimit të kompanisë së vet të paktën tri herë në ditë.
Huang Rulun-i, që gjithashtu shërben si zv.kryetar i Dhomës së Përgjithshme të Tregtisë të Kinës, është pasardhës i një konfucisti të dinastisë Song, rreth 1000 vjet më parë, gjë që e ka bërë atë të njohë vlerën e kulturës tradicionale dhe ta mishërojë atë në stilin e vet të menaxhimit. "Mos gënje, mos mashtro e mos u bëj dëm të tjerëve" janë jo vetëm parimet që ndjek Huang Rulun-inë jetë dhe në punë, por edhe kërkesat për punonjësit e kompanisë së tij.
Huang Rulun-i kërkon nga punonjësit e tij që "të bëjnë një punë të ndershme në këmbim të një pagese të kënaqshme. Kompania i promovon ata mbështetur në paraqitjen dhe aftësitë e tyre." Huang Rulun-i po ashtu synon të kultivojë frymën e përmirësimit të vazhdueshëm e të ndreqjes së gabimeve atje ku ato vihen re. "Të gjithë punonjësit duhet ta trajtojnë njëri-tjetrin me drejtësi dhe respekt. Kjo është kërkesa kryesore për këdo që punon në 'Century Golden Resources'," shprehet Huang Rulun-i.
Huang Rulun-i thotë se duhet të kesh besim e të jesh i besueshëm duke respektuar kontratat, dhe të mbash parasysh vlerat njerëzore dhe virtytet. "Një njeri me integritet është gjithashtu një njeri i sinqertë," vëren Huang-u. "Ai e mban fjalën dhe bën mirë çdo gjë që premton". Vlera e një kompanie, sipas sipërmarrësit 64-vjeçar, qëndron te besueshmëria e saj. "Nëse një markë nuk është e besueshme, ajo nuk mund të quhet markë," vëren ai.
Huang Rulun-i shprehet se një pjesë të madhe të meritës për suksesin e tij në biznes e ka besimi te konfucizmi. Por pa dyshim vlerat e konfucizmit dhe të kulturës tradicionale kineze e kanë bërë atë të jetë sot një prej bamirësve më të shquar në Kinë.
Thuhet shpesh se dëshira e sipërmarrësve kinezë për të dhuruar, ndryshe nga e mjaft kolegëve të tyre nëpër botë, vjen nga fakti që ata janë rritur në varfëri, çka sjell një lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet së shkuarës së tyre e bamirësisë. Veç kësaj, shumë prej tyre janë ndikuar edhe nga kultura tradicionale, sidomos mësimet e filozofit e mësuesit të madh kinez, Konfucit. Një nga më të spikaturit prej tyre është edhe Huang Rulun-i. I quajtur edhe si "Carnegie i Kinës", sipas industrialistit amerikan me origjinë skoceze Andrew Carnegie, i njohur për filantropinë e tij, Huang Rulun-i mund të vlerësohet si një bamirës me rrënjë të thella në kulturën tradicionale kineze, por edhe me një sfond vetjak e familjar të tillë që i kanë shërbyer si motive për të dhuruar. Huang thekson se, kur ishte fëmijë, ai ishte i vendosur t'ua shpërblente njerëzve që e donin dhe e ndihmuan. Më tej Huang Rulun-i thotë: "Unë jam i ndikuar po ashtu thellësisht prej thënies së Konfucit që njerëzit e suksesshëm duhet të japin për të tjerët, si dhe nga libri i lashtë me titull 'Libri i ndryshimeve'. Unë dhuroj sepse më pëlqen të jap."
Huang Rulun-i është një bamirës i jashtëzakonshëm. Sipërmarrësit zemërmirë të përfshirë në listën e bamirësve të Kinës kanë dhuruar mesatarisht 3 % të pasurisë së tyre, ndërsa Huang Rulun-i rreth 20 %, duke bërë që prej vitesh të zërë vendin e parë në këtë listë. Një figurë e njohur nga Hong-Kongu ka komentuar mbi Huan Rulun-in: "Nëse themi se shumë sipërmarrës kanë një agjendë kur dhurojnë për bamirësi, atëherë mund të themi se ai ka dalë plotësisht nga një rreth i tillë," duke kuptuar me këtë se Huang Rulun-i e bën bamirësinë pa kurrfarë interesi vetjak. "Unë bëj para nga shoqëria dhe i përdor ato për shoqërinë," vë në dukje Huang Rulun-i. Ai thotë se e shikon pasurinë e vet edhe si njëfarë përgjegjësie. "Sa herë shoh njerëz në vështirësi ose që kanë nevojë, unë u ofroj atyre dorën e ndihmës," vëren Huag Rulun-i.
Sigurisht ai i respekton paratë dhe e kupton rëndësinë e tyre. "Është e rëndësishme që nga paratë të përfitojnë sa më shumë njerëz sesa t'ua lësh ato fëmijëve të tu," është shprehur në shumë raste Huang Rulun-i.
Huang Rulun-i kryesisht dhuron në fushën e arsimit e të shëndetësisë, si edhe të zbutjes së varfërisë. Një pjesë e madhe e ndihmës së Huang Rulun-it ka shkuar për vendlindjen e tij.
Bamirësit kinezë mund të bëjnë dhurime nëpërmjet tri rrugëve të ndryshme: duke ua dhënë drejtpërdrejt individëve; nëpërmjet fondacioneve të bamirësisë që tashmë ekzistojnë, ose duke ngritur vetë fondacionet e tyre. Por duke qenë se bamirësia nga bizneset është një dukuri relativisht e re në Kinë, shumica e sipërmarrësve kinezë nuk janë bamirës profesionistë dhe menaxhimi i dhurimeve të tyre në mënyrë efektive mbetet për ta një problem, pasi ata kanë nuk e kanë kohën dhe aftësinë e mjaftueshme për t'u marrë me të.
"Ne u jepnim para të varfërve në tempuj, si një mënyrë për të dhuruar," vëren Huang Tao, djali i Huang Rulun-it, i cili gjithashtu e ndihmon të atin në drejtimin e biznesit. "Edhe tani disa nga dhurimet babai i bën si pasojë e ndonjë vendimi të atypëratyshm, si për shembull kur dëgjon për ndonjë fatkeqësi ose që diku nga nevojë për para," shton ai. Kështu, Huang Rulun-i dha një herë para për një shkollë në qytetin e Chongqing-ut kur pa në një program televiziv gjendjen e keqe të kësaj shkolle.
Huang Rulun-i nuk e pranoi sugjerimin e të birit që të krijojë një fondacion të veçantë bamirës, duke thënë se i pëlqen të bëjë dhurime të drejtpërdrejta, meqë është shumë i zënë me biznesin e vet. "Për më tepër, unë jam më i aftë për të bërë para sesa të drejtoj një fondacion," thotë duke buzëqeshur 64-vjeçari.
Me gjithë pasurinë e vet, Huang Rulun-i bën një jetë të thjeshtë familjare. "3 mijë dollarë në muaj më mjaftojnë," thotë njeriu bujar me një pasuri 4 miliardë dollarë.
Po ç'është pasuria për Huang Rulun-in? "Vetëm një simbol dhe disa numra", përgjigjet ai.