20151117FEyidaiyilu |
Kina dhe vendet e Europës Qendrore e Lindore i kanë filluar shkëmbimet tregtare mes tyre nëpërmjet Rrugës së Mëndafshit që në lashtësi. Ndërsa tani, veçanërisht pas propozimit të strategjisë "Një Brez dhe Një Rrugë" nga Kina, të dyja palët i kanë shtuar më tej lidhjet tregtare dhe bashkëpunimi mes tyre ka fituar një impuls të ri. Vitet e fundit 16 vendet e Europës Qendrore e Lindore dhe Kina kanë krijuar një sistem efikas bashkëpunimi, të quajtur shkurt "16+1", duke nxitur fuqimisht bashkëpunimin tregtar, ndërtimin e infrastrukturës dhe shkëmbimet kulturore. Një gjë e tillë ka sjellë mundësi të mira për zhvillimin e ardhshëm të vendeve të Europës Qendrore e Lindore.
Polonia është një vend i rëndësishëm në Europën Qendrore e Lindore dhe prej më shumë se 10 vjetësh është partnerja më e madhe tregtare e Kinës në këtë rajon. Anëtari i Këshillit Suprem të Partisë Popullore Polake, Mihal Ludwikowski, u shpreh se Polonia ndodhet në pjesën qendrore të Europës dhe hekurudhat e rëndësishme europiane kalojnë nëpërmjet saj. Për këtë arsye, Polonia ka interes vërtet të madh për ndërtimin e hekurudhave të shpejtësisë së lartë dhe po përpiqet të importojë teknologjinë përkatëse.
"Polonia është shumë e interesuar për trenat e shpejtë. Tani trenat në Poloni nuk janë të shpejtë si ata në Kinë, mirëpo nga Kina ne mund të marrim një shembull shumë të mirë. Ndërlidhshmria e komunikacionit dhe një lidhje më efikase kanë rëndësi jashtëzakonisht të madhe për tregtinë mes nesh," thotë Ludwikowski.
Lidhur me sistemin e bashkëpunimit "16+1", anëtari i Këshillit Suprem të Partisë Popullore Polake Mihal Ludwikowski është i mendimit që ky sistem ka krijuar shumë pika të reja bashkëpunimi, si lidhjet hekurudhore Chongqing-Xinjiang-Europë, Suzhou-Manzhouli-Europë dhe Zhengzhou-Europë. Krahas kësaj, kanë nisur edhe fluturimet e drejtpërdrejta mes Kinës dhe Polonisë, Republikës Çeke dhe Hungarisë. Të gjitha këto e kanë shkurtuar largësinë mes banorëve të këtyre vendeve.
"Bashkëpunimi '16+1' është një mundësi e mirë jo vetëm për vendet e Europës Qendrore e Lindore, por edhe për mbarë Europën, sepse vetëm kur vendet e Europës të veprojnë së bashku, Europa mund të bëhet një partner kyç i Kinës," vëren Ludwikowski.
Nga ana e tij, sekretari ndërkombëtar i LSI-së Ralf Gjoni u shpreh se strategjia "Një Brez dhe Një Rrugë" është vërtet e rëndësishme për Shqipërinë. Ai vuri në dukje se, në krahasim me vendet e tjera europiane, gjendja e infrastrukturës në Shqipëri nuk është e mirë, çka ka kufizuar zhvillimin ekonomik. Sipas tij, kjo tregon rëndësinë jashtëzakonisht të madhe që i kushton Shqipëria pjesëmarrjes në "Një Brez dhe Një Rrugë".
"Tani Kina është jo vetëm një mike e madhe e Shqipërisë, por edhe një vend me status të rëndësishëm ekonomik në mbarë botën. Prandaj, bashkëpunimi mes kompanive kineze dhe atyre shqiptare ka një rëndësi shumë të madhe," shprehet Gjoni.
Bashkëpunimi Kinë-EQL është një pjesë e rëndësishme e strategjisë "Një Brez dhe Një Rrugë". Në vitin 2013 përqindja e rritjes së tregtisë mes tyre e kaloi të rritjes së tregtisë Kinë-Europë. Popullsia e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore është sa një e katërta e popullsisë së Bashkimit Europian, kurse vëllimi i ekonomive të tyre është më pak se një e dhjeta e vëllimit të përgjithshëm të ekonomisë së BE-së. Kjo do të thotë që ky është një rajon me mundësi të shumta investimesh. Zv.kryemenaxheri i grupit "Cimmuk" Yi Xingping thotë që klientët e grupit të tij e kanë kuptuar potencialin e madh të tregjeve të Europës Qendrore e Lindore dhe janë fokusuar te vendet dhe rajonet që ndodhen përgjatë Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe Rrugës Detare të Mëndafshit të Shek. XXI.
"Shohim që ky është një treg i ri. Gjatë 30 vjetëve pas Reformës dhe Hapjes, ekonomia kineze ka pasur një zhvillim të madh. Europa Qendrore e Lindore ka nevojë për zhvillim dhe vendet e këtij rajoni e admirojnë modelin e zhvillimit të Kinës. Në këtë rajon, niveli i urbanizimit dhe i industrializimit nuk është i lartë dhe kjo u ka krijuar kompanive kineze një mundësi të mirë," thotë Yi Xingping.
Duke e kuptuar këtë mundësi, kompanitë kineze kanë filluar të investojnë në Europën Qendrore e Lindore. Grupi i naftës CNOOC synon që, me mbështetjen e strategjisë "Një Brez dhe Një Rrugë", të zgjerojë bashkëpunimin me vendet e këtij rajoni. Zv.drejtori i Institutit të Kërkimeve Energjetike pranë grupit CNOOC, Song Yunzhong, u shpreh se tani është një periudhë e mirë për futjen në tregun europian. Kompanitë kineze kanë përparësi në fonde e teknologji dhe Europa ka nevojë për fondet kineze. Kjo është në të mirë të të dyja palëve.
"Kam shumë besim që do të ketë një gjendje të mirë. Kina eksporton kapitale dhe zotëron një rezervë të madhe valutore, të cilën e shfrytëzon për të mbështetur biznesin ndërkombëtar të kompanive kineze. Kjo sigurisht është një gjë me përfitime të ndërsjella. Ajo jo vetëm zgjidh problemet e Kinës, por edhe nxit eksportin e pajisjeve dhe teknologjive kineze," thotë Song Yunzhong, zv. drejtori i Institutit të Kërkimeve Energjetike pranë grupit CNOOC.
Europa Qendrore e Lindore është nyjë që lidh Azinë e Europën dhe një pjesë e rëndësishme e strategjisë "Një Brez dhe Një Rrugë". Për shkak të nevojave të vendeve e rajoneve përgjatë Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe Rrugës Detare të Mëndafshit të Shek. XXI dhe prej kornizës së bashkëpunimit mes palëve, bashkëpunimi Kinë-EQL është futur në një gjendje dhe përpara tij ndodhen shanse të reja.
Në forumin e politikanëve të rinj Kinë-Europë Qendrore e Lindore, zv.kryetari i Konferencës Konsultative Kombëtare të Popullit Kinez Qi Xuchun vuri në dukje se Kina e ka propozuar strategjinë "Një Brez dhe Një Rrugë", sepse shpreson që popujt e vendeve përgjatë Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe Rrugës Detare të Mëndafshit të shek. XXI të punojnë e të ecin përpara së bashku, për t'i shtuar gjallëri të re kësaj nisme.
"Strategjia 'Një Brez dhe Një Rrugë' është e hapur dhe gjithëpërfshirëse. Ajo ofron një hapësirë dhe potencial të madh për bashkëpunimin miqësor mes Kinës dhe Europës Qendrore e Lindore. Pas fillimit të shekullit të ri, kemi hyrë në një epokë të re me paqe, zhvillim, bashkëpunim dhe përfitime të përbashkëta. Përballë dobësimit të ekonomisë botërore dhe situatave të ndërlikuara rajonale e ndërkombëtare, trashëgimi dhe përhapja e shpirtit të Rrugës së Mëndafshit është një gjë e çmuar," thotë Qi Xuchun, zv.kryetari i Konferencës Konsultative Kombëtare të Popullit Kinez. (Jiang Lei)