20151117-hp |
Rrugëtimi i Yu Pengnian-it nga shitës rruge në magnat pasurish të patundshme është tashmë i njohur për shumë veta. Por edhe më i njohur është veprimi i rrallë që bëri ai e që befasoi shumëkënd në një botë që po bëhet gjithnjë e më materialiste: Yu Pengnian-i e dhuroi të gjithë pasurinë e vet, duke mos u lënë asgjë fëmijëve. Në maj të këtij viti ai u nda nga jeta, por fondacioni i krijuar prej tij vazhdon të ndihmojë njerëzit në nevojë. Për shumë vite me radhë deri në fund të jetës ai është renditur në krye të listës së bamirësve në Kinë, duke u bërë edhe i pasuri i parë kinez që ka dhuruar mbi 1 miliard dollarë. Edhe për këtë arsye Yu Pengnian-inuk është përfshirë ndonjëherë në "Listën e miliarderëve të Kinës". Ndaj ai mund të quhet edhe "miliarderi që nuk u bë dot kurrë miliarder", ndonëse më shumë do t'i shkonte vlerërimi "Lajmëtari i dritës", për shkak të ndihmës që ka dhënë për rikthimin e shikimit të qindra mijë të sëmurëve me katarakt në sy në Kinë.
Yu Pengnian-i, i njohur edhe si Peng Lishan, ka lindur në vitin 1922 në një fshat të vogël të provincës Hunan të Kinës, Luodi. Për të ndihmuar familjen, në vitin 1945, pra kur ishte 23-vjeçar, Yu Pengnian-i shkoi në Shangai, me shpresë për të gjetur aty fatin. Por jeta nuk ishte e lehtë për djaloshin e varfër në "Parisin e Lindjes", siç quhej Shangai në atë kohë. Yu Pengnian-i e nxirrte bukën e gojës duke shitur çikërrima në rrugë ose duke tërhequr rikshën, njëfarë karroce me dy rrota që tërhiqet nga një njeri duke ecur më këmbë ose me biçikletë. Por më pas ai ndoqi shkollën dhe arriti të bëhet reporter e redaktor. Në vitin 1957 Yu Pengnian-i pati fatin e rrallë të sigurojë leje për të udhëtuar në Hong-Kong. Por edhe këtu fillimi ishte i vështirë, veçanërisht duke pasur parasysh që ai nuk fliste anglisht dhe nuk e njihte mire as dialektin kantonez që përdoret në Hong-Kong. Duke kujtuar, Yu Pengnian-i është shprehur: "Në fillim punoja më shumë se 10 orë në ditë dhe flija në dysheme, sepse nuk kisha para dhe nuk kisha askënd ku të mbështetesha."
Yu punoi fillimisht si pastrues rrugësh e pastaj si punëtor ndërtimi, duke fituar 80-100 dollarë hongkongas në muaj, një shumë e vogël, po prej së cilës ai përsëri arrinte të kursente, duke mos pirë duhan a alkool a duke mos luajtur bixhoz. Më pas Yu gjeti punë në një firmë të madhe pasurish të paluajtshme, ku arriti më në fund të zërë një post të vogël menaxhimi, duke kursyer përsëri gjatë gjithë kohës gjithçka që fitonte. Kursime që sigurisht do t'i hynin më vonë në punë.
Në vitet '60 të shekullit të kaluar, Yu Pengnian-i krijoi në Hong-Kong biznesin e vet të shitblerjes së shtëpive. Ishte fillimi i një karriere që do t'i sillte Yu Pengnian-it miliona dollarë nëpërmjet blerjeve të mençura të objekteve, për t'i shitur ndonjëherë më vonë me një çmim 20 herë ose më shumë se çmimi fillestar.
Por pikërisht në kohën kur Yu Pengnian-i po e rriste pasurinë e vet, do të vinte për të një goditje e rëndë. Në vitin 1973 ai hipotekoi gjithçka kishte dhe e provoi fatin në tregun e aksioneve. "Bleva gjithçka, duke përfshirë edhe aksione të zhvlerësuara, por tregu u kthye kundër meje dhe humba çdo gjë," ka treguar ai. Ky dështim i rëndë e bëri Yu Pengnian-intë ndalojë për 36 vjet blerjen e aksioneve, madje duke e ndaluar edhe stafin e tij që ta bëjë një gjë të tillë, derisa në mars të vitit 2009 ai bleu aksione të bankës HSBC, Sun Hung Kait dhe Cheung Kongut. Por këtë herë Pengnian-i ishte i sigurt për suksesin: "Ishte një mundësi shumë e mirë dhe nuk mund ta humbisja."
Sidoqoftë, pas humbjes së të gjithë pasurisë në bursë, Yu Pengnian-i nuk u ligështua dhe vendosi t'ia nisë nga e para, këtë herë duke investuar me para të marra hua në tregun e pasurive të paluajtshme në Tajvan dhe më pas përsëri në Hong-Kong, ku ra në sy sidomos blerja në vitin 1975 për 85 mijë dollarë hongkongas e shtëpisë luksoze ku kishte jetuar dhe ku kishte vdekur ylli i kungfusë Bruce Lee, të cilën më vonë ia dhuroi përsëri qeverisë së Hong-Kongut për ta kthyer në muze. Sërish mprehtësia e tij në biznes bëri që Yu Pengnian-i të ketë sukses e të krijojë rishmësi pasuri.
Në vitet '80 të shekullit të kaluar, pas fillimit të Reformës dhe Hapjes, Yu Pengnian-i u kthye në pjesën kontinentale të Kinës. Ai hyri në tregun e pasurive të patundshme që po lulëzonte në qytetin e Shenzhen-it, në provincën e Guangdong-ut, qytet që ishte në pararojë të Reformës dhe Hapjes. Shenzhen-i, më parë një fshat i prapambetur peshkatarësh fqinj me Hong-Kongun, ishte përcaktuar të bëhej një zonë e veçantë ekonomike në vitin 1980 dhe shërbeu si një pikënisje për transformimin industrial të Kinës të nisur nga udhëheqësi i atëhershëm Ten Hsiao Pin. Tani Shenzhen-i është një metropol i madh modern me një popullsi rreth 14 milionë. Në këtë qytet në vitin 2000 Yu Pengnian-i hapi një hotel 57-katësh me pesë yje, që deri në ditën e fundit të jetës shërbeu si shtëpi dhe zyrë për të.
Sidoqoftë, sa herë kthehej në vendlindjen e vet, provincën Hunan, për pushimet e Festës së Pranverës, siç quhet Viti i Ri kinez, Yu Pengnian-i merrte me vete zarfa të kuq të mbushur me të holla për fëmijët, të moshuarit dhe të varfrit. Kinezët tradicionalisht e kanë vlerësuar të kuqen si simbol të fatit e të lumturisë, dhe zarfa të tillë zakonisht janë si një bekim nga të moshuarit për fëmijët, ndërsa shuma brenda tyre ka pak rëndësi.
Në vazhdim për disa vjet me radhë, Yu Pengnian-i udhëtoi në zonat e varfra të Kinës Perëndimore për t'u dhuruar zarfa të kuq me të holla atyre që kishin nevojë. "Unë nuk kisha frikë nga vështirësitë për të shkuar në zonat e varfra, për të siguruar që çdo qindarkë e dhurimeve të shpenzohej siç duhet," ka vënë në dukje Yu Pengnian-i.
Në vitin 1988 Yu Pengnian-i bleu 10 autoambulanca në Japoni, që ishin ndër më modernet për kohën, me pajisjet më të mira. Ai dhuroi një autoambulancë për fshatin e vet të lindjes dhe nëntë të tjera për Changsha-në, kryeqendrën e provincës Hunan.
Sidoqoftë, bamirësinë në shkallë të gjerë Yu Pengnian-i e filloi pas prekjes nga katarakti në sy, ose perdja e syrit siç njihet ndryshe. Pas operacionit të suksesshëm për shërimin e syve të tij në vitin 2000, Yu Pengnian-i bëri kërkime lidhur me sëmundjen dhe mësoi se 400 000 njerëz në Kinë prekeshin çdo vit prej saj dhe shumë prej tyre nuk kishin mjetet financiare për të përballuar operacionin.
"Unë, ndonëse i pasur, sigurisht ndjeva dhimbje që humba shikimin: nuk mund të vija dot as firmën. Por mendova që të varfrit, njerëzit e thjeshtë, duhej të përballeshin me vështirësi edhe më të mëdha pas verbimit. Një operacion në pjesën kontinentale kushtonte 4000 deri në 10 000 juanë. Kjo ishte e papërballueshme për shumë të sëmurë," ka vënë në dukje ai.
Dhe kështu në vitin 2003, Yu Pengnian-ikrijoi Fondacionin që mbante emrin e tij, i cili nisi projektin "Lëvizja e dritës". Yu Pengnian-i shpenzoi 10 milionë juanë në vit për klinika të lëvizshme, që shkuan në pjesët më të largëta të Kinës, duke përfshirë Tibetin, Qinghain, Mongolinë e Brendshme dhe 15 rajone e provinca të tjera, për të kryer operacione falas. Yu Pengnian-i pagoi të gjithë koston, duke përfshirë shërbimet e kirurgëve të kualifikuar të syve nga një spital në Pekin. Në anët e furgonave të quajtur "Sytë e qartë" ishte fotografia e zmadhuar e syve të vetë Yu Pengnian-it të pastruar nga katarakti.
Fondacioni "Yu Pengnian" ka financuar më shumë se 300 000 operacione për heqjen e kataraktit në mbarë Kinën, duke e shtrirë madje veprimtarinë e vet edhe në vende të tjera si Laosi e Kamboxhia. Falë përpjekjeve të tij, Yu Pengnian-iu pagëzua edhe si "Lajmëtari i dritës
Fondacioni "Yu Pengnian" ka ndihmuar në çështje të ndryshme humanitare, duke përfshirë edhe ndihmën për rindërtimin pas tërmetit të madh të vitit 2008 në provincën Sichuan të Kinës Jugperëndim.
Pasioni i fundit për të dhënë ndihmën e vet për Yu Pengnian-in ishte arsimi. Ai i përdori një pjesë të mirë të parave të Fondacionit "Yu Pengnian" për bursa studimi. "Këto para dua t'i përdor për studentët e varfër, si edhe për të nxitur studentët e talentuar, duke përfshirë edhe studentët e huaj që duan të studiojnë në Kinë," tha ai. "Arsimi është shumë i rëndësishëm për një vend dhe i lidhur ngushtë me përparimin dhe standardin e jetesës të atij vendi."
Fondacioni "Yu Pengnian" ka ndihmuar për të krijuar një numër shkollash të Projektit "Shpresë" në zonat rurale në perëndim të Kinës. Projekti "Shpresë" është një sipërmarrje në shkallë të gjerë e mirëqenies publike në Kinë, që synon të përkrahë fëmijët e familjeve të varfra për vazhdimin e shkollimit prej të tyre.
Fondacioni "Yu Pengnian" ka vendosur po ashtu bashkëpunim me shkollat mjekësore të universiteteve më të njohura për të kualifikuar mjekë për të punuar në zonat e varfëra.
Yu Pengnian-i u shpreh se ai kishte vendosur që të ndihmonte edhe studentët jashtë vendit, me qëllim që ata të përhapnin kulturën kineze dhe të ndihmonin në thellimin e marrëdhënieve midis Kinës dhe vendeve të tjera.
Në prill 2010 Yu Pengnian-i organizoi një konferencë shtypi për të njoftuar se do t'ia dhuronte 3.2 miliardë juanët e tij të fundit (rreth 470 milionë dollarë) fondacionit të tij. "E gjithë shuma do të përdoret për bamirësi dhe asnjë pjesë e saj nuk mund të trashëgohet, të përdoret për biznes ose të investohet," tha ai. Dhe më tej Yu shtoi: "Ky do të jetë dhurimi im i fundit. Tani nuk më ka mbetur asgjë tjetër për të dhënë."
Me këtë dhurim, Yu Pengnian-i u bë sipërmarrësi i parë kinez që ka dhënë më shumë se 1 miliard dollarë për bamirësi, duke i dhuruar pothuajse 1.3 miliardë në para dhe në pasuri të patundshme fondacionit të tij "Yu Pengnian" për çështjet e arsimit, të shëndetësisë e të ndihmës në rast fatkeqësie.
Në një shoqëri ku bamirësia është një koncept i ri, Yu Pengnian-i u shpreh se një nga qëllimet e tij kryesore për bërjen publike të dhurimit të parave ishte që të kthehej në shembull për të pasurit e tjerë. "Gjithkush ka një këndvështrim të ndryshëm lidhur me paranë. Disa bëjnë gjëra të mira me të, disa të pasur nuk bëjnë asgjë ... Qëllimi im është që të jem një prijës, një pionier, i cili i nxit të pasurit, brenda dhe jashtë Kinës, të bëjnë diçka bamirësie," u shpreh ai.
Yu Pengnian-i vuri në dukje se ndihej krenar që emri i tij përmendej bashkë me atë të bamirësve të famshëm perëndimorë, si Bill Gates dhe George Soros, ose qoftë edhe kinezë, si Li Kashing, por theksoi se ai kishte shkuar një hap më tej, pasi e kishte dhuruar të gjithë pasurinë e tij. "Pasuria ime është si një pikë uji në krahasim me të tyren, por unë kam pikëpamje të ndryshme prej tyre dhe nuk do t'ua lë pasurinë time fëmijëvë të mi", theksoi Yu Pengnian-i.
Për këtë arsye, ndonëse ka qenë renditur zakonisht diku ndërmjet vendit të 400-të dhe të 500-të në listën e njerëzve më të pasur në pjesën kontinentale të Kinës, për vite me radhë derisa u nda nga jeta Yu Pengnian-i u rendit në krye të "Listës së bamirësve më të mëdhenj në Kinë".
Dhe synimi i Yu Pengnian-it për të qenë një shembull për të pasurit e tjerë duket se deri-diku është përmbushur.Në vitin 2010 "Barron 's", një revistë e njohur financiare amerikane, e përzgjodhi Yu Pengnian-in, së bashku me një sipërmarrës tjetër kinez, Huang Rulun, ndër 25 bamirësit më të mëdhenj në botë. "Barron 's" theksoi se renditja, më shumë sesa në paratë e dhuruara, mbështetej në ndikimin e këtyre bamirësve në shoqëri dhe në çështjen e ndihmës ndaj të tjerëve.
Që në fund të shkurtit të sivjetshëm, në një raport të sajin, firma globale "Wealth-X" parashikoi se në vitin 2015 më shumë të pasur në Kinë do t'u përkushtohen veprimtarive bamirëse. Në të vërtetë, dhënia e bamirësisë është bërë mënyra më popullore, nëpërmjet së cilës sipërmarrësit tregojnë përgjegjësinë e tyre shoqërore.
Rupert Hoogewerf-i, Instituti i të cilit harton "Listën e bamirësve më të mëdhenj në Kinë", shprehet se qëndrimi i sipërmarrësve kinezë ka ndryshuar përgjatë viteve: "Ata kanë më shumë besim në rritjen ekonomike të Kinës, prandaj kanë plane më afatgjata biznesi. 10-12 vjet më parë, shumica e tyre kishin një plan një- ose dyvjeçar biznesi, me mendimin për të bërë para sa më shpejt të mundnin."
Që kur filloi punën e bamirësisë, Yu Pengnian-i nisi të punonte 12 orë në ditë. "Të bësh vepra të mira është më e vështirë sesa të bësh biznes", është shprehur Yu, por duke shtuar se ndihej i lumtur kur ata që kishin nevojë, merrnin ndihmën e dhënë prej fondacionit të tij.
Shpesh është më e lehtë të fitosh sesa t'ua japësh ato të tjerëve, por bamirësia e Yu Pengnian-it i ka rrënjët në kulturën tradicionale kineze. "Për mua, paraja është vetëm diçka e jashtme," është shprehur ai. "Konfucizmi tradicional gjithmonë na kërkon të ndihmojmë të tjerët. Dhënia e dorës njerëzve që kanë nevojë, është një burim lumturie."
Rupert Hoogewerf-i vëren se një motiv i përbashkët i sipërmarrësve zemërgjerë kinezë si Yu Pengnian-i "është përvoja e tyre e ngjashme e të qenit të varfër". "Në të vërtetë, pothuajse të gjithë sipërmarrësit e përfshirë në 'Listën e bamirësve' kanë bërë një jetë të vështirë 30 vjet më parë, kur në Kinë nuk kishte pasur njerëz të pasur," shprehet ai. "Pas suksesit dhe pasurimit, kjo përvojë e tyre e një jetë të vështirë ka bërë që ata të kenë më shumë gjasa për të ndihmuar njerëzit që jetojnë në varfëri."
"Të ndihmoj të varfërit dhe t'i bëj ata të jetojnë më mirë janë qëllimi dhe dëshira ime," ka vënë në dukje Yu Pengnian-i. "Ndryshe nga Nobeli, mua më pëlqen të ndihmoj të varfrit, sepse kam qenë vetë i varfër dhe e kuptoj gjendjen e tyre. Kur isha i ri, në familjen time ne shpesh nuk kishim për të ngrënë. Tani unë kam një pasuri të madhe, por nuk mendoj aq shumë për të. Unë vetëm mendoj se sa shumë njerëz mund të ndihmoj me këtë pasuri."
Pyetja që u lindi shpejt të gjithëve kur mësuan se Yu Pengnian-inuk do t'u linte asgjë dy djemve të vet dhe nipërve e mbesave të tij, ishte: "A nuk do të zemërohen ata që babai e gjyshi i tyre e la gjithë trashëgiminë e vet për bamirësi?". Duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje duke buzëqeshur gjatë një interviste, Yu Pengnian-i tha: "Ata nuk e kundërshtuan këtë ide, të paktën jo në publik". Dhe më tej shpjegoi: "Në qoftë se fëmijët e mi janë të zotë, ata nuk kanë nevojë për paratë e mia. Nëse nuk janë, atëherë t'u lësh atyre shumë para vetëm sa do t'u bësh dëm."