PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
GDP-ja e Kinës rritet me 6.9 % në nëntë muajt e parë
2015-11-10 16:36:41 CRI Komenti juaj Printoni

Në fund të muajit tetor Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës publikoi të dhënat mbi gjendjen e ekonomisë së vendit në nëntëmujorin e parë të vitit. Sipas këtyre të dhënave, për herë të parë në gjashtë vjetët e fundit rritja e GDP-së së Kinës është ulur nën 7 %, duke arritur në 6.9 %, 0.5 pikë përqindjeje më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 0.1 pikë përqindjeje më pak se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

Në dy vjetët e fundit rritja e ekonomisë kineze, që vlerësohet si motori i zhvillimit të ekonomisë botërore, ka pësuar një ngadalësim të vazhdueshëm. Lidhur me shkaqet e kësaj gjendjeje, zëdhënësi i Zyrës Kombëtare të Statistikave të Kinës Sheng Laiyun analizon:

 

"Së pari, nga ana globale, nuk është shumë e pritshme mëkëmbja e ekonomisë botërore. Një faktor tjetër është që po shtohet mundësia e rritjes së normës së interesave në ShBA, çka ka shkaktuar luhatje të mëdha të çmimit të mallrave të ambalazhuara dhe në bursa, si edhe zhvlerësim të monedhave të shumë vendeve. Në këtë mënyrë është shtuar trysnia ndaj eksporteve kineze. Ndërsa për sa i përket brenda vendit, Kina ndodhet në fazën kyçe të rregullimit strukturor. Sektorët tradicionalë jo vetëm po ulin vëllimin e rezervave të tyre, por edhe po pakësojnë seriozisht kapacitetin e prodhimit. Si pasojë, sektorët tradicionalë që kanë pasur mbiprodhim, si ai i hekurit dhe çelikut, çimentos dhe lëndëve të tjera të ndërtimit, po pësojnë rënie."

Fakti është që, me hyrjen në të ashtuquajturën "gjendje e re e zakonshme", tri shtyllat tradicionale të ekonomisë kineze janë në dobësim. Sipas të dhënave përkatëse, në tre tremujorët e parë, vlera e shtuar e ndërmarrjeve të mëdha industriale (me prodhim vjetor mbi 20 milionë juanë) është rritur me 6.2 %, 0.1 pikë përqindjeje më pak se në gjashtëmujorin e parë. Investimet në pasuritë e patundshme gjatë po asaj periudhe patën një rritje 10.3 %, mbi 1 pikë përqindjeje më pak se në gjashtëmujorin e parë. Sheng Laiyun-i shprehet se, në kushtet e tanishme, ngadalësimi i rritjes së GDP-së së Kinës është shkaktuar nga ligjet ekonomike, rregullimet strukturore dhe ndryshimi i modelit të zhvillimit ekonomik.

 

"Mendoj që, lidhur me prirjen e ekonomisë kineze, duhet të shohim strukturën e saj. Struktura e prodhimit po përmirësohet dhe rregullimet po bëhen në mënyrë të qëndrueshme. Një dukuri e spikatur është që rritja e sektorëve të shërbimeve është e shpejtë dhe prirja e kalimit nga sektorët e prodhimit në sektorët e shërbimeve është bërë më e dukshme. Ne mund të shohim që përqindja e sektorëve të shërbimeve në GDP është rritur në 51.4 %, 2.3 % pikë përqindjeje më shumë se gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Kjo tregon që zbatimi i rregullimeve po bëhet në mënyrë të qëndrueshme," thotë Sheng Laiyun, zëdhënësi i Zyrës Kombëtare të Statistikave të Kinës.

Tani ekonomia kineze ndodhet në fazën kyçe të rregullimit strukturor. Në kushtet e shtimit të ndotjes, të ndryshimit të gjendjes së tokës dhe të popullsisë, modeli i vjetër ekonomik me investime dhe prodhim të madh nuk mund të vazhdojë më dhe Kina ka hequr dorë nga mënyra e mëparshme e zhvillimit me nivelin e GDP-së në fokus. P. sh., në provincën Zhejiang të Kinës Juglindore, 26 qytete dhe qyteza e kanë ndërprerë vlerësimin e zhvillimit në bazë të GDP-së. Atëherë, çfarë roli do të luajë qeveria për zhvillimin shoqëror ekonomik?

Në qytetin Lishui ka një zonë komplekse industriale. Tao Fangcai është drejtuesi i një distrikti pranë kësaj zone. Detyra e tij më parë ka qënë tërheqja dhe stabilizimi i investimeve dhe ai fokusohej tek niveli i prodhimit. Ndërsa tani, puna e tij ka ndryshuar dhe detyra e fundit është hapja e një kanali për ujërat e zeza.

 

"Si mund të zhvillohemi nëse nuk e bëjmë mirë punën për ujërat e zeza? Nëse ndotja e prish mjedisin, nëse ujërat e poshtme dalin jashtë, do të ketë ankesa ndaj nesh dhe kjo do të thotë ndikim në zhvillimin tonë."

Është e vërtetë se, që nga viti 2013, bashkia e Lishui-t mori vendim që të mos vlerësohen gjendja e zhvillimit dhe rezultatet e punës sipas nivelit të GDP-së, por të vihet fokusi te mbrojtja e mjedisit dhe niveli i lumturisë së qytetarëve. Zyrtari i bashkisë Zhu Chen u shpreh:

"Ky është një mekanizëm që ushtron trysni dhe që kërkon pakësimin e ndotjeve dhe shtimin e vëllimit të ekonomisë ekologjike."

Modeli i vjetër i rritjes ekonomike nuk mund të vazhdojë më dhe po kërkohen pika të reja rritjeje. Duke u fokusuar në stabilizimin e rritjes ekonomike, Kina përqendrohet edhe tek cilësia e rritjes, për të ruajtur vazhdueshmërinë e zhvillimit ekonomik. Vitet e fundit Kina po shpejton reformat e risitë dhe po nxit aktivisht strategjinë "Internet+" dhe projektin "Nisje biznesi dhe krijim masiv risish", për të eksploruar elementet e reja të rritjes nga sektorë, produkte dhe modele të reja. Sheng Laiyun bën të ditur:

"Nga janari deri në shtator rritja e shitjes me pakicë në internet ishte rreth 36 %, domethënë pranë 40%, ndërsa produktet e reja, si makinat me energji të reja, njohën një rritje dyfish. Kështu, duhet vërejtur që zhvillimi i ekonomisë kineze ka pasur ndryshim të madh në strukturë, forcën nxitëse etj. Prandaj, duhet të përshtatemi me këtë gjendje të re zhvillimi."

Drejtori i Institutit të Kërkimeve Makroekonomike pranë Qendrës Kombëtare të Informacionit të Kinës Niu Li u shpreh:

"GDP-ja është nën 7% dhe duhet të ketë një proces njohjeje dhe përshtatjeje, sepse, qoftë duke pasur parasysh gjendjen ndërkombëtare, ashtu edhe atë brenda vendit, ne duhet të shohim që ekonomia kineze ka pasur ndryshime të mëdha në fazën e zhvillimit, në strukturë dhe në forcën nxitëse. Prandaj themi që duhet të përshtatemi me gjendjen e re të zhvillimit."

Në fakt, ndryshimi i modelit të zhvillimit është edhe në të mirë të qytetarëve, që mund të përfitojnë më shumë nga frytet e zhvillimit ekonomik. Megjithëse rritja e GDP-së është ngadalësuar, niveli i jetesës, duke përfshirë punësimin dhe të ardhurat, është rritur ndjeshëm. Në tetë muajt e parë, në zonat urbane janë shtuar 9.52 milionë vende të reja pune, duke arritur 95 % të objektivit për mbarë vitin 2015. Gjithashtu, niveli i të ardhurave të disponueshme për frymë arriti në 16 mijë e 367 juanë, 9.2 % më shumë se një vit më parë. Rritja në këto dy drejtime është më e madhe sesa rritja e GDP-së. Lidhur me këtë Niu Li thekson:

"Më e dukshmja është që niveli i të ardhurave të qytetarëve është rritur shumë. Në tre tremujorët e parë, rritja neto ishte 7.7%, më e madhe se në gjashtëmujorin e parë. Duhet të kuptojmë që këto shifra janë shënuar gjatë procesit të përmirësimit të strukturës së të ardhurave të qytetarëve."

(Jiang Lei)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China