PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Yin, njeriu që synon të bëhet biznesmeni më i vjetër në botë
2015-11-10 16:20:45 CRI Komenti juaj Printoni

Grupi Industrial "Lifan", një kompani me qendër në Chongqing të Kinës, nga një prodhues i vogël pjesësh këmbimi për motoçikleta, është kthyer në një ndër prodhuesit më të mëdhenj në botë të motoçikletavedhe në kompaninë më të madhe kineze të eksportit të motoçikletave, duke filluar tashmë edhe prodhimin e veturave e duke pasur ambicie gjithnjë e më të mëdha në këtë sektor. Ndërsa themeluesi dhe kryetari i këtij grupi, Yin Mingshan-i, synon të bëhet sipërmarrësi më i vjetër në botë.

Mes morisë së makinave rrëzëllitëse në Panairin e Automjeteve të Pekinit të vitit 2012, ndër të tjera ajo që tërhoqi vëmendjen ishte "Lifan 720". Pyetja që dukej se shumica e vizitorëve po i bënin vetes ishte: "Çfarë kërkon një 'Lifan' në mes të makinave BMW, 'Aston Martins', 'Audi' dhe 'Ferrari'?" Yin Mingshan-i, kryetari i Grupit Industrial "Lifan" të Chongqing-ut, përgjigjet se kjo është pjesë e kalimit të kompanisë nga prodhimi i makinave për tregun e nivelit të ulët dhe të mesëm në tregun e makinave luksoze.

"Deri tani, shumica e automjeteve tona janë shitur në tregun e nivelit të ulët, dhe kryesisht në qytetet e kategorisë së dytë ose të tretë, si edhe në vendet në zhvillim. 'Lifan 720' është përpjekja jonë e parë për t'i kaluar këto pengesa dhe për të shkuar në tregun e nivelit të lartë," vë re ai .

Kur e sheh nga pamja e jashtme 77-vjeçarin e qetë dhe modest, është e vështirë të besosh se ai ka forcën për të sjellë zgjerimin agresiv të kompanisë së tij në tregun konkurrues kinez të prodhimit të makinave.

Një skepticizëm i tillë nuk është i ri për Yin Mingshan-in. Dyshime të ngjashme u shprehën edhe kur ai, në moshën 54-vjeçare, kohë kur shumica e kolegëve të tij përgatiteshin për të dalë në pension, vendosi ta provojë fatin në industrinë e prodhimit të motoçikletave.

Gati 20 vjet më vonë, "Lifan"-i është bërë një nga prodhuesit më të mëdhenj jo vetëm të motoçikletave, por edhe të automobilave në Kinë. Një gjë e tillë mbresëlënëse do t'i kishte bërë të lumtur e do t'i kishte mjaftuar shumicës së sipërmarrësve. Por Yin Mingshan-iështë duke u përgatitur për gjëra edhe më të mëdha. "Unë dua që 'Lifan'-i të jetë kompania më e mirë e automobilave dhe e motoçikletave në botë. Për të arritur këtë, është e rëndësishme që ne ta zgjerojmë praninë tonë në tregjet globale dhe gjithashtu të bëjmë produkte të nivelit të lartë", vë në dukje biznesmeni.

Në të njëjtën kohë, Yin Mingshan-ipranon se transformimi nuk është një detyrë e lehtë. "Arritja e këtij qëllimi kërkon përpjekje të mundimshme prej meje dhe kompanisë," vëren ai.

Por kjo nuk do të thotë se Yin Mingshan-inuk ka besim se do të arrijë sukses. Tek u fundit, ai vetë është dëshmi e suksesit të viteve punë plot guxim dhe këmbëngulje.

Yin Mingshan-i ka lindur në vitin 1938 në një familje të varfër në distriktin Fuling të qytetit kinez të Chongqing-ut, që vlerësohet edhe si qyteti më i madh në botë. Varfëria e bëri djaloshin e vogël të fillojë rrugën e tregtisë që kur ishte 12 vjeç. Yin Mingshan-i nisi të shiste gjilpëra për qepje për të ndihmuar familjen dhe për të paguar për arsimimin e vet. Por pikërisht kur po përgatitej që të hynte në universitet, nisi Revolucioni Kulturor dhe ai u detyrua të punonte në bujqësi e në një fabrikë për rreth 20 vjet. "E kalova pjesën më të madhe të rinisë në një fermë dhe mund të duket si një humbje e madhe kohe. Por, për fat të mirë, nuk hoqa dorë nga zelli për të mësuar dhe shfrytëzova çdo mundësi për t'i shtuar gjithnjë e më shumë dijet e mia," thotë Yin Mingshan-i. Libri i tij i parapëlqyer në atë kohë ishte "Ishulli i thesarit" i Robert Luis Stivensonit, dhe sigurisht ëndërronte që një ditë do ta gjente edhe ai thesarin e vet.

Pasi bëri disa punë, duke përfshirë mësues anglishteje dhe redaktor në një shtëpi botuese, në vitin 1992, me 200 000 juanë (afro 31 500 dollarë amerikanë), Yin Mingshan-i vendosi ta provojë fatin në industrinë e motoçikletave. Ashtu si karakteri i tij, ishte një fillim i thjeshtë, me vetëm nëntë të punësuar dhe një punishte të marrë me qira me sipërfaqe 40 metra katrorë, që më vonë do të shndërrohej në Grupin "Lifan".

"Shumë nga ata që më njihnin, më thanë se isha i marrë që doja të nisja një biznes në moshën 54-vjeçare. Madje as familja ime nuk më kuptoi atëherë. Ndieja një trysni të jashtëzakonshme dhe pothuajse nuk dija asgjë nga biznesi i motoçikletave. Por thellë zemrës e ndieja se kjo ishte një mundësi shumë e mirë dhe unë duhej ta shfrytëzoja. Këmbëngulja ime u shpërblye dhe unë arrita ta ndryshoj me sukses jetën time", vë në dukje pas kaq vitesh Yin Mingshan-i.

"Lifan"-i nisi fillimisht si një furnizues pjesësh për motoçikleta për të ashtuquajturit prodhues të pajisjeve origjinale të motoçikletave, ndërsa më vonë u bë furnizues i motorëve të plotë të motoçikletave. Pastaj kjo kompani nisi prodhimin e motoçikletave të markës së vet.

Pas njëfarë konsolidimi në tregun e brendshëm, "Lifan"-i nisi të mendojë për zgjerimin e pranisë së vet në tregjet jashtë vendit. "Kur u krijua 'Lifan'-i, ne vendosëm të fokusohemi kryesisht në tregun e brendshëm. Por, me kalimin e kohës, kuptuam se përballeshim me konkurrencën e frikshme në tregun e brendshëm nga markat e mëdha të huaja dhe kompanitë e mëdha shtetërore. Ne morëm vendimin të përqendrohemi në tregjet jashtë shtetit, pasi ato ofrojnë marzhe të larta fitimi, edhe pse sfidat aty janë të ashpra ", kujton Yin Mingshan-i.

"Lifan"-i ngriti fabrika për prodhim motoçikletash në Vietnam, Tajlandë dhe Turqi. Strategjitë e "Lifan"-it për të zgjeruar praninë e vet jashtë vendit u përqendruan më së shumti në lokalizimin, duke përfshirë punësimin e banorëve vendorë, si edhe karakteristikat e produkteve. Kështu, në Afrikë, shumica e produkteve të kompanisë janë bërë me materiale rezistente ndaj të nxehtit për të përballuar temperaturat e larta.

Në shtator të vitit 2001 motoçikletat e "Lifan"-it nisën të shiten në Japoni, duke shënuar herën e parë të eksportimit të motoçikletave kineze në këtë vend aq të njohur për prodhimin e motoçikletave. Në Vietnam motoçikletat e markës "Lifan" kanë një epërsi absolute. Këshilltari tregtar i Ambasadës Vietnameze në Kinë një herë u shpreh: "Në Vietnam marka 'Lifan' është më e famshme se 'Honda'."

Motoçikletat e "Lifan"-it eksportohen tani në më shumë se 160 vende dhe rajone, përfshirë Europën, ShBA-në, Azinë Juglindore dhe Afrikën, në bashkëpunim me më shumë se 140 firma tregtuese. Shitjet në ShBA dhe Europë pritet të zënë sivjet 20 për qind të vëllimit të përgjithshëm të shitjeve jashtë.

Por ndonëse eksportet janë burimi më i madh i të ardhurave e fitimeve, kompania "Lifan" gjithashtu nuk i ka kursyer përpjekjet për të rritur përsëri praninë e vet në tregun e brendshëm. "Me përmirësimin e madh në standardet e jetesës, tregu i brendshëm po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për ne. Në të ardhmen, ne presim që shitjet brenda vendit të zënë 40 për qind të vëllimit të përgjithshëm të shitjeve," vëren Yin Mingshan-i.

Grupi Industrial "Lifan" përfshin tashmë tetë kompani e tri kompani të marketingu dhe sot ka më shumë se 13 000 të punësuar. "Lifan"-i ka në zotërim më shumë patenta se çdo kompani private kineze me teknologji të reja të përparuara. "Lifan" është përfshirë vazhdimisht në listat e kompanive kryesore kineze për rritjen dhe inovacionin. Kështu, për shembull, ai është renditur i 88-ti në "Listën e sipërmarrjeve kryesore në Kinë" të hartuar nga revista prestigjioze "Forbes".

"Lifan"-i dhe qindra kompani të tjera kineze ishin një sfidë e vërtetë ndaj gjigantëve japonezë të prodhimit të motoçikletave, si "Honda" dhe "Yamaha". Por kjo konkurrencë ishte aq e ashpër e i uli aq shumë çmimet e motoçikletave, saqë Yin Mingshan-i një herë komentoi se vlera e motoçikletave si skrap ishte më e lartë se çmimi i shitjes së tyre me pakicë. Prandaj në vitin 2003, pikërisht kur tregu i brendshëm i makinave në Kinë filloi të merrte zhvillim, Yin Mingshan-i vendosi që "Lifan"-i të diversifikohej dhe të fokusohej në bërjen e llojeve të ndryshme të automobilave, duke ndjekur rrugën e gjigantëve si BMW, "Honda", "Suzuki" dhe "Kia", që po ashtu e kanë filluar nga biznesi i prodhimit të motoçikletave për të kaluar më pas te prodhimi i makinave.

Yin Mingshan-i është një dashamirës i zjarrtë i librave të historisë. Ai thotë se është e rëndësishme që kompanitë dhe individët të rregullojnë mënyrën e tyre të zhvillimit sipas situatave të veçanta.

"Ashtu si në luftë, fushëbeteja është vazhdimisht në ndryshim teksa ti përparon. Në botën e sotme, kur ndryshimet ndodhin çdo ditë, ne duhet të jemi të përgatitur për të ndryshuar në përputhje me rrethanat. Edhe pse e filluam biznesin tonë me motoçikleta, ne e kuptuam se prodhimi i makinave është më i dobishëm, pasi automobilat zakonisht kushtojnë 15 herë më shumë se motoçikletat. Ne duam të bëhemi në një prodhues i madh i automobilave, pak a shumë si 'Honda' e Japonisë dhe BMW e Gjermanisë," vëren Yin Mingshan-i.

Zhang Yale, një analist i kompanisë së këshillimeve "CSM Worldwide" me bazë në Shangai, vëren: "Sigurisht 'Lifan'-i ka ngjashmëri me modelin e biznesit të 'Hondës'. Ka një kalim të natyrshëm nga motoçikletat te makinat e vogla: 'Lifan'-i kishte grumbulluar një përvojë të madhe në prodhimin e eksportimin e motoçikletave dhe donte të kalonte në fazën e ardhshme."

Në janar të vitit 2006 "Lifan"-i nxori veturën e vet të parë, "Lifan 520", që shitej me një çmim rreth 9 700 dollarë. "Lifan 520" filloi të eksportohej në vendet në zhvillim në Azi, Afrikë, Lindjen e Mesme, Amerikën e Jugut e Karaibe, veçanërisht në Vietnam, Rusi, Iran, Egjipt, Etiopi e Uruguai,ndërsa tani shitet edhe në Australi dhe Brazil. Por me maturinë e vet Yin Mingshan-i thotë se kompanisë së tij i duhet më shumë kohë për të qenë e gatshme të konkurrojë në vendet e industrializuara: "Unë dua ta stërvis 'ushtrinë' time në këto tregje më të vogla, dhe kur të jemi gati, do të lëvizim në tregjet më të mëdha. Nuk mund t'ia lejojmë vetes të përballemi me dështimin në tregjet europiane dhe tregun amerikan. Po të humbësh në këto tregje, do të humbësh kudo".

Yin Mingshan-i pret që të ardhurat nga shitjet në biznesin e automjeteve të jenë mjaft më të larta se nga biznesi i prodhimit të motoçikletave në të ardhmen. "Shitjet e automjeteve përbëjnë afro 60 për qind të të ardhurave të grupit, kurse pjesa tjetër është nga motoçikletat. Por parashikojmë që deri në vitin 2020, të ardhurat nga sektori i automobilave të përbëjnë katër të pestat e të ardhurave të grupit tonë, ndërsa pjesa tjetër nga biznesi i motoçikletave," shprehet Yin Mingshan-i. Megjithatë, ai thekson se kompania "Lifan" ka gjithashtu si objektiv ruajtjen e pozicionit për sa i përket eksportit të motoçikletave, si edhe të shitjeve të tyre brenda vendit.

Por kur vjen fjala te prodhimi i makinave Yin e pranon se konkurrenca është shumë e ashpër. "Vetëm ato kompani që mund të ngjiten në zinxhirin e vlerës, duke siguruar produkte me vlerë më të madhe të shtuar, do të mbijetojnë. Kjo është arsyeja pse ne duam të prodhojmë më shumë automjete të nivelit të mesëm dhe të lartë, si pjesë e tranzicionit tonë të tretë," thekson magnati.

Planet e Yin Mingshan-it për zhvillimin e "Lifan"-it janë mjaft të përmbajtura e praktike. Kompania ka si objektiv që sivjet ose vitin e ardhshëm shitjet vjetore të makinave të arrijnë në 300 000. Yin Mingshan-i i ka shumë për zemër fjalët e një drejtuesi të "Tojotës", i cili thotë se "Tojota" është shumë e suksesshme kur zvarritet si breshkë dhe pa më të voglin dyshim do të dështonte po të vraponte si lepur.

Yin Mingshan-ie vë theksin te krijimi i risive dhe shprehet se, për kompanitë kineze të automobilave, sfida më e madhe mbetet zotërimi i teknologjive kryesore. "Është e rëndësishme që kompanitë të kenë patentat dhe markat e tyre," shprehet ai. "Lifan"-i zotëron mijëra patenta dhe shpenzon afërsisht 5 për qind të të ardhurave të veta në kërkim-zhvillim. Kompania ka krijuar qendra kërkimore-shkencore në Chongqing dhe Brazil, duke u bërë kompania e parë private e automobilave që ka një qendër kombëtare kërkim-zhvillimi në Brazil.

"Lifan"-i është tashmë një kompani udhëheqëse për sa u përket makinave elektrike, me një kapacitet prodhimi deri në 50 mijë makina elektrike në vit.

Në kuadër të diversifikimit "Lifan"-i ka investuar edhe në financa dhe në pasuritë e patundshme, si edhe në prodhimin e verës e të ujit mineral, të pajisjeve sportive etj. "Por këta sektorë nuk mund të vlerësohen si sektorë kyçë për zhvillimin e 'Lifan'-it. Vetëm biznesi i automobilave dhe i motoçikletave mund të na ndihmojnë për të arritur objektivat tona ambicioze," thekson Yin Mingshan-i.

Yin Mingshan-i, që është edhe kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Motoçikletave të Kinës, është nderuar me një numër çmimesh. Ai ka fituar për disa vite me radhë çmimin "Sipërmarrës i dalluar". Në vitin 2002 Yin-i fitoi "Çmimin kombëtar për ndihmesë të shquar në menaxhimin e cilësisë". Po atë vit Shoqata Kombëtare e Industrisë dhe e Tregtisë e Kinës dhe Federata e Sindikatave i dhanë çmimin "Sipërmarrës privat që kujdeset më shumë për punonjësit e vet", kurse në vitin 2007 Yin Mingshan-iu përfshi ndër "10 personalitetet kryesore të Kinës".

Në 11 tetor të vitit 2010, në Samitin e 62-të të Zyrtarëve Kryeekzekutivë të organizuar në Shangai, Yin Mingshan-i bëri të vetin çmimin "Legjendë në lidership". Ky çmim iu dha atij me motivacionin: "Modeli i tij i lidershipit tregon se si guximi dhe krijueshmëria mund të kapërcejnë vështirësitë vetjake dhe pengesat inxhinierike për të përmirësuar jetën e njerëzve."

Yin Mingshan-idhe Grupi Industrial "Lifan" janë të njohur edhe për bamirësi. Në vitin 2008, ata dhuruan 2 milionë juanë (mbi 310 000 mijë dollarë amerikanë) për punët e rindërtimit pas tërmetit të madh në Wenchuan të provincës Sichuan. Përveç kësaj, në fund të vitit 2008, ata kishin krijuar më shumë se 100 shkolla "Guangcai", të cilat ofrojnë arsimim për fëmijët në zonat e varfra të Kinës. Yin Mingshan-i ka fituar "Çmimin e bamirësisë të Kinës" që jepet nga Ministria e Punëve Civile dhe Federata Kineze e Bamirësisë, duke u bërë fituesi i vetëm nga sipërmarrësit e Chongqing-ut i këtij çmimi.

Yin Mingshan-i është edhe një dashamirës futbolli. Në vitin 2000 ai bleu klubin "Hongyan Huandao", kurse në vitin 2003, Yin bleu një tjetër klub futbolli të quajtur "Hongta" i Yunnan-it. Në vitin 2008 Yin Mingshan-i shpenzoi 6.8 milionë dollarë amerikanë për të blerë një prej dy klubeve të futbollit të Chongqing-ut që luanin në Superligën kineze, i cili sot quhet Klubi "Lifan" i Chongqing-ut.

Pasuria e Yin Mingshan-it vlerësohet në 1.6 miliardë dollarë, por kjo nuk ia ka ndryshuar atij stilin e thjeshtë të jetesës, ashtu siç mosha e thyer nuk ia ka ulur pasionin dhe zellin për punë.

Ashtu si edhe biznesmeni i tij i parapëlqyer, Henri Ford, i cili punoi deri në moshën 85-vjeçare, Yin Mingshan-i kurrë nuk mendon se është shumë i vjetër për t'u marrë me biznes dhe synon të bëhet sipërmarrësi më i vjetër në botë.

«Sipërmarrësi më i vjetër deri tani është dikush që është 88 vjeç. Unë jam ende në kulmin e karrierës sime dhe shpresoj ta thyej këtë rekord. Shpresoj se mund të punoj edhe për 15 vjet të tjerë dhe të ndihmoj për ta bërë 'Lifan'-in një gjigant ndërkombëtar të automobilave, përveçse të qenit një kompani e njohur prodhimi motoçikletash," shprehet 77-vjeçari i palodhur.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China