20151027xilaFE |
Porti i Pireut, që ndodhet në juglindje të Athinës, është porti më i madh në Greqi, si edhe një nyjë e linjave të transportit detar mes Europës, Afrikës dhe Azisë. Në vitin 2008, grupi kinez COSCO mori të drejtën e menaxhimit, me një autorizim të posaçëm, të skelave nr.2 dhe nr.3 të këtij porti. Qysh nga ajo kohë, biznesi në portin e Pireut ka pasur një rritje vërtet të madhe dhe është bërë shembull i bashkëpunimit Kinë-Greqi. Me hapjen e linjës ekspres tokë-det mes Kinës dhe Europës, Porti i Pireut është bërë nyja e rëndësishme e logjistikës në Europën Juglindore.
Porti i Pireut është porti me ngarkesën më të madhe në Mesdheun Lindor dhe njihet edhe si "perla e Mesdheut". Porti ndodhet afro 30 kilometra larg qendrës së Athinës. Pas ankorimit të anijeve, mund të shohësh konteinerë të vendosur në resht dhe autovinçat e prodhuar nga Kina që shkarkojnë mallrat nga anijet. I gjithë procesi bëhet me një menaxhim të rregullt modern.
Në muajin nëntor të vitit 2008, në praninë e liderëve të Kinës dhe Greqisë, grupi COSCO dhe autoriteti detar i portit të Pireut nënshkruan marrëveshjen zyrtare për administrimin e skelave nr.2 dhe nr.3 të portit të Pireut nga COSCO. Sipas marrëveshjes, grupi COSCO ka të drejtën e menaxhimit të këtij porti për 35 vjet. Duke folur për investimet në portin e Pireut, kryemenaxheri i kompanisë së portit të Pireut pranë grupit COSCO, Fu Chengqiu, bën të ditur se arsyeja është që ky port ka një vendndodhje shumë të veçantë.
"Investimet në skelat këtu në Greqi kanë një rëndësi jashtëzakonisht të madhe strategjike, pasi Greqia ndodhet në Mesdheun Lindor dhe vende si Turqia, Izraeli dhe Libani janë shumë afër. Gjithashtu, nëse vendmbërritja është Mesdheu Perëndimor ose Afrika e Veriut, një ndalesë ose pushim në Greqi do të jetë një ndihmë mjaft e madhe për kontrollin e kostos," thotë Fu Chengqiu.
COSCO i kushton rëndësi shumë të madhe portit të Pireut dhe qysh nga viti 2010, kur grupi mori zyrtarisht të drejtën e menaxhimit, ky port ka pasur ndryshime të mëdha. Deri në vitin 2014, kapaciteti i portit është rritur në 2. 987 milionë konteinerë standard, nga 685 mijë që ishte në vitin 2010, duke u ngjitur nga vendi i 93-të në të 39-tin në renditjen botërore të porteve për nga kapaciteti. Kjo i ka sjellë Greqisë, në kushtet e krizës së borxheve, fitime të mëdha ekonomike, duke krijuar edhe shumë vende pune. Lidhur me këtë, Fu Chengqiu thotë:
"Në fillim, kur sapo erdhëm, i gjithë porti kishte vetëm 300 punëtorë, duke përfshirë edhe ata që ofronin shërbime të tjera. Ndërsa deri në fund të vitit të kaluar, numri i punonjësve në skelat nr. 2 e nr. 3 arriti në mbi 1300. Bashkë me ata që ofrojnë shërbime jo të drejtpërdrejta, ky numër mund të shkojë në 5000. Kjo do të thotë që ky port tani siguron jetesën e 5000 vetave."
Menaxheri komercial i kompanisë së portit të Pireut Tassos Vamvakidis është një nga njerëzit që ka marrë pjesë në këtë biznes qysh nga fillimi. Lidhur me punën e tij në këtë kompani, Vamvakidis thotë që investimet kineze në portin e Pireut kanë sjellë ndryshime të mëdha.
"Grekët dhe kinezët punojnë bashkë me të njëjtin objektiv. Ata janë si një familje dhe kanë marrëdhënie të mira. Kur mora vesh se COSCO do të investonte në portin e Pireut, kuptova që kjo ishte një sfidë dhe mundësi e madhe për mua dhe më dha një forcë të paparë. Këtu kinezët i respektojnë grekët, sepse ata kanë një kulturë të lashtë dhe nivel të lartë arsimor," thotë Tassos Vamvakidis, menaxher komercial i kompanisë së portit të Pireut.
Gjatë 5 vjetëve të fundit, me përpjekjet e përbashkëta të punonjësve kinezë dhe atyre grekë, projekti i bashkëpunimit në portin e Pireut është bërë shembull i suksesit të investimeve kineze jashtë vendit dhe i bashkëpunimit mes Kinës dhe Greqisë. Në muajin qershor të vitit 2014, në praninë e kryeministrave të të vendeve, një tren i mbushur me mallra kineze u nis nga porti i Pireut për në Europën Qendrore e Lindore. Linja ekspres tokë-det mes Kinës dhe Europës lidh portin e Pireut, që ndodhet në Mesdheun Lindor, me vendet në brendësi të kontinentit europian, duke shkurtuar shumë kohën e transportit nga Lindja e Mesme për në Europën Qendrore e Lindore dhe duke siguruar një kanal më të përshtatshëm komunikimi det-tokë. Zv.kryemenaxheri i kompanisë së portit të Pireut pranë grupit COSCO, Zhang Anming, bën të ditur:
"Çekia, Austria e Sllovakia, madje edhe Polonia e Hungaria, të gjitha këto vende janë qendra prodhimi në Europë. Në të kaluarën, import-eksporti i mallrave mes këtyre qendrave të prodhimit dhe Lindjes së Largët bëhej me anije. Në atë kohë, mallrat së pari mbarteshin me anije në Hamburg dhe Roterdam dhe pastaj transportoheshin me tren. Kjo mënyrë harxhonte shumë kohë. Ndërsa tani, me hapjen e linjës ekspres tokë-det mes Kinës dhe Europës, mallrat nga Lindja e Largët mund të çohen drejtpërdrejt këtu për në krahinat e brendshme dhe kjo e shkurton shumë rrugën e transportit."
Hapja e linjës ekspres tokë-det mes Kinës dhe Europës simbolizon që porti i Pireut është bërë porti jugor i Europës Qendrore e Jugore. Ndërkohë, ky port është një pikë takimi e Rrugës së Mëndafshit dhe Rrugës Detare të Mëndafshit. Në këtë mënyrë, porti i Pireut është bërë një nyjë e rëndësishme e Rrugës së Re të Mëndafshit me transportin detar e hekurudhor. Në muajin shtator të këtij viti, grupi COSCO shpalli se ka blerë skelën e 3-të më të madhe të konteinerëve në Turqi, duke shtuar më tej efektivitetin e transportit në këtë platformë. Kryemenaxheri i kompanisë së portit të Pireut pranë grupit COSCO, Fu Chengqiu, mendon që investimet e grupit COSCO, qoftë në Greqi, qoftë në Turqi, lidhen ngushtë me strategjinë e Kinës "Një Brez dhe Një Rrugë":
"Greqia është një pjesë e rëndësishme e Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit. Për këtë arsye, grupi COSCO duhet medoemos të bashkërendohet me strategjinë kombëtare. Transporti detar-hekurudhor që po bëjmë tani në të vërtetë është një pjesë e strategjisë kombëtare 'Një Brez dhe një Rrugë'. Jemi të bindur që Greqia dhe Turqia janë pika të rëndësishme të kësaj strategjie të madhe". (Jiang Lei)