PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Zuo Zongshen-i, "fluturimi" nga motoçikletat te dronat
2015-11-03 17:14:29 CRI Komenti juaj Printoni

Themeluesi dhe kryetari i Grupit "Zongshen" Zuo Zongshen-i është një miliarder i vetëbërë, me një vullnet të hekurt për të arritur suksesin. Nga një punishte për riparimin e motorëve në vitin 1982, Zuo e bëri kompaninë e tij "Zongshen"-in një nga tre prodhuesit më të mëdhenj të motorëve në Kinë, që punëson më shumë se 20 000 veta.

"Zongshen"-i është një nga shembujt e shumtë të suksesit të kompanive të krijuara nga sipërmarrësit kinezë gjatë më shumë se 30 vjetëve të fundit.

"Familja ime dhe unë ishin njerëz të zakonshëm. Në sytë e perëndimorëve ne do të quheshim shumë të varfër. Kur e pata mundësinë, e vlerësova dhe e shfrytëzova, duke punuar shumë," vëren Zuo Zongshen-i.

Por nëse sfondi i tij tingëllon modest, ambiciet e Zuo-s nuk kanë qenë aspak të tilla. Tashmë një nga njerëzit më të pasur të Kinës, Zuo Zongshen-i mendon se ai mund të ndryshojë një nga industritë më komplekse në botë.

Zuo Zongshen-i ka lindur në Shangai në vitin 1952, por u rrit në Chongqing, një tjetër metropol gjigand në Kinën Qendrore me rreth 35 milionë banorë. Ashtu si edhe shumë të rinj të tjerë në atë kohë, ai u dërgua të punonte në bujqësi gjatë Revolucionit Kulturor. Më vonë Zuo Zongshen-i u rikthye në Chongqing, ku filloi punë në një fabrikë porcelani. Kur në Kinë nisi të lejohet iniciativa e lirë, ai nisi sipërmarrjen, duke u marrë fillimisht me shitjen e librave dhe mandej të frutave. Pastaj, në vitin 1982, kur ishte në moshën 30-vjeçare, Zuo Zongshen-i filloi të mësojë riparimin e motoçikletave. Dukej se Zuo kishte një prirje të natyrshme për një gjë të tillë. "Kur një motoçikletë kalonte në rrugë, mund ta dija nëse motori kishte probleme vetëm duke i dëgjuar zhurmën," kujton ai.

Po atë vit Zuo Zongshen-i hapi punishten e vet të riparimit të motoçikletave, duke nisur t'i montojë vetë motorët. Ai siguroi një varg kontratash nga një fabrikë prodhimi motoçikletash. Pas një dhjetëvjeçari mbledhjeje kapitali dhe përvoje, me 500 mijë juanë (78.75 mijë dollarë amerikanë) Zuo krijoi Kompaninë Industriale të Motoçikletave "Zongshen".

Zuo Zongshen-i ishte në vendin e duhur: në vitin 2010 llogaritet se Chongqing-u, ku e kishte selinë kompania e tij, prodhonte afro gjysmën e motoçikletave në Kinë. Kultura e motoçikletës është e lidhur, ashtu si për europianët, me lirshmërinë e lëvizjes së mjeteve të vogla në mjedise të ngarkuara urbane. Shumica i përdorin ato si mjete transporti, por me pasurimin e njerëzve në Kinë, edhe për sport dhe argëtim. Sidoqoftë, në vitet '90 të shekullit të kaluar, "Zongshen"-i e nisi fillimisht me prodhimin e motoçikletave për kompanitë e tjera, përpara se të krijonte markën e vet në vitin 1996. Në vitin 2000 shitjet e kompanisë së motoçikletave "Zongshen" i kaluan 3 miliardë juanët (mbi 472 milionë dollarë amerikanë), duke e bërë atë një prej kompanive më të mëdha në Chongqing. Rrjeti i shitjeve të "Zongshen"-it jo vetëm mbulonte tërë Kinën, por kompania nisi të eksportonte edhe jashtë vendit.

Por një ndalim i motoçikletave në më shumë se 170 qytete kineze i goditi prodhuesit e tyre, shumë prej të cilëve u përpoqën të diversifikoheshin në biznese të tjera. Por Zuo Zongshen-i vazhdoi të besonte se kishte ende hapësirë për rritje, sidomos në zonat rurale. "Kina ka një popullsi të madhe dhe një hapësirë të kufizuar," shprehet ai. "Krahasuar me makinat, motoçikletat janë më të përshtatshëme dhe efikase, dhe e dëmtojnë më pak mjedisin."

Ndalimi i motoçikletave në mjaft qytete kineze goditi edhe kompani të famshme ndërkombëtare si "Piaggio", prodhuesi italian i markave të tilla të njohura si "Vespa". Përfaqësuesi i kësaj kompanie në Kinë Stefano Pitti ndihej si mbret në fillim të viteve '90, kur ai shiti 150 000 motoçikleta të "Piaggio"-s për 10 000 juanë (mbi 1570 dollarët amerikanë) secila në dy vjetët e tij të parë pas mbërritjes në Shangai. Por pastaj gjërat papritmas ndryshuan. "Bashkia e Shangait vendosi ndalimin e motoçikletave dhe sa hap e mbyll sytë shitjet e motoçikletave tanë arritën afër zeros," kujton Stefano Pitti. "Eshtë e kotë të them që u rrënuam."

Veprimi i Bashkisë së Shangait u pasua nga autoritetet e qyteteve të tjera të mëdha. Në vend të ndalimit të plotë, disa qytete ngritën taksat e qarkullimit për të shkurajuar përdorimin e motoçikletave. Sipas tyre, ky veprim bëhej për të mbrojtur mjedisin, pasi motoçikletat nuk përmbushnin standardet e tyre të reja të kontrollit të lëshimit.

Por në vend që të dorëzohej, Stefano Pitti e bindi selinë qendore të "Piaggio"-s në Itali të krijonte ndonjë ndërmarrje të përbashkët me një kompani prodhuese vendase. Plani ishte që "Piaggio" të krijonte një model të ri që mund ta bënte të hynte në tregun e fshatit, ku kërkesa për motoçikleta ishte ende e lartë.

Problemi i "Piaggio"-s në Kinë ishte se nuk arriti të bëjnë dallimin midis nevojave shumë të ndryshme të konsumatorëve kinezë dhe atyre në tregun e saj kryesor në Itali.

"Ndryshimi nuk është aq i theksuar në qytetet e mëdha," vë në dukje Stefano Pitti. "Klientët në Shangai, për shembull, janë të interesuar për pamjen dhe modelin ashtu si homologët e tyre italianë. Ata madje kanë edhe të njëjtat zakone të ngarjes së motoçikletës".

Kjo ishte arsyeja pse "Vespa"-t legjendare të "Piaggio"-s u shitën aq mirë në Shangai para ndalimit. Por, për shkak të çmimeve relativisht të larta, produktet e "Piaggio"-s kurrë nuk patën shitje të larta në tregjet rurale të Kinës.

Stefano Pitti e dinte se, për të mbijetuar, duhej të gjente një partner vendor për ta ndihmuar "Piaggio"-n të hynte në tregjet e qyteteve të mesme e të qytezave dhe në fshatra. Dhe kështu Stefano Pitti nisi kërkimin dhe më në fund u ndal në Chongqing, ku gjeti "Zongshen"-in.

Pitti vëren se i bëri shumë përshtypje strategjia e marketingut, rrjeti i gjerë i shitjeve dhe kapaciteti i prodhimit i "Zongshen"-it, veçanërisht aftësia për të prodhuar motoçikleta me kosto të ulët, që lejonte konkurrimin në mënyrë efektive në treg.

Pas 32 muaj negociatash të vështira, të dyja palët ranë dakord në prill të vitit 2004 për një marrëveshje të përbashkët për formimin e një kompanie të re, "Piaggio Zongshen" të Foshan-it, ku secila kompani zotëron 45 % të aksioneve. Në ceremoninë e nënshkrimit Zuo Zongshen vuri në dukje pikërisht se marrëdhëniet midis dy firmave do të ishin "krejtësisht të barabarta." "'Piaggio' zotëron teknologji pararojë në prodhimin e motoçikletave, ndërsa 'Zongshen'-i ka njohuri për zakonet e konsumatorëve kinezë dhe tregun e brendshëm të motoçikletave. Bashkëpunimi me 'Piaggio'-n do ta zvogëlojë koston e prodhimit dhe do të rritur më tej aftësinë tonë të konkurrencës në tregun kinez dhe në tregjet ndërkombëtare të motoçikletave," tha Zuo.

Po më pas "Zongshen"-i u godit nga kriza financiare globale e vitit 2008. Porositë ranë 60 % dhe linjat e prodhimit, që zakonisht punonin ditë e natë, i ngadalësuan ritmet. "Nuk mund të flija mirë për muaj të tërë," kujton Zuo Zongshen-i. "Pastaj e kuptova se duhej të bënim ndryshime."

Një nga ndryshimet ishte zgjerimi në vende të reja, teksa shitjet në tregjet tradicionale njohën rënie të ndjeshme. Në vitin 2009 "Zongshen"-i investoi në Tajlandë për ndërtimin e një baze prodhimi dhe më pas bleu markën braziliane "Kasinki", si pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët të quajtur "Zongshen CR". Një vit më pas të ardhurat e "Zongshen CR" nga shitjet arritën në 104 milionë dollarë amerikanë, 261 % më shumë se një vit më parë.

Shumica e motoçikletave të "Zongshen"-it megjithatë shiten në Azi, por Zuo Zongshen-i synon zgjerimin e tregut edhe në kontinente të tjera, si Europa dhe Amerika e Jugut. "Ne duam ta hedhim shikimin jashtë vendit dhe të krijojmë diçka të ndryshme, duke shmangur konkurrencën e brendshme në çmim dhe bërjen e produkteve të njëjta me çmim të ulët. Ne duam cilësi më të lartë dhe çmim më të lartë," vë në dukje Zuo.

"Zongshen"-i, që e ka selinë në mes kodrinave të gjelbra në rrethinat e metropolit kinez Chongqing, pranë brigjeve të lumit Jance, është një tregues i vendit që zë Kina në ekonominë botërore. Brenda pesë fabrikave moderne, secila me madhësinë e disa fushave të futbollit, punëtorë dhe punëtore, kryesisht të rinj me uniforma në ngjyrë kafe, punojnë me zell në linjat e automatizuara të montimit, duke prodhuar mijëra motoçikleta.

Në vitin 1999, një ekip i sponsorizuar nga "Zongshen"-i filloi të konkurrojë në të parin "Motor Grand Prix" në Europë. Ekipi "Zongshen" synonte kryesisht të ishte një mjet marketingu dhe reklamimi i markës "Zongshen" në Evropë. Fakti që shitjet në ShBA janë më pak se një e treta e atyre në Evropë, vëren Zuo, i detyrohet shumë faktit se gara me motoçikletë nuk është aq popullore në Amerikën e Veriut sa është në kontinentin plakë.

Ben Purvis, kryereporter i "Motor News", një nga revistat më të mëdha në botë të motoçiklizmit, thekson se pjesëmarrja e "Zongshen"-it në "Motor Grand Prix" tregon se kjo markë mund të ketë sukses: "'Zongshen'-i po bën hapa të mëdhenj përpara. Kjo kompani po bën motoçikletat e veta në vend që të prodhojë vetëm për markat e huaja. Dhe ndryshe nga shumë prodhues të tjerë motoçikletash, ata duket se nuk po e bëjnë një gjë të tillë vetëm për para. Ata kujdesen me të vërtetë për motoçikletat."

Megjithatë, "Zongshen"-i po kërkon ta shfrytëzojë përvojën e vet në motoçikleta edhe për prodhimin e automobilave. Kompania kohët e fundit bleu një fabrikë prodhimi furgonash në qytetin Wuhu të provincës Anhui, buzë lumit Jance, ku e ka selinë e saj edhe kompania e njohur kineze e makinave "Chery Automobile", dhe planifikon të fillojë eksportimin, pas rritjes së cilësisë dhe forcimit të menaxhimit.

Teksa kompanitë kineze ngjiten në zinxhirin e vlerës, analistët shprehen se sfida e vërtetë për vendet me sektor të zhvilluar të manifakturës do të vijë nga industria kineze e automjeteve dhe sektori i transportit. Gjatë viteve të fundit rritja e industrisë së automjeteve ka qenë më e lartë se kategorive të tjera të eksporteve kineze.

Por magnati i motoçikletave planifikon të lëvizë edhe në botën e aviacionit, gjë që në të vërtetë ka krijuar mosbesim, madje disa e kanë quajtur të marrë.

Ideja për këtë Zuo Zongshen-it iu krijua pas një vizite në Ekspozitën e Aviacionit të Zhuhai-t. Pas kthimit në Chongqing, ai njoftoi se kompania e tij "Zongshen" kishte arritur një marrëveshje strategjike me dy partnerë për të prodhuar avionë privatë me anë të një kompanie të re, Kompania Jugperëndimore e Prodhimit të Aeroplanëve e Chongqing-ut. Plani parashikon investimin e 2 miliardë juanëve (315 milionë dollarëve amerikanë) në këtë projekt.

Suksesi i një sipërmarrjeje të tillë për prodhimin e aeroplanëve mbështetet në dy faktorë që vlerësohen si të paparashikuar. Nga njëra anë, duhet të ketë kërkesë të mjaftueshme për aeroplanë privatë; nga ana tjetër, Kina duhet ta hapë më shumë qiellin e saj për fluturimet private.

Kur vjen puna te kërkesa, Zuo Zongshen-i thekson se Kina është ende prapa ShBA-së për sa i përket numrit të aeroplanëve, dhe ai pret që një gjë e tillë do të ndryshojë. Dhe Zuo nuk është i vetmi që parashikon se numri i aeroplanëve në Kinë do të njohë një rritje të shpejtë në vitet e ardhshme.

James Fallows, në librin e tij "Kina në fluturim", flet lidhur me ambiciet e Kinës në fushën e fluturimeve ajrore: "Në aviacion, ashtu si në aq shumë fusha, Kina e ka filluar prapa Shteteve të Bashkuara dhe shumë vendeve të tjera të zhvilluara, por pritet t'i arrijë shpejt," shkruan ai.

Aviacioni civil është zgjeruar me shpejtësi në Kinë. Dy herë më shumë udhëtarë fluturuan më aeroplanë në vitin 2006 në krahasim me vitin 2001, e po ashtu dy herë më shumë fluturuan në vitin 2011 krahasuar me vitin 2006. Por flota e aeroplanëve komercialë e Kinës ishte vetëm rreth 2 600 në vitin 2010, afro gjysma e asaj të Shteteve të Bashkuara, ndërsa objektivi për sivjet është që të arrijë në 4 500 aeroplanë, një ritëm blerjeje që përfaqëson rreth gjysmën e aeroplanëve të rinj të shitur kudo në mbarë botën.

"Tani njerëzit në Kinë kanë makina dhe shtëpi, dhe pika tjetër e rritjes së konsumit do të jenë avionët," vë në dukje Zuo Zongshen-i.

Aeroplanët e rinj gjithashtu kërkojnë më shumë hapësirë qiellore për të fluturuar. Për këtë Zuo Zongshen-i përmend planet e hartuara nga Këshilli i Shtetit i Kinës, pra qeveria kineze, për të hapur hapësirën ajrore në lartësi të ulët. Por, në përgatitje për një lëvizje më të plotë, Zuo ka njoftuar një investim në një kompani e lidhur me kryerjen e kontrollit të trafikut ajror kombëtar, e cila po kryen kërkime mbi mënyrën më të mirë për të zgjeruar qasjen në hapësirën ajrore të brendshme të vendit.

Edhe në qoftë se këta dy faktorë, pra kërkesa e mjaftueshme për aeroplanë privatë dhe lejimi i më shumë fluturimeve private, priren për mirë për Zuo Zongshen-in, a mundet një njeri i famshëm për prodhimin e motoçikletave të jetë në gjendje të gjejë një hapësirë në fushën e aviacionit? Ka edhe skeptikë, edhe për shkak se Zuo Zongshen-i dëshiron të përfshihet në disa pjesë të ndryshme të industrisë së aviacionit. Vetëm prodhimi i aeroplanëve nuk është i mjaftueshëm për të, ndaj ai kërkon të merret me një gamë të gjerë veprimtarish të tjera, si ndërtimi i aeroporteve, trajnimi i pilotëve e madje edhe turizmi. Por Zuo shpjegon se ai do t'ia fillojë nga prodhimi: "Unë kam përvojën dhe burimet në sektorin e prodhimit, kështu që mund të marr përsipër prodhimin e përgjithshëm të pjesëve për aeroplanët," thotë Zuo. Ai shprehet se dëshiron të veprojë si një urë në mes sektorit privat dhe ambicieve të Kinës në fushën e aviacionit.

Në qershor të këtij viti "Zongshen"-i bleu 49 % të aksioneve të kompanisë kanadeze të hidroplanëve "HarbourAir", që është kompania më e madhe e hidroplanëve në botë, me 50 të tilla dhe me 400 mijë udhëtarë në vit. Themeluesi i "HarbourAir" Greg McDougall thotë se kjo marrëveshje do të shënojë hyrjen e kësaj kompanie në tregun më të madh në botë. Kurse Zuo Zongshen-i u shpreh nga ana e tij se blerja e aksioneve të "HarbourAir" nuk është një investim financiar, por strategjik, në kushtet kur hapja e aviacionit të përgjithshëm në Kinë sjell mundësi shumë të mëdha biznesi.

Por Zuo Zongshen-i nuk mjaftohet vetëm me kaq. Ai do që të hyjë edhe në tregun e dronave. Kompania udhëheqëse në këtë sektor është DJI, ndërsa "Zongshen"-i planifikon të fokusohet në prodhimin e përbërësve të dronave, kryesisht të motorëve.

Për këtë arsye, "Zongshen"-i nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi kohët e fundit me Uzinën e Produkteve të Precizionit të Lartë "Hong Baichuan" të Qingdao-s për të krijuar një kompani të re që do të prodhojë pjesë të dronave. "Zongshen"-i do të ketë 67 % të aksioneve të kësa kompanie, me vlerë 5.4 milionë dollarë amerikanë.

Dhe qoftë edhe vetëm shitjet në Kinë duken premtuese për "Zongshen"-in. Tregu i brendshëm për drona - duke përfshirë ata për përdorim komercial dhe ushtarakë - pritet të arrijë në 300 miliardë juanë (47.25 miliardë dollarë amerikanë) në dekadën e ardhshme, dhe shitjet e motorëve për drona do të përbëjnë një të tretën. Shumica e motorëve janë të importuar, duke lënë mjaft hapësirë për zëvendësimin e produkteve të importit, vë në dukje Zuo Zongshen-i.

E megjithatë motorët janë dashuria e parë dhe më e madhe për Zuo Zongshen-in. Ai është një tifoz i madh i markës "Harley-Davidson" dhe ka një koleksion "Harley"-sh në shtëpinë e vet. (Artan Goga)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China