20151027HP |
Kina vlerësohet si "vendi që krijon një miliarder në javë" dhe një prej këtyre miliarderëve të rinj është edhe "mbreti i dronave" Tao Wang, themeluesi dhe zyrtari kryeekzekutiv i Kompanisë së Inovacionit Teknologjik "Dajiang", e njohur shkurt si DJI. Në maj të këtij viti ai u bë miliarderi më i ri në listën e revistës "Forbes", duke qenë po ashtu miliarderi i parë dhe i vetëm deri tani që merret me prodhimin e dronave, ndërsa kompania e tij është prodhuesja më e madhe e dronave në botë, që vlerësohet se furnizon 70 % të tregut botëror. Po ashtu edhe në listën e publikuar nga Instituti "Hurun" këtë muaj, Tao Wang-uishte ndër miliarderët e rinj që iu shtuan kësaj liste, por jo me një a dy, por me 3.4 miliardë dollarë, teksa vlerësimi më i fundit i "Forbes"-it e llogarit pasurinë e tij në 3.6 miliardë dollarë. Sivjet Tao Wang-uështë përfshirë edhe në listën "40 nën 40" të revistës "Fortune", që është renditja e përvitshme e të rinjve me ndikim më të madh në fushën e biznesit në botë.
Tao Wang-u, i njohur edhe Frank Wang, ka lindur në vitin 1980 në Hangzhou të provincës Zhejiang të Kinës Lindore, vendlindja edhe e gjigantit kinez të internetit "Alibaba". Por kur Tao Wang-u ishte ende fëmijë, familja e tij u zhvendos në Shenzhen të Kinës Jugore. Nëna e Tao Wang-ut ishte mësuese, por më vonë nisi një biznes të vogël privat, kurse i ati inxhinier. Kur ishte në shkollën fillore Tao pa në një dyqan një model helikopteri, që i la mjaft mbresa, por që kushtonte sa disa muaj rrogë e prindërve të vet. Tao Wang-u nisi ta kalonte pjesën më të madhe të kohës duke lexuar lidhur me modelet e aeroplanëve dhe të helikopterëve. Ai ëndërronte që, ashtu si Piter Pani, të kishte "zanën" e vet, por që këtë rast ishte një pajisje që mund të fluturonte dhe ta ndiqte atë me një aparat fotografik. Dhe më në fund, për shkak se doli mirë në provimet e shkollës së mesme, prindërit i blenë një model helikopteri me telekomandë. Tao Wang-u arriti ta montonte pajisjen e ndërlikuar, por nuk ia doli ta ngiste dot siç duhet, sepse një gjë e tillë, siç thotë, kërkonte muaj të tërë trajnimi. "Prandaj, kur u përpoqa ta ngrija në fluturim, helikopteri u rrëzua menjëherë. Ishte e pamundur për njerëzit e zakonshëm ta fluturonin atë helikopter. Ai ishte i vështirë për t'u kontrolluar dhe i lehtë për t'u rrëzuar", thotë Tao Wang-u. "Dhe kur rrëzohej, duheshin muaj për të gjetur pjesët që duheshin dhe për ta ngritur përsëri në fluturim." Dhe më tej shton: "Megjithatë, unë i përfytyroja ato gjëra sikur fluturonin kudo, në trenat dhe makinat me të cilat udhëtoja, ose kur ngjitesha në male me babanë tim. Unë gjithmonë përfytyroja diçka që fluturonte pranë nesh dhe që mund të arrinte në vende ku ne nuk mund të shkonim dot."
Tao Wang-u i nisi studimet e larta për psikologji në Universitetin Pedagogjik të Kinës Lindore në Shangai, por shpejt e humbi interesin, prandaj në vitin 2003 nisi të studionte për inxhinieri kompjuterike në Universitetin e Shkencës dhe të Teknologjisë të Hong-Kongut.
Dhe pikërisht gjatë viteve të studimit aty Tao Wang-u filloi të ketë interes për robotikën. Në vitin 2004 ai fitoi një konkurs për prodhim robotësh, duke mundur më shumë se 500 studentë të universiteteve të Hong-Kongut, teksa më pas do të fitonte vendin e tretë në rajonin e Azi-Paqësorit. Suksesi e bëri Tao Wang-un të jetë gjithnjë e më i interesuar për robotikën, fushë ku ai thotë se ka "gjetur vetveten". "Unë kam qenë i apasionuar pas modeleve të aeroplanëve dhe të helikopterëve, por aeroplanët dhe helikopterët e mi shpesh rrëzoheshin. Prandaj ëndrra ime ishte ta zhvilloja këtë teknologji," thekson ai.
Si projekt përfundimtar në universitet Tao Wang-ukishte që të krijonte një minihelikopter dron. "Punova tre muaj për këtë projekt," kujton Tao Wang-u. "Gjatë asaj periudhe mungoja në shumë orë mësimi, pasi shkoja në shtëpinë time në Shenzhen. Zgjohesha në orën 2 pasdite dhe pastaj punoja deri në 5-6 të mëngjesit për ditë me radhë. Një herë, kur u ktheva në universitet, u përpoqa të përdor kartën time të identitetit, por ajo nuk punonte. Më ngriu gjaku, sepse mendova se më kishin përjashtuar prej mungesave. Por në të vërtetë kisha harruar të paguaja tarifën e studimit".
35-vjeçari shprehet se çasti më i paharrueshëm për të ishte kur helikopteri që kishte krijuar fluturoi në ajër. "Ishte janari i vitit 2006. Ishte koha më e bukur në jetën time," kujton Tao.
Tao Wang-u mori një notë të dobët, por modeli i tij u prit mirë në një forum në internet për dashamirët e dronave. "Në atë kohë," ndërmend Tao Wang-u, "bëra një video të minihelikopterit dhe vura re se njerëzit që e panë atë, mendonin se nuk ishte i keq. Pastaj dikush kërkoi që ta blinte. Besoj se ishte një ujdi e mirë, sepse e shita atë për 50 000 juanë (mbi 7 800 dollarë amerikanë), ndërsa më kushtoi vetëm 15 000 juanë (rreth 2 360 dollarë amerikanë) për ta bërë."
I nxitur nga kjo, Tao vendosi që, pas diplomimit, ta kthejë prodhimin e dronave për qëllime civile në biznes.
Dhe kështu Tao Wang-u mori hua 2 000 000 dollarë hongkongas (afro 258 000 dollarë amerikanë) nga shokët e vet dhe krijoi në Shenzhen Kompaninë e Inovacionit Teknologjik"Dajiang" (shkurt DJI). "Nuk e dija se sa i madh mund të ishte tregu", vë në dukje Tao Wang-u. " Kur e krijova kompaninë, ajo ishte vetëm një hobi për mua. Ideja jonë ishte që vetëm të bënim produktin dhe të krijonim një ekip."
Por mungesa e vizionit në fillim, si edhe vetë karakteri i Tao Wang-ut, bënë që kompania të kishte vështirësi të mëdha në dy vjetët e parë, sidomos nga braktisjet. "Pothuajse i gjithë grupi i parë i të punësuarve iku pas dy vjetësh. Ata mund ta kenë ndier se e ardhmja ishte në pikëpyetje ... Nga ana tjetër, unë jam një njeri që kërkon përsosmërinë dhe nuk jam shumë i aftë në bashkëveprimin me njerëz të tjerë," shprehet Tao Wang-u, duke shtuar: "T'ju jap një shembull: Unë besoja se kushdo që kishte dhënë ndihmesë më të madhe duhej të merrte më shumë aksione. Në atë kohë kompania kishte tre-katër të punësuar dhe unë doja t'i jepja secilit prej tyre aksione, por mendoja se sasia e aksioneve nuk duhej të ishte e barabartë. Atij që kishte dhënë ndihmesë më të madhe, duhej t'i jepej më shumë. Por në fund mërzita gjithkënd. Mërzita personin i cili kishte marrë më pak aksione. Ai mendonte se kjo ishte e padrejtë, kështu që u largua. Por mërzita edhe personin që kishte marrë më shumë aksione, sepse ai më pyeti nëse mund t'ia dhuronte një pjesë të aksioneve të tij personit që kishte marrë më pak. Unë i thashë: 'Jo, ti ke për të marrë më shumë aksione.' Patëm pak debat dhe unë i thashë pak a shumë: 'Në këtë kompani drejtoj unë.' Ky incident e lëndoi e edhe ai u largua nga kompania."
DJI mbijetoi falë kapitalit nga Lu Di, një mik i familjes së Tao Wang-ut, i cili në fund të vitit 2006 investoi rreth 90 000 dollarë. Sot Lu vazhdon të mbetet një nga aksionerët më të mëdhenj, me 16 %, ose 1.6 miliard dollarë. Po ashtu Xie Jia, një shok i ngushtë i Tao Wang-ut, e shiti apartamentin e tij për të investuar në DJI, dhe ky veprim i guximshëm iu shpërblye shumëfish, pasi sot ai zotëron 14 % të aksioneve, me vlerë rreth 1.4 miliardë dollarë amerikanë
Në fillim kompania DJI u mor me prodhimin e sistemeve të kontrollit të fluturimit. "Ne u përqendruam në sistemin e operimit për dronat," vë në dukje Tao Wang-u. "Por ai ishte i vështirë për t'u përdorur. Dronat ishin të ndërlikuar dhe kontrollueshmëria ishte relativisht i donët. Njerëzit nuk mund ta përdornin atë sistem në një masë të madhe. Menduam se një dron me shumë rotorë mund të jetë shumë i thjeshtë, shumë i vogël, shumë i besueshëm dhe shumë i lirë. Nëse njerëzit do ta përdornin, tregu do të ishte i madh. Kështu dalëngadalë kaluam nga bërja e sistemeve të kontrollit të fluturimeve te dronat shumërotorësh."
DJI e bënte kryesisht marketimin e produkteve të veta në fillim vetëm duke marrë pjesë nëpër ekspozita dhe nëpërmjet reklamave në uebsajtet e të pasionuarve pas dronave. "Në atë kohë nuk kishim ende ndonjë reklamë për tregun e konsumatorëve masivë ... Herën e parë që shkuam në një ekspozitë, në Nuremberg të Gjermanisë, na vendosën në një nga ato kabinat e lira dhe të vogla. Ne madje nuk ishim as në seksionin e modeleve, por në seksionin e lodrave," shprehet duke vënë buzën në gaz Tao Wang-u. Dhe më tej shton: "Por në vitin e dytë kishim një kabinë më të mirë, dhe nxorëm produktin tonë të ri, nyjëtimin universal 'Zenmuse', nëpërmjet të cilit mund të them se ne e ngritëm standardin e industrisë dhjetëfish. Pikërisht atëherë e ndjeva se shumë njerëz të përfshirë në këtë industri po fillonin t'i kushtonin vëmendje kompanisë sonë."
DJI gjatë këtyre nëntë vjetëve që prej krijimit është kthyer në prodhuesen më të madhe të dronave të vegjël për përdorim civil në botë dhe mbase në firmën e parë kineze që ka arritur të jetë udhëheqëse globale në një produkt konsumi. DJI vlerësohet si kompania e parë kineze që ka udhëhequr një revolucion teknologjik global. Dhe, ndryshe nga kompani të tjera gjigande kineze të teknologjisë, si "Alibaba" dhe "Xiaomi", rritja e të cilave erdhi kryesisht nga tregu shumë i madh i konsumit brenda vendit, pra në Kinë, DJI e siguron shumicën e të ardhurave nga shitjet jashtë vendit.
Sot DJI-a është një kompani me një vlerë 10 miliardë dollarë dhe më shumë se 4 000 të punësuar jo vetëm në Kinë, por edhe në ShBA, Japoni, Holandë dhe Gjermani. DJI zë tashmë 70 % të tregut të dronave për përdorim civil në botë. Këtë vit të ardhurat e kompanisë pritet të arrijnë në 1 miliard dollarë. Kompania i siguron rreth 30 për qind të të ardhurave nga ShBA-ja, 30 për qind nga Europa dhe 30 për qind nga Azia, kurse pjesën tjetër nga Amerika Latine dhe Afrika.
61 nga 129 kompani në Amerikë të autorizuara për përdorimin e dronave përdorin produkte të DJI-së, ndërsa më shumë se 400 nga 695 kompani amerikane ende në pritje të miratimit, gjithashtu përdorin produkte të kësaj kompanie.
Modeli më i shitur i DJI-së është "Phantom", i hedhur në treg në janar 2013. "Phantom" është një aparat fluturues që filmon dhe fotografon me qartësi të lartë nga qielli nëpërmjet telekomandës, me kamera që kontrollohet nëpërmjet smartfonave ose kompjuterave tabletë. Tao Wang-u thotë se kompania e tij është e para që e përshtati këtë teknologji ushtarake për publikun. I pyetur se si i lindi idea, Tao Wang-u shprehet: "Në atë kohë ne po mendonim të bënim një produkt që t'i parandalonte konkurrentët nga bërja e një lufte çmimesh me ne. Ne donim të krijonim një produkt që të ishte me kosto të ulët dhe i gatshëm për t'u përdorur, pa pasur nevojë që ta montonte përdoruesi. Nuk na shkonte mendja të bënim para prej tij, megjithatë 'Phantom' do të ishte produkti që do të shitej më shumë dhe do të sillte të ardhurat më të larta."
"Phantom"-i solli një rritje pesëfish të të ardhurave me pak marketim. Dhe pikërisht suksesi i "Phantom"-it erdhi ngaqë ishte i lirë, thuajse e pamundur të prishej a të rrëzohej dhe blerësi mund ta përdorte menjëherë pasi ta nxirrte nga kutia, ndryshe nga modelet e fëmijërisë e të rinisë së hershme të Tao Wang-ut, që e lodhnin aq shumë.
Ka nga ata që thonë se DJI nuk duket si një kompani kineze. I pyetur nëse është përpjekur të krijojë imazhin e një kompanie jokineze, 35-vjeçari thotë: "Menduam të krijonim një të ashtuquajtur 'kompani në letër' në Gjermani, por në fund vendosëm të mos e bënim një gjë të tillë. Më së shumti na u duk se një gjë e tillë ishte e panevojshme, por gjithashtu nuk ishte as e ndershme. Si mund të mëtosh të jesh diçka që nuk je? Edhe po të mundje, nuk do të bëje jetën që do të doje të bëje." Dhe më tej shton: "Kompanitë kineze tani po bëjnë një paraqitje më të mirë, ndërsa në të shkuarën ato kishin mbetur prapa. Tani gjithnjë e më shumë kompani kineze po bëhen të njohura dhe po ecin mirë në mbarë botën, si 'Huawei', 'Tencent' dhe 'Alibaba'. Tani shumë kompani kineze janë zgjeruar në shkallë globale dhe imazhi i tyre ka ndryshuar gradualisht. Unë mendoj se gjëja më e rëndësishme është vizioni dhe këto kompani e kanë një të tillë."
Tao Wang-u vë në dukje se modeli që merr si shembull, është ai i Stiv Jobs-it: "Personalisht, unë kam qenë shumë agresiv. Në universitet mora pjesë në konkurse robotike dy herë. Herën e parë punuam shumë dhe teknikisht bëmë diçka shumë të mirë, por e shokët e mi nuk ndiheshin rehat kur punonin me mua. Unë isha shumë agresiv dhe doja vetëm të fitoja. Herën e dytë prapë isha agresiv, por gjeta partnerin e duhur dhe drejtimi ishte më i fortë, prandaj ne fituam. Kuptova se të mos jesh i butë, nuk është një gjë e mirë. Por, megjithatë, pasi lexova për Steve Jobs-in dhe zbulova se ai kishte të njëjtin lloj personaliteti, kjo më dha nxitje. Kuptova se të qëndruarit agresiv është gjëja e duhur që duhej bërë për të krijuar një kompani."
Sidoqoftë, Tao Wang-u shton: "Unë i vlerësoj idetë e Steve Jobs, por nuk ka ndonjë njeri që ta admiroj me të vërtetë. Gjithçka që duhet të bësh është të jesh më i zgjuar se të tjerët, të krijosh një largësi nga masa e gjerë. Në qoftë se ia del ta krijosh këtë largësi, do të jesh i suksesshëm. "
Për të shkuar në zyrën e Tao Wang-ut duhet të kalosh dy tabela ku thuhet: "Vetëm ata me tru" dhe "Lërini emocionet tuaja jashtë". Sigurisht edhe 35-vjeçari vetë i respekton këto rregulla. Tao Wang-u pa dyshim është një njeri inteligjent dhe që vë trurin mbi zemrën. Ai punon më shumë se 80 orë në javë (domethënë mbi 11 orë në ditë) dhe mban një shtrat pranë tryezës së vet të punës.
BJI-a ka përfituar nga risitë teknologjike me secilin prej produkteve të veta të reja, por kur e pyet se çfarë do të ndodhë kur kompania të ketë arritur në një pikë ku mund të bëjë vetëm përmirësime të vogla në teknologji në vend të zbulimeve të rëndësishme dhe a mundet që konkurrentët ta rrezikojnë epërsinë e BJI-së, Tao Wang-u është i mendimit: "Një gjë e tillë mund të ndodhë pas tre vjetësh, por deri atëherë do të ishte mirë që konkurrentët tanë të shihnin mundësinë se si mund të mbijetonin. Unë besoj se në atë kohë kjo industri do të ketë një marzh të ulët fitimi. Megjithatë, gjithçka varet nga ritmi i BJI-së. Nëse BJI-a do që kjo industri të ketë një marzh të ulët fitimi, ajo do të ketë një marzh të ulët fitimi; nëse BJI-a do që të ketë një marzh të lartë fitimi, një gjë e tillë do të ndodhë për një kohë pak më të gjatë."
"Sot ne jemi ende të përqendruar në prodhimin e kamerave fluturuese sa më të mira. Objektivi ynë është që të ruajmë rritjen 100% të shitjeve në dy vjetët e ardhshëm ... Në qoftë se do ta arrijmë ta bëjmë një gjë të tillë, unë besoj se ne do të kemi 90 % të tregut," vë në dukje Tao Wang-u.
"Nuk mund të kënaqesh me të tashmen," shprehet 35-vjeçari që nuk gjen kurrë prehje. Sa për të ardhmen e DJI-së, Tao Wang-u thotë se do të vazhdojë ta drejtojë kompaninë drejt realizimit të ëndrrës së saj fillestare për të bërë një produkt të lehtë për t'u përdorur dhe që të gjithë mund ta gëzojnë, ndërsa në të njëjtën kohë duke zgjeruar biznesin e vet në fusha të tjera të tilla si bujqësia dhe industria. "Pesë deri në dhjetë vjetët e ardhshëm do të jenë një periudhë shumë interesante për dronët pa pilot dhe unë po e pres me shumë interes të ardhmen," thotë ai, duke shtuar se një ditë droni do të bëhet njëfarë lodre për të rriturit.
Por jo vetëm kaq. Tregu i dronave është zgjeruar nga vetëm të apasionuarit pas tyre, te bujqit që mbikëqyrin të korrat e madje edhe Hollivudi për xhirimin e filmave dhe të reklamave.
Edhe pse teknologjia nuk ka përparuar mjaftueshëm sa për ta vënë në jetë vizionin e "Amazon"-it për drona që bëjnë dërgesa, "kjo do të jetë realitet herët a vonë", thotë Tao Wang-u. Pastaj shprehet: "Kur dronat ta bëjnë një gjë të tillë, kjo do të ndryshojë botën."