20151003FE-market |
Kohët e fundit, qeveria kineze ka publikuar dokumentin "Vendim për zbatimin e sistemit me listën negative për hyrje në treg", në të cilin thuhet se që nga muaji dhjetor I këtij viti deri në fund të vitit 2017, në disa krahina do të nisë në mënyrë eksperimentale sistemi me listën negative dhe në vitin 2018, ky sistem i ri do të ndërmerret zyrtarisht në mbarë vendin. Ekspertët mendojnë që kjo do të nxitë formimin e një mjedisi të biznesit me konkurrencë të barabartë mes investimeve vendëse dhe atyre të huaja, çka do të shtojë nivelin e hapjes dhe transparencës në tregun kinez dhe njëkohësisht do të kufizojë korrupsionin, duke nxitur reformat mbi sistemin administrativ dhe menaxhues.
Në këtë dokument është shpjeguar çfarë është sistemi me listën negative për hyrje në treg. Sipas tij, Këshilli i Shtetit i Kinës do të caktojë një listë, ku do të shënohen sektorët, fushat dhe bizneset që ndalohen ose kufizohen brenda territorit të Republikës Popullore të Kinës dhe qeverisjet e niveleve të ndryshme do të marrin masa menaxhuese në bazë të ligjit përkatës. Kështu, të gjithë sektorët, fushat dhe bizneset që nuk përfshihen në këtë listë negative mund të futen në mënyrë të barabartë në tregun kinez.
Ekzistojnë dy lloj listash negative: e para është lista negative për hyrje në treg dhe e dyta është lista negative për investimet e huaja. E para përshtatet për investitorët brenda e jashtë vendit, ndërsa e dyta është mbi investimet dhe menaxhimin e investitorëve të huaj në Kinë.
Të dhënat tregojnë që tani në mbarë botën, mbi 70 vende kanë vënë në përdorim sistemin me listën negative. Në bisedimet për globalizimin e kapitaleve dhe marrëveshjet tregtare, lista negative shërben si rregull i hapur në nivel të lartë. Para dy vjetësh, në zonën e tregtisë së lirë të Shangait fillojë të zbatohet lista negative mbi investimet e huaja dhe më pas, ky sistem është zgjeruar edhe në zonat e tregtisë së lirë të Tianjinit, Guangdongut dhe Fujianit.
Studiuesi i Qendrës së Shkëmbimeve Ndërkombëtare Ekonomike të Kinës Wang Jun vuri në dukje se tani, sektorët përkatës të qeverisë kineze përdorin gjerësisht sistemin e shqyrtimit para hyrjes në treg. Kështu, lista negative do të thotë që pragu i kontrollit, shqyrtimit dhe administrimit ka ndryshuar pas investimeve dhe investimet nga ndërmarrjet do të kenë procedurë krejtësisht të re. Këtë herë, vendimi i qeverisë kineze është për të shtuar më shumë sektorë në listën negative si dhe për të zgjeruar më tej zonat e zbatimit të këtij sistemi. Kjo është një lëvizje e rëndësishme e Kinës që kërkon ndryshime.
"Zbatimi i listës negative ka nisur në zonën e tregtisë së lirë të Shangait dhe më pas është zgjeruar në zonat e tregtisë së lirë të Guangdongut, Fujianit dhe Tianjinit. Kjo është një listë ndaj investimeve të huaja. Ndërsa këtë herë, ky dokument i publikuar nga Këshilli i Shtetit përfshin të gjitha fushat e investimeve, jo vetëm investimet e huaja, por edhe ato kineze. Qoftë ndërmarrjet shtetërore, qoftë ato private, të gjitha janë përfshirë në këtë sistem me listën negative. Ky është një përparim i madh në procesin e reformave dhe mund të konsiderohet si një simbol i rëndësishëm i shpejtimit të reformave në vend. Gjithashtu, kjo ka treguar qëndrimin e Kinës me hapje aktive dhe vetëbesim," thotë Wang Jun.
Sipas Këshillit të Shtetit, lista negative për hyrje në treg përfshin pjesën e ndalimit dhe pjesën e kufizimit. Pjesa e ndalimit dhe ajo e kufizimit përfshijnë sektorët, fushat dhe bizneset që kanë lidhje me sigurinë shtetërore, si politika, hapësira territoriale e vendit, ekonomia, financa, shkenca e teknologjia, si edhe ato të lidhura me strategjinë e prodhimit kombëtar, shfrytëzimin e burimeve strategjike dhe me interesat kryesore publike.
Studiuesja e Institutit Studimor të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Kinës, Chen Fengying analizon se kufizimi ose ndalimi i hyrjes në sektorët dhe fushat që kanë lidhje me interesat e shtetit dhe publikut përshtatet me rregullat ndërkombëtare. Me thellimin e reformave dhe shtimin e nivelit të hapjes të vendit, numri i sektorëve të përfshirë në këtë listë negative do të pakësohet në mënyrë graduale.
"Lidhur me listën negative, duhet të kuptojmë mirë, se ato që përfshihen sot në këtë listë, nuk do të thotë që do të përfshihen edhe nesër, ose në të ardhmen. Lista negative mund të ndryshojë. Për vendin tonë, disa sektorë ose fusha janë vërtetë kyçe dhe duhet të mbrohen nga ky sistem. Nëse në të ardhmen, këta sektorë do të kenë aftësi të fortë konkurruese, atëherë do të hapen ndaj botës. Parimisht, lipsa e hapjes është më e vogël. Tani, ndoshta do të kemi një listë të gjatë negative, ndërsa në të ardhmen, ky sistem do të përmirësohet gjithnjë e më shumë," thotë Chen Fengying.
Sipas dokumentit të Këshillit të Shtetit, nga muaji dhjetor I këtij viti deri në fund të vitit 2017, Kina do të provojë sistemin me listën negative në disa krahina të vendit. Kjo do të jetë faza e parë dhe do të shërbejë për të krijuar më shumë eksperiencë, si dhe për të përsosur më tej këtë sistem. Pastaj, do të formohet një listë e integruar për mbarë vendin, si dhe sistemi i përmirësuar përkatës. Dhe pas vitit 2018, do të jetë faza e dytë që në mbarë vendin, do të zbatohet sistemi i ri me listën negative për hyrje në treg.
Chen Fengying është e mendimit se zbatimi dhe zgjerimi i sistemit me listën negative jo vetëm do të reformojë strukturën e shqyrtimit të qeverisë, do të kufizojë korrupsionin, por edhe do të jetë në të mirë të krijimit të një mjedisi të barabartë, transparent për konkurrim ekonomik.
"Cilat janë efektet e reformave vendase? E dimë që në të kaluarën, ndërmarrjet shtetërore ishin disi të favorizuara për hyrjen në treg, ndërsa në të ardhmen, kjo nuk do të ndodhë më ndaj ndërmarrjet shtetërore do të trajtohen njësoj si ato private dhe do të zbatojnë këtë listë negative. Krahas kësaj, edhe marrëdhëniet mes ndërmarrjeve vendase dhe atyre të huaja do të ndryshojnë. Në të kaluarën, investimet e huaja gëzonin një trajtim mbikombëtar, I cili dhe më pas u ndryshua në trajtim kombëtar. Në të ardhmen, do të zbatohet në mënyrë të përgjithshme trajtimi kombëtar dhe investimet e huaja dhe ato vendase do të trajtohen njësoj. Në të ardhmen, Kina do të jetë një treg me konkurrencë të barabartë dhe zhvillim transparent," thotë Chen Fengying, studiuese e Institutit Studimor të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Kinës.
Lidhur me sistemin e shqyrtimit dhe procedurat para dhe pas hyrjes në tregun kinez, studiuesi i Qendrës së Shkëmbimeve Ndërkombëtare Ekonomike të Kinës Wang Jun mendon se zbatimi i sistemit me listën negative do të nxitë formimin e një procedure moderne shqyrtuese dhe do të çojë përpara një sërë reformash në vend.
"Të gjitha rregullat si sistemi i investimeve, regjistrimi industrial dhe sistemi menaxhues dhe ligji mbi konkurrencën tregtare duhet të përshtaten me kërkesat e sistemit me listën negative. Në të kaluarën, I kushtuam rëndësi shqyrtimit para hyrjes në treg dhe lame mënjanë procedurat gjatë ose pas hyrjes në treg. Kështu, në të ardhmen, për të formuar një metodë menaxhimi vërtet të përsosur me listën negative, duhet të bëhen një sërë reformash në procesin e shqyrtimit dhe investimeve," thotë Wang Jun, studiues i Qendrës së Shkëmbimeve Ndërkombëtare Ekonomike të Kinës. (Jiang Lei)