PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Wang Wei, miliarderi i pabujë i postës së shpejtë
2015-10-13 16:57:18 CRI Komenti juaj Printoni

Themeluesi dhe kryetari i bordit i "SF Express" Wang Wei është pa dyshim një nga miliarderët kinezë më intrigues. Ai e krijoi firmën e vet të dërgesave postare kur ishte 22 vjeç, me 100 mijë dollarë hongkongas, por vetëm brenda tre vjetësh pasuria e tij do të arrinte në disa miliona dollarë amerikanë. Ndërsa sot ai ka plot 4 miliardë dollarë, duke u renditur i 26-ti në "Listën e njerëzve më të pasur në Kinën kontinentale" të revistës "Forbes". E megjithatë, Wang shquhet si një njeri që nuk i pëlqen buja dhe të dalë në media. Ai nuk ka dhënë pothuajse asnjë intervistë dhe fotografitë e tij është jashtëzakonisht e vështirë t'i gjesh në shtyp, sepse është një njeri që beson më shumë te puna sesa te fjalët e tek dukja.

Wang Wei ka lindur në vitin 1971 në qytetin kinez të Shangait. Babai i tij punonte si përkthyes i gjuhës ruse në forcat ajrore të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës, ndërsa e ëma ishte lektore në një nga universitetet e Shangait.

Kur Wang Wei ishte në moshën 7-vjeçare, familja e tij u zhvendos nga pjesa kontinentale e Kinës në Hong-Kong. Pas përfundimit të shkollës së mesme, Wang e kishte të vështirë të punësohej, prandaj fillimisht e ndihmoi xhaxhanë në biznesin e tij. Më pas Wang Wei gjeti punë në një fabrikë në Shunde të provincës Guangdong pranë Hong-Kongut, në Deltën e Lumit të Perlave. Rasti është mbreti i botës dhe po ashtu, se si 22-vjeçari i varfër arriti të krijojë kompanisë e tij "SF Express", që do ta bënte miliarder, është një rastësi. Në fillim Wang Wei u bënte nder shokëve të vet, duke çuar falas letra dhe pako ndërmjet Shunde-së, ku punonte, dhe Hong-Kongut, ku jetonte familja e tij. Pas një kohe, ai krijoi lidhje të forta në të dy qytetet dhe kuptoi se kishte një treg të madh të pashfrytëzuar për ofrimin e shërbimeve postare.

Në fillim të viteve '90 të shekullit të kaluar, më shumë se 80 000 firma prodhuese nga Hong-Kongu u zhvendosën në pjesën kontinentale të Kinës, 50 000 nga të cilat pikërisht në zonën e Deltës së Lumit të Perlave, që ndodhet shumë pranë. Dhe kështu, duke ndier se rritja e shpejtë e shkëmbimeve mes Hong-Kongut dhe Deltës, veçanërisht në fushën postare, ishte një mundësi e madhe biznesi, Wang Wei i huajti 100 000 dollarë honkongas të atit dhe në mars 1993, kur ishte vetëm 22 vjeç, regjistroi kompaninë "SF Express". "SF Express" kishte fillimisht vetëm gjashtë postierë, duke përfshirë edhe vetë Wang Wei-n (që njëkohësisht ishte edhe menaxher), një furgon dhe një zyrë të vogël në Hong-Kong. Kompania fillimisht kishte si objektiv tregun e shërbimit të dërgesave të shpejta mes Hong-Kongut dhe rajonit të Deltës së Lumit të Perlave, që erdhi duke u zmadhuar. Duke pasur Shunde-në si qendër, "SF Express" arriti shpejt të fitonte pjesë të tregut falë tarifave më të ulëta se të konkurrentëve. Tarifa e "SF Express"-it ishte vetëm 40 juanë (6.25 dollarë amerikanë) për pako, mjaft më e ulët se 70 juanë (afro 11 dollarë amerikanë) për pako që merrte pjesa më e madhe e kompanive të tjera. Kjo bëri që biznesi i kompanisë "SF Express" të rritej dhe të zgjerohej me shpejtësi në pjesë të tjera të provincës Guangdong. Kompania nisi një fushatë agresive dhënieje ekskluziviteti, dhe në vitin 1997 thithi pothuajse të gjitha shërbimet e postës së shpejtë nga Hong-Kongu, duke u bërë mbizotërues i biznesit të postës së shpejtë ndërmjet Shenzhen-it dhe Hong-Kongut dhe duke arritur të zërë rreth 70 % të tregut. Wang Wei ishte në atë kohë vetëm 26 vjeç dhe ishte bërë tashmë milioner.

Por dukej se Wang Wei nuk ishte i gatshëm për t'u pasuruar në një moshë aq të re. Duke qenë i varfër në të kaluarën, ai filloi të shpenzonte shuma të mëdha për të blerë të mira materiale, por thotë se ato nuk arrinin ta bënin jetën e tij të plotësuar.

Wang Wei shprehet se ia di për nder së shoqes që e ndihmoi ta kalojë këtë periudhë të jetës së vet, duke e sjellë me këmbë në tokë kur ai ishte shumë i kënaqur me veten. Po ashtu Wang-u e ndihmoi veten të gjente paqen e brendshme nëpërmjet budizmit.

Sidoqoftë, të qenit një "budist paqësor", nuk e pengoi Wang Wei-n të ishte agresiv në treg.

Pasi e rimori veten, Wang Wei nisi të mendonte mjaft se si mund ta bënte kompaninë e tij të çante kufijtë rajonalë dhe të zgjerohej në mbarë vendin. Dhe kështu Wang Wei nisi të eksplorojë mundësitë e biznesit jashtë provincës jugore Guangdong. Duke ndjekur të njëjtin model biznesi edhe në rajonin e deltës së lumit Jance, "SF Express" e shtriu veprimtarinë e vet edhe në Kinën Qendrore, Kinën Jugperëndimore dhe Kinën Veriore. Në vitin 2002, "SF Express" e nisi zyrtarisht biznesin e vet edhe në Kinën Lindore.

Po atë vit "SF Express" kaloi me sukses nga një sistem me dhënieje ekskluziviteti në një model biznesi më tradicional, ndërsa selia e kompanisë u zhvendos nga Shunde në qytetin e Shenzhen-it. Një vit më vonë shpërtheu SARS-i dhe kjo solli rënien e ndjeshme të tarifave të kompanive ajrore, duke i mundësuar kompanisë së Wang Wei-t të nënshkruajë marrëveshje të favorshme me një prej këtyre kompanive për pesë aeroplanë. Në këtë mënyrë, "SF Express"-i u bë kompania e parë private e postës së shpejtë në Kinë që ofronte shërbimin e dërgimit nëpërmjet ajrit. Në të njëjtën kohë, Wang Wei e ngushtoi fokusin e kompanisë te pakot e vogla, për të shmangur konkurrencën me kompanitë e mëdha ndërkombëtare si DHL, FedEx dhe UPS.

Ndërsa konkurronte me çmimet e ulëta dhe shërbimin e besueshëm, Wang Wei e përdori kapitalin e vet ende të vogël për zgjerimin e mëtejshëm të "SF Express"-it. Sipas medies, ai e vuri si kolateral të gjithë kompaninë e vet te Banka e Kinës në vitin 2005, për një kredi me vlerë vetëm 550 mijë dollarë amerikanë, për të financuar zgjerimin e mëtejshëm të "SF Express"-it. Ishte një veprim me shumë rrezik, por funksioni dhe që atëherë Wang Wei dhe kompania e tij ecën pa u ndalur.

Pas suksesit në pjesën kontinentale të Kinës, Wang Wei nisi të kishte si objektiv një treg më të gjerë. Në vitin 2007 "SF Express"-i hapi linjën e vet ajrore të postës ekspres ndërmjet pjesës kontinentale të Kinës dhe Hong-Kongut e Tajpeit. Një vit më pas, pikërisht në vitin 2008, edhe linja ajrore ndërmjet Kinës e Rusisë ishte në shërbim. Kompania shpejt regjistroi të ardhura vjetore prej 15 miliardë juanësh (rreth 2.35 miliardë dollarë amerikanë). Në vitin 2009 biznesmeni i guximshëm Wang bleu dy avionë "Boeing-757". Në vitin 2011 të ardhurat e kompanisë "SF Express" arritën në 1.5 miliard dollarë amerikanë, duke bërë që në vitin 2012 Wang Wei të bëhet pjesë e listës së njerëzve më të pasur të Kinës me një pasuri 1.2 miliard dollarë amerikanë. Në vitin 2013 Wang Wei solli investitorë të rinj në kompani, kur banka "China Merchants" në krye të një konsorciumi firmash bleu për 8 miliardë juanë (1.27 miliard dollarë amerikanë) 24.5 për qind të aksioneve të "SF Express". Kjo e çoi vlerën e kompanisë në 32 miliardë juanë (rreth 5.05 miliardë dollarë amerikanë), ose 25 herë më shumë se të ardhurat e vitit 2012.

Menaxherët e kompanisë thonë se Wang Wei është një njeri shumë i dhënë pas punës dhe që ka punuar rregullisht 14 orë në ditë gjatë 20 vjetëve të fundit. Ata që e njohin nga afër thonë se qëllimi i tij kurrë nuk ka qenë që thjesht të grumbullojë pasuri, dhe kjo është arsyeja pse ai ka hedhur poshtë ofertat e shumta për blerjen e "SF Express"-it nga gjigantë botërore të postës së shpejtë, të tillë si "FedEx" dhe "UPS".

Me gjithë suksesin e jashtëzakonshëm të kompanisë së tij, Wang Wei ka deklaruar se "SF Express" nuk do të bëjë reklama dhe se ai nuk ka ndërmend të bëjë atë publike duke e regjistruar në bursë. Është një qëndrim që e ka bërë Wang Wei-n të zërë një vend nderi në gjirin e sipërmarrësve kryesorë të Kinës, duke përfshirë themeluesin dhe kryetarin e gjigantit kinez të internetit "Alibaba" Jack Ma, i cili e quan Wang Wei-n një nga njerëzit që respekton më shumë.

Wang Wei vë në dukje se, edhe kur përpiqen për të tërhequr investiture të mëdhenj, kërkesa kryesore ndaj tyre është që të mos e nxitin "SF Express" të bëhet publike. Ai shprehet: "Ne duam investime strategjike afatgjata, jo financime afatshkurtra."

Pas ngritjes së "SF Express"-it nga zeroja dhe kthimit të saj në një kompani gjigante me 340 mijë punonjës dhe 120 mijë qendra shërbimi, Wang Wei thotë se ai beson se suksesi në biznes nuk vjen nga fati, por nga puna e madhe dhe nga kthimi i së pasigurtës në të pashmangshme. Kjo është një filozofi që e ka bërë atë një prej sipërmarrësve më të suksesshëm kinezë.

Në Kinë ka mjaft hapësirë për rritje në biznesin e postës së shpejtë ajrore. Sivjet vëllimi i ngarkesës së transportuar në rrugë ajrore në Kinë pritet të arrijë 9 milionë tonë. "SF Express" transportoi 445 000 tonë mallra në vitin 2011 dhe 600 000 tonë në vitin 2012, ndërsa sivjet shifra pritet të arrijë mbi 1 milion. Kompania planifikon ta dyfishojë flotën e vet të avionëve në 69 brenda këtij viti dhe dhe ta shtojë atë me 100 të tjerë, duke arritur në 169, deri në vitin 2021, duke zënë dy të tretat e tregut.

Në Kinë diskutohet shumë lidhur me mënyrën e rritjes së ndikimit të sektorit privat në ekonominë e vendit. Por strategjia e Wang Wei-t duket disi ndryshe, duke synuar ta kthejë "SF Express"-in nga një firmë thjesht private në një me aksionerë kompanitë shtetërore, ose siç ka shkruar shtypi, "të bëjë një përzierje të gjeneve të sektorit privat me ato të sektorit shtetëror".

Fakti që vetë Wang Wei punoi si postier në fillimet e "SF Express"-it shihet në njëfarë mënyre si një ndër arsyet e suksesit të kësaj kompanie. Ai i kuptoi vështirësitë e kësaj pune dhe kujdesi për postierët u vu në qendër të filozofisë së menaxhimit të kompanisë prej tyre.

Wang Wei zbatoi metodën e ndarjes së fitimeve për të motivuar punonjësit që bënin dërgimin dhe për të siguruar përkushtimin e tyre në punë. Rroga e tyre llogaritej në bazë të sasisë së pakove të dërgonin. Në fazat e para të zgjerimit të kompanisë "SF Express", ky sistem pagash i motivoi shumë punonjësit dhe partnerët e biznesit të Wang Wei-t, dhe në të njëjtën ndihmoi në rritjen e vëllimit të biznesit. Mund të thuhet pa më të voglin dyshim se zhvillimi i vazhdueshëm i kompanisë "SF Express" ishte në një masë të madhe rrjedhojë e punës së palodhur të punonjësve të saj. "Unë e drejtoj kompaninë duke synuar në zhvillimin e saj afatgjatë, me qëllim që punonjësit e saj të bëjnë një jetë me dinjitet," thekson Wang Wei.

"SF Express" po synon tani të ndërtojë një aeroport në zemër të Kinës. Aeroporti planifikohet të ndërtohet në Ezhou, një qytet pranë Wuhan-it, kryeqendra e provincës Hubei, dhe parashikohet të ofrojë shërbime për tregun e postës së shpejtë të nivelit të lartë, duke mbuluar më shumë se 90 % të pjesës kontinentale të Kinës.

"SF Express" ka vendosur që vendndodhja e aeroportit të jetë Kina Qendrore, në mënyrë që ky projekt të përfshihet në Zonën Ekonomike të Deltës së Lumit Jance dhe të jetë një mbështetje për nismat e Kinës të Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe të Rrugës Detare të Mëndafshit të shek. XXI.

Rajonet e Kinës qendrore përreth Wuhan-it shihen si ideale, sepse mund të mbulojnë pothuajse të gjithë pjesën kontinentale të Kinës brenda një ore e gjysmë.

Ekspertët mendojnë se një aeroport i tillë është thelbësor për zhvillimin e kompanive kineze të postës së shpejtë.

"SF Express" deri tani ka ngritur qendra rajonale në Pekin, Hangzhou, si edhe Shenzhen. Në Kinë shumë aeroporte janë mjaft të ngarkuar, për shkak të rritjes së vëllimit të udhëtarëve e të mallrave, dhe ngarkesa nuk është vetëm në aeroporte, por edhe në qiell.

Në sektorin e aviacionit civil, udhëtarët kanë përparësi ndaj mallrave, kështu që kompanitë e postës së shpejtë duhet të kenë qendra të tilla globale ose rajonale.

Wang Wei mendon se qendra e aeroportit e "SF Express"-it ka mundësinë të bëhet më e madhja në botë: "Kina ka qenë ekonomia më e madhe e logjistikës për pothuajse dhjetë vjet. Me popullsinë e madhe të Kinës që po hyn në erën e përdorimit të transportit ajror, ka mjaft mundësi që kjo qendër ajrore të bëhet më e madhja në Azi, e pse jo, edhe në botë," shprehet 44-vjeçari.

Por sigurisht një gjë e tillë do të kërkojë kohë. Qendrës ajrore të SF do t'i duhet të konkurrojë me atë Memfisit në ShBA, që i përket kompanisë globale të shërbimeve postare "FedEx", që zotëron 650 aeroplanë dhe mbulon më shumë se 220 vende e rajone.

"Krahasuar me 'FedEx'-in, 'SF Express'-i është 'një vëlla i vogël' për sa i përket kapacitetit të biznesit. Por, kur të jetë miratuar dhe të ketë përfunduar ndërtimi i qendrës, 'SF Express' dhe kjo qendër ajrore e Kinës Qendrore do të ecin me ritme të shpejta për ta arritur atë të Memfisit, duke mbajtur parasysh rritjen e shpejtë të biznesit të 'SF Express'-it", vë në dukje Wang.

Në të vërtetë "SF Express" shpesh është vlerësuar si "FedEx"-i kinez, por ajo është një kompani e pabujshme, ashtu si edhe themeluesi dhe drejtuesi i saj. Publiku e pa për herë të parë Wang Wei-n në fund të vitit 2011, kur ai dha intervistën e parë dhe të vetme deri tani për shtypin, 18 vjet pasi krijoi kompaninë e vet. Më parë Wang Wei nuk ishte shfaqur as edhe në vetë revistën e kompanisë. Mosnjohja nga shumica e punonjësve të vet kishte epërsi, pasi i mundësonte Wang-ut të kontrollonte se si punonin punonjësit e kompanisë së vet.

Në të vetmen intervistë, Wang Wei është shprehur se e menaxhon kompaninë me një zemër artistike. Ai parapëlqen ta përdorë kompaninë e vet për të realizuar ëndrrat e veta dhe për t'u ndier një njeri i vetërealizuar sesa si një makinë për të bërë para

Aq shumë që nuk do që të bjerë në sy Wang Wei dhe aq pak dihej për të, saqë revista hongkongase "Next", tepër e interesuar për të mësuar rreth këtij biznesmeni enigmatik, e dërgoi një nga reporterët e vet të punonte fshehurazi për tre muaj si postier në "SF Express". Ndërkohë, një firmë i ofroi 500 mijë juanë çdo ndërmjetësi që do të bënte të mundur që përfaqësuesit e saj të darkonin me Wang Wei-n.

"Unë jam nga ata që qëndron në qoshe, jo në krye. Më pëlqen të jetoj pa bërë shumë zhurmë dhe të jem një njeri i zakonshëm. Ndihesh rehat të jesh si gjithë të tjerët," shprehet ai.

Ata që e njohin Wang Wei-n në "SF Express", thonë se ai ka tre tipare: është shumë i respektueshëm, është idealist dhe ka një ndjenjë të fortë të përgjegjësisë shoqërore. Dhe këto janë tiparet që i nevojiten çdo biznesmeni të suksesshëm e të përgjegjshëm.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China