PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Kinë, nis reformat në ndërmarrjet shtetërore
2015-10-13 10:22:31 CRI Komenti juaj Printoni

Kina, ekonomia e 2-të e botës, ka mbi 155 mijë ndërmarrje shtetërore, kapitalet e të cilave i kalojnë 104 trilionë juanët, ndërsa numri i punonjësve të tyre arrin mbi 36 milionë. Këto ndërmarrje janë vërtet shtyllë e ekonomisë kombëtare të Kinës. Pas Reformës dhe Hapjes në vitet '80 të shekullit të kaluar, për t'i rregulluar marrëdhëniet mes ndërmarrjeve shtetërore e tregut dhe për të sjellë rigjallërimin e këtyre ndërmarrjeve, qeveria kineze ka ndërmarrë reforma të shumta. Për arsye të vëllimit gjigant dhe rëndësisë së veçantë në ekonominë kombëtare, reforma në këto ndërmarrje vlerësohet si thelbi i ristrukturimit të ekonomisë së vendit. Prandaj në Kinë ka një shprehje: "Arritjet e reformës varen nga ndërmarrjet shtetërore".

Qysh nga viti 2013, reforma lidhur me ndërmarrjet shtetërore ka tërhequr vëmendjen e publikut. Po atë vit, sesioni i 3-të plenar i Komitetit Qendror të 18-të të PKK-së miratoi dokumentin "Vendim mbi thellimin e gjithanshëm të reformës", duke përcaktuar drejtimin e reformës në ndërmarrjet shtetërore. Njëkohësisht është publikuar programi i kësaj reforme, ku deklarohet qartë që "për të përsosur sistemin modern të menaxhimit, formimi i një sistemi tregu të hapur, të standardizuar dhe konkurrues është baza për rolin vendimtar të tregut gjatë shpërndarjes së burimeve".

Pas dy vjet pune përgatitore, kohët e fundit u miratua nga qeveria kineze dokumenti "Vendim mbi thellimin e reformës në ndërmarrjet shtetërore". Ky dokument përbëhet nga 8 kapituj dhe 30 nene dhe është vlerësuar si program i nivelit më të lartë për reformën e ndërmarrjeve shtetërore. Në këtë dokument kërkohet që deri në vitin 2020, të formohen sistemi i menaxhimit të pasurive shtetërore, sistemi modern i ndërmarrjeve dhe sistemi i menaxhimit i marketizuar që përshtaten më mirë me sistemin ekonomik të vendit dhe me kërkesat për zhvillimin e ekonomisë socialiste të tregut. Kështu, kapitalet shtetërore do të shpërndahen në mënyrë më të arsyeshme. Zv.kryetari i Komitetit të Mbikëqyrjes së Pasurive Shtetërore pranë Këshillit të Shtetit Zhang Xiwu u shpreh:

"Reforma e ndërmarrjeve shtetërore ka tre standarde, të cilat janë përkatësisht: ruajtja dhe rritja e vlerës së kapitaleve shtetërore; forcimi i konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve shtetërore; shtimi i funksioneve të kapitaleve shtetërore."

Në këtë dokument, ndërmarrjet shtetërore janë ndarë në dy grupe: komerciale dhe publike. Për ndërmarrjet komerciale, do të shqyrtohet kryesisht paraqitja në biznes dhe fuqia konkurruese në treg, ndërsa te ato publike shqyrtimi do të përqendrohet kryesisht tek kontrolli i kostos, cilësia e produkteve dhe e shërbimeve, si edhe do të përfshihet vlerësimi shoqëror. Studiuesi i Akademisë së Qeverisjes të Kinës Zhang Chunxiao bën të ditur:

"Për ndërmarrjet publike, fokusi i shqyrtimit është niveli i jetesës dhe ofrimi i shërbimeve publike dhe i produkteve përkatëse."

Ndërmarrjet janë ndarë në komerciale dhe publike, sepse në gjendjen e tanishme këto ndërmarrje kanë objektiva të shumta dhe jo tepër të qarta. Kjo ndarje synon zgjidhjen e këtij problemi, si edhe shfrytëzimin më të mirë të kapitaleve shtetërore. Zv.drejtori i Shoqatës së Studimit së Reformës dhe Zhvillimit të Ndërmarrjeve Kineze Zhou Fangsheng është i mendimit që ndërmarrjet shtetërore që ofrojnë shërbime publike duhet të menaxhohen drejtpërdrejt nga qeveria, që do të thotë se çmimi dhe cilësia e shërbimeve të tyre duhet të kontrollohet nga qeveria. Kështu, ndërmarrje të tilla do të përqendrohen në shërbimet publike dhe do të kenë më pak funksione tregu.

"Ndërmarrjet e ujësjellësit, kompanitë e transportit publik, kompanitë e metrosë etj. u përkasin ndërmarrjeve publike. Qeveria mund t'u japë atyre subvencione dhe ato nuk mund t'i rritin tarifat sipas dëshirës, pasi tarifat përcaktohen nga qeveria. Ndërsa ndërmarrjet komerciale do të konkurrojnë në treg dhe do të menaxhohen krejtësisht nga rregullat e tregut," thotë Zhou Fangsheng, zv.drejtori i Shoqatës së Studimit së Reformës dhe Zhvillimit të Ndërmarrjeve Kineze.

Në këtë dokument kërkohet qartë që, në të ardhmen, detyra e institucioneve mbikëqyrëse të pasurive shtetërore të kalojë nga administrimi i ndërmarrjeve në administrimin e kapitaleve. Kjo do të thotë që të drejtat e menaxhimit dhe të drejtat e administrimit do të kalojnë në duart e ndërmarrjeve. Më parë, mund të thuhet se Komiteti i Mbikëqyrjes së Pasurive Shtetërore ka shërbyer edhe si gjyqtar, edhe si trajner, por një gjë e tillë do të ndryshojë në të ardhmen. Lidhur me këtë, studiuesi Zhang Chunxiao u shpreh:

"Në reformat e mëparshme të ndërmarrjeve shtetërore, u kemi dhënë ndërmarrjeve vetëm të drejtat e menaxhimit, ndërsa organet mbikëqyrëse kishin të drejtat e administrimit dhe të kontrollit. Kështu, ndërmarrjet shtetërore, për shkak të kompentencave të pakta, i menaxhonin bizneset e tyre me kufizime. Nusja nuk mund të bëjë asnjë punë, nëse vjehrra i rri mbi kokë më shumë se ç'duhet. Prandaj, në reformat e reja, do t'i jepen 'nuses' më shumë të drejta, ndërsa 'vjehrra' do të fokusohet në mbikëqyrje. Kështu, 'nusja' mund të punojë më shpejt e më mirë dhe mbikëqyrja do të jetë më dinamike, më efikase dhe më e fokusuar."

Për të ndërthurur më mirë ekonominë shtetërore me atë të tregut, në Kinë është kërkuar që të zhvillohet aktivisht një sistem i përzier ekonomik. Zhvillimi i ekonomisë së përzier është në të mirë të shtimit të funksioneve të kapitaleve shtetërore, të ruajtjes dhe rritjes së vlerës së kapitaleve, të shtimit të konkurrueshmërisë dhe të pjesëmarrjes së ndërmarrjeve në konkurrencën ndërkombëtare.

Ndërmarrjet shtetërore i përkasin të gjithë shoqërisë dhe janë pronë e përbashkët. Kështu, për të shpërndarë në mënyrë më të barabartë arritjet e reformave, deri në vitin 2020, ndërmarrjet shtetërore do t'i përdorin 30 % të të ardhurave të tyre për të përmirësuar nivelin e jetesës së njerëzve. Zv.kryetari i Komitetit të Kapitaleve Shtetërore të Kinës Zhang Xiwu vë në dukje që reforma e tanishme ka katër karakteristika kryesore:

"E para është saktësia: këtë herë reformat lidhen me problemet ekzistuese dhe janë fokusuar tek problemet më të spikatura. E dyta është një rregullsi më e madhe e procesit: reformat zbatohen vetëm pasi të përcaktohen rregullat dhe të gjitha reformat duhet të bazohen te rregullat. E treta është formimi i sistemit përkatës: lidhur me reformat në ndërmarrjet shtetërore, është formuar një sistem që e vë theksin në bashkërendimin e masave të reformës. E katërta është hapja: gjatë procesit të reformave, do të ngulet këmbë në hapjen dhe transparencën. Të gjitha politikat, projektet, masat dhe procedurat duhet të mbeten të hapura dhe të mbikëqyren nga publiku. Nuk do të lejojmë kurrë që përfitimet nga reformat t'i gëzojnë vetëm një grup i vogël njerëzish." (Jiang Lei/Artan Goga)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China