PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Kinë, krijohet fondi mbështetës për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme
2015-10-08 16:26:19 CRI Komenti juaj Printoni

Kina do të krijojë një fond shtetëror mbështetës për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me një vlerë 60 miliardë juanë. Ky fond do të menaxhohet sipas kërkesave të tregut dhe do të përdoret kryesisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të sapokrijuara ose që ndodhen në fazën e rritjes. Ekspertët janë të mendimit që, me inkurajimin nga qeveria kineze për nisjen masive të biznesit dhe krijimin e risive, ky fond do të jetë një masë efikase për stabilizimin e rritjes dhe nxitjen e gjallërimit të sipërmarrjes private.

Më 1 shtator, Këshilli i Shtetit i Kinës vendosi që të investojë 15 miliardë juanë, për të tërhequr kompanitë private e shtetërore, institucionet financiare dhe pushtetin vendor, të marrin pjesë bashkërisht në fondin shtetëror të zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Drejtori i Zyrës së Studimeve Makroekonomike pranë Qendrës Shtetërore të Informacionit të Kinës Niu Li është shprehur që një fond i tillë mbështetës do të luajë rol shumë të rëndësishëm për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme.

"Fondi i zhvillimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me shumën prej 60 miliardë juanësh, faktikisht është mbështetje nga qeveria kineze për ndërmarrjet e vogla e mikrondërmarrjet dhe do të luajë një rol jashtëzakonisht të madh për projektet kombëtare 'Nisje masive e biznesit' dhe 'Novacion masiv'. Ky fond shtetëror do të tërheqë më shumë investime private. P. sh., në ShBA, gjatë procesit të zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe mikrondërmarrjeve, veçanërisht atyre të teknologjisë së lartë, kishte fonde të shumëllojshme, si fonde investimesh, fonde biznesesh fillestare, fonde kapitalesh me rrezik etj. Në fazën fillestare kemi marrë një sërë masash inkurajuese për nisjen masive të biznesit dhe krijimin masiv të risive. Këtë herë, investimet nga qeveria do të luajnë rol të rëndësishëm për stimulimin e mëtejshëm të këtyre projekteve," thotë Niu Li.

Sipas të dhënave të fundit, në muajin gusht Treguesi i Menaxherëve të Blerjes (PMI) në Kinë për herë të parë ra nën 50, që është niveli standard. Vlera e PMI nën 50 % tregon kështu ulje ekonomike. Zv.drejtori i Departamentit të Konsultimeve dhe Studimeve pranë Qendrës së Shkëmbimeve Ekonomike Ndërkombëtare të Kinës Wang Jun është i mendimit që të dhënat e fundit tregojnë se Kina ende përballon një presion të madh dhe krijimi i një fondi zhvillimi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme është një masë për stabilizimin e rritjes.

"Kjo është një mënyrë e vërtetë mbështetëse për stabilizimin e rritjes. Krijimi i fondit mbështetës për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ka synim që të nxitë gjallërinë nga ana mikroekonomike dhe të japë mbështetje për rritjen ekonomike në të ardhmen. Tani pritet rigjallërimi i mikrondërmarrjeve. Prandaj, është një masë e përshtatshme krijimi i fondit mbështetës për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme," thotë Wang Jun.

Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme është problem mungesa e fondeve të zhvillimit. Kryeekzekutivja e Kompanisë së Teknologjisë Hapësinore "Tianrui" Shen Xiaorong e pranon që financimi është vërtet një problem, sidomos në fazën fillestare.

"Sipërmarrjet novatore si jona e nisin vetë biznesin dhe kanë dy mungesa kryesore: e para është mungesa e fondeve dhe e dyta mungesa e talenteve. Veçanërisht në fazën fillestare, mungesa e fondeve është një problem i madh," thotë Shen Xiaorong.

Përveç vlerësimeve, ka edhe nga ata që dyshojnë në efektivitetin dhe shfrytëzimin konkret të këtij fondi të iniciuar nga qeveria. Drejtori i Studimeve Makroekonomike pranë Qendrës Shtetërore Informative të Kinës, Niu Li, analizon që në të kaluarën, për shkak të efektivitetit të ulët dhe fitimeve të pakta, kapitalet private nuk dëshironin të përfshiheshin në projekte të mëdha infrastrukturore dhe të shërbimeve publike. Ndërkohë, për fondet e kapitaleve me rrezik, një fond në rang kombëtar është në të mirë të tërheqjes së kapitalit privat.

"Fondet e kapitaleve me rrezik duhet të përdoren për të përkrahur ndërmarrjet e vogla dhe mikrondërmarrjet. Ndërkohë, fonde të tilla nxisin më shumë kapitale private të futen në fushat përkatëse. Lidhur me detajet e projekteve, duhet të vendoset nga perspektiva dhe kërkesat e tregut dhe jo sipas planit subjektiv të qeverisë. Kjo është një fushë që mbështetet nga qeveria dhe drejtohet nga tregu," thotë Niu Li.

Megjithëse nuk janë publikuar politikat e hollësishme menaxhuese, qeveria kineze ka deklaruar qartë se do të përdorë metoda të bazuara mbi tregun. Për menaxhimin e këtij fondi, parimisht do të përdoret sistemi i partneritetit të kufizuar dhe hollësitë si financimi, krijimi, menaxhimi, shpërndarja e fitimeve dhe tërheqja e investimit fillestar, do të jenë të orientuara nga tregu. Vlen të përmendet që investitorët privatë do të kenë përparësi në ndarjen e dividentit, kurse shteti do të marrë më pak sesa i takon.

Lidhur me këtë, zv.drejtori i Departamentit të Konsultimeve dhe Studimeve pranë Qendrës së Shkëmbimeve Ekonomike Ndërkombëtare të Kinës Wang Jun thotë që, gjatë këtij procesi, tregu do të luajë rolin kryesor.

"Duhet të përdoret sistemi i tregut gjatë shpërndarjes dhe përzgjedhjes. Qeveria nuk do të lejohet të përfshihet shumë në procesin e shpërndarjes dhe tregu duhet të luajë rolin vendimtar. P. sh., tregu i kapitaleve është një platformë shumë e mirë. Kredidhënia bankare është po ashtu një element i rëndësishëm, mirëpo bankat e mëdha nuk i parapëlqejnë klientët e vegjël, por klientët e mëdhenj. Bankat nuk janë të prirura t'u ofron mbështetje kompanive që nuk kanë kolateralin e mjaftueshëm, sidomos bizneseve të saponisura. Kështu, ka një nevojë të madhe për mbështetje shumështresore nga tregu i kapitaleve dhe duhet të ketë zhvillim mjaft të madh për të plotësuar kërkesat e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, pasi sistemi i tregut kërkon shumë rregullim dhe bashkërendim, si edhe mbështetje dhe inkurajim," thotë zv.drejtori i Departamentit të Konsultimeve dhe Studimeve pranë Qendrës së Shkëmbimeve Ekonomike Ndërkombëtare të Kinës Wang Jun. (Jiang Lei)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China